Rama dhe modeli Blair-ian i “rrugës së tretë”

Nga Agron Loci, botuar në gazetën Mapo, 4 korrik 2013

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se guru-ja politik i Ramës mbetet Tony Blair, ish-kryeministri laburist britanik, që para pak ditësh mbushi 60 vjeç, njëkohësisht edhe një ndër përfaqësuesit kryesorë të së ashtuquajturës “rrugë e tretë”. E konsideruar si një doktrinë politike që ka revizionuar politikat social-demokrate, të cilat kishin dështuar që prej viteve ‘80-‘90 të ofronin alternativa të besueshme qeverisëse në kushtet kur fenomeni i globalizmit ishte bërë sundues në të gjithë botën, kjo formë e re e ideologjisë politike të socializmit, përveç tipareve të përbashkëta ka pasur dhe veçoritë e saj në implementimin në praktikë nga ana e përfaqësuesve të saj kryesorë si Tony Blair, Bill Clinton, e deri tek Obama. Megjithë këto karakteristikat dalluese, ajo që i bashkon të gjithë këta politikanë është ideja për të ofruar një alternativë që shkon përtej së majtës dhe së djathtës. Pikërisht këtë që u përpoq të realizonte Rama në zgjedhjet e 2009, por që shoqëria shqiptare atë kohë tregoi se vazhdonte të ishte e prirur drejt vlerësimit të situatës bardh e zi sesa drejt formulave bashkëjetuese që dilnin përtej dikotomisë tradicionale e majtë- e djathtë.

Menjëherë pas marrëveshjes së 1 prillit, që në njëfarë mase të paktën hipotetikisht rriste mundësitë e rikthimit të së majtës së bashkuar në pushtet, udhëtimi i parë i Ramës ishte në Londër ku u takua me Tony Blair. Në atë vizitë Rama mori mbështetjen e tij për PS, gjë që u konfirmua vetëm pak ditë pas fitores së të majtëve kur vetë Blair deklaroi se do ta këshillonte madje falas Ramën si kryeministër të Shqipërisë.

Në një linjë me këtë model qeverisjeje është edhe fryma e programit politik të PS, të quajtur “Rilindja Kombëtare”, por edhe deklaratat e para të Ramës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë se “do të ishte shërbëtori i të gjithë shqiptarëve”.

Megjithatë, e ashtuquajtura “rrugë e tretë” ka disa tipare të përgjithshme, të cilat është me interes të përmenden si dhe në një kohë të afërt të analizohen nëse Rama në postin e kryeministrit do t’u përmbahet atyre.

Së pari, është raporti midis shtetit dhe tregut në kushtet e një ekonomie dinamike dhe tejet të ndërvarur nga shumë faktorë. “Tretistët” pavarësisht trashëgimisë së tyre socialiste e kanë pranuar epërsinë e tregut mbi shtetin si dhe domosdoshmërinë e adoptimit të qëndrimeve pro biznesit dhe sipërmarrjes. Një qëndrim i tillë i afrohet më tepër pozicioneve neoliberale të aplikuara nga ana e qeverisjes së Berishës dhe pritet për t’u parë në praktikë sesi do të realizohet nga kryeministri Rama pas shtatorit. A do të ndjekë qeveria Rama politika preferenciale ndaj biznesit, si do t’i realizojë marrëdhëniet mes formave të ndryshme të tij, cili do të jetë roli i institucioneve shtetërore në raport me biznesin, do të jenë disa nga pyetjet që do të marrin përgjigje me kalimin e kohës.

Së dyti, duke qenë një variant modern i ideologjisë politike socialiste, tretistët nuk mund të anashkalojnë vlerësimin e koncepteve të tilla të qenësishme të kësaj ideologjie, siç janë ato që lidhen me komunitetin dhe përgjegjësitë morale. Nëse Rama do të ndjekë një politikë ekonomike neoliberale, siç e theksuam më lart, ekziston rreziku që në kushtet e kësaj lirie ekonomike të dëmtohen themelet morale të shoqërisë. Tony Blair e hasi këtë fenomen gjatë mandatit të tij të parë dhe u përpoq me kalimin e kohës që t’i japë zgjidhje përmes bashkimit të ideve komunitariste me ato liberale. Marrëdhënia është e vështirë dhe Blair në thelbin e politikës së tij u përpoq të tregonte se në kushtet e rritjes së dukurisë së individualizmit duhet ta bëjmë të qartë se ky individ do të arrijë të jetë i suksesshëm nëse arrin të kuptojë dhe vlerësojë rëndësinë që ka për të por edhe për shoqërinë kuptimi i drejtë i marrëdhënieve të ndërvarësisë, por edhe i atyre të reciprocitetit me të tjerët. Nëse një politikë e tillë ka qenë fillimisht e vështirë për Britaninë e Madhe, gjasat janë që edhe qeverisja Rama të ketë vështirësitë e saj, derisa nga njëra anë premton mbështetjen e biznesit dhe nga ana tjetër zvogëlimin e nivelit të margjinalizimit shoqëror.

Së treti, në ndryshim nga socialistët por edhe nga social-demokratët, të cilët vlerësojnë ndarjen dhe antagonizmin klasor, tretistët përpiqen që të adoptojnë për shoqërinë një vizion konsensusi duke e vënë theksin kryesisht tek elementët që bashkojnë anëtarët e shoqërisë dhe duke u përpjekur të injorojnë diferencat klasore apo edhe pabarazitë ekonomike. Besimi tek konsensusi dhe harmonia sociale kanë qenë tipare të qenësishme të politikës së Blair dhe do të ishte me shumë interes të vlerësohej shkalla e implementimit të tyre në realitetin shqiptar, ku për hir të së vërtetës ekziston një hendek i madh diferencash mes individëve apo edhe shtresave të caktuara, qofshin këto në nivel ekonomik, social por edhe arsimor e kulturor.

Së katërti, në ndryshim nga socialistët që flasin për barazinë, tretistët e kanë zëvendësuar këtë koncept me përfshirjen sociale. Ky qëndrim në thelb ka ngjashmëri me konceptet liberale që vlerësojnë idetë e mundësisë dhe të meritokracisë por, nëse socialistët barrën fiskale dhe ndihmën sociale ia ngarkojnë shtetit, liberalët më tepër e shohin si mundësi që të krijon tregu dhe liria për të përmbushur synimet e çdo individi. Ndërkohë, Rama gjatë fushatës ka premtuar se do të realizojë reforma të gjera që do të mundësojnë mirëqenien për të gjithë shqiptarët. Me këtë qëndrim ai në fakt del kundër paradoksit të qeverisjes së djathtë të Berishës, që nga njëra anë fliste për reforma ekonomike neoliberale dhe nga ana tjetër, për mirëqenie të të gjithë shqiptarëve. Por në thelb ky premtim në njëfarë mase bie në kundërshtim edhe me vetë premtimet e Ramës për përkujdesje për të gjitha shtresat pavarësisht kontributeve të tyre sociale. Është me të vërtetë një sfidë e cila ka një shkallë të lartë vështirësie për t’u realizuar në praktikë, pasi politikat për rritjen e mirëqenies duhet në radhë të parë të mbështeten në zgjerimin e mundësive për punësimin e individëve.

Së fundi, ka një vizion të ndryshëm të tretistëve mbi rolin e shtetit, vizion ky që shkon përtej qëndrimeve tradicionale, qofshin këto socialiste apo liberale. Ata janë të ndërgjegjshëm për nivelin e lartë të konkurrencës mes shteteve, për shkak të zgjerimit dhe të intensifikimit të fenomenit të globalizmit. Në këto kushte, për ta shteti duhet të përqendrojë politikat e tij në investimet sociale dhe në radhë të parë në përmirësimin e aftësive dhe njohurive të fuqisë punëtore në vend. Pra, edukimi duhet të jetë prioriteti i qeverisjes, pasi përmes punonjësve të kualifikuar nxitet punësimi dhe përfitimet ekonomike. A do të jetë edhe ky një ndër angazhimet kryesore të qeverisjes Rama dhe sa do të arrijë ai ta përmbushë këtë politikë, kjo mbetet për t’u parë pas shtatorit.

Sigurisht, të gjitha këto tipare dalluese ku mbështetet filozofia qeverisëse e “rrugës së tretë” do të jetë e vështirë të gjejnë zbatimin e tyre perfekt në një realitet të tillë siç është Shqipëria. Megjithatë, afeksioni që Rama ka treguar dhe tregon për politikat qeverisëse të Tony Blair, mbështetja e pakursyer që ka marrë nga ish-drejtuesi laburist, na japin të drejtën për të analizuar më vonë nëse Rama do të arrijë të përmbushë këto politika, por edhe se sa koalicioni me LSI do ta mbështesë dhe do t’i krijojë atij hapësirat e nevojshme në realizimin e këtij modeli qeverisës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi