Konfliktet që dobësojnë institucionet

Nga TONIN GJURAJ, botuar në Panorama Online, 11 mars 2013

Konflikti është i kudondodhur në jetën dhe veprimtarinë e përditshme të njerëzve dhe organizatave të ndryshme, përfshirë dhe partitë politike. Në këtë kontekst, konflikti nuk duhet parë si diçka alarmuese apo e keqe, por keqmanaxhimi i tij duhet parë si i tillë.
“Po të ishim të gjithë engjëj, nuk do të kishim nevojë për qeveri”, thotë James Madison, një prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përpilues i Kushtetutës amerikane. Një reflektim i tillë nënvizon rolin rregullator të qeverisë dhe nevojën e baraspeshimit të interesave personalë të individëve në shoqëri. Ai bazohet në filozofinë politike të mendimtarëve europianë, si: John Locke dhe Montesquieu, idetë e të cilëve hodhën edhe bazat e funksionimit të shteteve demokratike.  Pikërisht në themel të kësaj filozofie qëndron parimi i ndarjes së pushteteve, Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori, ndarje e cila shihet si domosdoshmëri funksionale për një vend demokratik. Në shek. XVIII, kjo filozofi kishte si qëllim kufizimin e pushtetit absolut monarkik.  Në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Lindore, ndarja e pushteteve ishte reagim i kuptueshëm ndaj së kaluarës komuniste, e cila nga pikëpamja qeverisëse ishte po aq absolutiste sa dhe monarkitë e të tre shekujve më parë.

Por, ndarja e pushteteve nënkupton edhe konflikte interesi mes tyre, sepse institucionet shtetërore kanë interesa konkurruese dhe janë në përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur kompetencat e tyre. Në një demokraci liberale, këto konflikte në vetvete nuk janë të dëmshme për institucionet; madje ato janë pjesë integrale e funksionimit të shtetit. Në këtë kuptim, konfliktet mes institucioneve, të ngritura për aplikimin e këtyre pushteteve, janë në konflikt të vazhdueshëm interesi mes tyre dhe kryejnë një baraspeshim të këtyre pushteteve. Ky ekuilibër vendoset nëpërmjet një sistemi kontroll-balancë (checks and balances), që shërben si urë ndërlidhëse mes pushteteve. Një funksion i tillë, për shembull, kryhet nga komisionet parlamentare, që kanë detyrë kontrollin e politikave qeveritare.

Problemet shkaktohen kur konfliktet ndërinstitucionale janë aq të thella, saqë ato atrofizojnë funksionimin e vetë institucioneve, siç ka qenë rasti në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit dhe kryesisht në tri vitet e fundit. Por thjesht ekzistenca e konflikteve ndërinstitucionale nuk është vetëm një fenomen i demokracisë shqiptare. Megjithatë, në kontekstin shqiptar, këto konflikte dallohen për nga ashpërsia, agresiviteti dhe tendenca e theksuar vetëshkatërruese. Të tilla konflikte ndërinstitucionale nuk ekzistonin në monizëm, sepse shteti ishte në funksion të ideologjisë sunduese dhe nuk ekzistonte ndarje pushtetesh.  Atëherë, mund të argumentohet se ato duhet të jenë veçori e demokracisë. Por, me të drejtë mund të pyesim, pse konflikte të tilla janë kaq shkatërruese në Shqipëri, në krahasim madje edhe me vendet e tjera të rajonit e jo me ato perëndimore? Arsyeja duhet kërkuar me sa duket në mënyrën se si arrihet dhe si perceptohet legjitimiteti institucional në vend. Legjitimiteti, krahas zgjedhjeve të lira, përbën një prej dy koncepteve themelore të teorisë së demokracisë, por njëkohësisht tregon qëndrueshmëri dhe konsolidim të vetë sistemit demokratik.

Vetëm ndarja e pushteteve nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar faktorët e ruajtjes së konceptit të lirisë dhe demokracisë. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra e arritjes dhe ruajtjes se legjitimitetit politik. Është legjitimiteti, sipas Max Weber-it, që konverton pushtetin në autoritet. Një numër studiuesish kanë argumentuar se koncepti i ndarjes së pushteteve, sipas Montesquieu-së nuk është i përshtatshëm për të gjitha sistemet demokratike dhe veçanërisht për republikat parlamentare, ku përfshihen vendet ish-komuniste. Në Britaninë e shek. XVIII, që u përdor nga Montesquieu si model për të shpjeguar doktrinën e tij, të tria pushtetet e vendit kishin burime të ndryshme legjitimiteti. Pushteti ekzekutiv e fitonte legjitimitetin nga dinastia mbretërore, ai legjislativ nga populli nëpërmjet zgjedhjeve, ndërsa karriera e gjykatësve varej nga Dhoma e Lordëve dhe e sistemit juridik.

Ndërkohë, në republikat parlamentare, përfshirë dhe Shqipërinë, nuk ekziston asnjë prej kushteve politiko-sociale të mësipërme.  Legjitimiteti i pushtetit bazohet në sovranitetin e popullit i shprehur si vullnet i përgjithshëm që merr shprehjen e tij politike në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij politikë, nëpërmjet sistemit zgjedhor. E meta kryesore e këtij sistemi, sidomos në demokracitë e reja, përfshirë dhe Shqipërinë, është se duke u bazuar në një legjitimitet të vetëm, atë popullor, ai mund dhe shpesh prodhon “tiraninë e shumicës”, e cila anashkalon interesat e pakicës, me argumentin se vepron në bazë të legjitimitetit të fituar nga vullneti i përgjithshëm i sovranitetit popullor. Qeverisja e shumicës duhet të shoqërohet me mbrojtje për pakicën, që do të thotë se nuk mund të injorohen opsionet dhe vota kundër e grupeve të vogla. Pakica ka të drejtë për të promovuar në mënyrë paqësore, brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit, opsionet përkatëse, me qëllim që të fitojë më shumë përkrahje për to. Në kushtet kur ky legjitimitet nuk njihet ose kur vihet në pikëpyetje vetë ligjshmëria e tij, atëherë sistemi i mësipërm politik prodhon konflikte të ashpra mes forcave politike, që kanë interesa kundërshtues.

Në Shqipërinë e viteve të tranzicionit nuk është arritur ende një ndarje funksionale e pushteteve. Po ashtu, mungon edhe një sistem efikas kontroll-balancë. Vetëm kjo mungesë nuk do të sillte domosdoshmërisht konflikte të rënda politike dhe institucionale, përderisa sistemi politik bazohet në legjitimitet transparent dhe të pranueshëm nga palët. Në tri vitet e fundit ka qenë pikërisht ky legjitimitet qeverisës që është vënë në pikëpyetje nga opozita dhe, për rrjedhojë, janë shkaktuar edhe krizat e vazhdueshme politike. Detyra e opozitës, siç thotë me të drejtë Fatos Lubonja, nuk është të kundërshtojë, por të ofrojë paketa më të mira alternativash dhe të zhvillojë një opozitë konstruktive dhe koherente, e aftë për të konkurruar me pushtetin, pra të përmirësojë situatën, jo të zëvendësojë njerëzit. Në këto kushte, mungesa e dialogut dhe e aftësisë për kompromise është pasojë, jo vetëm e kushteve socio-politike të përshkruara më lart, por edhe një atavizëm i trashëgimisë komuniste. Shumica e politikanëve shqiptarë kanë qenë të paaftë t’i përshtateshin plotësisht realitetit të ri politik. Ata kanë ndërruar fjalimet dhe shprehjet, por jo mënyrën e të vepruarit dhe të menduarit.

Pra, si konkluzion, mund të themi se në Shqipëri, konfliktet ndërinstitucionale, që janë pjesë integrale e sistemit demokratik, janë më të ashpra dhe ato dobësojnë institucionet, sepse shpalosen në kushtet e sfidimit kronik të legjitimitetit politik institucional, të keqfunksionimit të ndarjes së pushteteve dhe mungesës së sistemit të kontroll-balancave. Për shumë shqiptarë, thënia e Madison-it për qeverisjen e engjëjve thjesht u kujton se ata kanë vijuar të qeveriseshin prej djajve, sa djathtas, në qendër dhe majtas, gjatë gjithë tranzicionit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi