Tregu, shteti apo sektori publik – cila është rruga drejt zhvillimit?

Nga Ardian Civici, botuar në MapoOnline, 22.06.2013

Domosdoshmëria e “qeverisjes së tregut”

Gjatë gjithë kësaj periudhe 22-vjeçare tranzicioni, debatet, alternativat apo thjesht pozicionet e politikës, ekspertëve të ekonomisë etj., kanë tentuar vazhdimisht të profilizohen hapur në pozicione liberale absolutisht në favor të tregut apo në pozicione më ndërhyrëse në favor të një prezence të madhe të shtetit në ekonomi. Aq më tepër në fushatën e fundit elektorale, direkt apo indirekt, kjo ishte tema dominuese: cili duhet të jetë garanti i zhvillimit në Shqipëri, tregu apo shteti (ku në të shumtën e rasteve nënkuptohet qeveria). Për të njëjtat shqetësime e objektiva që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomiko-social të vendit: “tregu i lirë dhe liria ekonomike…pasi shteti dhe sektori publik është pengesa kryesore e zhvillimit….shteti duhet të ndihmojë zhvillimin si arbitër dhe jo si lojtar..Tregu është prioritet pasi duhet të synohet vendosja e shtetit dhe e shoqërisë në funksion të tregut, dhe jo anasjelltas” thonë përgjithësisht të djathtët, “shteti dhe sektori publik si aktorët apo lojtarët më të rëndësishëm, pasi tregu tërësisht i lirë mund të bëhet i rrezikshëm për shoqërinë…shteti si faktor i rëndësishëm zhvillimi” replikojnë të majtët. Kjo logjikë dikotomike që në shkencat ekonomike përkufizohet si “neoklasikët kundër keynesianistëve” shoqërohet shpesh me gjykime e konkluzione deterministe të tipit “Shtet=eficencë”, “treg=krizë”, apo “shtet=krizë” dhe “treg=eficencë”.

 Në fakt, në debatet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që prej dy dekadash, por veçanërisht në kushtet e krizës financiare globale të filluar që në vitin 2007, në raportet ndërmjet shtetit dhe tregut, qëndrimet radikale “bardh e zi” po ja lenë vendin qëndrimeve më të zbutura : si Shteti ashtu dhe tregu kanë treguar tashmë limitet e tyre dhe është më mirë të kombinohen se sa të jenë opozitare të njeri tjetrit. Shteti duhet të merret me vendimet e natyrës strategjike, ndërsa tregu të luajë rolin e alokimit të përditshëm të kapitaleve. Mjaft eksperienca ndërkombëtare po konfirmojnë se logjika “shteti në gjithçka” apo “vetëm tregu” është e limituar për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm. Teoritë mikroekonomike evidentojnë shumë kushte kufizuese që tregu të arrijë ekuilibrin optimal, ndërkohë që analiza e progresit teknik dhe zhvillimit social evidenton qartë rëndësinë e ndërhyrjeve publike në favor të zhvillimit. Dhe ekonomia politike moderne dëshmon që Shteti nuk mund të jetë instrumenti i vetëm i zhvillimit. Alternimi i strategjive intervencioniste me ato liberale nuk është më një fatalitet. Krizat ekonomiko-financiare të 20-30 viteve të fundit dhe teoritë moderne ekonomike kanë krijuar bazat e një koncepti të ri origjinal për shek. XXI-të : “marrëdhëniet plotësuese ndërmjet Shtetit dhe Tregut në kuadrin e rregullimeve institucionale të qëndrueshme si dhe kompletimi i arsenalit të instrumenteve koordinues pritet të jetë baza e zhvillimit ekonomiko-social e mjedisor në këtë shekull të ri”. Shumë ekonomistë, kur flasin për dikotominë shtet-treg, perifrazojnë themeluesin e sociologjisë moderne Durkheim, duke u shprehur se “në themel të çdo rregullimi qëndron garantimi i lirisë së vërtetë të forcave të tregut, ashtu si në themel të çdo lirie tregu qëndron gjetja dhe aplikimi i rregullimeve të duhura”.

Roli i shtetit në zhvillimin ekonomik e social të çdo vendi është historikisht një nga çështjet më të trajtuara dhe aktualisht një nga problemet më të debatuara në mjediset politike, ekonomike e akademike. Thatcher dhe Reagan, dy nga figurat e shquara të konservatorizmit liberal i qëndronin mendimit “se shteti nuk është zgjidhja e zhvillimit..por problemi i tij”. Në të kundërtën e këtij pozicioni qëndron një nga reformatorët e mëdhenj kinezë, Teng Siao Ping ,që përsëriste shpesh “se tregu është një zog shumë i çmuar por që të shijosh cicërimat e tij, ai duhet mbajtur me kujdes në kafaz se mund të fluturojë dhe të të ikë”.Ndërkohë, Robert Wade (London Schools of economics), në librin e tij “Governing the Market”(2003) shprehet se gjëja më e rëndësishme është të dish “të qeverisësh tregun”. Në themel të këtij debati qëndron konstatimi se “zhvillimi nuk mund të kufizohet vetëm në rritjen ekonomike dhe shtimin e të mirave materiale në mënyrë globale….por ai duhet të gjykohet në përputhje me përmirësimet në nivelin e jetesës për grupet e ndryshme sociale…në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies kolektive për çdo vend”. Analizat e disa organizata ndërkombëtare nëpërmjet treguesit të “Zhvillimit Human” dëshmojnë për ndërkombëtarizimin e këtij preokupimi. Në themel të zgjidhjes qëndron pikërisht rikthimi në vlerësimin e rolit të Shtetit në raport me zhvillimin ekonomik e social : duhet të privilegjojmë shtetin e centralizuar e dominues (rasti i disa vendeve të Amerikës Latine që kërkojnë  kontrollin absolut të jetës ekonomike dhe zhvillimit nga ana e Shtetit dhe pushtetit); shtetin liberal të tipit anglo sakson; shtetin që i jep një autonomi të madhe kompetencave rajonale dhe prirjeve të unifikimit kontinental (rasti i BE); apo shtetit “krejtësisht të hapur”që aspiron të përfitojë nga efektet e globalizimit pa u kujdesur shumë për diferencimin social apo rajonal.

Debati që vazhdon: çfarë duhet të bëjë shteti?

Që disa shekuj më parë, kur debati nuk shtrohej si sot në raportet “shtet-zhvillim”, por në raportet “shtet-treg”, Qusnay, një ekonomist francez, themeluesi i të parës shkollë ekonomike që quhej “shkolla e fiziokratëve”, mbështeste idenë se “duhet ruajtur liria e plotë e tregtisë..se çdo qëndrim frenues e kontrollues ndaj tregtisë së brendshme apo të jashtme, cenonte parimin e konkurrencës dhe për pasojë cenonte vetë mirëqenien e vendit dhe shtetit”. Edhe Adam Smith, bënte apologjinë e tregut të lirë duke evidentuar se “çdo qeveri që i kundërvihet tregut..që dëshiron t’u japë kapitaleve një drejtim tjetër nga ai natyral i tyre..bëhet një qeveri e shtet shtypës e tiran”. Më vonë, Ricardo, nëpërmjet teorisë së tij “të avantazheve krahasuese” theksonte se detyra e çdo shteti ishte t’i zbulonte ato dhe ta orientonte zhvillimin e vendit në ato degë e sektorë që ishin në përputhje me këto avantazhe krahasuese. Një tjetër ekonomist, gjermani Friedrich LIST, kur komentonte raportet dhe rolin e shtetit në zhvillimin ekonomik, kritikonte vazhdimisht “strategjinë konstante të dominimit britanik që duke luajtur me konceptin e tregtisë së lirë dhe mos ndërhyrjes në treg, në fakt ndiqte politiken e shkatërrimit konstant të gjithë industrisë manifakturiale të vendeve të kolonizuara”. Ekonomisti francez Perroux, në vitet ‘60-të, theksonte se edhe Anglia që sot “është kampione e liberalizmit, mund te thuhet se ne themel te sukseseve te saj ka një ndërhyrje energjike të shtetit që fillon që me të famshmin “Akt të Lundrimit”, ndërtimin e kanaleve për transport, politikat e nxitjes së industrisë vendase që përdorte lëndë të para të lira që vinin nga kolonitë, etj.”. Po ashtu si Anglia, edhe SHBA, Gjermania, Japonia, Franca,etj., e ndërtuan fuqinë industriale të tyre nëpërmjet një implikimi të gjatë të shtetit në jetën ekonomike.

Përpara se amerikanet të njiheshin si kampionet e tregut të lirë, për shumë dekada kanë njohur një ndërhyrje shtetërore masive mbrojtëse për ekonominë kombëtare. Mbas luftës së II-të botërore në këtë fokus frynë erëra te reja. Ekonomitë socialiste me një planifikim të centralizuar të aplikuara në ish-Bashkimin Sovjetik, në gjithë bllokun lindor të vendeve të Evropës qendrore e lindore apo dhe Kinë, Vietnam, Kore, etj.,shënuan ndërhyrjen më të madhe të Shtetit në ekonomi në gjithë historinë ekonomike e politike të botës. Por, në një farë mënyre, edhe politikat me inspirim Keynes-ian të zbatuara në shumë nga vendet e Evropës perëndimore mbas luftës së II-të botërore ishin një version i ndërhyrjes së Shtetit në jetën ekonomike dhe përcaktimin e formave dhe drejtimin e zhvillimit. Por gjithë këto eksperienca, në vend që të konsolidonin një model të caktuar, në fakt e hapën më shumë debatin dhe diskutimet për raportet e shtetit me zhvillimin.

Cili duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore në shpërthimin e krizave apo frenimin e zhvillimit: shteti apo tregu? Defektet e tregut dhe pamundësia e kontrollit të tij?.. apo, ndërhyrja e madhe e shtetit dhe braktisja e politikave neoliberale që sjell si pasojë asfiksimin e tregut? Opinionet janë shpesh diametralisht të kundërta. Sipas një mendimi më dominues, liria absolute e tregut mund të prodhojë një katastrofë që vetëm ndërhyrja “shpëtuese” e institucioneve dhe sektorit publik mund ta evitojë. Forcat autokorrigjuese dhe autorregulluese në sistemin e ekonomisë së tregut variojnë ndërmjet “dorës së padukshme” të Adam Smithit dhe “forcës publike të pandikuar nga interesat materiale e financiare” të Keynesit, d.m.th, ndërhyrjes së shtetit. Ndërkohë, Milton Friedman nënvizonte se “nëse ligjet e tregut respektohen, ekonomia ekuilibrohet spontanisht falë ligjit të kërkesës dhe ofertës…duke bërë që ekonomia të jetë njëkohësisht eficente dhe sociale”. Në fund të fundit, funksioni i çdo demokracie është “krijimi i mirëqenies dhe përfitimeve për të gjithë”. Çdo politikë që i kundërvihet “interesave të tregut” është njëkohësisht dhe një politikë antidemokratike.

Shëmbulli i “shtetit kapitalist zhvillues”

Në gjysmën e dytë të shek XX-të, Japonia dhe vende të tjera të Azisë jug-lindore futën në jetën ekonomike dhe politike një element të ri të panjohur apo aplikuar më parë : një rritje ekonomike të përshpejtuar “nën kujdestarinë e shtetit”. Për Japoninë, Tajvanin, Korenë e Jugut, Singaporin, Hong Kongu-n, të quajtur dhe “dragonjtë e Azisë”, “fitimi i kohës së humbur dhe zvogëlimi i diferencës në zhvillim” u bë një obsesion kombëtar. Gjatë viteve ‘80 të shek. XX, Koreja që 20 vite më parë kishte nivelin e PBB të barabartë me Kamerunin, arriti të barazojë dhe kalojë Greqinë, Tajvani kaloi Spanjën, Hong Kongu dhe Singapori kaluan pjesën dërrmuese të vendeve të Evropës perëndimore. Analizat dhe komentet e këtij suksesi kanë evidentuar disa nga elementet bazë të tij: politika industriale shumë selektive, sisteme doganore tarifore dhe jo-tarifore mbrojtëse shumë të forta, krijimin e fondeve nacionale të investimeve, përqindje interesi shumë preferenciale për kreditë që përdoreshin në degët apo aktivitetet e vlerësuara si brenda diapazonit të avantazheve krahasuese etj. Shteti ishte prezent në çdo etapë të industrializimit në mbrojtje dhe në ndihmë të biznesit vendas për të kapërcyer pengesat dhe zhvilluar, sidomos për t’u krijuar një mbrojtje aktive këtyre industrive të reja për t’i përgatitur sa më mirë ato për të përballuar konkurrencën ndërkombëtare.

Këto metoda ishin antipodi i modelit anglo-sakson, sipas së cilit “Shteti duhej të kënaqej vetëm me fiksimin e rregullave të lojës dhe të garantonte respektimin e tyre, sepse Shteti është përgjegjës vetëm për krijimin e kushteve që stimulojnë zhvillimin”. Eksperienca aziatike futi për herë të parë nocionin e “zhvillimit shtetëror të kapitalizmit” forca kryesore e të cilit qëndron në bashkëpunimin ndërmjet burokracisë shtetërore dhe biznesit. Shteti nuk jep urdhra, por bashkëpunon dhe influencon nëpërmjet një sistemi të “orientimit administrativ”, sistem që kërkon kontakte të ngushta e transparente ndërmjet administratës dhe biznesit. Sipas Y. Higuchi & C. Sautter : “shteti japonez është një shtet që njëkohësisht mund të cilësohet si mbrojtës, prodhues, parashikues dhe programues i zhvillimit…..”. “Shteti zhvillues” i modelit aziatik është tashmë i afirmuar si një instrument efektiv për të garantuar rritje të përshpejtuara ekonomike. Edhe Banka Botërore që për shumë kohë ka mbrojtur idenë se “zhvillimi është rezultat i lojës së lirë të forcave të tregut”, ka bërë një rivlerësim të rolit të shtetit dhe ndërhyrjeve të tij. Në një nga raportet e saj “Mrekullia e Azisë jug-lindore”, Banka Botërore e pranon efektivitetin e ndërhyrjes shtetërore, ndërkohë që në raportin e saj që i kushtohet problemeve të zhvillimit “Shteti në një botë në ndryshim” gjendet dhe formulimi se: “një Shtet efikas dhe kompetent është më i preferueshëm se një shtet minimal”, apo dhe konkluzionin se “një zhvillim pa prezencën aktive të shtetit është i destinuar të dështojë”.

“Trekëndëshi i hekurt”: shteti-bankat-biznesi

Gjatë 20 viteve të fundit, roli i Shtetit është përsëri në fokus. Kriza e borxheve e shfaqur në periudhën e viteve ‘70-‘80 të shek XX-të pati si përgjigje vetëm propozimin e FMN-së dhe Bankës Botërore në formën e “Planeve të axhustimit strukturor” fjala çelës e të cilit ishte “liberalizimi dhe reduktimi i rolit të shtetit”. Rënia e murit të Berlinit në vitin 1989 u shoqërua gjithashtu me një valë reformash liberale të tipit “terapie e Chock-ut” në shumicën e vendeve të bllokut ish-komunist lindor. Kriza e vitit 1997 që preku Azisë jug-lindore vendosi në bankën e të akuzuarve Shtetin dhe veprimet e tij. Në Korenë e Jugut, Tailande, Indonezi, Filipine dhe Japoni u konstatua një erozion i sistemit organik të bashkëpunimit ndërmjet Shtetit, Bankave dhe Ndërmarrjeve, i një sistemi që për më se 30 vjet kishte dhënë prova nga më pozitivet. Ky “trekëndësh i hekurt” kishte qenë faktori kryesor që këto vende të krijonin një bazë industriale moderne, por që tashmë ishte bërë faktori kryesor i degradimit dhe krizës: bankat, private ose jo, u shndërruan në sportele të urdhrave të shtetit dhe pushtetit politik duke u zhveshur kështu nga kapacitetet autonome të vlerësimit të projekteve dhe analizës së riskut; administrata shtetërore u fry shumë dhe u prek në masë nga fenomeni i korrupsionit; biznesi u mësua me mbrojtje dhe filloi të ndjente vështirësi në konkurrencën ndërkombëtare. Shteti dhe aksioni i tij u kritikuan rëndë. Debate dhe pozicione të reja filluan të sintetizohen në literaturën dhe praktikat ekonomike.

Sot pranohet gjerësisht se vendet e varfra, që vazhdojnë të varfërohen apo të mos japin shenja të një zhvillimi të shpejtë, nuk gjykohet se janë në këtë gjendje si shkak i mungesës së burimeve, por ne radhë të parë për shkak të dobësisë apo mungesës së një shteti efektiv. Krijimi i ekonomisë së tregut në vendet e zhvilluara perëndimore nuk “është bërë në një ditë”, por është paraprirë nga një histori e gjatë për ndërtimin e një sistemi juridik dhe politik të qëndrueshëm. Por dhe në këto vende,ka mjaft shembuj që provojnë se ndërhyrja direkte e shtetit vazhdon të ekzistoje dhe të jetë efektive në zhvillimin e tyre. Ndërhyrja e Shtetit në ndërtimin e veprave madhore të infrastrukturës, industrisë, etj., nuk është zhdukur. Veç të tjerave, ndërkohë që “tregu i plotfuqishëm” ka dhënë tashmë shumë prova të pamundësisë së tij për të garantuar një orientim korrekt të burimeve prodhuese disponibël, “një Shtet modern, transparent, i rinovuar e kompetent ka akoma një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e një zhvillimi ekonomiko-social të qëndrueshëm”.

Shek. XXI- shteti përballë një roli të ri në raport me tregun dhe zhvillimin

Ekspertët e ekonomisë janë në unison se rolet e reja të shtetit në këtë epokë moderne të shek. XXI, të karakterizuar nga një vokacion liberal dominues dhe efekteve të pashmangshme të fenomenit të globalizimit duhet të rikonceptohen dhe të sintetizohen në disa drejtime e koncepte themelore : në një rol stabilizues që siguron kontrollin e nevojshëm për të evituar pasojat negative të një hapjeje ekonomike e tregtare totale; një rol garant të transparencës, të qëndrueshmërisë së sistemit financiar, bankave dhe institucioneve të tjera financiare; një rol promovues dhe shpërndarës së informacionit sidomos për aktivitetet e zhvillimit dhe ndërtimin e avantazheve krahasuese dhe konkurruese; një rol aktiv në zbulimin dhe konsolidimin e burimeve efektive të rritjes dhe zhvillimit, sepse Shteti është i vetmi aktor kombëtar që mund t’i angazhojë të gjithë aktorët e tjerë në linjën e një vizioni afat-gjatë të qëndrueshëm; një rol organizues dhe garantues të solidaritetit kombëtar dhe politikave sociale dhe jo atë të krijimit të diferencimeve apo kundërvënieve ndërmjet grupeve sociale, atyre profesionale apo diferencimit të rajoneve të ndryshme të vendit nëpërmjet politikave zhvilluese preferenciale bazuar në mbështetjen politike; një rol menaxhues në atë që quhet “qeverisje e kujdesshme e tregjeve”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi