Në Shqipëri duhet ndryshuar qeverisja e jo vetëm Qeveria

Nga Agustin Palokaj, botuar në Koha Ditore, 24 Qershor 2013

Në Shqipëri në këta 20 vjetët e fundit ka pasur ndryshime të qeverive, por jo edhe të qeverisjes. Shqipëria ka ngelur në klasë deri më tani në rrugëtimin drejt BE-së, por nuk e ka merituar më shumë. Zgjedhjet normale, të pakontestuara, të pavjedhura dhe të pamanipuluara, janë minimumi i kritereve mbi të cilat BE-ja nuk mund të bëjë lëshime. E Shqipëria mbetet i vetmi vend evropian me perspektivë të integrimit në BE, i cili nuk e ka përmbushur këtë kriter
Fjalët “gjak”, “vrasje”, “mbrojtje me të gjitha mjetet” dhe shumë fjalë të tjera që në botën normale demokratike dhe të civilizuar tingëllojnë si dramatike dhe të tmerrshme, kanë qenë fjalët më të shpeshta të dëgjuara në mediat e Shqipërisë në orët e para pas përfundimit të votimit në zgjedhjet parlamentare. Në mediat botërore ka qenë vetëm një tekst rreth llogaritjeve politike, kërkesave dhe pritjeve të BE-së nga këto zgjedhje dhe shumë tekste për vrasjen në Laç, duke e lidhur atë me procesin zgjedhor dhe duke e prezantuar si qërim hesapesh mes kundërshtarëve politikë.

Zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë deri më tani një proces normal zgjedhor sikur në vendet e tjera. Ato në Shqipëri përjetohen si një betejë e vërtetë dhe për këtë arsye kanë një tensionim që nuk shihen askund tjetër. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë festë, por më shumë dramë që sjell ankth. Politikanët në Shqipëri, e më së shumti kryeministri i deritashëm Sali Berisha, mbajnë përgjegjësinë kryesore për fjalorin konfliktuoz në fushatën zgjedhore, përdorimin e sharjeve, fyerjeve dhe akuzave të llojit që nuk shihen askund tjetër në botën e civilizuar.

Pse është kështu këtë e dinë në Shqipëri dhe e dinë ata pak politikanë të jashtëm të interesuar për Shqipërinë. Kjo është për shkak se Shqipëria, edhe pse është anëtare e NATO-s, nuk është shtet me funksionim normal. Shqipëria është shtet ku pushteti është një çështje ekzistenciale. Pushteti siguron punë, por për ata që janë të lidhur me pushtet. Kjo është e njëjtë pa marrë parasysh se cila strukturë është në momentin e caktuar në pushtet. Prandaj edhe kur opozita përgatitet për ta marrë pushtetin e ka të gatshme  një ushtri që duhet ta punësojë dhe të vërë në strukturat shtetërore dhe publike. Në një masë kjo ndodh edhe në shtetet e tjera, por askund kjo nuk është më e qartë sesa në Shqipëri dhe askund nuk është në përmasa të tilla.

Bashkimi Evropian i ka vënë zgjedhjet e së dielës në Shqipëri si kusht kryesor për t’ia dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Derisa nuk e merr këtë status, Shqipëria mbetet i vetmi shtet evropian që ka kërkuar anëtarësim në BE dhe nuk e ka plotësuar kushtin për ta marrë as statusin e kandidatit.

Në Shqipëri në këta 20 vjetët e fundit ka pasur ndryshime të qeverive, por jo edhe të qeverisjes. Shqipëria ka ngelur në klasë deri më tani në rrugëtimin drejt BE-së, por nuk e ka merituar më shumë. Zgjedhjet normale, të pakontestuara, të pavjedhura dhe të pamanipuluara, janë minimumi i kritereve mbi të cilat BE-ja nuk mund të bëjë lëshime. E Shqipëria mbetet i vetmi vend evropian, me perspektivë të integrimit në BE, i cili nuk e ka përmbushur këtë kriter.

Tash e gjithë ajo që presim të shohim është se a do të sjellin zgjedhjet e së dielës dhe procesi i votimit dhe pranimit të rezultatit të tyre ndonjë ndryshim në Shqipëri. Reagimet e para nuk janë shpresëdhënëse. Të dyja palët kanë shpallur fitore. Të dyja palët, siç duket, i kanë ekzitpollet e tyre për të ndihmuar në manipulimin e opinionit.

Sondazheve në Shqipëri nuk mund t’u besohet, sepse nuk e kanë krijuar ndonjë besim nga e kaluara. Por kësaj radhe përshtypja megjithatë është se do të ketë fituar e majta. Pra, do të duhej të ndodhte një rotacion në Shqipëri. Si do të ndodhë kjo, nëse do të ndodhë.

Është çështje e brendshme e Shqipërisë dhe e fituesve të zgjedhjeve, i cili do ta merrte pushtetin që të bëjë qeverinë. Por nëse Edi Rama do të konfirmohet si fitues dhe merr mandatin për të krijuar qeverinë, ai do të fillojë që në nismë t’i ndiejë pasojat e rastit Ilir Meta, atij rasti të famshëm të videoincizimeve për të cilat PS-ja i kishte çmendur zyrtarët e BE-së për t’i bindur se si qeveria “Berisha-Meta”  është e korruptuar.

Tash nuk do të mund të bëhen se kinse në qeverinë “Berisha-Meta” vetëm pjesa e Berishës ka qenë e korruptuar. Kur PS-ja arriti të ketë sukses në bindjen e atyre pak njerëzve në BE, të cilëve fare s’u intereson Shqipëria, se rasti Meta ishte një shembull i keqpërdorimeve të qeverisë Berisha, PS-ja bëri koalicion parazgjedhor me Metën. Kjo bëri që në BE edhe më shumë të zvogëlohen pritjet se diçka mund të ndryshojë në Shqipëri nëse fiton PS-ja. E PS-ja nuk do ta ketë të lehtë ta bindë Evropën se me të në krye Shqipëria do të ndryshojë vërtet.

Këto zgjedhje në Shqipëri janë të rëndësishme edhe për Kosovën. Për shkak se për Kosovën është pikërisht Shqipëria model. Model jo i mirë, sepse e vetmja gjë që mund të mësohet nga Shqipëria është se si nuk duhet të shkojë procesi zgjedhor. Por për ata që duan të vjedhin, duan të manipulojnë zgjedhjet, nuk ka shembull më efikas.

Nuk është mirë as krijimi i përshtypjes në një pjesë të opinionit në Shqipëri se kosovarët masivisht kanë shkuar në Shqipëri për të votuar, dhe madje për Sali Berishën. Kjo fundjavë ka qenë ndër periudhat me temperaturat më të larta për këtë kohë të vitit, prej kur bëhen matjet. Është shumë më e mundur që mijëra kosovarë të kenë shkuar në Shqipëri, sikur shkojnë edhe në fundjavat e tjera gjatë verës, për të shijuar bregdetin sesa për të votuar dhe për t’u bërë pjesë e tentativave për manipulim zgjedhjesh.

Për Kosovën zgjedhjet në Shqipëri janë të rëndësishme më së shumti si një shembull që nuk duhet ta ndjekë Kosova. Nëse problemet me zgjedhjet në Shqipëri janë bërë pengesë e ecjes më të shpejtë të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE, hyrja e Kosovës në këtë cikël do ta lërë Kosovën për një kohë të gjatë krejtësisht jashtë këtij procesi.  Por të shpresojmë që Shqipëria të bëjë kësaj radhe një kthesë dhe të ndryshojë mënyrën e qeverisjes duke relaksuar skenën politike, e cila deri më tani ka qenë gjithmonë e acaruar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi