BQE: Evropianët e pasur jetojnë në Jug të Eurozonës

10 prill 2013

Më datë 9 Prill Banka Qëndrore Evropiane publikoi përfundimet paraprake të Anketës mbi Financat dhe Konsumin e Familjeve në vendet e Eurozonës. Një nga gjetjet më interesante është fakti që familjet më të pasura ndodhen në vendet e Eurozonës, që tani janë në krizë ekonomike, sociale dhe financiare. Për shëmbull mesatarja e pasurisë neto të një familjeje gjermane është  200,000 euro ndërsa një familje qipriote zotëron pasuri për 670,000 euro. Familjet më të pasura janë në Luksemburg dhe zotërojnë një pasuri mesatare prej 700,000 euro.

Nqs heqim rastet ekstreme të shumë të pasurve ose shumë të varfërve dhe analizojmë medianen (dhe jo mesataren), familja tipike Gjermane ka një pasuri prej 50,000 euro, një familje tipike Greke 102,000 euro dhe nje familje tipike qipriote 270,000 euro.

Më të “varfrit” kanë të ardhurat më të “larta”

Gjetjet e mësipërme duhen trajtuar të kushtëzuara nga profili i vendeve pjesëmarrëse, ku tipari më i theksuar është shkalla e pronësisë mbi shtëpinë. Rreth 60% e familjeve në Eurozonë posedojnë banesën e tyre, por familja mediane në Gjermani dhe Austri jeton me qera. Po ashtu cmimi i shtëpisë është rezultat i vlerësimit të pronarëve dhe si i tillë mund të përmbajë elemente subjektive. Së fundmi, të dhenat janë të 2010 dhe nuk kanë reflektuar rënien në çmimin e pasurisë së patundshme gjatë këtyre tre viteve. Nga ana tjetër përveç banesës kryesore, përbërësit e tjerë të rëndësishëm të pasurisë së matur në këtë anketë janë banesat e dyta, biznesi familjar dhe mjetet motorike.

Nqs shkojmë më tej se stoku i pasurise mësojmë që të ardhurat për kokë në Gjermani janë 119% e mesatares së Eurozonës. Po ashtu cilësia e infrastruktures, së shërbimeve sociale, skemave të pensionit, etj nuk është marrë parasysh, dhe këtu Gjermania dhe vendet Nordike bëjnë një diferencë shumë të madhe.

Borxhi më i madh merret për të blerë shtëpi

Vetëm 56% e familjeve në Eurozonë kanë borxhe, ku gati gjysma është kontraktuar për të blerë banesë, shuma mediane e të cilit është 68,400 euro. Indikatorët e peshës së borxhit si psh raporti median borxh / pasuri (21.8%) dhe raporti median i shërbimit dhe borxhit mbi të ardhurat (13.9%) tregojnë që familjet evropiane me të ardhura të ulëta mund të preken shumë lehtë nga rënia e ekonomisë.

Të dhëna të tjera interesante dhe implikime politike

Me tutje mund të veçojme që gjysma e pasurisë së Evropianëve të Eurozonës zotërohet nga vetëm 10% e familjeve. Të ardhurat vjetore mediane për familje janë 28,600 euro, nga të cilat 5,400 euro shpenzohen për ushqim. Ky buxhet rëndon me 18.4% të ardhurat bruto të familjes tipike evropiane.

Kjo anketë u zbatua nga bankat qëndrore të vendeve përkatëse gjatë vitit 2010 dhe mbuloi 60,000 familje në të gjitha vendet e Eurozonës. Rezultatet mbështesin propozuesit e implikimit më të madh të sektorit privat të vendeve në krizë në shpëtimin e bankave dhe të ekonomisë nëpërmjet taksimit të pasurisë ose kontributit nëpërmjet depozitave bankare. Këto zhvillime do të ulnin koston për taksapaguesit e “varfër” gjermanë për kolegët e tyre jugorë.

Studimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Shtetiweb.org

Kjo Rubrikë mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung – Albania

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi