Deficiti i demokracisë dhe zgjedhjet…

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama, 9 mars 2021

Tashmë është bërë e qartë se në periudhën postdiktaturë kemi dështuar, të paktën në drejtimet kryesore në përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të tij. Ky dështim mund të përmblidhet në konceptin e deficitit demokratik. Ky koncept përkufizohet si një situatë që ndodh kur organizatat ose institucionet gjoja demokratike (veçanërisht qeveritë) nuk arrijnë të përmbushin parimet e demokracisë në praktikat ose veprimtarinë e tyre, kur integriteti parlamentar përfaqësues dhe i lidhur me të është gjerësisht i diskutueshëm.

Së pari, nuk kemi arritjet të kemi një sistem parlamentar përfaqësues dhe funksional. D.m.th., në të cilin shtresat dhe grupet e ndryshme sociale të jenë të përfaqësuara, ndërsa Parlamenti si institucion të ushtrojë pushtetin në emër të sovranit, më e pakta të mbikëqyrë qeverinë, të kontrollojë veprimtarinë e saj dhe të garantojë llogaridhënien e qeverisë ndaj qytetarëve/ publikut. Kuvendi ynë i ngjan një grupi interesi, që për funksion bazë ka legjitimimin e veprimtarisë së qeverisë ose më saktë të rrethit të lobistëve dhe të oligarkëve klientë të saj, d.m.th., të garantoje mbrojtjen ligjore dhe institucionale të këtyre të fundit nga ligji, nga e drejta, nga interesat publike…

Së dyti, gjatë tri dekadave të fundit, kemi dështuar në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare në qeverisje. Trashëgimia e periudhës komuniste (zbehja e vlerave familjare, dobësitë e vlerave komunitare dhe falsiteti i vlerave kombëtare), por mbi të gjitha propaganda e shfrenuar politike kanë mbajtur gjallë “njeriun e ri”, këtë parafabrikat të periudhës komuniste që nuk ka asgjë të përbashkët me qytetarin e përgjegjshëm, që kërkon llogari për premtimet elektorale, për përdorimin e buxhetit dhe të pasurive kombëtare. Pikërisht indiferenca qytetare është edhe shtrati ku është ngjizur keqqeverisja, kultura e pandëshkueshmërisë dhe mizerabiliteti qeverisës që na rrethon…

Së treti, gjatë tri dekadave të fundit, edhe për shkak se format organizative të partive politike u mbështetën në trashëgiminë e Partisë së Punës, partitë politike u shndërruan në grupe të fuqishme interesi, u pleksën hap mbas hapi me pjesën informale dhe kriminale të biznesit dhe në dy legjislaturat e fundit penetruan lirisht ne Parlamentin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, edhe ajo pak transparencë, demokraci e brendshme dhe proces llogaridhënës brenda partive politike u zhduken për t’u zëvendësuar me liderin autokrat që nuk i nënshtrohet kurrë votëbesimit e që përqendron në duart e veta të gjitha pushtetet… Listat e kandidateve për deputetë në partinë në pushtet janë prova më e mirë e deformacionit që ka prodhuar mungesa e llogaridhënies në partitë politike, e cila nga ana e saj ka ushqyer arbitraritetin dhe arrogancën në qeverisjen e vendit. Duke abstraguar nga emrat e përveçëm, të tër(hequrit) nga emrat aktualë provojnë nga njëra anë një lloj reflektimi të detyruar të z. Rama kundrejt presionit të mbyllur dhe publik të faktorit ndërkombëtar për njëfarë pastrimi të politikës nga elementet në të shkuar kriminale, një përpjekje të tij për të freskuar aradhen e yesmane-ve të radhës, por edhe një përpjekje të kuptueshme për të joshur votuesit… Them votuesit se për të zgjedhur as kemi zgjedhur deri më sot, dhe mjerisht as kësaj radhe nuk ka shans që të zgjedhim ndonjërin të na përfaqësojë në Parlamentin e Shqipërisë.

Së katërti, jo për faj të sistemit siç tentohet të shpjegohet në mjaft raste, por për shkak të deformimit të qeverisjes së partive politike siç edhe përmenda më lart, kemi dështuar në vendosjen e një raporti dialektik dhe veprues midis përfaqësuesve në Parlament dhe qytetarëve nga pozita e zgjedhësit, votuesit e taksapaguesit. Për rrjedhojë, sot kemi vetëm individë të përzgjedhur nga kryetari i partisë, tipari dallues i vetëm i tyre është vetëm besnikëria e verbër ndaj tij. Mirëpo, kjo rrethanë prodhon pa dyshim një Parlament kukullash në duart e kryetarit, pa asnjë lidhje me qytetarët, e aq me pak me procesin ligjvënës. Shembulli i Kuvendit që po mbyll mandatin dhe kuvendeve lokale – këshillave bashkiake aktuale monokolor dhe aspak përfaqësuese, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për të kuptuar se sa larg ka shkuar deformimi i përfaqësimit demokratik në këtë vend. Edhe deklarimet kallp të shumicës së të larguarve se “z. Rama i ftoi të ishin pjesë e ekipit të partisë së tij, por ata u vetëlarguan për t’iu lënë vendin më të rinjve”, tingëllojnë komike dhe thjesht një koperturë për ruajtjen e privilegjeve të veta, të familjarëve etj. Për më tepër që përvoja politike është një aset i vlefshëm, nëse bartësi i saj nuk është përlyer në afera, në ligjbërje dhe vendimmarrje abuzive e klienteliste etj.

Së fundi, deficiti demokratik që shfaq vendi ynë prej 30 vjetësh nuk besoj se mund të mbushet me propagandën boshe mbytëse në 3D që ofron qeveria 24/24… Kjo do të thotë se dalja nga qerthull ku gjendemi sot duhet kërkuar te zgjimi i individit, te ndërgjegjësimi i këtij të fundit për përgjegjësitë familjare, komunitare dhe kombëtare… Në këtë këndvështrim, kapërcimi i gjendjes së sotme nuk është thjesht një çështje e rrotacionit politik. Vendi ka nevoje për një filozofi të ndryshme qeverisëse, e cila u jep përgjigje hap mbas hapi problemeve të deficitit demokratik që listuam në këtë shënim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi