Një dokument strategjik mbi një mision jo çdo herë të mirëpritur
Nga Igli Totozani Avokat i Popullit, 7 tetor 2013
Tri ditë më parë në prani të Kryetarit të Parlamentit, ambasadorëve, z. Sequi, z. Arvizu, z. Jensen, znj. Toumi-Benjelloun, z. Leidekker, z. Ëilton, dhe me pjesëmarrjen e shumë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve prezantuam Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit të Institucionit të Avokatit të Popullit për periudhën 2013-2015.
Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për ne, pasi për herë të parë në historinë 13-vjeçare të këtij institucioni hartuam këtë dokument strategjik, i cili tashmë udhëheq punën tonë dhe krijon mundësi të mëtejshme bashkëpunimi me institucionet publike, shoqërinë civile, dhe median, me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Do doja të shprehja një falenderim të veçantë për Mbretërinë e Danimarkës dhe përfaqësinë e saj diplomatike në Shqipëri, të cilët na kanë shoqëruar në të gjithë hapat tanë, që nga krijimi i institucionit. Pjesë e këtij bashkëpunimi është dhe asistenca e dhënë për hartimin e strategjisë së prezantuar.
Publiku tashmë e di që ekzistenca e institucionit të Avokatit të Popullit dhe kontributi i tij për shoqërinë, konsiderohet prej politikës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, si thelbësore në krijimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne ndihemi përgjegjës për të siguruar administrim më të mirë, transparencë dhe llogaridhënie të administratës publike në raport me qytetarët, por jemi gjithashtu të përkushtuar për të qenë edhe vetë një institucion i parametrave europianë; shembull i mirë për organet e administratës publike, i udhëhequr vazhdimisht nga profesionalizmi, pavarësia, paanshmëria, transparenca, bashkëpunimi, të qenit proaktiv dhe jo-diskriminues. Përpiqemi vazhdimisht të përmirësohemi për të pasur vetë së pari ato që u kërkojmë të tjerëve. Kërkojmë dedikim ndaj ligjit dhe qytetarëve, paanësi dhe pavarësi duke u përpjekur që ne të parët të jemi të tillë.
Ne nuk merremi me politikë dhe nuk hyjmë në debate politike. Kjo është një nga vlerat bazë që udhëheq punën tonë. Ndërkohë, të folurit hapur, thënia e të vërtetës institucioneve shtëtërore dhe të qenit kritik, kërkon kurajo dhe vendosmëri dhe jo gjithmonë mirëkuptohet e të sjell lehtësi. Por ne vazhdimisht kërkojmë të mbesim të tillë në të mirë të funksionit dhe detyrimeve që na janë ngarkuar.
Personalisht unë dhe i gjithë Institucioni që përfaqësoj e konsiderojmë si thelbësore për punën tonë pasjen e një marrëdhënie të fortë dhe pozitive bashkëpunimi me qeverinë dhe administratën publike. Avokati i Popullit do të vazhdojë të bëjë një oponencë qytetare dhe jo opozitë. Është e rëndësishme për të gjithë ne të njohim dhe pranojmë si defektet ashtu edhe arritjet e administratës publike dhe të promovojmë praktikat e suksesshme të saj. Por më duhet të theksoj se në asnjë rast bashkëpunimi me institucionet shtetërore nuk do të bëhet dhe nuk do të kërkohet në kurriz të qytetarëve dhe të drejtave që atyre u njeh ligji.
Situata e të drejtave të njeriut në vend, si dhe axhenda integruese e vendit në BE, kërkon që Avokati i Popullit të jetë një institucion proaktiv veçanërisht i grupeve më në nevojë të shoqërisë. Prioritet i punës sonë do të vazhdojnë të jetë mbrojtja dhe promovimi i grupeve si: romët, aftësia e kufizuar, fëmijët, gratë e dhunuara, të moshuarit, viktimat e gjakmarrjes, të burgosurit, etj. Ky mision në fushën e të drejtave të njeriut nuk mund të kuptohet pa bashkëpunimin e ngushtë me tre partnerët tanë: 1) shoqërinë civile, 2) komunitetin ndërkombëtar, dhe 3) median. Vetëm duke punuar së bashku dhe duke qenë sa më gjithëpërfshirës ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë, zëri ynë dhe i qytetarëve të cilëve ne u shërbejmë do të bëhet më i besueshëm dhe më i fuqishëm.
Në një demokraci në zhvillim, kritikat në shumë raste nuk pranohen dhe kultura demokratike, ajo e të drejtave të njeriut si dhe respekti për institucionet e pavarura, nuk njihen dhe nuk pranohen plotësisht nga gjithkush. Por motoja jonë është “në shërbimin tuaj”. Do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve, për të qenë jo vetëm “zëri i atyre që nuk kanë zë”, por edhe miku, këshilluesi, ndërgjegja dhe llogjika e ftohtë, si qasja më efikase që kërkon një klimë e shëndetshme sociale.