Çavo: Reforma në administratën publike duhet të nisë nga DAP

Intervistë me Zamira Çavo, botuar në Telegraf, 2 gusht 2017

Dëgjesat publike janë një kthim në Mesjetë. Vetëm në atë kohë mbretërit vendosnin se kujt do t’i pritej koka dhe kush do të shpëtonte. Të njëjtën gjë po bën edhe kryeministri

Profesoresha Zamira Çavo, i konsideron të gabuara nismat e kryeministrit Edi Rama, të cilat në thelb kanë të bëjnë me pastrimin e Administratës Publike. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Çavo shprehet se fushata për reformimin e administratës duhet të nisë nga kupola e saj, ajo që merret me emërimet, Departamenti i Administratës Publike. Ajo shprehet se kryeministri Edi Rama në katër vite ka gabuar shumë dhe tashmë këto gabime është duke ia veshur administratës dhe drejtorëve. Sipas Çavos, ndërsa gjatë fushatës dhe më herët ka deklaruar se fajin për administratën e ka sistemi, tashmë Rama është duke dënuar në grupe të gjithë drejtuesit. Gabim ajo konsideron edhe dëgjesat publike. Sipas saj problemet e popullit janë të shumta dhe të gjithë e dimë se ato nuk mund t’i zgjidhë kryeministri. E ndërsa e krahason me mbretërit e kohës së Mesjetës, Çavo shton se, e gjithë kjo histori bëhet vetëm për të larguar një pjesë të administratës dhe zëvendësuar atë me të parapëlqyerit e tij. Në një moment, Çavo e krahason edhe me kohën e Enver Hoxhës, të gjithë atë sa po ndodh nën drejtimin e Edi Ramës.

Kohët e fundit kryeministri Rama është duke lancuar nismën për një reformë të thellë në administratën publike. Madje ai po shpall pas çdo dëgjese publike dhe ultimatum ku kërkon dorëheqjen masive të drejtuesve të lartë të administratës. Cili është mendimi tuaj për këtë?

Që Administrata Publike është një ndër pikat më të dobëta të shtetit tonë besoj biem të gjithë dakord. Pyetja ime është e thjeshtë: Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë nivel të kësaj administrate? Kush i emëroi këta drejtorë, apo drejtues të lartë në postet që mbajnë? Dhe përgjigjen ma ka dhënë me kohë vetë kryeministri Rama, kur vitin e parë të mandatit të parë shpalli Reformën në Administratën Publike nën moton: Faji nuk është i individëve, por i sistemit! Sot rezulton se faji qenka i individëve. Unë personalisht do ta analizoja ndryshe situatën. Administrata publike nuk duhet anatemuar në bllok. Unë njoh punonjës të kësaj administrate që punojnë me përkushtim e përgjegjshmëri të lartë. Por drejtorët e “rinj” që Rama lançoi para katër vitesh tashmë e kanë lënë njollën e zezë në punën e tyre. Pra sistemi që kryeministri na e përcolli si një element kyç të reformës administrative, polli sërish paaftësi, korrupsion e degjenerim. Pse ndodhi kështu? Fare thjeshtë sepse z,Rama nën emrin e reformës, emëroi në vendet kyçe të rekrutimit të stafit të administratës publike, njerëz pa integritet, njerëz që përveç mikut, apo rinisë së tyre nuk kishin çfarë t’i afronin kësaj administrate. Një 26 apo 27 vjeçare që mezi ka marrë shkollën nuk mund të jetë drejtoreshë në institucionin që përzgjedh stafin e administratës publike! Por ja që z Rama kështu e pati menduar atëherë. Departamenti i Administratës publike është departament çiliminjsh që nuk kanë lexuar as edhe një paragraf mbi funksionimin e administratës publike në Evropë, e që për rrjedhojë zbatojnë “dëshirat” e drejtuesve të ministrive apo të të njohurve të tyre. Për të mashtruar publikun ky departament krijoi edhe komisionet me”ekspert” të fushave të ndryshme, që e bënë edhe më të” justifikueshëm” përzgjedhjen e stafeve. Në të vërtetë këto komisione janë aq formale sa vlejnë vetëm për të mbuluar aferat korruptive të këtij departamenti çiliminjsh. Reforma administrative duhej filluar nga ky departament. Madje në mendimin tim DAP-I duhet shkrirë pasi është një hallkë që më shumë e shkatërron procesin e përzgjedhjes së stafeve se sa e ndihmon atë.

Kryeministri Rama, po kërkon në bllok dorëheqjen e drejtorëve të spitaleve, ashtu si kërkoi dhe dorëheqjen e drejtorëve të hipotekave. A mund të vazhdohet kështu? A shikoni ju një vlerë të shtuar në përmirësimin e Administratës publike, duke vepruar në këtë mënyrë?

Le ta fillojmë nga dëgjesat publike. Që këtu fillon demagogjia. Këto dëgjesa po shiten në popull si biseda për të zgjidhur hallet e njerëzve pasi Administrata Publike nuk e paska bërë dot këtë!!! Nuk kam asgjë kundër këtyre dëgjesave, por jam e bindur që nuk është kjo rruga për të reformuar administratën. Dhe kam arsye që e them: Së pari: Nuk ka asnjë mundësi reale të zgjidhen ankesat që nuk kanë fund, nëpërmjet dëgjesave të tilla. Së dyti; këto dëgjesa mund të pozojnë problem të ndryshme që kanë njerëzit, por nuk është kryeministri ai që vendos për zgjidhjen e problemit. Vetëm në mesjetë ndonjë mbret “I mirë” vishej si njeri i zakonshëm e dilte nëpër territoret e tij për të kuptuar se çfarë thoshin njerëzit për të dhe administratën e tij. Si mbret që ishte kishte edhe gurin edhe arrën. Ndaj vendoste që këtij t’i pritje koka e këtij tjetrit ti faleshin borxhet… Por nuk jemi në mesjetë. Jemi në Demokraci, dhe demokracia funksionon me ligje dhe rregulla dhe jo me kërkesa ultimative : Jap 24 orë afat të japin dorëheqjen të gjithë drejtorët e…” Kjo sjellje politike e z Rama, është jo vetëm demagogjike por edhe autoritare për të mos thënë mesjetare. Më vjen keq që e them, por nuk shikoj asnjë zgjidhje me këto ultimatume. Pale më tej kur thotë, : Ju jepni dorëheqjen dhe unë do të ngre komisione që do të verifikojnë nëse vleni apo jo për postin drejtues… Për mua është shumë shqetësuese kjo sjellje politike. Është shqetësuese si për vetë Administratën publike por edhe për vetë shtetin.

Z Rama e ka shpallur sfidë të tij luftën kundër korrupsionit ndaj e ka përqendruar debatin tek reformimi i administratës publike. Mendoni se do kemi më pak korrupsion me këto masa që po merr kryeministri?

Sikundër e thashë më parë, kryeministri nuk është Zoti që vendos për këdo e gjithçka. Nëse e mendojmë kështu demokracia ka marrë fund. Administrata publike matet me performancë, matet me indikatorë që gjykohen nga publiku, por z Rama ia ka lënë në dorë vlerësimin “drejtorëve” që ka vendosur vetë! Pra drejtori vendos sipas midesë nëse ti “vlen” apo “nuk vlen”! Sigurisht standardet janë në letër, por kush pyet për letra e rregulla? Dhe, mesa duket, kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen. Nuk kam dyshim. Tani duhen ca vende pune për të rregulluar disa njerëz, duhen larguar edhe LSI-stët, ndaj dhe veprohet në këtë mënyrë. Nuk luftohet korrupsioni duhet hequr një drejtor e duke vendosur dikë “më të ndershëm”! Korrupsionin e lufton sistemi. Por nëse në këtë sistem t’i vendos në postet më të larta ministrore njerëz të paaftë, pa integritet, njerëz që vetëm i thonë “po” çdo fjale që del nga goja e kryeministrit, nuk ka gjasa që lufta kundër korrupsionit të japë rezultate. Korrupsioni fillon nga lart dhe zbret poshtë sipas shembullit të pasqyrës. Ndaj nuk kam asnjë pritshmëri pozitive në këtë drejtim.

Pra ju jeni pesimiste?

Po! Sepse jam e bindur që dëgjesat popullore do e çorientojnë edhe më shumë popullin. Për pak kohë njerëzit do vazhdojnë të mashtrohen me idenë se “I vetmi që të zgjidh hallet është z Rama”! A nuk thoshin kështu edhe në kohën e Enverit? Kjo sjellje është një mashtrim i madh që po i bëhet popullit nën emrin e bashkëbisedimit me të!

Si e mendoni krijimin e qeverisë së re? A do vendosë z Rama emra të rinj në përbërjen e kësaj qeverie apo do vazhdojë rrugën si me ekipin e parë?

Në këndvështrim personal, kjo nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi ka filozofia me të cilën z Rama do ta krijojë këtë qeveri. Nëse filozofia e tij është kjo e dëgjesave publike, do kemi një kopje edhe më të keqe të qeverisë së parë “Rama1”. E them këtë, pasi jam e bindur që, nëse një lider mendon se botën do ta lëvizë sipas mendjes së tij nën moton “Unë riskun e unë nderin”, autoritarizmi është shtruar këmbëkryq, korrupsioni edhe më shumë, dhe demagogjia do i ketë mbyllur sytë njerëzve, jo sepse nuk do ta kuptojnë këtë mashtrim, por sepse do kenë frikë të kundërshtojnë. Por le të presim për të dhënë gjykim më saktë!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi