Shteti i deformuar nga politika*
Nga Mentor Kikia, botuar në Ballkanweb, 16.04.2013
Politika shqiptare u përfshi nga cikloni i radhës, që pasoi manovrën e radhës politike, atë të kalimit të Ilir Metës në anën tjetër të barrikadës. Parlamenti konsumoi një seancë- maratonë dhe skenari i opozitës për të folur derisa të mërzitej Berisha nuk funksionoi. As përpjekjet e deputetëve të opozitës për t’i marrë kartonin me dhunë Kastriot Islamit nuk e penguan që më në fund mazhoranca ta shkarkonte Ilirjan Muhon si anëtar të KQZ-së. Ky veprim nxiti edhe një reagim publik të diplomatëve të huaj në Tiranë, ndërsa shumë komentues dhe politikanë thanë se po vjen viti 1996. Në fakt nuk dua të futem fare në këtë valle, duke parashikuar se çfarë do të ndodhë me një KQZ, pa Muhon dhe me Zgurin, por dua ta shikojmë këtë që ndodhi në një këndvështrim tjetër.
Ilirjan Muho, zyrtarisht u shkarkua nga KQZ-ja se kishte gënjyer parlamentin (vendin ku thuhen vetëm të vërteta në fakt), duke i fshehur CV-në. Ishte kjo, një përpjekje e minutave të fundit të Berishës për të mos u konsideruar si lëvizje politike në institucionin që administron zgjedhjet. Por edhe kjo nuk ka shumë rëndësi. Ndoshta edhe për faktin se, megjithëse ambasadori amerikan dhe ai i BE-së na thanë se KQZ-ja është apolitike dhe e pavarur, ne të gjithë e dimë se ata që janë aty janë ndër shërbëtorët më të bindur politikë, si të majtët, të djathtët dhe të qendrës. Kështu kanë qenë të gjithë dhe fakti që të gjithë ish-drejtuesit dhe anëtarët e tij sot janë nën strehët e partive të tyre e dëshmon këtë. Në këtë prizëm, nuk ka asnjë fatkeqësi që iku Muho nga KQZ-ja, sa i përket pavarësisë së institucionit. Problemi i madh, jo vetëm për KQZ-në këtu, është si u bë Muho anëtar i KQZ-së. Një njeri që ka punuar në një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, siç është prokuroria, është shkarkuar me dekret presidenti sepse i ka dhënë lirinë një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në Shqipëri dhe Itali. Dhe pikërisht ky njeri merret dhe bëhet anëtar i një institucioni kaq shumë nevralgjik për funksionimin e demokracisë. Por jo vetëm këtu. Më parë ai ka qenë në disa detyra të rëndësishme në disa ministri, si zëvendësministër dhe drejtues institucionesh nën varësinë e qeverisë. Dhe në asnjërën prej tyre Muhos nuk iu kërkua CV-ja dhe nuk u mësua se ky njeri ishte dëbuar nga zyrat e shtetit, jo për ndonjë korrupsion “të vogël”, por për lirimin nga burgu të një njeriu që kërkohej nga drejtësia italiane se ishte dënuar atje me burgim të përjetshëm. Në çdo vend normal ky njeri nuk duhej pranuar në asnjë zyrë shteti, ndërsa ai ka livadhisur ministri më ministri, në parcelën e pushtetit që i përkiste 20 përqindëshit të Metës. Më pas, po këtë njeri e kapin prej veshësh dhe e ulin në karrigen e KQZ-së, jo si i pavarur (le ta thonë sa të duan ambasadorët), por si një ushtar i bindur dhe i kapur peng për shkak të së shkuarës së tij. Dhe letrat nuk u zbuluan, dekreti i presidentit Moisiu nuk u zbulua, jo sepse Muho gënjeu parlamentin, siç tha Jozefina, por sepse ata që duhet ta bënin nuk donin ta bënin.
Berisha ishte në muaj mjalti me Metën dhe kandidaturës së Metës për në KQZ nuk iu hapën letrat. Madje jo prokurorin që kishte liruar Kuqon e Beratit, por edhe sikur vetë Kuqon të propozonte Meta, sërish do ta bënin anëtar të KQZ-së. Sepse kjo duhej politikisht. Berisha u shfaq i penduar gjatë seancës plenare, duke thënë se kërkonte ndjesë që e kishte votuar, ndërsa kryetarja e Kuvendit tundte dekretin e presidentit, sikur të kishte zbuluar dokumente të epokës romake. Nuk ka shqiptar me nivelin e formimit mesatar që mund të besojë se ata nuk e dinin se kush ishte e çfarë kishte bërë ky Muho. Po, e dinin, por nuk u interesonte, u interesonte vetëm vota e tij e telekomanduar. Ndërsa tashmë, kur ai nuk duhet më sepse telekomandohet në anë tjetër, zbulohen dokumentet.
Për fatin e saj të keq opozitës iu desh të luftonte, edhe me grushta, për ta mbrojtur këtë njeri, që dikur e kishte votuar kundër. Dhe e votoi kundër, jo sepse ishte i lidhur me krimin, por sepse ishte i LSI-së. Dhe tani e mbron, jo sepse është e bindur se është burri i mirë, por sepse është i LSI-së dhe LSI-ja tashmë nuk është më e korruptuar, por është bërë rilindëse.
Opozita nuk ka luksin sot të thotë “në djall vaftë ky njeri i korruptuar apo i inkriminuar, ne jemi për shtetin e së drejtës dhe ai nuk ka vend në shtetin tonë”, por i duhet ta mbrojë sepse ai është kamikaz dhe si i tillë shërben me zell e devotshmëri. Në këndvështrimin politik, nuk ka asnjë shpresë për një ndryshim apo rilindje sikundër pretendohet, edhe nëse koalicioni i rilindjes vjen në pushtet. PS-ja do të votojë, ashtu siç bëri PD-ja, këdo që t’i sjellë Ilir Meta në vitin 2015 kur të bëhet rikompozimi i radhës i KQZ-së, pa pyetur ç’ka bërë e katranosur në zyrat e shtetit ai që votohet.
U desh të prishej pazari politik i Berishës me Metën që ne të mësonim se një prokuror i shkarkuar për lirimin e një të dënuari me burgim të përjetshëm bridhte sa në njërin post në tjetrin, në zyrat më të larta të qeverisë. U desh që të vritej një komisar policie që të zbulohej se një gjykatës në Durrës, jo vetëm kishte liruar kriminelin, por shkelte me dy këmbë ligjin dhe askush nuk kishte denjuar të merrte masa, edhe pse në KLD kishte një mal me ankesa. Merreni, bëjeni edhe Neritan Tabakun anëtar të KQZ-së, edhe ai do të jetë ushtar i bindur. U desh të vritej një tjetër komisar policie për të mësuar se krerët më të lartë të Policisë së Shtetit pinin e këndonin me njeriun e arrestuar për vrasjen.
Një sistem politik i bazuar jo në koalicionet ideologjike e programore, por në pazaret e pastra të interesave financiare, stimulon jo vetëm korruptimin e zyrtarëve, por depërtimin e të inkriminuarve në strukturat e shtetit, duke i dhënë atij më shumë natyrën e një organizate kriminale se një shteti të mirëfilltë.
Dhe pasoja ja kush është: Politika, parlamenti, diplomacia dhe media, përfshihen në debate të ashpra pro dhe kundër për një njeri që nuk duhej të ishte fare në atë zyrë, ose akoma më drejt, duhej të ishte në vendin e atij që liroi nga burgu.
* Titulli origjinal “Politika që e ka shndruar shtetin në bandë”