Zgjerim i sektorit publik apo shërbime publike cilësore

Nga Adrian CIVICI, botuar në MapoOnline, 6 prill 2013

Cilësia dhe gjerësia e spektrit të shërbimeve të sektorit publik ka qenë dhe mbetet vazhdimisht në qendër të preokupimeve të punës dhe objektivave të të gjitha qeverive e administratave shtetërore. Në këtë proces lidhen e ndërthuren në mënyrë organike disa nga funksionet bazë të vetë qeverisë dhe shtetit, këtu përplasen doktrinat dhe shkollat ekonomike liberale, neo-liberale, intervencioniste, keynesianiste e etatiste etj., këtu krijohen marrëdhëniet politiko-elektorale me popullin, këtu merr jetë një pjesë e rëndësishme e politikave fiskale e buxhetore dhe veçanërisht politikat sociale. Për këto arsye, miradministrimi dhe modernizimi i sektorit publik ka përbërë dhe vazhdon të bëjë një nga temat më të diskutuara e analizuara dhe një nga objektivat më të qëndrueshëm të çdo qeverie e administrate shtetërore. Pyetje e pikëpyetje si: si duhet të jetë një shërbim i këtij tipi, shtetëror, d.m.th, publik apo privat?; cilat janë shërbimet që ai duhet të përfshijë?; cilët janë indikatorët që masin realisht performancën e tij?; sa për qind e buxhetit duhet të përdoret për këtë qëllim?; eksperienca e cilit shtet apo grupime shtetesh është më e mira? etj., vazhdojnë të mundojnë e të jenë në fokus të çdo qeverie apo publikut në tërësi.

Në Shqipëri, prej fillimit të tranzicionit e deri sot vazhdojmë të kërkojmë e propozojmë ndryshime e përmirësime të qeverisjes së sektorit publik dhe shërbimeve publike. Pa dyshim, që me situatën aktuale problematike në të cilën ndodhet sektori ynë publik, qoftë dhe aq minimal sa ka mbetur, duhet të bëjë një skaner total të gjithë mënyrës së funksionimit, përbërjes dhe mbi të gjitha filozofisë së ndërtimit, financimit dhe administrimit të këtij sektori problematik. Dilemat dhe pikëpyetjet janë të shumta. Intervali i zgjidhjeve të debatuara e propozuara, sidomos në këtë fushatë të nxehtë elektorale, fillon nga ruajtja e natyrës dhe thelbit shtetëror (apo dhe zgjerimit të mëtejshëm të tij sidomos në shërbimin shëndetësor e arsimor) duke kërkuar modernizim të administrimit të tyre për t’u mbyllur me propozimet që në emër të efektivitetit dhe cilësisë së shërbimeve ato të privatizohen 100% dhe shteti të tërhiqet plotësisht nga ky funksion duke u kujdesur vetëm për aspektet ligjore rregullatore të tij. Në ndihmë të këtij debati dhe zgjedhjeve më të mira, mund të na shërbejnë dhe eksperiencat, politikat, sukseset por dhe dështimet e shumë vendeve të zhvilluara të cilat kanë ndërmarrë e vazhdojnë të ndërmarrin reforma të shumta në këtë drejtim. Le të fokusohemi tek eksperienca e sintetizuar e OECD-së, që përfaqëson grupin e 34 vendeve më të zhvilluara të botës.

Pse duhet reformuar sektori publik? Gjatë 2-3 dekadave të fundit, qeveritë e këtyre vendeve e kanë modifikuar në mënyrë të konsiderueshme mënyrën e administrimit të sektorit të tyre publik duke privatizuar pjesën dërrmuese të shërbimeve si p.sh. telekomunikacionin, energjinë elektrike, ujin etj., kanë zvogëluar ndjeshëm procedurat burokratike të funksionimit të sektorit, i kanë bërë administratat dhe mënyrat e funksionimit të sektorit publik më transparente dhe krejtësisht të hapura për qytetaret. Strukturimi kryesor i tyre është orientuar nga kufizimet dhe mundësitë buxhetore të çdo qeverie, por presioni më i madh për ndryshimin e tyre ka ardhur nga tre faktorë të tjerë: zhvillimet sociale intensive, rezultatet ekonomike, veçanërisht efektet e krizës financiare dhe përhapja masive e inovacioneve dhe teknologjive të reja. Qeveritë kanë qenë të detyruara të jenë më transparente, më tepër të orientuara ndaj kërkesave të shoqërisë se sa ndaj kufizimeve të tyre buxhetore, të pranojnë reduktimin e influencës dhe rolit të shtetit në këto shërbime, por nga ana tjetër, të kërkojnë shtimin dhe kompletimin e rolit të administratës publike me funksione të reja.

Cilat janë sfidat kryesore? Në mënyrë të përmbledhur sfida kryesore në këtë fillim shek.XXI qëndron te gjetja e mënyrave dhe mjeteve për rritjen e eficencës së sektorit publik duke marrë seriozisht në konsideratë kufizimet nga politikat shtrënguese buxhetore që po prekin pothuajse gjithë vendet e botës. Përballë çdo qeverie e administrate po qëndrojnë disa pyetje të natyrës së zgjedhjes së politikave ekonomike e fiskale të tipit: (a) shteti duhet të rrisë prezencën e tij në ekonomi që të sigurojë më shumë të ardhura për të mbështetur sektorin e shërbimeve publike?; (b) duhet të rrisë akoma më tej tatimet dhe taksat për të mbushur buxhetin?; (c) duhet të shkurtojë disa lloje të tjera shërbimesh për të mbështetur sektorin publik?; (d) duhet të privatizojë masivisht për të alokuar kapitalet private drejt këtyre shërbimeve?; (e) duhet të përmirësojë administrimin e sektorëve problematikë duke aplikuar metodat e sektorit privat në to? etj.

Vende të ndryshme i kanë dhënë përgjigje specifike zgjedhjes dhe politikave të tyre në favor të njërit apo tjetrit variant, por po ta shikojmë në tërësinë e tij, kjo problematikë ka evoluar sipas një trajektoreje të përbashkët për shumicën e vendeve të OECD-së. Periudha 1945-‘80 u karakterizua nga një prezencë totale e Shtetit, i cili garantonte dhe ofronte në një pozicion pothuajse monopol pjesën dërrmuese të shërbimeve (ujë, elektricitet, arsim, shëndetësi, transport, telekomunikim etj.). Mbas viteve ‘80, publiku u bë shumë më i ndjeshëm ndaj shërbimeve që i ofroheshin dhe mundësive të zgjedhjes, ndërkohë që fatura financiare dhe buxhetore e qeverive filloi të rritej shumë dhe të bëhej problematike dhe e papërballueshme. Shumë qeveri në pamundësi për të financuar këtë ekspansion të shërbimeve vendosën: (1) të reduktojnë dimensionet e sektorit të tyre publik, ose (2) të ndryshojnë strukturën e tij, por gjithmonë duke privilegjuar privatizimin e tij, si dhe kalimin nga praktika e sektorëve publikë në atë të shërbimeve publike, të cilat sigurohen edhe nga aktorë jashtë sektorit publik. E rëndësishme është që shoqëria t’i marrë në cilësinë dhe sasinë e duhur këto shërbime.

Por, surpriza më e madhe si në fushën e teorisë ekonomike dhe filozofisë së zhvillimit ashtu dhe realitetit të përditshëm ishte fakti se “gjatë 2-3 dekadave të fundit prezenca e shtetit në këtë sektor jo vetëm që nuk është zvogëluar, por përkundrazi është zmadhuar në të gjitha vendet e zhvilluara”. Ajo që ka ndryshuar është roli i tij, mënyrat e ndërhyrjes dhe doza e këtyre ndërhyrjeve. P.sh., shumë vende kanë privatizuar monopolet shtetërore në fushën e energjisë, ujit, telekomunikimit, arsimit, shëndetësisë, transportit etj., por nga ana tjetër shteti ka krijuar funksione të tjera të domosdoshme: rregullimin e tregut, eliminimin e monopoleve të sektorit privat, garantimin e konkurrencës dhe transparencës, unifikimin e standardeve bazë në shërbime etj. Krahas evidentimit “surprizë” si një zhvillim i ri, kjo konsiderohet si një eksperiencë e mirë për t’u studiuar dhe marrë në konsideratë për vendet që janë në proces reformash modernizimi të sektorit të tyre publik.

“Leksionet” kryesore të reformave në vendet e zhvilluara. Në vijim të analizave për rezultatet e një periudhe shumëvjeçare reformash në fushën e modernizimit të shërbimeve publike, ekspertët i kanë sintetizuar ato në disa konkluzione e rekomandime të cilat, pa dyshim që janë të vlefshme për çdo vend që ndodhet në fazën e kryerjes së reformave apo ka si objektiv realizimin e shpejtë të tyre. Ja disa prej tyre: (a) rezultatet e reformave shpesh ishin larg pritshmërisë dhe objektivave fillestare, çka dëshmon si për një planifikim të gabuar të tyre ashtu dhe për mosnjohje të realitetit nga strukturat përgjegjëse apo propozuese të tyre qofshin këto institucione qeveritare, parti politike apo shoqëri civile. Trekëndëshi mirëqeverisje-përfitues-kontribues kërkon harmonizimin me trekëndëshin performancë sektori-cilësi shërbimesh të ofruara-para të harxhuara në mënyrë eficente; (b) reformat nuk ishin të adaptuara me strukturën institucionale, mentalitetin publik dhe kontekstin e përgjithshëm të vendit duke u konceptuar në mjaft raste si reforma standarde apo thjesht duke kopjuar eksperiencën e të tjerëve pa e analizuar me kujdes atë nëse përputhej apo jo me realitetet konkrete të çdo vendi e shoqërie, sidomos nëse përputhej me mundësitë menaxheriale e financiare të saj. Shqipëria është vend tipik që e përdor shumë argumentin se kështu bëhet në Gjermani, kjo reformë ka dhënë rezultat në Angli, e ka provuar Amerika se vetëm kjo reformë ja vlen, apo kot e keni se e provoi Franca e Italia dhe dështuan,etj.; (c) ritmi i reformave të sektorit publik nuk përputhej në kohë dhe hapësirë me reformat e tjera të modernizimit të funksionimit të shtetit; (d) në mjaft raste reformat mbështeteshin në logjikën e qeverimit dhe jo në atë të qeverisjes, pra i nënshtroheshin vetëm kompetencave dhe instrumenteve qeveritare pa e zgjeruar spektrin e tyre tek grupet e interesit, pushteti lokal dhe decentralizimi, shoqëria civile, biznesi, bota akademike, OJQ etj; (e) vlerësimi i efekteve të reformave apo planifikimi i tyre bëhej mbi një bazë treguesish dhe indikatorësh të mangët apo të pjesshëm të cilët në më të shumtën e raste ishin indikatorë opinionesh të tipit më mirë, më shumë, më shpejt, më cilësisht, më gjerësisht, në favor të më shumë njerëzve etj, por nuk ishin të matshëm konkretisht me numra apo përqindje në mënyrë që të krijonin mundësi për vlerësime thelbësore. Edhe kjo një sëmundje shqiptare që na mundon vazhdimisht. Shumë rrallë ne bëjmë një bilanc serioz të matshëm të efektit të reformave, dhe akoma më shumë, rrallë propozojmë reforma të shoqëruara me koston reale të tyre; (f) reformat nuk mund të jenë statike në kuptimin që bëj reformën, prit rezultatet pastaj vepro për ndryshime të tjera. Përkundrazi, reformat duhet të jenë dinamike në funksion të evolucionit të realiteti; (g) domosdoshmëria e futjes së mekanizmave të tregut në pjesën dërrmuese të shërbimeve të sektorit publik dhe kryesisht tek mënyra e shpërblimit dhe motivimit, rekrutimit të personelit, sanksionet dhe kontrollet, konsolidimi i institucionit të karrierës në ndërmarrjet e këtij sektori, depolitizimi dhe eliminimi i nepotizmit, dominimi i sistemit te meritave, transparence e gjere publike, eliminimi i burokracive të panevojshme apo formale, etj.; (h) politikat e kombinimit dhe krijimit të konkurrencës në treg ndërmjet sektorit privat dhe atij publik për të njëjtin shërbim, duhet të trajtohen me shumë kujdes e transparencë në mënyrë që të japin rezultate pozitive. Për arsye të faktorëve historikë, gjeografikë, politikë, socialë dhe specifikë, përjashtim nga ky rregull duket se bëjnë vetëm vendet skandinave (Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia) që sektorin publik e kanë po aq performant sa sektori privat. Eksperienca e tyre konsiderohet shumë specifike nga pjesa tjetër e vendeve të zhvilluara dhe nuk gjykohet se ajo është e mundur të aplikohet me sukses në çdo vend tjetër, aq më pak në vendet në zhvillim; (j) reformat rrënjësore strukturore nuk mund të realizohen pa bashkëpunimin dhe konsensusin e nevojshëm politik e social dhe një vizion afat-gjatë e të qëndrueshëm. Kjo logjikë nuk gjen vendin e duhur në Shqipëri ku qëndrimet e forcave politike shpesh janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, dhe ashtu si pëlhura e Penelopës, atë që end njëra gjatë një mandati, tjetra betohet se do ta prishë sapo të vijë në pushtet; (k) reformat në sektorin publik nuk duhen ngatërruar dhe barazuar me reformat në shërbimet publike, duke servirur shembullin e vendeve anglo-saksone si eksperiencën më të mirë. Ata u shquan për futjen e konceptit dhe praktikave të menaxhimit të ri publik në kuadrin e reformave globale të politikave publike, doktrinë me origjinë nga biznesi dhe sipërmarrja që synon të importojë në sektorin publik instrumentet e sektorit privat, të fusë nocionet e performancës, përgjegjësisë, nxitjes financiare,karrierës bazuar në meritokracinë, porosive dhe kujdesit shtetëror për të siguruar shërbime apo funksione publike nga operatorët privatë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi