Logjika e politikave ekonomike përballë logjikës “racionale” të tregut

Nga Prof. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 29 qershor 2013

Cila pjesë e politikave ekonomike duhet të bazohet në kërkesat dhe detyrimet e efektivitetit të pastër ekonomik dhe cila pjesë e tyre duhet të bazohet në tërësinë e vendimeve  që reflektojnë ekuilibrin e forcave politike dhe ekuilibrat socialë? Kjo është pyetja më thelbësore që “mundon” sot vendimmarrësit e nivelit të lartë shtetëror, politikanët, ekspertët e ekonomisë etj. Nga fakti se në cilin krah të këtij ekuacioni vendosen apo vendosin, krijohet dhe profili i tyre, portretizohen politikat ekonomike dhe objektivat e tyre, merr jetë karakteri i zhvillimit ekonomik e social. 

Efektivitet ekonomik apo vendim politik ?   

Për të realizuar një analizë të raporteve dhe influencës reciproke ndërmjet politikave ekonomike dhe logjikës se tregut, ose më saktë “racionalitetit” të saj, vlen një anekdotë shumë domethënëse e thënë në kongresin botëror të ekonomistëve të vitit 2005 nga një ekspert i politikave të zhvillimit. Një grup personash në mes të të cilëve gjendej një mjek, një prift, një ministër dhe një ekonomist u mblodh në një klub golfi për të kaluar ditën dhe luajtur disa ndeshje. Sipas rregullave të lojës dhe mundësive të fushës, grupi duhet të priste që të mbaronte një grup tjetër përpara tyre dhe pastaj të vazhdonte tëpërdorte fushat e ndryshme sipas një kalendari dhe orari të paracaktuar. Por gjithçka ecte shumë ngadalë. Grupi përpara tyre i lëshonte topat pa asnjë drejtim të caktuar, kryente veprime të çuditshme dhe e mbante të bllokuar fushën. Në këto kushte grupi ndjekës e braktis i indinjuar fushën dhe kthehet i indinjuar në zyrat e klubit për t’u ankuar. Por drejtuesi i klubit ju dha një përgjigje që ata nuk e prisnin : “na falni që nuk patëm mundësi t’ju njoftonim që sot në klubin tonë po ndodhte diçka speciale, grupi përpara jush përbehej nga persona të verbër”. Reaksionet nuk vonuan të vinin. Ministri tha menjëherë : “ah, më vjen keq..nuk e dija..po i dorëzoj menjëherë materialet e mia të lojës..duhet të bëjmë diçka për këta njerëz”. Prifti tha : “Në lutjen time të nesërme do ta përsëris shumë herë moralin e biblës – duaje komshiun tënd si veten tënde pavarësisht nga cilësitë e tij”. Mjeku reagoi duke thënë : “jam shumë i dëshpëruar që i trajtova kështu pacientet e mi të dashur…unë nuk do të luaj golf për disa javë, por do të shkoj çdo të shtunë të shërbej si vullnetar në pavijonin e të verbërve në spitalin tim”. Kurse ekonomisti reagoi në mënyrë më lakonike : “ nuk ka ndonjë mundësi që ata të luajnë ndonjë lojë tjetër me anë të së cilës do ndjehen mirë e do kënaqen vetë dhe njëkohësisht nuk do pengojnë të tjerët që të luajnë?”.

Në këtë histori, ekonomisti paraqet tregun e lirë, i cili është racional në logjikën e tij, por gjithsesi “harron” dhe disa gjëra të rëndësishme që e kapërcejnë kornizën e tregut dhe eficencës. Tregu, qoftë global apo lokal, i ndëshkon politikat ekonomike, vendet apo rajonet që sillen në mënyrë subjektive e voluntariste me të; që tentojnë të bëjnë politika sociale “luksoze” apo që shprehin “populizëm e dhembshuri sociale” me prapavijë interesa të caktuara politike; që i ulin apo i ngrenë jashtë kontekstit dhe logjikës normale ekonomike taksat e rrogat; që tentojnë një rregullim ekonomik tipik voluntarist e  intervencionist,etj. Natyrisht, kjo mënyrë veprimi nuk nënkupton detyrimisht që ekonomia e këtyre vendeve nuk është eficente. Në se në një vend rrethanat janë të tilla që nuk të lejojnë të bësh politika luksoze sociale, kjo do të thotë vetëm se në atë vend, që presupozohet se nuk është vend shumë i varfër apo i pazhvilluar, kapitali në tërësi dhe ai privat në veçanti është shumë i fortë për të mundur që të kënaqë interesat e publikut të gjerë. Kështu, p.sh., SHBA, ku modeli “laissez-faire” gëzon prestigjin më të madh, vlerësohet aktualisht si modeli me efektiv i kapitalizmit si sistem në tërësinë e tij. Tregu i punës është “i decentralizuar” dhe krejtësisht i lirë, kuadri normativ i tij favorizon dukshëm investitorët, dhe është e gjitha kjo logjikë veprimi që shpjegon përqindjen e lartë të krijimit të vendeve të reja të punës në SHBA edhe në këto vite krize financiare nga më të fortat që ka njohur bota kapitaliste.

Ajo që ekspertët e kësaj fushe kërkojnë të evidentojnë e t’i japin një përgjigje në funksion të përgjithësimit dhe të përhapjes së këtij shembulli pozitiv ështëpikërisht dilema “se cila pjesë e modelit dhe politikës ekonomike bazohet nëdetyrimet e eficencës ekonomike dhe cila pjesë bazohet në  vendimeve qëthjesht reflektojnë dëshirën dhe ekuilibrin e forcave politike ?”.

Shteti, dhe politikat për rregullimin e tregut

Në kuadri e çdo vendi, shteti vepron rregullisht për krijimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në mënyre të veçantë për reduktimin e ç’ekuilibrave të provokuara nga efektet e modelit liberal të “laissez-faire”. Sa më shumë që tregu bëhet global, dhe ai po bëhet gjithnjë e më global, aq më pak duhet menduar që ky veprim i shtetit nuk është më i nevojshëm, përkundrazi, ai po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, por dhe gjithnjë e më i vështirë për t’u realizuar në mënyrë eficente. Në se realisht do të kishte një model të vetëm të kapitalizmit, organizimit të ekonomisë e shoqërisë, atëherë nuk do të kishte shumë vend për hartimin e politikave ekonomike të veçanta që devijojnë nga logjika e Adam Smithit dhe “dorës së padukshme” që vetë ekuilibron gjithçka, dhe aq më pak për politikat e tipit keynesianist, social-demokrat dhe ato të ekonomisë sociale të tregut, apo siç quhen në gjuhen politike “të qendrës së majtë”. Për specialistët e fushës dhe komunitetin e ekonomistëve ekziston tashmë një mendim i kristalizuar :”që relacioni ndërmjet ekuilibrit social dhe kapitalit është diçka që duhet krijuar në varësi me rrethanat, objektivat dhe mundësitë e çdo vendi, që në këtë aspekt ekziston gjithnjë një mundësi edhe një zgjedhje politike e pranueshme që nuk cenon efikasitetin e tregut”.

Në Evropë, kapitali ka qenë shumë më i rregulluar, dhe që prej dhjetëra vitesh, veçanërisht mbas Luftës II Botërore, është evidentuar një shfaqje dhe veprim i shtetit social apo “modelit social” i “tipit evropian”. Evropa ka kohë që paguan “një çmim shumë të lartë” për të siguruar axhustimet e dëshiruara sociale dhe ekonomike, ndërkohë që në SHBA nuk ka ekzistuar një shtet i fortë social si dhe ka patur gjithmonë dyshime për çështjen e këtij tipi ndërhyrjesh. Megjithatë, në SHBA kanë ekzistuar gjithmonë “ndërhyrje e rregullime ekonomike” në sektorin bankar, në atë të hekurudhave, të telekomunikacioneve, të automobilave, të çelikut, etj. Por ndërkohë, megjithë këto diferenca ndërmjet dy brigjeve të Atlantikut, ekziston gjithmonë një hapësirë ku mund të ndërhyhet me politika specifike ekonomike e sociale, qoftë dhe në kuadrin e qeverive tërësisht konservatore e liberale.

Por situata aktuale nuk është më ajo e periudhës 1960-90, kur shumica e vendeve perëndimore njohu një kurbë konstante të inflacionit të ulët, produktivitetit të lartë, rritjes së vazhdueshme të pagave, një ekuilibër të qëndrueshëm të ofertës me kërkesën, një nivel punësimi të kënaqshëm,etj. Sot, nën efektet e krizës ekonomiko-financiare dhe efekteve të globalizimit, duket se e gjithë kjo tablo është duke humbur. Sistemi i Bretton Woods-it dhe përqindja fikse e këmbimit nuk ekzistojnë më. Spekulimet financiare po kthehen në sistem dominues. Edhe hegjemonia e qeverive të tipit konservator dhe politikave të tyre të privatizimit masiv dhe liberalizimit total janë duke u reduktuar. Megjithë tendencën liberale të tregjeve gjithnjë e më të globalizuara, kujtimi dhe praktikat e “sistemeve të rregulluara” dhe “të survejuara” po rishfaqen në politikat ekonomike në mjaft vende të botës.

Është e vërtetë se në vitet e fundit, SHBA janë treguar më efikas për sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës, sidomos në raport me vendet e Bashkimit Evropian, por çështja më e debatueshme është se “Evropa, duket se nuk është dakord apo nuk është akoma e përgatitur që të ndryshojë modelin e saj social”. Evropianët janë dakord me rigorozitetin e kritereve të Maastricht-it si dhe me faktin se “deficiti është një borxh i arsyeshëm”. Por si Europianët ashtu dhe gjithë grupi i vendeve të zhvilluara të botës në kuadrin e OECD-së, janë të bindur për “rëndësinë e madhe që paraqesin shërbimet dhe politikat sociale për familjet e tyre, për sistemin e edukimit publik, për shërbimet mjekësore, për efikasitetin e tregut të punës dhe uljen e papunësisë, për mbështetjen e kërkim-zhvillimit, për zhvillimin e infrastrukturës”.

E gjitha kjo nuk mendohet se mund të shkatërrojë “logjikën e ftohtë të tregut”, përkundrazi, ndërhyrjet shtetërore dhe politikat ekonomike rregulluese e lehtësojnë aktivitetin ekonomik dhe i shtojnë shanset për sukses. Ideja e Keynes-it se “ekonomia nuk duhet të ketë qëllim tjetër veçse vënies së saj në shërbim te njerëzve” , po fiton përditë terren në politikat ekonomike moderne.

Ekonomia reale prioritet ndaj tregjeve financiare

Kriza financiare Aziatike e vitit 1997, e provokuar nga korrupsioni dhe sidomos nga spekulimet në tregjet financiare ndërkombëtare që operonin me rajonin e Azi-Paqësorit, dhe veçanërisht kriza e subprimes dhe derivativëve financiarë e shpërthyer që në vitin 2008, duket se janë shembulli më i mirë që konkretizon domosdoshmërinë e prioritetit që duhet të këtë ekonomia reale ndaj asaj virtuale financiare e monetare. Për sa kohë përfitimet ishin të larta, investitorë nga gjithë bota vraponin drejt Azisë. Por modeli aziatik i zhvillimit evidentoi një të metë të rëndësishme: “pamundësinë që t’i mbante brenda vendit për një kohë të gjatë si kapitalet e investuara ashtu dhe fitimet që vinin prej tyre”. Përballë pushtetit absolut të tregjeve financiare, ekonomia reale ishte krejtësisht e neglizhuar. Dhe në këto vende, si pasoje e spekulimeve financiare dhe qëndrimit “neutral” të FMN-se, u shfaq një nga krizat më të mëdha financiare që ka njohur sistemi kapitalist.

Sipas shumë ekspertëve të ekonomisë, mësimi më i vlefshëm që u nxor nga kjo krizë ishte se “janë të nevojshme politika të reja ekonomike që bëjnë të mundur fiksimin e kapitaleve në një vend apo kontinent për periudha afat-gjata, duke reduktuar në maksimum mundësitë e lëvizjeve afat-shkurtra dhe zhvendosjes së kapitaleve”. I njëjti “leksion” buron dhe nga kriza aktuale. Europianët po flasin çdo ditë e më tepër për “politika riindustrializuese në Europë”, për “mbështetjen te ekonomia reale si garanci zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë”, amerikanët kanë nxjerrë në plan të parë “zhvillimin ekonomik bazuar në burimet e rinovueshme, inovacionet dhe teknologjitë moderne” etj.

Është interesante të evidentohet fakti se edhe një numër ekonomistësh në SHBA, të cilët gjithmonë kanë mbrojtur me fanatizëm “lirinë absolute tëtregut”, tashmë kanë filluar ta pranojnë arsyetimin se “ka një diferencë ndërmjet lirisë së tregtisë dhe lirisë absolute të lëvizjes së kapitaleve”. Ata e pranojnë faktin se “lëvizjet spekulative të kapitaleve – në tendencën e tyre si një kazino financiare ndërkombëtare – destabilizojnë si ekonomitë nacionale ashtu dhe atë ndërkombëtare”. Duket se po kristalizohet ideja për të gjetur forma e mënyra “që të zvogëlohet sa më shumë mundësia e spekulimeve në tregjet financiare dhe ato monetare”. Të gjitha vendet që janë në një proces apo periudhë që kanë nevojë për investime të mëdha kapitalesh të huaja për të zhvilluar ekonomitë e tyre, dhe natyrisht që këtu futet dhe Shqipëria, duhet të adoptojnë politika ekonomike specifike që të garantojnë qëndrimin për periudha afat-gjata të këtyre kapitaleve në territoret e tyre. Edhe një nga vendet me politikat nga me liberalet siç është Kili, ka vendosur rregullin që 33% e vlerës së investimeve të huaja duhet të vendosen në bankën qendrore për një periudhë më të gjatë se një vit. I njëjti rregull prek dhe fitimin e realizuar në vend i cili duhet të riinvestohet në më shumë se 50% të tij. Në këtë aspekt, në Shqipëri flitet shumë për IHD (investimet e huaja direkte), por flitet shumë pak për “destinacionin e fitimit”.

Në diskutimet dhe platformat zhvilluese të rekomanduara në gjirin OECD-së po nënvizohet vazhdimisht që “ekonomia reale ka më shumë rëndësi se ekonomia financiare….se vendet e zhvilluara duhet të stimulojnë një rritje ekonomike të lartë, një politikë monetare më pak restriktive si dhe një politike fiskale më fleksibël”. Stabiliteti makroekonomik e financiar i kërkuar nga marrëveshja e Maastricht në Evropë, rigoroziteti financiar i mbajtur nën presionin e FMN-së dhe politikave të axhustimit strukturor në vendet në zhvillim apo ato në tranzicion si dhe normat e modelit të “kapitalizmit financiar anglo-sakson” të aplikuara në SHBA, Kanada, Australi, etj., nuk gjykohen më se duhet të shërbejnë si pretekst për reduktimin e politikave dhe shërbimeve sociale në tërësi apo për t’i dhënë gjithë rëndësinë e duhur ekonomisë reale në veçanti. Kur R.Reagan në SHBA dhe M.Thatcher në Angli ishin në pushtet, ata përdorën karizmën e tyre për të përhapur dhe aplikuar me sukses ideologjinë neo-liberale dhe politikat e tyre ekonomike që synonin tablonë “pak shtet-shumë treg”.

Aktualisht, për vetë specifikat e krijuara në ekonominë dhe financat botërore nga efektet e rënda të krizës, shumë nga institucionet ndërkombëtare, qeveri të vendeve të zhvilluara apo në zhvillim, ekspertë e akademike të fushës së ekonomisë dhe zhvillimit si dhe mjaft përfaqësues të shquar të shoqërisë civile janë të bindur se nuk mjafton vetëm ta pranosh neo-liberalizmin dhe të kërkosh ta kontrollosh e orientosh atë nëpërmjet, p.sh., një politike fiskale më të mirë, një politikë sociale më të efektshme,etj., por në radhë të parë e mbi të gjitha duhet synuar ndërtimi sa më i konsoliduar i asaj që quhet “ekonomia sociale e tregut”, sistemi që ekonominë reale dhe zhvillimin human i vendos si prioritete përpara fanatizmit kundrejt efikasitetit të ekonomisë financiare e monetare. Kriza financiare globale e vuri në dyshim të ashtuquajturën “ekonomi triumfuese” që bazohej ekskluzivisht në rentabilitetin financiar e monetar, në globalizimin ultraliberal. Askush nuk duhet të kënaqet dhe të ndihet i qetë teorikisht e ideologjikisht thjesht dhe vetëm me “aplikimin e një reagan-izmi apo thatcher-ismi me fytyrë mëhumane”.

Shembulli më i servirur sot në këtë aspekt është Gjermania dhe modeli i saj i ekonomisë sociale të tregut, model që nënkupton se Shteti garanton maksimalisht lirinë e tregut, aktivitetet ekonomike dhe lirinë individuale, por që njëkohësisht bën politikat e nevojshme për krijimin e ekuilibrit social. Falë këtij sistemi, i zhvilluar veçanërisht mbas Luftës II Botërore nga ministri i Ekonomisë së asaj kohe, Ludwig Erhard së bashku me Alfred Müller-Armack, Gjermania dhe shumë vende të tjera me sistem të ngjashëm, njohën një paqe sociale të qëndrueshme dhe konflikte të lidhura me punësimin edhe në periudha të vështira ekonomike, duke mbetur dhe sot në vitin 2013 shembulli më i mirë në këtë aspekt. Edhe në “Traktatin e Lisbonës”, kur flitet për karakteristikat e tregut europian është e përcaktuar se vendet europiane duhet të mbështesin dhe synojnë një “ekonomi sociale tregu konkurruese”, një treg të institucionalizuar, i cili duhet të mishërojë një ekuilibër të drejtë ndërmjet parimeve të lirisë dhe solidaritetit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi