Idetë që transformuan botën e sotme: Keynes e Hayek

Nga SELAMI XHEPA, botuar në PanoramaOnline, 21 maj 2013

Teatri i ekonomisë globale në këtë dekadë të parë të këtij shekulli nuk mund të ishte më shumë i ngjashëm se ai i fillimdekadës së kaluar: një ekonomi globale në lëngatën e një krize të stërzgjatur, një recesion i madh, shumë i ngjashëm me atë të Depresionit të Madh, të mbushur ndërmjet nga moderacioni i madh, një periudhë e rritjes së shpejtë ekonomike, mirëqenies sociale dhe stabilitetit të çmimeve. Personazhet kyçe të këtij teatri nga pikëpamja e debatit intelektual e akademik mbeten po ata të dy: Keynes dhe Hayek, ata që pas Karl Marksit e kanë ndikuar më shumë se kushdo tjetër historinë ekonomike e sociale të botës. Edhe nga pikëpamja politike, realiteti shfaq përngjasime të dukshme: një rritje e ekstremizmit politik të majtë apo të djathë është evidentuar serish në shkallë botërore, i ushqyer në një masë të madhe nga një zhgënjim masiv ndaj klasës politike dhe qeverisjes, jo vetëm të ekonomisë dhe politikës publike, por edhe të qeverisjes së korporatave private.

Kjo krizë ekonomike, politike, sociale dhe morale e shoqërisë është sot edhe ftesa më serioze për një reflektim mbi gjendjen e botës së sotme dhe të asaj se si do të donim ne të ishte, një thirrje për të pajtuar dhe sjellë në një ekuilibër më të drejtë dhe të shëndetshëm ekonomiksin pozitiv dhe atë normativ, atë pra se si bota funksionon dhe se si do të duhej të funksiononte, duke riformatuar raportet midis parimeve të eficiencës ekonomike dhe të ndershmërisë dhe drejtësisë sociale. Edhe Hayek, ithtar të të cilit e rreshtoj edhe unë veten time, e pranonte se në rrethana të veçanta ekonomike e social-politike, siç në gjykimin tim janë realitetet e sotme globale, “diktatura” e ndërhyrjes shtetërore do të ishte më e pranueshme për njerëzimin, se “diktatura” që sjellin papunësia masive dhe realitetet ekonomike rrënimtare.

Në përplasjen ideore midis këtyre dy titanëve përvijohet historia e teorisë së ekonomisë moderne, te mendimi i tyre gjejmë shkakun e krizave, por edhe ilaçet shëruese të saj. “Teoria e Përgjithshme” ishte revolucionare, pasi dha një kuadër teorik tërësisht të ndryshuar mbi marrëdhënien dhe raportet kursime-investime, duke zhvilluar impaktin e “preferencës për likuiditet” në normën e interesit dhe se në diskordancën kohore që qëndron midis çmimit të lirë të parasë që krijohet nga rritja e kursimeve, nga njëra anë, dhe shndërrimit të tyre në investime, nga ana tjetër, roli i shtetit bëhet i pazëvendësueshëm. Ishte kjo recetë kejnsianiste e shtimit të investimeve publike (për këtë arsye, një ekonomist i madh austriak, siç ishte Shumpeter, e quante Kejnsin në një mënyrë cinike një “shkrues dokumentesh tenderësh publikë”) burimi kryesor i shërimit ekonomik dhe prosperitetit të shoqërisë njerëzore në botën demokratike të pasluftës. Por, edhe Kejnsi e konsideronte këtë politikë me efekte shëruese, vetëm sa kohë që cikli i biznesit ndodhej në rënie dhe jo një kurs politik permanent, pasi në një rast të tillë, kjo do të krijonte një rritje të borxhit publik, ndërsa në rrafshin politik, një reduktim të lirisë së individit, që është thelbi i kritikes hayekiane të kejnsianizmit.  Kundërrevolucioni intelektual hayekian dhe triumfi i monetarizmit në fillimet e viteve ’80 dhe të riinforcuara veçanërisht pas shembjes së sistemit komunist në Europën Qendrore dhe Lindore, u pasuan nga një filozofi e derregullimit e liberalizimit dhe reduktimit të ndjeshëm të rolit të shtetit në menaxhimin e ekonomisë, por, sërish normat e interesit, të denatyruara për shkak se çmimi i parasë më shumë se nga forcat e tregut ishte përcaktuar nga autoritetet publike monetare, krijuan një klimë prosperiteti ekonomik, këtë herë të frymëzuar nga një bum i kredisë për sektorin privat. Kështu që, nën frymëzimin kejnsianist të menaxhimit të kërkesës, u ndërtua një mirëqenie e blerë me çmimin e borxhit publik, ndërsa nën frymëzimin liberal të shkollës së stimulimit të ofertës (nuk do të thosha hayekiane pasi pikëpamjet e Hayek mbi paranë, interesin dhe politikën monetare janë krejt të ndryshme dhe ndjekin linjën e kujdesit të mirëqenies mbi kredinë, sipas mësimeve të shkollës austriake) u ndërtua një mirëqenie bazuar në një rritje edhe më galopante e kredisë dhe borxhit të sektorit privat.

Në thelb, që të dyja janë përdorur në mënyrë të ekzagjeruar duke krijuar një realitet të një mirëqenieje fiktive dhe që në shumë vende në krize e pamë të zhbëhej ky prosperitet fals dhe të krijonte dëshpërim dhe kaos ekonomik e social në shumë vende të botës. Ajo që Hayek e pranonte si një përjashtim – investimin publik mbi rritjen e huamarrjes publike apo zgjerimin e kredisë ushqyer në norma interesi të denatyruara, u shndërruan në një rregull të politikave publike anembanë botës, deri në ditët e tanishme. (Asgjë nuk mund të jetë më permanente, shkruan Taleb, sesa ajo që ne planifikojmë si të përkohshme,- siç është edhe rritja e borxheve publike).
Kriza e sotme e borxheve në SHBA, Europë, Japoni dhe shumë vende të zhvilluara, është kryesisht dhe mbi të gjitha pasojë e influencës intelektuale kejnsianiste dhe neglizhimit të leksioneve të shkollës austriake mbi rreziqet e një rritjeje ekonomike bazuar mbi rritjen e pakontrolluar të kredisë.

Kejnsianizmi, që ishte një recetë e mirë kuruese e botës së zhytur në Depresionin e Madh të viteve 1929-33, u shndërrua në një normë sjelljeje politike permanente, duke hedhur shtratin e asaj që Hayek e quante “Rruga drejt bujkrobërisë” (Road to serfdom), drejt një lloji totalitarizmi modern, ku mirëqenia e individit varet jo aq shumë nga vetë puna e tij sesa nga ndërhyrjet e politikave qeveritare. Shumëkush i ka harruar fjalët e famshme të pamfletistit të njohur francez, Frederic Bastiat, se “të gjithë duam të jetojmë në kurriz të qeverisë dhe harrojmë se është qeveria që jeton në kurrizin tonë”. Një nga frazat më të famshme të Kejnsit, se “në afat të gjatë të gjithë do të kemi vdekur”, mund të ketë shërbyer si frymëzimi kryesor në ushqimin e një vizioni afatshkurtër të politikës publike, sipas së cilës njerëzit kanë nevojë të zgjidhin problemet e sotme dhe të ditës. (Politikanët e kanë gjithnjë për zemër aksiomën “apres moi le deluge” – pas meje të bëhet kiameti.)

Në këtë përballje të pashoqe intelektuale të këtyre dy korifenjve të mendimit intelektual të shekullit të njëzetë, nuk mund të veçohet të ketë triumfuar njëri mbi tjetrin. Ne kontekstin e rrethanave konkrete të gjendjes së ekonomisë botërore dhe nevojës për të ruajtur paqen sociale brenda vendit dhe në rang botëror, kanë marrë epërsi herë njëra teori e herë tjetra. Filozofia kejnsianiste është një recetë e fortë shërimi ekonomik në kohë krize, por përdorimi i ekzagjeruar i saj apo ndonjëherë zbatimi gjysmak i recetës, e kanë shtrirë krizën në kohë të gjatë ose kanë ushqyer kriza të reja borxhesh. Filozofia hayekiane – mos bëj asgjë se çdo veprim qeveritar veçse e rëndon gjendjen e ekonomisë; ekonomia do të shkojë vetiu drejt ekuilibrit të vet natyror – është e vështirë të rezistohet në situata krizash. Tek e fundit, njerëzit presin prej qeverisë të bëjë diçka dhe të mos lejojë papunësinë dhe rrënimin ekonomik të ndodhë përpara syve të tyre dhe ata të rrinë duarkryq. Një “diktaturë e ndërhyrjes publike” do të ishte më e pranueshme nga pikëpamja e interesit publik së një “diktature e korporatave private”.

Nëse do të vendosnim këtë kuadër të analizës në kontekstin e asaj që ka ndodhur në ekonominë shqiptare të dy dekadave të fundit, nuk është e vështirë të dallohet qartazi një predominim i politikave shtrënguese gjatë dekadës së parë, kryesisht si pasojë e pamundësisë financiare të financave publike, nga njëra anë, dhe të faktit se sfida emergjente e pastranzicionit ishte lufta për kontrollin e inflacionit (mbi 300%), ndërkohë që adresimi i papunësisë është një sfidë shumë më afatgjatë dhe ku politikat strukturore janë më themelore dhe efektive, që në realitet ndodhi në formën e një emigracioni masiv drejt vendeve fqinje dhe privatizimit të tokës bujqësore. Ndërkohë, tipare të theksuara të influencës kejnsianiste janë të dallueshme duke filluar nga viti 2007 e në vazhdim, ku përdorimi i stimulit fiskal në mënyrë masive është më se i dukshëm, duke prapësuar trajektoren rënëse të borxhit publik të shënuar deri në këtë periudhë. Tashmë kufiri tavan i tij nuk ekziston më, gjë që krijon rritje të ndjeshmërisë së agjentëve ekonomikë në qëndrueshmërinë e financave publike në të ardhmen. Ky theksim i stimulit fiskal është shoqëruar nga një rritje e fortë e kreditimit nga sektori bankar për sektorin privat, duke i dhënë pamjen e një bumi kredie. Një sërë faktorësh ndikuan në këto prirje: prirja e një rritjeje ekonomike të fortë dhe një bumi investimesh publike në ekonomi krijuan një situatë euforie që është burimi kryesor për një keqvlerësim të riskut nga bankat dhe, për rrjedhojë, një ekspansion edhe i kredisë konsumatore në një mënyrë të paprecedentë, ushqyen një dinamizëm ekonomik edhe më të fortë. Këto prirje filluan të prapësohen kur ndikimet e krizës globale filluan të shfaqen më fuqishëm, gjë që uli rritjen ekonomike, ashtu si dhe ashpërsoi klimën rregullatore ndaj sistemit bankar. Të dy këta faktorë patën si rezultat final një rritje të ndjeshme të portofolit të kredisë me probleme (gati 25% e totalit të kredisë).

Për rrjedhojë, sot borxhi publik dhe ai i korporatave dhe sektorit familjar ndodhen në nivelin më të lartë të tij dhe janë pa dyshim edhe rreziku me serioz për ekonominë dhe financat e vendit. Më shqetësuesja, qasja që kanë të dyja forcat kryesore politike ndaj kësaj sfide, është dukshëm me natyrë populiste. Stimujve fiskalë që janë adoptuar vijimësisht vitet e fundit, u janë shtuar një sërë përjashtimesh fiskale në disa nga burimet kryesore të të ardhurave, siç janë TVSH dhe tatimi i të ardhurave personale, të cilat veçse do ta rëndojnë edhe më shumë faturën financiare të borxhit publik ose do të reduktonin shpenzimet qeveritare në ekonomi, efekti multiplikator i të cilave është dukshëm më i lartë se ai i kahut të të ardhurave (sipas studimeve të Bankës së Shqipërisë).

Në këto rrethana, duke pritur që rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e ulët (në 2%) dhe se rregullat e operimit të tregut financiar e atij bankar në veçanti do të fuqizohen, duke rritur edhe më tej kostot e operimit të sistemit dhe duke kufizuar edhe më shumë rritjen e kredisë së re në ekonomi, veprimi i njëkohshëm i këtyre faktorëve veçse do ta rendoje edhe me shume gjendjen ekonomike dhe do të shtonte rreziqet e një recesioni. Për pasojë, duket se sfidat e qeverise që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë serioze dhe do të kërkojnë një përgjegjshmëri të lartë në raport me interesin publik, në gjykimin tim, duke rikonsideruar dhe një herë në themel sistemin e taksimit, jo duke bërë si kalin e betejës zëvendësimin e taksës së sheshtë me taksën progresive, por duke gjetur burime të reja të ardhurash nga tatimet indirekte dhe direkte (për shembull taksat e trashëgimisë) dhe në veçanti duke luftuar evazionin fiskal nëpërmjet modernizimit të menaxhimit të sistemit tatimor të vendit. Arritja e objektivave politikë të zbutjes se pabarazisë dhe të varfërisë nuk është një rrugë aq e lehtë sa të arrihet me një hap të vetëm të kalimit nga një taksim progresiv, siç është taksa e sheshtë, drejt një taksimi edhe më progresiv, siç është taksimi progresiv. Prioriteti absolut i politikave financiare të vendit është mbajtja e borxhit publik brenda një limiti tavan dhe ndërtimi  i një kalendari kohor për reduktimin permanent të tij nën 40% të PBB-së, si alternativa e vetme që siguron një rritje ekonomike dhe prosperitet më të ngadaltë, por më të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Në konkluzion, duke vështruar ekonominë e sotme botërore dhe gjendjen e borxheve publike dhe private që janë sot rreziku më i madh për stabilitetin global dhe kohezionin e shoqërisë njerëzore, duket se kejnsianizmi mbetet një filozofi e parezistueshme në kohë krizash ekonomike, por duke vepruar me një frymëzim të tillë në vijimësi, politikat publike rrezikojnë të krijojnë kriza edhe më të mëdha në të ardhmen. Gjendja e sotme e gjërave në nivel të mirëqenies në çdo vend dhe në shkallë botërore, në botën e zhvilluar demokratike, ka çuar vetiu drejt një shoqërie me një qeveri të madhe dhe duket e pamundur çfarëdo lëvizje prapësuese, por të paktën në vendet e reja ndoshta është e mundur të nxirren mësime prej saj. Ruajtja e një shkalle shpenzimi publik në jo më shumë se 30% të PBB-së (në pothuaj nivele të përafërta me atë të SHBA) duket se mbetet receta kryesore për politikëbërjen e tashme dhe të ardhshme të Shqipërisë. Kjo do t’i lejonte vendit të ruante një shkallë taksimi të moderuar dhe, nga ana tjetër, do të çlironte më shumë burime financiare për rritjen dhe zgjerimin e sektorit privat. Sigurisht që kjo të krijonte në aspektin filozofik edhe më shumë hapësira për lirinë e individit, duke mundësuar zhvillimin dhe afirmimin individual në kushtet e ekonomie individuale të lirë e të pacenueshme.

 

 

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi