Partitë politike dorëzuan listat e kandidateve per deputetë në KQZ
Listat e kandidatëve sipas qarqeve
Deri në limitet e afatit kanë punuar selitë e partive për listat e kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Partitë zyrtarizuan në mbrëmjen e së hënës vonë emrat e kandidatëve për deputetë duke i dorëzuar ato në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Rreth 40 % e deputetëve aktual nuk do të jenë më në listat e reja të sapo pregatitura. Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhjet e dyta, pas atyre të 2009, që do të bëhen me sistemin e ri zgjedhor, në të cilin pozicionet e kandidatëve për deputetë në listat e pregatitura kryesisht nga kryetarët e partive përkatëse përcaktojnë në një masë të rëndësishme faktin nëse ata do të jenë fitues apo humbës qysh para fillimit të fushatës elektorale. Kjo ka rritur ndjeshëm interesin e kandidatëve, por edhe të militantëve të partive respektive, për procesin e hartimit të listave.
Dy krerët e partive më të mëdha, Berisha dhe Rama në daljet e tyre për mediat, i vlerësuan listat, si lista të fitores më 23 Qershor. Ajo që ra në sy është fakti se Berisha në lista ka përfshirë dhe emrat e aleatëve, ndërsa Rama jo.
Komisioni Qendror Zgjedhor brenda datës 14 maj, ka afat ligjor për të pranuar ose refuzuar listat shumëemërore të koalicioneve të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda afatit të përcaktuar në nenin 67, pika 1 dhe 2 kanë depozituar lista shumemërore gjithësej 66 parti politike. Nga këto 66 parti politike, 61 parti politike janë parti të cilat janë pjesëtare të Koalicioneve Zgjedhore, ndërsa 4 parti janë parti të cilat do të kandidojnë më vehte. KQZ në mbështetje të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, është duke përpunuar dhe verifikuar dokumentacionin e kandididimit për të gjitha partitë që kanë depozituar lista shumemërore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brënda datës 14 maj 2013 duhet të miratojë ose refuzojë listat shumemërore të partive të sipërcituara.
Përveç partive politike, në KQZ kanë depozituar kërkesën për të konkuruar si kandidatë të pavarur të mbështetur nga zgjedhësit 3 kandidatë: Dritan Prifti Qarku Fier, Arben Malaj Qarku Vlore, Laureta Gjoni Qarku Vlorë.