Përgjegjësia e kreut të shtetit

Francis DELPÉRÉE1

Përktheu: Diana ESTREFI

Nuk është e lehtë të trajtosh një çështje juridike kur debati politik, jo ai elektoral, është në kulmin e vet. Sapo juristi fillon të shprehet në këtë kontekst, ai menjëherë radhitet në kampin e njërit prej protagonistëve, duke rrezikuar që në planin shkencor të skualifikohet, pa llogaritur këtu edhe atë që një ekspert tjetër do ta ketë shumë të lehtë t’i kundërvihet mendimit të tij. Dhe e kundërta, nëse ai tregohet i matur dhe shpreh mendime të ndryshme, sheh se e qortojnë si të ndrojtur, që nuk e nxjerr dot qimen nga qulli.

I gjori konstitucionalist… E ç’mund të thuash pastaj për një jurist të huaj, i cili gjithë naivitet, me cilësinë e mikut të përhershëm dëshiron të marrë pjesë edhe ai në debat? Ai goditet dyfish: akuzohet për të gjitha të këqijat dhe zyrtarisht përjashtohet. Përse përzihet ai në debat kur nuk është i dëshirueshëm? A nuk ka Belgjika, dhe kjo vlen edhe për shtetet e tjera, mjaft probleme institucionale të tilla? Të drejtën e qytetarisë e ka vetëm ai mendim që jepet në nivel kombëtar!

Unë i vlerësoj shumë studimet krahasuese, prandaj dhe nuk e pranoj këtë lloj arbitrariteti. Si specialist e di mirë se ka tradita konstitucionale të përbashkëta në shkallë europiane. Duan apo s’duan, të gjitha sistemet kombëtare i ruajnë gjurmët e tyre. Përjashtimi francez ndonjëherë nuk është gjë tjetër veçse maska e mosnjohjes. Ai, në mënyrë mjaft të mprehtë, shpreh refuzimin e të parit ultra muros, duke u bërë një pengesë për krahasime, përballje e shkëmbime të përvojave institucionale.

Kur drejtuesit e kësaj Reviste më kërkuan të hartoj disa vëzhgime mbi përgjegjësinë e kreut të shtetit, mendova se nuk i duhej bërë bisht kërkesës. Kjo çështje është në zemër të debatit francez. Por nuk është vetëm specifikë e Republikës V Franceze, pasi ajo shtrohet, ndonëse jo me të njëjtat terma, edhe në vende të tjera europiane.

Për më se një shekull e gjysëm kreu i shtetit është konsideruar si një autoritet, madje shpeshherë si një personalitet që meritonte të qëndronte jashtë debatit. Kohët kanë evoluar. Sot ai gjendet në zemër të debatit. Diku është institucioni që vihet në diskutim – mos vallë në demokraci monarkia ka dalë jashtë mode? Diku tjetër është personi i kreut të shtetit që kundërshtohet – mos vallë trashëgimia sjell rezultate më të mira? A kanë bërë populli apo përfaqësuesit e tij zgjedhjen e duhur? Dhe nëse veprimet e kreut të shtetit kanë shkaktuar hakmarrje publike dhe i janë nënshtruar gjykatësit – përse ai nuk e jep menjëherë vendimin, në formën e dënimit penal ose civil? Madje debati ndonjëherë bëhet në fushën e moralit politik, por, si gjithkund edhe këtu, a nuk e kërkon deontologjia që Mbreti të abdikojë ose presidenti të tërhiqet?

Këto pyetje janë sot të shpeshta. Ato mund të ushqejnë lojën e modës së fundit, e cila praktikohet nëpër sallone, në ofiçinat e partive ose në skenat televizive. Rregulli është fare i thjeshtë. Bëhet fjalë për të diskutuar, me çfarëdolloj mënyre kreun e shtetit. Duhet prononcuar illico (menjëherë) mbi përgjegjësitë e tij, për çfarë ka bërë ose duhej të bënte. Dhe do të ishte më mirë që të bëhen përpjekje për të marrë nga një gjyqtar, veçanërisht nga një gjyqtar penal, atë rezultat, i cili nuk ka mundur të realizohet në rrugë politike.

Shkurt, qëllimi është të zhduket ai që nga një moment në tjetrin mund të të duket si “hallka e dobët”. Madje “hallka e fortë”, ajo e miqve të tij – po a ka miq në politikë? – urojnë ta largojnë, sepse ai u bën hije.

A duhet futur në këtë logjikë eliminuese? Apo më mirë është të analizohen realitetet institucionale në shkallë europiane dhe të rikujtohen disa nga rregullat që drejtojnë tradicionalisht statusin e kreut të shtetit? E pranoj, rëndësia është e kufizuar. Ajo që ndodh diku ose ndodh prej shumë kohësh, nuk është gjithmonë më e mira. Edhe në këtë fushë, si në gjithë të tjerat, ka vend për informacion të vazhdueshëm institucional. Por të paktën duhet të dihet mire se në cilin kontekst meriton të hapet debati dhe çfarë zgjidhjesh japin ose këshillojnë shtetet e tjera të Europës.

Mite institucionale ka në qarkullim. Mbretërit, përfshirë edhe ata të Europës, gëzojnë, si të thuash, një imunitet absolut për veprimet a sjelljet e tyre. Presidentët do të duhej të trajtoheshin si qytetarë të thjeshtë të një shoqërie të barabartë. Atëherë, pse i duhet treguar një kujdes kaq i veçantë për Presidentin e Republikës Franceze? Pse t’i jepet një status i privilegjuar që të kujton atë të monarkëve të regjimeve të vjetra dhe të reja?

Këto pak rreshta kanë si objekt të tregojnë se pikënisja e arsyetimit është e gabuar dhe se realitetet institucionale janë të ndryshme dhe me nuance shumë më tepër nga sa thuhet (I). Por është edhe po aq e vërtetë se në shumicën e vendeve të Europës si mbreti dhe presidenti gëzojnë një status të ngjashëm lidhur me veprat penale dhe civile (II).

Duhet pranuar se ngjashmëritë janë shumë më të mëdha se sa ndryshimet dhe në këtë pikë Franca nuk është e vetme. Pa u vënë re po ndërtohet Europa e kryetarëve të shteteve.

I – DALLIMET MES STATUSIT TË MBRETIT DHE ATIJ TË PRESIDENTIT

Monarkitë dhe republikat jetojnë në sisteme të ndryshme administrimi, për të mos thënë edhe me ritme të ndryshme drejtimi. Një kryetar shteti ardhur si trashëgimtar nuk mund të gëzojë të njëjtat atribute si një president i zgjedhur, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të ndërmjetme, prej një trupe zgjedhore. Sigurisht që, sipas rastit, ka vend për republika të kurorëzuara ose monarki republikane. Ndonjëherë faktet politike mund t’i fshijnë disa nga ndryshimet e përshkruara nëpër kushtetuta. Kjo do të thotë që statusi vetjak që përfiton kryetari i shtetit është i krahasueshëm në të dy sistemet.

A – MARRJA E FUNKSIONIT

Si përkufizim monarkia është vazhdimësi2. Mbreti është njëri nga fisi. Me vazhdimësi kuptohet mënyra funksionale; mbretëria ka funksion të përhershëm. Për më tepër rregullat e trashëgimit të fronit kanë saktësisht këtë qëllim: të shmangin mbetjen e zbrazët të pushtetit. Përjashtuar periudhën e kohës për kalimin nga njëri mbret te tjetri, që është e nevojshme për vendosjen e mbretit të ri dhe për të dëgjuar betimin e tij – …betohem se do të respektoj Kushtetutën …- thënia “Mbreti vdiq, rroftë mbreti” mbetet në fuqi.

Vazhdimësia nënkupton, gjithashtu, edhe diçka vetjake – synojmë të themi: fizike. Gjatë mbretërimit të tij, personi i mbretit është i mbrojtur nga ngjarje që, në njërën mënyrë a tjetrën, mund ta kompromentonin ushtrimin e përhershëm të veprimtarisë së tij. Funksioni mbretëror nuk njeh asnjëherë përkulje ose thyerje. Ai kurrë nuk duhet të pengohet të përmbushë detyrat që ia njeh Kushtetuta. Vetë ai nuk duhet të ndodhet në situata që ta bëjnë të pamundur mbretërimin. Në perspektivën e vazhdimësisë dinastike, përgjegjësia e kreut të shtetit nuk diskutohet. Mbreti nuk duhet të sillet keq asnjëherë. Personi i tij është i paprekshëm, madje i shenjtë, po të përdorim një fjalor pak të vjetruar, ashtu siç përcaktohet në disa kushtetuta. Imuniteti kushtetues që përfiton ai është absolut. Hetimet, marrjet në pyetje, ndalimet, gjykimet, burgimet – çdo masë që do të mund të kompromentonte vazhdimin e ushtrimit të funksionit të tij – janë të ndaluara.3

Republika, nga ana e saj, siguron ekzistencën pa ndërprerje të institucioneve publike, përfshirë edhe atë të kreut të shtetit. Por ajo lejon, madje organizon, largimin e titullarëve të pushtetit të lartë. Rregullat kushtetuese që lejojnë arritjen e këtij objektivi janë të njohura: kohëzgjatja e mandatit presidencial, rastet e votimit, mospërsëritja e mandatit, kufizimet e moshës etj.

Mjetet kanë pak rëndësi; ajo që është më e rëndësishme janë pasojat. Për presidentin ekziston domosdoshmërisht një para, një gjatë dhe një pas. Ky njeri politik nuk ka qenë gjithmonë kryetar shteti dhe nuk do të jetë pambarimisht. Ai gëzon një mandat që është detyrimisht i përkohshëm. Presidenti mund të përndiqet për çështje që kanë të bëjnë me kohën kur nuk ka qenë i ngarkuar me republikën. Ose ai mund të akuzohet, gjatë mandatit të tij për një shkelje a tjetër që ka lidhje ose jo me funksionin e tij presidencial. Dhe më tej, si rast i tretë, në fund të mandatit, ai mund të vihet në akuzë për veprime të paligjshme të kryera gjatë kohës që nuk ka qenë president ose gjatë periudhës që përkon me atë të funksioneve të tij.

Në republikë situatat e fakteve dhe të së drejtës janë më komplekse. Prandaj ndoshta del nevoja e hartimit sa më të mirë të atyre regjimeve që vënë në akuzë përgjegjësinë e kreut të shtetit.

B – USHTRIMI I FUNKSIONIT

Por edhe konteksti institucional nuk duhet lënë mënjanë. Ai mund të çojë në shfaqjen e ndryshimeve të mëdha. Mbreti nuk është vetëm i paprekshëm. Ai nuk përgjigjet kurrë personalisht për veprimet e tij. Janë ministrat, të cilët ai vetë i ka zgjedhur, që mbajnë gjithë përgjegjësinë politike.

Në qoftë se me rastin e një debati parlamentar veprimi vetjak i mbretit vihet në diskutim, i takon kryetarit të asamblesë të thërrasë për të dëgjuar ministrin që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kritikat e ngritura ndaj veprimeve për të cilat ai parimisht mban përgjegjësi.

Si mund të pranohet që një asamble politike duhet të deklarojë të padrejtë një veprim për të cilin është mbreti përgjegjës, në një kohë që është gjykata e cila vendos pa asnjë lloj pengese për shkeljet ose gabimet që kreu i shtetit mund të ketë bërë gjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të tij.

Logjika institucionale drejtohet nga mungesa absolute e përgjegjësisë së mbretit, si politike, ashtu edhe penale ose civile. Por ky arsyetim nuk vlen për presidentin.

Në vendet ku është zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, kreu i shtetit ka bërë më parë një fushatë mbi një program politik. Ai ka përfituar votat e një pjese të mirë të zgjedhësve dhe, nëse është e nevojshme, është në gjendje të tregojë, gjatë mandatit të vet, që meriton besimin e opinionit publik. Zgjedhjet legjislative ose referendumet mund të shërbejnë si instrumente matëse të popullaritetit, madje edhe të legjitimitetit të tij.

Presidenti zotohet, gjendet para kritikave të trupit zgjedhor dhe të mjediseve politike. Dogma e papërgjegjësisë nuk imponohet me të njëjtën mënyrë. Kontrollet e gjykatave ose të juridiksioneve ad hoc janë si gjithë kontrollet e tjera.

C – PUSHIMI I FUNKSIONIT

Mbreti është i mbrojtur nga rregulli i paprekshmërisë për të gjitha aktet që kryen gjatë periudhës së mbretërimit të tij. Ky imunitet është i përhershëm. Ai përfiton prej tij edhe kur heq dorë nga froni. Ndërsa kur mbreti rrëzohet, ai mund të mos japë shpjegime për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë mbretërimit të tij dhe veçanërisht për ato ngjarje që e kanë bërë të largohet.4

Po a mund ta mendoni se të njëjtin status gëzon një ish president? Pikërisht në këtë pikë shfaqen edhe ndryshimet më të thella.

Gjatë mandatit të tij presidenti në një farë mënyre është i paprekshëm. Ose të paktën përsa i përket drejtësisë. Çdo gjë ndryshon ditën që ai largohet  nga detyra dhe ia lë vendin pasardhësit, i cili, nga ana e tij përpiqet të bëjë, si të thuash, inventarin e asaj që trashëgon. Mundohet të zbulojë parregullsitë ose pakujdesitë që mund të jenë bërë gjatë trajtimit të shumë problemeve, duke i evidentuar ato dhe duke i denoncuar, me qëllim që të heqë nga vetja përgjegjësinë për aktet e kryera prej paraardhësit.

Përveç këtyre manovrave paraqitet edhe një realitet tjetër. Ish-presidenti e ka humbur tashmë cilësinë e kreut të shtetit. Ai nuk është më i veshur me pushtetin e magjistraturës së lartë. Skrupujt konstitucionalë që ushqenin gjyqtarët zhduken. Ish-shefi i shtetit jo vetëm që ka lënë detyrën, por ka humbur edhe mburojën kushtetuese që e mbronte.5 Tashmë ai ndodhet para ditëve shumë të vështira.6  Dhe, duke përdorur një shprehje popullore, mund ta përmbledhim situatën në një fjali të vetme: ai i ka ngrënë të ëmblat në fillim, të hidhurat pritet t’i hajë më pas.

II – NGJASHMËRITË MES STATUSIT TË MBRETIT DHE TË PRESIDENTIT

Doktrina kushtetuese ka një veçori. Disa tema ajo i lë qëllimisht pa i lëvruar; një prej tyre është edhe ajo e kreut të shtetit. Sigurisht që autorët pyesin mbi mënyrat e caktimit të tij në shtet, duke siguruar dhe detyrën e lartë të përfaqësimit të kombit. Kjo temë shtjellon se cilat janë atributet që i takojnë një mbreti ose presidenti në një sistem kushtetues të caktuar. Dhe e kundërta, ajo kurrë nuk preokupohet që të përcaktojë tiparet e përgjithshme të funksionit që kreu i shtetit ka për të përmbushur.

Është formuluar një hipotezë. Nëse në disa pika thelbësore funksioni i mbretit dhe ai i presidentit ngjajnë, atëherë përse statusi i tyre të mos ketë prirje për t’u përafruar? Historia, e tashmja dhe e ardhmja na lejon ta verifikojmë drejtësinë e këtij supozimi.

A – VAZHDIMËSIA E FUNKSIONIT

Historia na mëson se asnjë institucion nuk është i përjetshëm. Diku, dhe kjo ka ndodhur jo rrallë, është hequr monarkia dhe një president ka qënë pasardhës i një mbreti. Diku tjetër, dhe kjo në raste të jashtëzakonshme, është rivendosur monarkia. Pra, mbreti ka qënë pasardhësi i një presidenti.

Por kjo nuk do të thotë se shoqëria politike është pak ose shumë demokratike. Ka ndryshuar vetëm mënyra e caktimit të kreut të shtetit. Mund të themi se njëra nga dy alternativat qëndron:

– Paprekshmëria dhe papërgjegjshmëria kanë të bëjnë me personin e mbretit. Heqja e monarkisë dhe largimi i monarkut të fundit, normalisht që e privojnë presidentin nga shumë gjëra të parardhësit të vet. Ai është pa mbrojtje, si ndaj aktit penal, ashtu edhe ndaj atij civil. Mungesa e privilegjeve dhe e imuniteteve e bëjnë personin e presidentit një qytetar si gjithë të tjerët. Rivendosja e monarkisë i rijep mbretit të drejtat e tij të dikurshme. Dhe ja ku është përsëri i mbrojtur nga ndërhyrjet e gjyqtarëve.

– Imunitetet nuk mund të shihen në një perspektivë të personalizuar. Në një shoqëri demokratike, një regjim i veçantë përgjegjësie – si e kreut të shtetit, e një anëtari qeverie, parlamentari ose magjistrati – mund të urdhërohet vetëm në interes të funksionit që ai kryen. Si natyrë, imunitetet kanë lidhje me funksionin, pra janë funksionale.

Po të shohim mendimin e perspektivës së dytë, konsiderojmë se kreu i shtetit, cilado qoftë mënyra e zgjedhjes së tij, duhet të vendoset në situata të tilla që të kryejë si duhet detyrën. Ai nuk duhet të shqetësohet në ushtrimin e funksionit dhe të përgjegjësive, por të jetë në gjendje ta ushtrojë funksionin e mbretit ose mandatin e presidentit pa asnjë pengesë. Ndërhyrjet e drejtësisë nuk duhet ta prekin, si dhe nuk duhet t’ia largojnë vëmendjen nga ushtrimi i përgjegjësive të tij të larta.

Ç’do të thotë ushtrimi i funksionit mbretëror ose presidencial – në kuadrin e politikës së brendshme, politikës europiane dhe politikës ndërkombëtare – për dikë që duhet të merret në të njëjtën kohë edhe me një mijë e një detaje të daljes në gjyq ose të mbrojtjes para drejtësisë?

Për funksione të njëjta, mbrojtje të njëjta. Në këtë pikëpamje statusi i mbretit dhe ai i presidentit synojnë të afrohen. Nga ku rezulton kjo pasojë, e cila është e shprehur në nenin 130, paragrafi 4 i Kushtetutës Portugeze: “Presidenti i Republikës përgjigjet për krimet që do të kryente, përveç atyre që lidhen me ushtrimin e funksioneve, para gjykatave të zakonshme”. Megjithatë, ai e bën këtë “kur ka mbaruar mandatin e tij”. Edhe në nenin 49, paragrafi i parë i Kushtetutës së Greqisë, thuhet shprehimisht:”Për sa i përket akteve që nuk kanë lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij (ato të Presidentit të Republikës), përndjekja penale mund të zhvillohet”. Megjithatë, “ajo pezullohet deri sa të përfundojë mandati presidencial.”

Pra, kemi të bëjmë me një sistem mjaft të zgjuar, i cili arrin të bashkojë detyrimin për të vazhduar kryerjen e funksioneve, ndarjen e pushteteve dhe përgjegjësinë penale të personave që janë të veshur më një mandat publik.

B – MBROJTJA E FUNKSIONIT

Ç’do të thotë që në një Republikë, përgjegjësia penale ose civile e presidentit nuk do të zbatohet gjatë mandatit të tij? Përgjigjja që sjell e drejta publike e krahasuar është e paqartë. Në fakt dallimet janë të qarta. Ne i jemi drejtuar Presidentit B. Genevois, i cili është përpjekur në shumë punime7  të tij të vendosë pak rregull në një të drejtë kushtetuese të paplotësuar, jo perfekte dhe ndonjëherë jokoherente, si dhe në një të drejtë publike që ka vështirësi të radhisë hipotezat dhe të jape zgjidhje sa më të përshtatshme. Kjo e drejtë është në rrugën e zhvillimit të saj.

Po të hartojmë një tabelë leximi, kemi tri situata që meritojnë domosdoshmërisht të veçohen. Kështu, së pari kemi situatat e jashtëzakonshme. Të tilla janë ato që lindin nga “tradhtia e lartë” (Francë, Greqi), nga shkelja me dashje e kushtetutës (Austri, Greqi), e Ligjit Themeltar ose e një tjetër ligji federal (Republika Federale e Gjermanisë) dhe akoma më tej, sipas një formulimi më të ngushtë, rasti i “atentatit ndaj Kushtetutës” (Itali).

Presidenti bën një “shkelje të normave”. Në disa shtete, pikërisht aty ku ai ka bërë betimin për t’i qëndruar besnik republikës dhe të respektojë kushtetutën e vendit, kjo ka të bëjë me shkeljen e betimit. Presidenti që ka shkuar deri në tradhti ndaj besimit që republika dhe qytetarët e saj i kanë dhënë, duket se përndiqet parreshtur deri në çuarje në një gjyq special, krijuar për këtë rast. Por ende vërejmë se shumë shtete parashkruajnë këtu filtrate parlamentarë. Dhe kjo është më logjike. Në disa nga këto vende presidenti e ka bërë betimin kushtetues pikërisht para asamblesë. Shumicat parlamentare variojnë: dy të tretat e anëtarëve në Greqi dhe Portugali, gjysma e secilës nga dy asambletë në Francë, gjysma e anëtarëve të parlamentit mbledhur në seancë të përbashkët në Itali, gjysma e anëtarëve të Asamblesë Federale, caktuar nga Këshilli Kombëtar në Austri.

Së dyti, kemi situatat e zakonshme, për të mos thënë banale. Ato krijohen, për shembull, nga shkeljet e kryera gjatë mandatit, por që s’kanë të bëjnë me funksionin presidencial, duke filluar nga shkeljet fiskale, deri tek aksidentet rrugore.

Së fundi, kemi situatat e ndërmjetme. Ato nuk janë as të jashtëzakonshme, as të zakonshme, por krijohen nga shkelje që mund të bëjë presidenti gjatë ushtrimit të funksionit. Disa prej tyre figurojnë në ligjet penale, disa janë specifike, pasi kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrave presidenciale dhe që nuk do të mund të kryheshin nga persona ose autoritete të tjera.

Na lejohet të pyesim nëse këto dy kategori shkeljesh do të mund të trajtoheshin më vonë, me kalimin e kohës. Këtu nuk bëhet fjalë, si në rastin e mbretit, të ratifikosh rregullin e paprekshmërisë absolute. Por bëhet fjalë vetëm të krijosh kuadrin kronologjik të ndërhyrjes së autoriteteve të drejtësisë. Ushtrimi i ndjekjeve dhe proceset sipas rasteve janë të shtyrë në kohë.

C – VËNIA NE DISKUTIM E FUNKSIONIT

Tekstet kushtetuese mund të jenë të vjetëruara. Vendimet e drejtësisë janë të rralla, analizat doktrinale të shpërndara. A duhet të jemi të kënaqur me këto elemente pa lidhje, ku nuk ka vend për të proceduar për një përkufizim më të rreptë të statusit të kreut të shtetit, qoftë ai monark apo president? Shkrimi i ri i Kushtetutës imponohet pa dyshim nga arsye të brendshme. Ai justifikohet, gjithashtu, edhe me arsyen e evoluimit të së drejtës ndërkombëtare, e cila nuk bën aspak dallim mes një mbreti dhe një presidenti të republikës.

E drejta penale ndërkombëtare, nga kjo pikëpamje, i drejtohet së drejtës kushtetuese. Mbreti i Belgjikës është i paprekshëm dhe nuk mund të dale para trupit gjykues belg. Presidenti i Republikës Franceze nuk është i paprekshëm, por gjatë mandatit ai nuk mund të dërgohet para Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, përveç rastit të tradhtisë së lartë. Por, në qoftë se po ky Mbret i Belgjikës ose President i Republikës do të duhet të dalin para Gjykatës Penale Ndërkombëtare, a mund të fitojnë? A vazhdojnë edhe këtu të jenë të mbrojtur personi dhe funksioni i tyre?

Statuti i Romës është një vepër përgjithësuese. Ai nuk bën dallime, nëse personi i kërkuar është privat ose person publik. Përkundrazi, ai i tregon me gisht autoritetet publike, duke përdorur pak a shumë këtë gjuhë: “Më shumë se të tjerët, ju jeni nga të parët për t’u gjykuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.” Kryetari i shtetit ndodhet këtu në rreshtin e parë. “Statuti zbatohet te të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga cilësitë e tyre zyrtare”, dhe kjo është e saktësuar aty pa asnjë ekuivok. Thënë ndryshe: “Kreu i shtetit nuk është më i paprekshëm, as përkohësisht, as a fortiori për gjithë jetën. Ai mund të dënohet si gjithë të tjerët.”

Për të gjithë ata që mund të dyshonin për autorët e këtij statuti, ai i vë mirë pikat mbi i: “veçanërisht (pa marrë këtu në konsideratë) në cilësinë zyrtare të kreut të shtetit” të çdo personi. Kjo cilësi në fakt nuk bën përjashtim “në asnjë rast, nga përgjegjësia penale e këtij statuti”. Gjithashtu, ajo nuk është më motiv për të pakësuar dënimin.

Për të gjithë ata që nuk duan t’i dëgjojnë këto tipe konsideratash, Statuti saktëson në nenin 27, paragrafi 2, se imunitetet ose privilegjet që ekzistojnë si në të drejtën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare “nuk përbëjnë asnjë pengesë për Gjykatën Penale të ushtrojë kompetencat e veta ndaj këtij personi.” Si mund ta shprehim më mirë idenë se e drejta penale ndërkombëtare po përpiqet që të gjitha zgjidhjet që jep ajo të fitojnë mbi ato të së drejtës kushtetuese ose të së drejtës penale kombëtare, të cilat do t’i kundërviheshin atyre? Nuk do të shërbente aspak dëshira për të zhvilluar rreth kësaj teme interpretime zbutëse, si dhe përpjekjet për të harmonizuar zgjidhjet e së drejtës kombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ato janë kontradiktore. Përplasja është frontale.

Disa Shtete e kanë modifikuar Kushtetutën e tyre me qëllim që të ratifikojnë Statutin e Romës.8  Po a nuk duhej shkuar më tej? Për çfarë shërben të shkruash në Kushtetutë dy zgjidhje kontradiktore? Në këtë fushë, si monarkitë, ashtu edhe republikat janë në të njëjtin hall.

Në miqësi, çiltërsia është një detyrim.

Jashtë vendit tonë, qarqet konstitucionaliste nuk kanë mundur ta kuptojnë rrëmujën, e madje edhe çoroditjen, që kanë shkaktuar vendimi i Këshillit Kushtetues i 22 janarit 1999 dhe ai i Asamblesë Plenare të Gjykatës së Kasacionit i 10 tetorit 2001.9

Zgjidhjet që këto juridiksione të larta kanë gjetur, dhe që në shumicën e rasteve përshtaten, janë ato që vlejnë më shumë, si dje edhe sot, për vende të tjera europiane, si për monarkitë, ashtu edhe për republikat.

E drejta publike e krahasuar na mëson se nuk duhet të kopjohen në mënyrë servile zgjidhjet që janë në fuqi në vende të ndryshme. Por ajo na meson kuptimin e relatives. Ajo na fton të mos e konsiderojmë si të jashtëzakonshme atë që diku është diçka e zakonshme. Dhe të mos harrojmë arsyen e përbashkët. A nuk është e drejta kushtetuese, dhe besoj se kjo nuk vihet në dyshim, një çështje që lidhet me atë çka është e përbashkët?

Sigurisht që kjo e përbashkët arrin të shkruhet në tekstet kushtetuese të përditësuara – dhe jo vetëm në ato dokumente që shfaqen si relike të regjimeve të vjetra. Ajo meriton të shprehet në mënyrë të detajuar në hipotezat që ngrihen, në procedurat që duhen zbatuar, në sanksionet që parashikohen.

Heshtja dhe lakonizmi i shumë kushtetutave aktuale është në kontrast me proliksitetin e Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Nëse kushtetutat europiane duan të ruajnë një kuptim, ato duhet të pozicionohen mbi secilën nga temat. A do ishte e tepruar kërkesa që ato ta bëjnë këtë me sa më shumë qartësi, saktësi dhe arsyetim?

Do të jetë në interes të tyre të pyesin për mënyrën se si kushtetutat e tjera europiane e parashikojnë të njëjtën problematikë.

Referime:

1.  Artikulli është marrë nga Revue française de Droit constitutionnel, 49, 2002, f.31. Perktheu: Diana ESTREFI

2. Monarkia është shprehje e dukshme e vazhdimësisë së shtetit (F.Délpérée, “Gjashtë monarkë në Maastriht”, Le Monde des débats, shkurt 1993.

3. Ky vëzhgim nuk dëmton mundësinë e dyshimit për mbretin “lidhur me detyrimet e së drejtës private që kanë të bëjnë me pasurinë e tij”. Ai nuk përjashton as mundësinë që kreu i shtetit të ndërmarrë vetë një aksion në drejtësi, për të mbrojtur interesat e tij private.

4.  Publikimi në vitin 2001, pas vdekjes, i një libri të Leopoldit III me titull “Për historinë, disa episode të mbretërimit tim”, më bëri të vërej se “Nuk është mirë që një mbret të shkruajë kujtime…, aq më keq , është një bombë me plasje të vonuar e vënë nën fronin e pasardhësit të tij. Në rastin më të mirë s’është tjetër veçse një mbrojtje pro domo” (La Libre Belgique, 9-10 qershor 2001)

5.  Duhet të themi se nëse vërehen shkelje të kryera gjatë ushtrimit të funksionit presidencial, ato i drejtohen një gjykimi të veçantë, i cili i njeh si tradhti e lartë ose shkelje të Kushtetutës (infra).

6.  Një komentues nuk mund të mos evokojë “figurën e një presidenti të lavdishëm gjatë kohës që kryen funksionin, (por) të kërcënuar nga mbarimi i imunitetit të tij, që në momentin që ai përcillet nga pasardhësi i vet”, në O.Jouanjan dhe P.Wachsman, “Gjykata e Kasacionit, Këshilli Konstitucional dhe Statusi Penal i Kreut të Shtetit”, RFD Adm., 2001, f.1169.

7. B. Genevois, “Këshilli kushtetues dhe e drejta penale ndërkombëtare”, RFD Adm., 1999, f. 285; “Këshilli kushtetues dhe e drejta penale ndërkombëtare. Disa vëzhgime plotësuese”, RFD Adm., 2000, f.717; “Imunitetet e parashikuara në Kushtetutë dhe kontrolli juridiksional”, Po aty, f.511; “Imunitetet kushtetuese dhe privilegjet e juridiksionit. Francë”, AIJC, 2001

8.  Pa proceduar në një rishikim paraprak të nenit 88 – as edhe atyre 58 dhe 103 – të Kushtetutës, Shteti Belg ka prokuruar miratimin e Statutit të Romës mbi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke ekspozuar kështu mbretin, ministrat dhe parlamentarët ndaj masave të ndjekjes, madje dhe të gjykimit, përveç kushteve të parashkruara nga Kushtetuta. Këshilli i Shtetit nuk ka munguar të vërë në dukje se kjo mënyrë të vepruari ishte e papërshtatshme (L.28.936/2, 21 prill 1999). Për të harmonizuar angazhimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Belgjikës (F. Delpérée, “Lidhjet mes së drejtës kushtetuese dhe asaj ndërkombëtare. Zhvillimet e fundit”, në këtë Revistë, f.730), do të ishte mirë të futej një klauzolë e veçantë në tekstin kushtetues, për shembull një nen 168/bis, i ri, që mund të ishte konceptuar kështu: “Shteti aderon në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të krijuar në Romë më 17 korrik 1998”. Një dispozitë e tillë do të përmbushte të gjitha adaptimet që do rezultonin nga rendi juridik kushtetues.

9.  Pikërisht në studimet e O. Jouanjan dhe P.Wachsmann (cit. më sipër), si dhe të O.Beaud (“Për një interpretim tjetër të nenit 68 të Kushtetutës”, RFD Adm., 2001, f.1187), përmbledhje të studimeve që janë publikuar mbi këtë temë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi