Drejtori i Zbulimit Kombëtar Amerikan:Ndasitë e brendshme politike dhe ato etnike përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor

Kongresi Amerikan, 12 mars 2013

Ndasitë e brendshme politike dhe ato etnike, do të përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor për vitin 2013. Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, drejtori i CIA-s dhe drejtori i FBI-së, dëshmuan dje në Kongres. Raporti u paraqit dje nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper, gjatë një seance në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit.

Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e të dobta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor. Megjithëse gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, është përmirësuar që nga viti 2011, angazhimi diplomatik dhe ai në fushën e sigurisë i perëndimit, është i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Raporti thekson se me shtimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, egziston edhe rreziku i shtimit të dhunës nga grupet ekstremiste serbe në veri të Kosovës. Qeveria relativisht e re e Serbisë, ndeshet me pengesa të shumta në rrugën e saj drejt përmbushjes së detyrimeve për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Evropian, mes të cilave është edhe gjetja e një zgjidhjeje mes pretendimit kushtetues mbi Kosovën dhe faktit që Kosova është e pavarur.

Mbikqyrja e pavarësisë përfundoi, thekson raporti, dhe qeveria e Kosovës do të synojë t’i zgjerojë instrumentat e sovranitetit mbi gjithë territorin e saj.

Në Shqipëri, sipas raportit, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet.

Në Maqedoni, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi