Sipas Pew Research Centre: BE – I sëmuri i ri i Evropës
Shtetiweb, 14 maj 2013
Termi “I sëmuri i Evropës” është përdorur fillimisht në mesin e shekullit të 19 për të cilësuar dobësinë ekonomike dhe gjeopolitike të Perandorisë Otomane. Në shekullin 20 e këtej, ky epitet është përdorur për Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1970, për Gjermaninë në vitet 1990 e pastaj me rradhë për Italinë në 2005, Rusinë në 2006, Portugalinë në 2007 dhe Greqinë në 2009. Të marten 14 Prill Pew Research Centre (PRC), e cilëson Bashkimin Evropian si të sëmurin e rradhës në kontinentin evropian.
Një ankete e zhvilluar nga 2 në 27 Mars 2013 në tetë vende të BE-së mes 7,646 pjesëmarrësve, diagnostikon një ulje dramatike të mbështetjes së qytetarëve për projektin e integrimit evropian. Vetëm 45% e popullatës është në favor të BE-së, nga 60% që ishte para 12 muajve. Vetëm 22% e francezëve pohojnë që integrimi evropian forcon ekonominë – 14% më pak se një vit më parë. Kriza ekonomike po dobëson besimin e evropianëve në principet bazë të procesit të integrimit.
Kriza financiare e transformuar në krizë ekonomike dhe sociale, po largon Francën nga Gjermania dhe po frustron gjithnjë e më shumë spanjollët, italianët dhe grekët në lidhje me Brukselin dhe Berlinin. Por nqs ndjenjat negative të evropianëve varen nga kriza ekonomike, nuk parashikohet ndonjë përmirësim në horizont. Parashikimet e FMI parashikojnë Eurozonën në recesion në 2013 dhe vetëm në 2018 Evropa planifikohet të arrijë nivelin ekonomik të para-krizës.
Asnjë vend më shumë se Franca nuk përfaqëson këtë gjendje shpirtërore të zymtë. Nëntë francezë në 10, konsiderojnë vehten në “gjëndje ekonomike të keqe”. 58% nuk e pëlqejnë BE (18% më shumë se në 2012), dhe për ti vënë kapakun, 67% janë të bindur që Francois Hollandë po punon shkel e shko për të menaxhuar krizën. Nga ana tjetër, vetëm një në katër gjermanë ka probleme ekonomike, një në tre nuk e pëlqen BE-në dhe vetëm çereku i tyre nuk e pëlqen punën e Kancelares Merkel.
Politikanët vendore në të gjitha vendet kanë zbritur ndjeshëm në konsideratën e popullatës – përvec Merkelit që ka një shkallë aprovimi prej 74% nga populli gjerman. Për më tepër Merkel është udhëheqesja më popullore dhe në vende të tjera të Evropës kryesisht për menyrën se si po e menaxhon krizën. Nuk ndajnë këtë opinion për kancelaren gjermane grekët (88%), spanjollët (57%) dhe italianët(50%), por kjo është e kuptueshme.
Evropianët vlerësojnë mungesën e vendeve të punës, borxhin publik, çmimet e larta dhe diferencën mes të pasurve dhe të varfërve si problemet e tyre më të mëdha ekonomike. Vetëm 1% e grekëve dhe 3% e italianëve thonë që janë mire ekonomikisht ! Ndërsa një në pesë francezë deklaron që i ka ndodhur të mos jetë në gjendje të paguajë për ushqim, shërbime shëndetësore ose veshmbathje.
Vështirësitë ekonomike kanë ndikuar negativisht mbi opinionin e popullatës për BE-në. 78% e grekëve besojnë që integrimi ekonomik ka dobësuar Greqinë. 75% e italianëve dhe 60% e spanjollëve kanë të njëjtën bindje për vendin e tyre. Janë prapë grekët, italianët dhe spanjollët që janë më se të bindur që sistemi ekonomik aktual favorizon të pasurit përkundrejt të varfërve.
Përsa i përket rrugës së daljes nga kriza, të gjithë duan më tepër vende pune. Borxhi publik mbetet problem shumë i madh dhe megjithë uljen e shpenzimeve publike, prapëseprapë 67% e spanjollëve dhe 59% e italianëve preferojnë uljen e shpenzimeve qeveritare si rruga më e mirë për të dalë nga kriza e borxhit.
Megjithatë shumica dërmuese e evropianëve e duan euron, bile grekët me tepër se gjermanët. Ndërsa në Itali dhe në Spanjë mbeshtetja për Euron është rritur gjatë 12 muajve të kaluar. Si përfundim anketa e PRC nënvizon ndryshimet në rritje mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera, sidomos të jugut të Evropës. Gjermanët ndihen më mire ekonomikisht, i kanë financat personale në rregull, e duan integrimin evropian si dhe mbështesin fuqimisht udhëheqesit e tyre politikë. Vendet e tjera, përveç Greqisë, kanë besim te populli gjerman megjithëse i konsiderojnë jo sensitive përkundrejt problemeve të vendeve partnere. Për grekët, gjermanët janë njerëzit më pak të besueshem, më arrogantët dhe më të pandjeshëm. Nga ana tjetër francezët, gjermanët dhe çekët mendojnë të njejtën gjë për grekët.
Për Raportin komplet të PRC së bashku me pyetësorin, grafike dhe tabelat përkatëse, klikoni këtu