Viti evropian i Ballkanit, 2014-a
Nga Michael Spindelegger, Ministër i Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë. Carl Bildt, Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.
Ballkani po i afrohet vitit historik 2014. Sytë do të kthehen kah rajonit ku 100 vite më parë filloi lufta e madhe evropiane me vrasjen e Arkidukës Franz Ferdinand në Sarajevë.
Por 2014-a mund të jetë një vit historik në procesin e integrimit evropian: me kurajë dhe vullnetin e duhur politik, 2014-a do të jetë një vit në të cilin mosmarrëveshje të mëdha politike do të zgjidhen dhe i gjithë rajoni më në fund do të përparojë drejt Bashkimit Evropian.
Disa janë vetëm pak hapa përpara dhe më pranë arritjes së vijës së finishit: Në 1 korrik u pranua Kroacia si anëtare e 28-të e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, Mali i Zi ka filluar tashmë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Disa të tjerë kanë treguar vendosmëri të madhe: në prill të këtij viti pamë një marrëveshje historike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me popullsinë serbe në Kosovë. Implementimi nuk do të arrihet brenda natës dhe shumë çështje mbeten për t’u zgjidhur. Megjithatë, çdokush me pak njohuri mbi Ballkanin e di se kjo ka qenë një çështje e diskutueshme, ndaj marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm përpara.
Kjo do t’i hapte rrugë gjithashtu negociatave të anëtarësimit për Serbinë dhe do të lejonte Kosovën të fillonte negociatat e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Presim një sinjal të qartë politik nga Këshilli Evropian në lidhje me këtë.
Por përtej kësaj dërgon një sinjal të fortë për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Një normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do t’u japë fund ambicieve destabilizuese nacionaliste. Është kthim prapa për ata që advokojnë për shtete etnike dhe vendosjen e armiqësive të vjetra. Liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë treguar çfarë mund të arrihet me një element kritik vizioni dhe kuraje politike.
Gjëja më e rëndësishme tani është se kolegët e tyre në Shkup dhe Sarajevë – si edhe ata në Tiranë – po i ndjekin ngjarjet me vëmendje. Nëse ndonjë marrëveshje mund të arrihet mbi çështjen delikate të marrëveshjeve për popullsinë serbe në Kosovë, duhet të jetë e mundur të tejkalohet gjendja pa rrugëdalje në Bosnje dhe Hercegovinë dhe çështja shkatërrimtare e emrit të Maqedonisë, ose ndërmarrja e reformave të nevojshme apo proceset e përshtatshme të formimit të qeverisë në Shqipëri.
Nëse arrihet përparim në këto çështje, BE-ja duhet të jetë e përgatitur të plotësojë angazhimet e saj. Kjo do të thotë fillimi i bisedimeve me Maqedoninë, dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe pranimi i një aplikimi të besueshëm të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë.
Por, nëse asnjë përparim nuk arrihet, liderët në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë – si edhe ata në Banja Luka dhe Mostar – rrezikojnë t’i shohin vendet e tyre të lënë pas me pasoja të rënda, si politike ashtu edhe ekonomike në të ardhmen.
Ndaj, marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të shihet në një kontekst më të gjerë rajonal. Mesazhi këtu është i qartë: pragmatizmi dhe kompromisi – jo bllokime të papajtueshme – janë mënyrat për të tejkaluar pengesat dhe për të arritur marrëdhënie të mira fqinjësie, për të cilat ka nevojë gjithkush dhe t’u jepet njerëzve në rajon një perspektivë e prekshme për një të ardhme më të mirë.
Le të shpresojmë pra se vendosmëria e lidershipit kroat si edhe kuraja dhe vizioni i atyre në Beograd dhe Prishtinë do të vendosin shembujt që do të ndjekin të tjerët. Dhe se viti tjetër do të kujtojë 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, duke bërë kontrastin ndërmjet të shkuarës me një të ardhme vërtet premtuese evropiane për të gjithë rajonin e Ballkanit