Domosdoshmëria e rrugës europiane

Nga Igli Totozani, Avokat i Popullit, botuar në MapoOnline, 28 mars 2013

A nuk është kjo çka Europa po na kërkon prej disa kohësh, përveç të tjerave, në 12 kriteret: reformë në gjyqësor, të drejtat e njeriut në burgje dhe

polici, të drejtën e pronës dhe reformën në administratën publike? Si qytetar dhe si Avokat i Popullit jam i bindur që të vazhdojmë në të njëjtën rrugën që kemi nisur – në këtë përfshirje të madhe të shoqërisë civile në këtë proces gjithëpërfshirës të integrimit europian të Shqipërisë – më të rëndësishmin dhe më jetikun për qytetarët tanë.

Gjatë viteve të gjata të studimeve mbi Europën e Bashkuar, te të gjitha dimensionet e saj, as unë nuk i kam shpëtuar tundimit që pothuajse shoqëron këdo që është marrë me Europën, të ndalet e të reflektojë për Shqipërinë dhe rrugën e saj europiane.

Por ka midis pyetjeve, hamendësimeve, reflektimeve mbi ecurinë e procesit të integrimit tonë një përkufizim të largët, të bërë disa dhjetëra vite më parë nga një jurist i njohur francez, i cili sa herë e kujtoj më duket se i afrohet më shumë se çdo gjë këtij rrugëtimit tonë.

Është një përkufizim i konceptit të ndarjes së pushteteve, pra as për procesin e integrimit dhe aq më pak për Shqipërinë. Ai thotë disa vite përpara deklaratës së Schumanit se “ndarja e pushteteve përpara se të jetë një normë apo rregull juridik është një frymë, një shpirt”.

Është e qartë se bëhet fjalë për një kontrast, për një dallim midis këtij parimi, njohjes dhe sanksionimit të tij në legjislacion dhe humusit të përshtatshëm që duhet të ekzistojë që ai të zbatohet në jetën e përditshme institucionale.  E thënë ndryshe: një shoqëri përpara se ta sanksionojë në ligje duhet të ndiejë nevojën e tij.

Dhe më pëlqen ta zgjeroj këtë vështrim përtej këtij parimi, pra në tërësi, në kontrastin e herë pas hershëm që ndihet jo vetëm te ne: atë midis Ligjeve dhe shpirtit, frymës që duhet të ekzistojë për zbatimin e tyre.

Procesi i integrimit europian të Shqipërisë filloi tamam atëherë kur shoqëria shqiptare – pa ditur t’i vinte emrin e vërtetë dhe kjo kuptohet përse – kish kohë që po ia ndiente nevojën. Jo vetëm, pra, ndarjes së pushteteve, por të gjithçkaje që kishte dhe lidhje me demokracinë, lirinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Dhe sytë tanë shkuan nga Europa e Bashkuar. Europa e kapi këtë sinjal, e kuptoi këtë dëshirë. E mirëpriti atë.

Procesi i integrimit në thelb të të cilit qëndron kushtëzimi – synoi pikërisht këtë: transformimin e sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit në një demokraci perëndimore deri në anëtarësim, duke shpresuar bashkë me ne, se në ndërkohë shpirti, fryma demokratike do të rritej, do të formësohej në të njëjtën kohë me këtë transformim kushtetues.

I pari ndodhi. Jemi të gjithë dëshmitarë për këtë. Kuadri ligjor kushtetues nën kushtëzimin europian është sot vërtet demokratik dhe europian. Në të gjejmë të sanksionuar të gjitha parimet dhe konceptet që përbëjnë thelbin e një demokracie liberale. Dhe ne nuk ishim vetëm në këtë transformim të madh. Europa nuk na la vetëm.  Përkundrazi, na shoqëroi dhe na shoqëron në hapat e këtij procesi jetik për qytetarët. Me këshilla, me orientime dhe me një ndihmë të pakrahasueshme financiare përgjatë gjithë këtyre viteve.

Po shpirti? Shpirti demokratik u rrit dhe u formësua paralelisht me këtë ndryshim?

Po, ka sot padyshim një shpirt demokratik, një frymë demokratike shqiptare. Jo kudo. Jo te kushdo. Jo te të gjithë. Por te shumica e shqiptarëve, po.  Te shoqëria civile, po. Procesi i integrimit që po mbush të njëjtën moshë me nisjen e proceseve demokratike në vend po shtyn shoqërinë tonë drejt një ndryshimi të harmonizuar të ligjit dhe frymës. Dhe sidomos kjo e dyta të forcohet më tej dhe të shmangë kontrastin e kahershëm me të parin, për të cilin fliste dikur francezi i njohur Favoreu, puna me shoqërinë civile, këtë instrument të pazëvendësueshëm të përçimit të interesave civile të qytetarit, në hapësirën publike si interes të përgjithshëm të të gjithë shoqërisë, mbetet thelbësore. Ne të gjithë kemi nevojë për Europën, për fjalën dhe ndihmën e saj.

Integrimi dhe kushtëzimi po i jep frytet e tij. Jo gjithçka është siç duket. Shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet më shumë nga ç’duket. Nevoja për zbatim të kuadrit ligjor e kushtetues nuk është më një kërkesë e pa orientuar. Sot shqiptarët dinë çfarë duan. Dhe si Avokat Populli jam në gjendje t’ua vërtetoj këtë, nisur nga ankesat dhe kërkesat e tyre për vitin 2012 – nga 5200 të tilla në më të shumtën e rasteve ankes-kërkesat kanë të bëjnë me:

            Pushtetin gjyqësor

            Me policinë dhe burgjet

            Me pronën

            Me mbrojtjen e të drejtës së punës.

A nuk është kjo çka Europa po na kërkon prej disa kohësh, përveç të tjerave, në 12 kriteret: reformë në gjyqësor, të drejtat e njeriut në burgje dhe polici, të drejtën e pronës dhe reformën në administratën publike? Si qytetar dhe si Avokat i Popullit jam i bindur që të vazhdojmë në të njëjtën rrugën që kemi nisur – në këtë përfshirje të madhe të shoqërisë civile në këtë proces gjithëpërfshirës të integrimit europian të Shqipërisë – më të rëndësishmin dhe më jetikun për qytetarët tanë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi