The Economist: Shqipëria është një regjim hibrid, ndër shtetet europiane ajo lë pas vetëm Bosnjën

The Economist, prill 2013

Shqipëria është një regjim hibrid,  ndër shtetet europiane ajo lë pas vetëm Bosnjën. Ky është konkluzioni i indeksit për demokracinë nëpër botë, reflektim i situatës në fund të vitit 2012, që bën prestigjozja britanike “The Economist”, përmes insertit të saj analitik ‘The Economist Intelligence Unit’.

Duke analizuar zhvillimet deri në fund të vitit të kaluar, “The Economist” del në përfundimin se ka pasur një lloj gjëndje në vendnumëro; që do të thotë as progres i qënësishëm, por as regres i demokracisë. Në vëzhgimin e saj, ‘The Economist’ merr në analizë gjëndjen e demokracisë për 165 shtete të pavarura dhe dy territore – çka mbulon thuajse të gjithë popullsinë e botës. Indeksi i demokracisë mbështetet në 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin; liritë qytetare; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrjen politike dhe kulturën politike.

Në total, indeksi dallon katër lloje regjimesh: demokracitë e plota, demokracitë me të meta, regjimet hibride dhe regjimet autoritare. “The Economist” e rendit Shqipërinë tek regjimet hibride; në një klasifikim që përfshin 37 shtete dhe 14 përqind të popullsisë së botës. Në këtë listë Shqipëria mbetet pas shumë shteteve të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës, duke u renditur poshtë Bangladeshit, Sri Lankës e Tunizisë dhe sipër Nikaraguas.

Ndërkohe shtete si Hong-Kongu, Malawi, Timori Lindor dhe Senegali janë përmirësuar më shumë se Shqipëria duke mundur të klasifikohen këtë radhë si një kategori më lartë se Shqipëria si vende me “demokraci me të meta”.

Po çfarë janë regjimet hibride? “The Economist” shpjegon se regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen. Dobësitë serioze këtu janë shumë më mbizotëruese sesa në demokracitë me të meta si në drejtim të kulturës politike, funksionimit të ekzekutivit dhe pjesëmarrjes politike. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobët. E tillë është edhe shoqëria civile. Tipike e këtyre regjimeve është trysnia mbi mediat dhe fakti që gjyqësori nuk është i pavarur. Përkrah Shqipërisë në këtë listim janë edhe vende si Venezuela, Mali, Egjipit, Pakistani e Libia, shtete këto që kanë përjetuar luftë, ose të paktën trazira të forta në dy vitet e fundit.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi