Ne nuk zgjedhim,ne votojmë të zgjedhurit e kryetarëve
Nga MENTOR KIKIA, botuar në Balkanweb, 19.03.2013
“Vota e lirë” – është premtimi i përhershëm i qeverisë. Kjo është kërkesa më e madhe e opozitës. Kjo është porosia e vazhdueshme e organizatave ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore por edhe e institucioneve politike dhe diplomacisë së huaj në Tiranë. Por sa e aplikojnë dhe sa e “dashurojnë” votën e lirë realisht politikanët në Shqipëri? Përtej refrenit të përhershëm se “ai që humb thotë më vodhën votën”, realiteti politik në Shqipëri na ofron një tjetër panoramë dhe një tjetër marrëdhënie të klasës sonë politike, partive si organizata dhe individëve si përbërës apo udhëheqës, me votën e lirë. Një marrëdhënie gati armiqësore.
Ne shqiptarët ftohemi të zgjedhim gjithmonë mes dy alternativave, PD & Co dhe PS & Co dhe gjithmonë ne zgjedhim jo më të mirën, por të keqen më të vogël, paçka se kjo e keqe e vogël rritet shpejt, sapo bie në kontakt me kushte të mira “atmosferike”.
Sot, kryetari i opozitës Edi Rama, po përballet me disa kundërshti në partinë e tij për shkak të mënyrës që po përdor për përzgjedhjen (kujtojmë, flasim për “përzgjedhje” e jo për “zgjedhje”) e njerëzve që do të futen në listën e kandidatëve për deputetë. Përtej kontestimeve përmes mediave aty-këtu, në të paktën dy raste këto kontestime kanë dalë nga kontrolli duke shkaktuar edhe reagime publike, si ato në Kukës dhe Bulqizë. Rama po përpiqet të rinovojë partinë dhe këtë është duke e bërë tërësisht me kokën e tij. Po heq kë të dojë e po vë kë të dojë. Ku me “hak” e ku pa “hak”, Rama, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, edhe gjatë kësaj pragfushate, po largon ata që s’i pëlqejnë e po vendos njerëz që mendon se i ka të tijtë. Me pak fjalë, Rama po përgatitet, që, bashkë me marrjen e pushtetit, të bëjë dhe “privatizimin” dhe hipotekimin e partisë dhe shndërrimin e saj në një organizatë, jo me kryetar por me drejtor ekzekutiv. Pikërisht këtë aradhë njerëzish që Rama po i qëmton vetë një e nga një, zgjedhësit do të ftohen t’i votojnë. Ata mund të mos jenë fare dakord me këto kandidatura, por “populli opozitar”, ai që mezi ç’pret të mos e shohë Sali Berishën kryeministër, ca për shkak të dëbimit nga vendet e punës e ca nga verbëria politike, do t’i votojë këta njerëz vetëm e vetëm që të largohet Berisha.
U ndalëm së pari në Partinë Socialiste, sepse ajo ka qenë partia e vërtetë demokratike e Shqipërisë, pasi në anën tjetër, Berisha ka kohë që e ka shndërruar partinë në OJQ, e cila, për kryetar bordi dhe drejtor ekzekutiv ka vetëm atë vetë dhe ku nuk funksionon asnjë strukturë tjetër vendimmarrëse apo konsultative. Madje Berisha ka kohë që as edhe formalisht nuk zhvillon proces zgjedhor për strukturat drejtuese, por i vendos vetë si t’i teket.
Për shkak të këtyre mënyrave të drejtimit, në partitë politike shqiptare nuk respektohet, apo më keq akoma, nuk jeton asnjë formë demokracie, as në zgjedhjen e forumeve drejtuese (edhe aty ku bëhen, janë krejtësisht formale), e aq më tepër në përzgjedhjen e njerëzve që do i serviren popullit për t’u votuar. Ajo që në praktikën amerikane njihet si “vota paraprake”, i jep mundësi anëtarësisë së një partie të zgjedhë kandidatët për kandidatë, të cilët ndeshen mes tyre për të nxjerrë me meritë atë që do të garojë me kandidatin e partisë tjetër. Tek ne nuk funksionon kjo praktikë dhe të jemi të sigurt se nëse anëtarësia e partive do të ftohej të votonte kandidatët për kandidatë, shumica e atyre që mbushin sot parlamentin dhe listat e kandidatëve nuk do të ishin. Nuk do të ishin, sepse shumica e tyre janë thjesht të preferuarit e kryetarëve, janë “eskortat” e tyre financiare, sipërmarrës që blejnë me para karrierën dhe imazhin publik dhe njerëz të besuar të kryetarëve që janë të betuar në besnikërinë e tyre.
E vërteta e parë e hidhur e madhe, është se politikanët tanë nuk e duan demokracinë, nuk e duan votën e lirë, sepse ajo i kërcënon ata drejtpërdrejt brenda partive të tyre. Ata nuk e duan votën e lirë, sepse duan të mbretërojnë në çifligjet e tyre politike, në pushtet apo opozitë qofshin. Pasojë e këtij bajraktarizmi dhe mungesës së lirisë e demokracisë brenda partive është degradimi i mjedisit politik. Brenda këtyre organizatave nuk ka më garë idesh, projektesh e mendimesh, por ka garë servilizmi. Më të suksesshmit në karrierë nuk janë më të aftët e më të zotët, nuk janë ata që gjenerojnë ide novatore, por ata që mendojnë si kryetari, ata që flasin si kryetari, ata që imitojnë mundësisht edhe gjestet e tij. Kjo mënyrë e drejtimit të partive ka vrarë konkurrencën, atë që është shpirti i shoqërisë së lirë dhe palca e demokracisë.
E vërteta tjetër e hidhur e madhe është edhe më e rëndë dhe është produkti i drejtpërdrejtë i mungesës së demokracisë brenda partisë, i mungesës së garës mes ideve e vlerave. Pavarësisht se votojmë, ne nuk zgjedhim. Dhe kjo ndodh, sepse nuk kemi mundësi të zgjedhim atë që do donim të zgjidhnim, por ne ‘zgjedhim’, atë që mendojnë të tjerët që duhet të zgjedhim. Me pak fjalë, ne nuk zgjedhim, ne thjesht votojmë duke legjitimuar zgjedhjen e të tjerëve, pra të kryetarëve të partive. Kjo duket si demokraci, por realisht nuk ka lidhje me demokracinë, ose në rastin më të mirë, është një demokraci e deformuar dhe padyshim që prodhon edhe një pushtet të deformuar. Edhe në vitet e fundit të komunizmit, shqiptarët votonin duke pasur të paktën tri kandidatura alternative, atëkohë kur Ramiz Alia filloi të quante subjekte elektorale edhe Bashkimet Profesionale (forma komuniste e sindikatave) apo struktura të tjera organizative.
Është e njëjta mënyrë funksionimi, si për kandidatët për drejtues të pushtetit vendor, ashtu edhe për kandidatët për deputetë. Aplikimi i listave, që janë tërësisht nën kontrollin e kryetarëve të partive, më shumë se të zgjedhur, deputetët i bën të emëruar. Pra, qytetarët votojnë PD-në ose PS-në, ndërsa kryetarët emërojnë deputetët. Në kushtet e drejtimit të partive me metodat e bajraktarizmit, dhe kjo jo vetëm për arsye krahinizmi, aplikimi i listave të mbyllura dhe mungesa e garës brenda partive, është duke prodhuar modelin më të keq të demokracisë në Shqipëri, është duke instaluar një model jo thjesht të deformuar, por të rrezikshëm, në një vend ku gjëja më e vështirë është pranimi i v