Adrian Civici: “Ofertat” për taksat duhet të kenë limit
Intervistë me Prof. Adrian Civici, botuar në gazetën Shqip, 13 mars 2013
Në debatin politik mbi taksat, duket se ofertat nga kampet kundërshtare nuk po njohin limitin e moralit, duke kapërcyer çdo kufi të logjikës ekonomike. Duket si një garë se kush i ul taksat më shumë. Cila është përshtypja juaj lidhur me propozimet e fundit?
Në këtë rast, mendoj se dy kampet politike rivale kanë hyrë në një rreth vicioz, në një arbitrim të vështirë ndërmjet elektoralizmit dhe populizmit nga njëra anë dhe logjikës ekonomike e nevojës për të stimuluar e mbështetur ekonominë nga ana tjetër. Vetë fakti që jo vetëm media, por dhe publiku i gjerë i koncepton këto “oferta” si një garë ku finishi i synuar është “vetëm ulja e taksave, ose heqja e tyre”, dëshmon se jemi në limitet e shpërdorimit të vetë konceptit dhe mekanizmit të taksave. Natyrisht, në situatën aktuale të karakterizuar, veç të tjerave nga një rritje ekonomike shumë modeste, ulje e konsumit dhe kërkesës së brendshme, papunësi pothuajse konstante në nivelin 13-14% etj., uljet e taksave që ndikojnë në përmirësimin e treguesve të mësipërm apo i stimulojnë ato janë të mirëpritura.
Në logjikën e taksave ka tri parime bazë që nuk mund t’u shmangesh. Së pari, sasia në vlerë absolute e taksave që duhen mbledhur (ngarkesa fiskale e shprehur si përqindja e të ardhurave nga tatimet/taksat në raport me PBB), e cila është ushqimi kryesor i buxhetit të vendit; së dyti, struktura e mbledhjes së tyre që garanton këtë vlerë absolute (përqindjet nga taksimi i punës, fitimit, pronës, konsumit etj.); së treti, vendosja në ekuilibër e premtimeve elektorale dhe politikave ekonomiko-sociale që do të zbatohen “mbas 23 qershorit” me mundësitë financiare që çdo qeveri do të ketë në dispozicion nëse zbaton kaq shumë ulje apo heqje taksash.
Në këtë këndvështrim, mendoj se jemi thjesht në traditat shqiptare të populizmit elektoral “e rëndësishme është të fitohen zgjedhjet, kur të kemi pushtetin fillojmë e mendojmë seriozisht se çfarë duhet bërë”, ndërkohë që profesionalizmi dhe logjika ekonomiko-financiare po presin një kohë më të përshtatshme për t’u marrë seriozisht në konsideratë. Duhet që të paktën të jenë sa më shumë publike elemente të tilla si: sa për qind (ose 000/lek) zvogëlohen të ardhurat në buxhet nga gjithë këto ulje të premtuara? Sa për qind (ose 000/lek) janë llogaritur të ardhurat apo kontributi shtesë që vjen nga sektorët apo aktivitetet që do të përfitojnë mbështetje/nxitje nga ulja e taksave? Cila do të jetë logjika e taksimit kur është fjala për të ardhurat, fitimin, pronën apo konsumin, etj.? Besoj se mbas çdo propozimi për uljen apo ndryshimin e sistemit të taksimit duhet të ketë patjetër studime e analiza serioze “të ftohta”, profesionale, ekspertësh të ekonomisë, financave e politikave të zhvillimit.
Nëse flasim për taksat, a duhet të nisemi pikësëpari me krahasimin që duhet bërë me rajonin. Dakord, kemi taksën e sheshtë, por TVSH-ja mbetet në nivele më të larta në raport me fqinjët. Është e nevojshme të preket kjo taksë?
Në debatet dhe përvojat e sotme ndërkombëtare, sistemi i taksave nuk shihet vetëm si një qëllim në vetvete, apo si “çështje e brendshme”, por mbi të gjitha dhe si një instrument që krijon avantazhe konkurruese apo disavantazhe fiskale me fqinjët apo vendet e të njëjtit rajon. Në një rajon kaq të “uritur” dhe në luftë kompetiviteti për investimet e huaja, për produktivitetin dhe tregjet, siç është Ballkani apo Europa Juglindore, çdo propozim për ndryshim taksash duhet parë i lidhur ngushtë edhe me “gjendjen e fqinjëve”. Kur flitet për TVSH, duhet të kemi parasysh se e kemi nga më të lartat në Ballkan (Maqedonia e Serbia 18%, Bosnja 17% etj.), por ajo që është më e rëndësishmja, e kemi standard, pa asnjë përjashtim.
Në disa vende të Ballkanit, por dhe të BE-së e më gjerë, po aplikohen gjithnjë e më shumë TVSH me dy ose tri nivele, duke synuar që të mbështesin konsumin/fuqinë blerëse të shtresave të veçanta të popullsisë, apo të favorizojnë degë e biznese të caktuara në luftën e përditshme për shtimin e prodhimit, punësimit, e tregjet (Kroacia e ka 22% TVSH standard, ndërkohë që aplikon masën 10% për një kategori produktesh; Maqedonia e ka 18% TVSH standard, ndërkohë që aplikon masën 5% për produkte të caktuara, Serbia e ka 18% TVSH standarde, por aplikon dhe TVSH-në e diferencuar në masën 8%, Turqia e ka 18%, por aplikon dhe TVSH-në e diferencuar në masën 8% dhe 1% etj.).
Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë që ka TVSH-ja në sistemin e taksave dhe të ardhurave, mendoj se edhe Shqipëria mund ta studiojë mundësinë e një madhësie më konkurruese të saj në raport me vendet e Europës Juglindore, por mbi të gjitha dhe në raport me politika mbështetëse e favorizuese që duhen bërë veçanërisht për shtresat në nevojë, ato me të ardhura të pakta, biznese e shërbime të caktuara etj. Favorizimet në nivelin e TVSH-së, sidomos për ushqimet, produktet apo shërbimet bazë, të një kategorie më të gjerë produktesh e aktivitetesh eksportuese e importuese etj., konsiderohen si një politikë e mirë mbështetëse ekonomiko-sociale, natyrisht kundrejt administrimit të mirë të përcaktimit/mbledhjes së TVSH-së dhe luftës kundër evazionit fiskal në këtë drejtim.
Në mjaft raste, në Shqipëri, argumentet “mbrojtëse” kundër prekjes së TVSH-së dhe “bërjes politikë me TVSH-në” apo aplikimit të “niveleve të diferencuara të saj” bazohen në frikën e mundësisë së administrimit korrekt të saj, në frikën e nxitjes së evazionit dhe kulturës së përjashtimeve, në mundësitë e shtuara për abuzim etj. Përballimi i kësaj “frike” është arsyeja kryesore përse paralelisht me çdo reformë apo ndryshim të rëndësishëm fiskal duhet bërë dhe plani i administrimit më eficent të saj, reforma e nevojshme në administratën fiskale, konsolidimi i rregullave dhe institucioneve që do ta menaxhojnë atë etj.
Sa e drejtë është ulja e taksave në një kohë kur financat, buxheti nuk duket aq i shëndetshëm, ndërsa borxhi publik kapërceu kuotën 60% (pritet të arrijë 63% e PBB-së)?
Duke vazhduar me këndvështrimin krahasues rajonal, rezulton se në rajonin tonë vetëm Shqipëria dhe Serbia kanë një borxh publik mbi 60% (të dyja vendet e kanë 63% borxhin), ndërkohë që Bullgaria e ka 18%, Maqedonia 31%, Rumania 35%, Bosnjë-Hercegovina 45% etj.). Në këto kushte, të mendosh e të premtosh vazhdimisht për ulje taksash, të miratosh buxhete gjithnjë në rritje për sa i përket vëllimit dhe objektivave të tyre, do të thotë të krijosh një “gropë financiare” që duhet mbushur me burime të tjera, sidomos me shtimin e borxhit publik (po të kemi parasysh se edhe të ardhurat nga privatizimet nuk janë në një trend rritës qoftë si mundësi potenciale, qoftë si mundësi reale arkëtimesh). Pikërisht për këtë arsye, mendoj se është koha që Shqipëria të mendojë seriozisht për aplikimin konkret të “rregullit të artë buxhetor” në sensin e veprimit të ekuilibrit “të ardhura në buxhet – shpenzime buxhetore”, “politika lehtësuese taksash për disa sektorë, ulje e shpenzimeve buxhetore, ose rritje taksash për kategori të tjera subjekt taksimi”.
Ne nuk kemi një ekonomi aq të konsoliduar e zhvilluar që të mbajë mbi shpatulla nivele të larta borxhi, sidomos nivele mbi 60%, aq më tepër që edhe koniunktura ndërkombëtare (sidomos gjendja ekonomiko-financiare e dy partnerëve tanë kryesorë, Greqisë dhe Italisë), aktualisht nuk flet për mundësinë e shtimit të borxhit publik si rrugë efektive përballimi shpenzimesh publike apo politika zhvillimi. Në këto kushte, n.q.s. do t’i vendosim në një binom “ulje taksash – borxh publik”, mendoj se premtimet pa fund për ulje taksash shkojnë në efekt të kundërt me mundësinë e frenimit të borxhit publik, pa folur për vështirësitë që mund të ketë shërbimi i rregullt e pa eksese i borxhit ekzistues.