BB, e shqetësuar për nivelin e borxhit: Qeveria e re, prioritet konsolidimin fiskal
18.06.2013
Banka Botërore i rekomandon qeverise që do të dalë nga zgjedhjet 23 qershorit që të ketë prioritet konsolidimin fiskal. Kjo nënkupton që më shumë sesa te ulja e taksave, qeveria duhet të fokusohet te stabiliteti fiskal, me qëllim krijimin e një ambienti më të mirë për biznesin.
Koalicionet politike të krijuara para zgjedhjeve, në thelb të programeve të tyre kanë pasur premtime lidhur me uljen e taksave. Një nismë e tillë u fillua nga qeveria aktuale, e cila uli një sërë taksash e të tjera ulje premtohen në vijim. Por sa mundësi ka qeveria e pas 23 qershorit që të ulë taksat? Banka Botërore, në raportin e saj, edhe pse jo drejtpërdrejt, thekson se drejtimi ku duhet të ecet është konsolidimi fiskal, çka nënkupton stabilizimin e burimeve të të ardhurave, dhe jo luhatje që shpërqendrojnë biznesin. Ulja e taksave nuk është primare në kërkesat e biznesit, pasi ky i fundit kërkon më shumë stabilitetin e tyre.
“Qeveria e re duhet të vazhdojë të zbatojë reformat strukturore të nisura, për të mbështetur rritjen ekonomike, si dhe të ketë prioritet konsolidimin fiskal”, Ksenya Lvovsky.
“Nuk është shumë e rëndësishme struktura sesa stabiliteti i taksave për bizneset”, u shpreh Erjon Luçi, ekonomist i Bankës Botërore
Banka Botërore vlerëson të lartë nivelin e borxhit, ndërsa argumenton se ulja e tij është e vështirë përpara mosrealizimit të të ardhurave.
‘Procesi i konsolidimit po bëhet gjithmonë më i vështirë, mbajtja e borxhit të lartë vendos një risk shtesë në menaxhimin e financave publike. Rritja disi modeste e bën më të vështirë këtë dalje nga niveli i lartë i borxhit”, theksoi Erjon Luçi, ekonomist i Bankës Botërore.
Përsa i përket premtimeve elektorale për legalizimet, drejtoresha e Bankës Botërore deklaron se ky ky proces duhet të bëhet i plotë dhe jo valë-valë, pasi ka rreziqe.
“Ne e dimë që ka pasur një valë legalizimesh para zgjedhjeve dhe një numër pronash pritet të legalizohen pas zgjedhjeve, por duhet të ketë një sistem që ta realizojë me kujdes këtë proces dhe jo valë valë, pasi do të nxiste zënien e pronave”, theksoi Ksenya Lvovsky.
Banka Botërore ka publikuar raportin e zhvillimeve ekonomike në Europën Juglindore ku konstaton se Shqipëria pritet të shënojë këtë vit një rritje ekonomike 1.8 për qind, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve. Ndërkohë, vendi po përballet me një nivel të lartë të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe një papunësi të lartë të të rinjtë.