Arsimi i lartë dhe rritja ekonomike

Nga ANASTAS ANGJELI, botuar ne PanoramaOnline, 13 prill 2013

Zhvillimi i arsimit të lartë gjatë periudhës së tranzicionit në vendin tonë ka shënuar ndryshime të rëndësishme e të dukshme. Ai është reformuar nga pikëpamja programore, strukturore dhe organizative. Rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe reformimit dhe procesit të liberalizimit të arsimit të lartë. Kësisoj, është krijuar një “treg i ri”, tërësisht i veçantë dhe me ndryshime thelbësore nga tregu dhe bizneset e tjera.

Investimi në arsim është krejt i veçantë, është investim unikal sepse është një investim në dije, në teknologji, në shkencë “investim i trurit”, investim i së ardhmes. Ai është një nga faktorët determinantë në zhvillimet ekonomike sociale të shekullit të sotëm, në ndryshimet dhe zhvillimet aktuale globale.

Ekziston një bashkëjetesë mes sektorit të arsimit publik dhe privat, e domosdoshme jo vetëm për zhvillimet e brendshme në vend, por edhe për “hapjen e portave” të studimeve të larta në kushtet aktuale të globalizimit. Por përvoja e  bashkekzistencës dhe konkurrenca mes arsimit të lartë publik dhe atij jopublik, pa dyshim që ka nxjerrë në pah edhe problematika të ndryshme. Ato lidhen veçanërisht me nivelin e standardeve dhe cilësisë së mësimdhënies dhe të përfitimit të dijeve, me përshtatjen më të mirë të drejtimit të studimeve me kërkesat e tregut në përgjithësi dhe atij të punës në veçanti, dhe të gjitha zhvillimeve në vend. Synimi thelbësor në të gjithë këtë proces mbetet integrimi i sistemit tonë arsimor në atë europian, për më tepër që rinia studentore është dhe mbetet promotor i këtij procesi.

Përqasje teorike e rolit të arsimit të lartë në rritjen ekonomike.

Arsimi i lartë është një formë e rëndësishme e investimit në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe konsiderohet me të drejtë si “motori i zhvillimit në ekonominë e re botërore”.

Arsimi i lartë kontribuon në rritjen ekonomike nëpërmjet kanaleve private dhe publike. Përfitimet për individët përfshijnë perspektiva më të mira për punësim, paga më të larta dhe një aftësi më të madhe për të kursyer dhe për të investuar. Këto përfitime mund të rezultojnë në një nivel dhe cilësi të përmirësuar të jetës.

Arsimi i lartë është një nga instrumentet kryesore për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Konkurrenca e dijes brenda një ekonomie të globalizuar është bërë tregues i qartë i rolit të arsimit të lartë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike.

Arsimi i lartë kontribuon në suksesin e përpjekjeve kombëtare për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën dhe për të arritur rritjen ekonomike. Arsimi i lartë është një përcaktues jo vetëm i një zhvillimi më të shpejtë dhe më të lartë ekonomik, por edhe më cilësor (përmes zhvillimit teknologjik, inovacionit, të reja të shkencës) e, për rrjedhojë, ai është ndikues pozitiv në rritjen e të ardhurave dhe mund të prodhojë përfitime si publike, ashtu dhe private. Arsimi i lartë mund të krijojë të ardhura më të larta për shtetin nëpërmjet taksave, mund të rrisë kursimet dhe investimet. Arsimi gjithashtu mund të përmirësojë sistemin shëndetësor të një vendi, mund të kontribuojë në rritjen e reduktuar e popullsisë, të përmirësojë teknologjinë dhe të forcojë mirëqeverisjen.
Shqipëria dhe kriza ekonomike globale dhe ajo e eurozonës.

Që nga viti 2009 ekonomia jonë po përjeton një ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të rritjes, duke përjetuar situata nga me kritiket. Financat janë të tronditura thellë dhe gjendja sociale po rëndohet. Efektet e krizës së rëndë që po përjetojnë vendet fqinje po ndihen direkt edhe në Shqipëri. Investimet në ekonomi kanë rënë, kreditimi i ekonomisë gjithashtu. Papunësia, sidomos në moshat e reja, është tepër shqetësuese. Vihet re një numër i lartë i të papunëve në radhët e të sapodiplomuarve. Remitancat kanë rënë ndjeshëm dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve, të detyruar kryesisht nga kriza, po kthehen nga emigrimi.

Viti 2012 nuk mundi të shënojë një rritje më të madhe (GDP) se 0 deri në 0.5 për qind, duke shënuar rritjen ekonomike më të ulët në 15 vitet e fundit.

Kriza e eurozonës ka përcjellë pasiguri dhe pesimizëm te publiku shqiptar, çka është pasqyruar në ulje të shpenzimeve dhe rënie të kërkesës së brendshme. Buxhetet familjare “janë shkundur”.
Financat publike ndodhen në situatën më të vështirë të tyre në këto 10-15 vitet e fundit. Borxhi publik është shndërruar në kërcënim të stabilitetit financiar të vendit. Kriza ekonomike ka ndikuar në uljen e shpenzimeve publike për arsimin e lartë, gjë që ndikon negativisht në kërkimin shkencor dhe rrjedhimisht edhe në inovacion dhe në zhvillimin e teknologjive të reja. Për këtë arsye, niveli teknologjik dhe inovacioni, krahasuar me vendet e rajonit, është më i ulët.

Roli thelbësor i universiteteve në periudhën e krizës.

Kontributi i arsimit të lartë në nxitjen e rritjes ekonomike është i rëndësishëm, aq më shumë në periudha krize. Ky kontribut mund të jetë i formave dhe rrugëve të ndryshme. Arsimi i lartë ndihmon në industrializimin e shpejtë të ekonomisë, duke ofruar fuqi punëtore me aftësi profesionale, teknike dhe menaxheriale. Në kontekstin aktual të transformimit të kombeve në ekonomi të dijes dhe shoqëri të dijes, arsimi i lartë parashikon jo vetëm punëtorë të arsimuar, por punonjës të dijes  të aftë për të kontribuar për rritjen e ekonomisë. Arsimi i lartë krijon qëndrime dhe bën ndryshimet e mundshme të qëndrimeve të nevojshme për socializimin e individëve dhe transformimin e modernizimit e përgjithshëm të shoqërive. Më në fund dhe më e rëndësishmja, arsimi i lartë ndihmon, nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në tërheqjen, krijimin dhe përhapjen e dijes. Arsimi i lartë gjithashtu ndihmon në formimin e një shteti  të fortë dhe në të njëjtën kohë ndihmon në bërjen pjesë në procesin e globalizimit.
Sot janë të pakta universitetet që po tregojnë dukshëm potencialet e tyre për të ofruar alternativa zhvillimi për shoqërinë, si dhe rrugë për të dalë nga kriza. Janë të pakta tezat e elaboruara dhe konkluzionet e nxjerra nga konferenca shkencore gjithëpërfshirëse që mund t’u shërbejnë institucioneve si udhërrëfyes për zbatimin e reformave antikrizë. Prandaj është e domosdoshme…

Sfidat dhe nevojat e arsimit të lartë në Shqipëri

Arritja e një sinergjie midis ofrimit të alternativave nga universitetet dhe zbatueshmërisë së tyre nga ana e institucioneve shtetërore kërkon pa dyshim një rol më të madh mbështetës nga ana e këtyre të fundit. Vazhdimi i përsosjes së arsimit të lartë nga pikëpamja e standardeve dhe cilësisë, proceseve akredituese e rankuese, përfshirjen më të gjerë në punën studimore e shkencore të tyre, bashkëpunimin e studimeve universitare e postuniversitare me ato të vendeve europiane e botërore, është një proces që kërkon një konsensus dhe mbështetje të gjerë, meqenëse qëllimi final është rritja e zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Shqipëria, në këtë stad, ka nevojë për më shumë:

a)    Rregulla më të qarta të funksionimit të sektorit të arsimit të lartë.

b)    Konkurrencë të ndershme dhe të drejtë.

c)    Zbatimin korrekt të legjislacionit fiskal për arsimin.

d)    Shpenzimet për arsimin të jenë jo më pak se 5% e PBB.

e)    Zhvillim më i madh i arsimit profesional për pajisjen e studentëve me dijet e shprehitë për rritjen e konkurrencës dhe të aftësive, të nevojshme për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të.

f)    Stimulimin e kërkimeve aplikative dhe inovacionit.

g)    Përdorim të stimujve për frenimin e largimit të trurit jashtë vendit dhe tërheqjen e të porsadiplomuarve në universitetet e huaja.

h)    Ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.

i)    Zhvillimin e një sistemi të teknologjive të informacionit në hap me kohën.
j)    Politika të reja të qarta fiskale, mbështetëse për ndërtimin e ambienteve universitare dhe ndihmëse të tyre.

k)    Sigurimin me lehtësi të teknologjive dhe bibliotekave (fizike dhe elektronike).
l)    Përfshirjen e universiteteve shqiptare në projekte shkencore, studimi dhe zhvillimi, pasi në këtë mënyrë do t’i jepej më shumë “frymëmarrje” zhvillimit të këtij sektori dhe të ardhmes së tij.
m)    Lidhje më të mirë të arsimit të lartë me tregun kombëtar dhe rajonal të punës dhe përdorimin e politikave fiskale lehtësuese dhe mbështetëse për punësimin e të porsadiplomuarve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi