Arbitrariteti ndaj klientit
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 11 prill 2015
Edhe në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë vazhduan debatet e zjarrta, gjatë të cilave zhurmuan veshët e atyre që ndiqnin punimet nga kritikat e paargumentuara të deputetëve opozitarë ndaj disa aspekteve të veprimtarisë së Qeverisë.
Që opozita të bëjë oponencë ndaj qëndrimeve të mazhorancës dhe Qeverisë së dalë prej saj, sigurisht që kjo do të ishte në të mirë jo vetëm të jetës parlamentare, por edhe të të gjithë zhvilimit të jetës së vendit në binarët e demokracisë. E kundërta do të ishte, kur ajo oponencë kthehet vazhdismisht në kulturën e grindjes dhe sherrit, duke mos dalluar pothuajse në asnjë rast qëndrimet konstruktive të opozitës nga prirjet e saj për të mohuar çdo arritje pozitive dhe ushtrimin e shtytjes reale për ecje të mëtejshme në drejtime të mbështetura te përvojat më të mira.
Me sa u duk, debatet në sallën e Kuvendit nuk shtruan kërkesa të pranueshme për përmirësime të mëtejshme, veçanërisht në sektorin e energjisë. Ato gropa që i hapën buxhetit të shtetit borxhet e qeverisjes së kaluar, dishepujt e saj tani kërkojnë t’ia faturojnë atyre që ua zunë vendin me votë popullore, ndërkohë që nuk njohin si të domosdoshme asnjë masë të detyruar për t’u ndërmarrë prej qeveritarëve të sotëm, duke u kërkuar këtyre, për shembull, që të heqin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga pagesa e energjisë elektrike, ose të rivendosin fashën e mbrojtëse.
Sipërfaqshëm, opozitarët në Kuvend hiqen sikur këmbëngulin që të mbrojnë interesaat e shtresave të varfëra të shoqërisë, ndërsa i mbyllin sytë përpara bilanceve që prezantojnë se me heqjen e fashës së shumëpërfolur, prej buxheteve familjare të shtresave të varfëra dhe të mesme i arkëtojnë shtetit më pak të holla se sa më parë. Sikurse i mbullin sytë përballë rezultateve të aksionit të OSHEE dhe Policisë së Shtetit kundër vjedhjes së energjisë, si edhe aplikimit të skemës lehtësuese: vetëm brenda katër muajve iu arkëtuan shtetit rreth 27 miljardë lekë dhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti mbi 19 miljardë lekë, shifër kjo e barazvlefshme me gjysmën e arkëtimeve të realizuara gjatë gjithë vitit 2013.
Pra, të luftosh qoftë edhe në Kuvend në mënyrë të argumentuar ndonjë arbitraritet të vërejtur ose të mundshëm të organeve shtetërore ndaj qytetarëve apo klientëve, sigurisht që është një shenjë e mirë për një të ardhme të afërt më të sigurt. Kurse, ta përdorësh këtë luftë me synimin për të mbjellë rrëmujë që të korret furtunë, nuk është as e këshillueshme, as edhe e pranueshme.
Por, meqë në këto rradhë merren si ilustrim të idesë arritjet dhe moskuptimet e tyre në sektorin e energjisë, le t’i hedhim sytë te teksti i një projektligji të hartuar së fundmi, si edhe të depozituar në Kuvend, për t’u diskutuar dhe miratuar me përmirësimet e nevojshme. Në ato diskutime, po! Ka vend për deputetët e opozitës në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare që të ngrenë zërin kundër arbitraritetit ndaj klientëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Të ngrenë zërin, për të ndrequr ndonjë të metë të projektligjit, përpara se sa ai të miratohet dhe të hyjë në fuqi. Kështu, askush në Kuvend, as deputetët e opozitës dhe as përfaqësues të Avokatit të Popullit e të grupeve të interesit nuk do të kompromentonin pozicionin e tyre. Përkundrazi, e vënë në lëvizje këtë, duke mos e lënë në gjumin e harresës.
Fjala është rreth projektligjit „Për sektorin e energjisë elektrike“, qëllimi i të cilit është shkruar në hyrje të tekstit të tij: garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike klientëve, nëpërmjet krijimit të një tregu funksional dhe konkurrencës së shpërndarjes së energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë interesat e klientit. Domethënë, një qëllim i admirueshëm ky, që s’ka të sharë!
Por, duke u shtyrë më tej në tekstin prej mbi 100 faqesh të këtij projektligji, mund të dallohen gjurmë, shenja apo premisa të përdorimit të arbitraritetit nga një kompani shtetërore si Operatori i Shpërndarjes së Enenergjisë Elektrike. Të arbitraritetit që kërkon ta fitojë kjo Kompani në mënyrë ligjore pikërisht në dëm të interesave ligjore të klientit.
Konkretisht, në nenin 90 të prokjektligjit, me nëntitullin: „Mjetet e sigurimit dhe masat e ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimeve të energjisë elektrike“, thuhet që nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë, ndërmerr edhe masa të tjera.
Cilat janë këto masa? Njëra prej tyre është që të iniciohen procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike, për çdo vlerë të papaguar detyrimi.
Ndërsa, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150.000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2.000.000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.
Më tej, në nenin 92 me nëntitullin: „Ankimimi ndaj vendosjes së mjetit së sigurimit të detyrimit ë energjisë elektrike“ thuhet që klienti fundor ka të drejtë të ankimojë vendimin për vendosjen e mjetit të sigurimit të detyrimit të papaguar të energjisë elektrike, pranë furnizuesit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik dhe të kërkojë çlirimin nga sigurimi, vetëm nëse vendimi ka dalë apo është ekzekutuar në mënyrë të parregullt.
Ankimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga çasti i marrjes dijeni për këtë parregullsi. Shqyrtimi i ankimit nga ana e furnizuesit duhet të bëhet brenda 15 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankimit; kur ankesa e klientit fundor pranohet nga furnizuesi, atëherë përfaqësuesi ligjor i furnizuesit ndërmerr menjëherë të gjitha masat e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, për heqjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit; nëse furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik nuk pranon ankimin e paraqitur, klienti mund ta ankimojë këtë vendim në gjykatë e cila, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, mund të vendosë anulimin e tij.
Pra, me këtë dispozitë të fundit duket se nuk i mbyllen klientit debitor dyert e gjykatës (administrative), për ankimin atje të vendimit të OSHEE. Ato dyer sigurisht që nuk mund t’i mbyllen, sepse Kushtetuta në nenin 42 parashikon që liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë e me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor, si edhe kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues e ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm mga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Mirëpo, vështirë të mendohet që klienti i OSHEE të detyrohet t’i drejtohet gjykatës, nëse kompanisë shtetërore nuk i jepet e drejta që të përdorë vetë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të tij, siç shprehet neni 90 i projektligjit. Nëse përcaktimet e dy neneve të tij, të cilëve iu referuam më lart, do të konsiderohen nga mazhorancas parlamentare të pranueshme, atëhere do t’i hapej udhë një lloji të arbitraritetit mbi klientin, sepse nuk mund të vendosë barrë hipotekore një ent shtetëror administrativ, përveç gjykatës.
Prandaj, në vend që të mbushen seancat parlamentare me debate të paarsyetuara apo me mungesa demonstrative të opozitës nëpër komisionet e përhershme kuvendore, ndoshta do të qe më e frytshme që të rueshin “bateritë” për oponencë të mirëfilltë të projektligjeve të hartuara nga Qeveria. Ose, pas miratimit në plotësi dhe pa ndryshimeve të teksteve të tilla si ky “Për sistemin e energjisë elektrike”, së paku grupet opozitare të legjitimuara t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, të sigurtë se kjo në ndonjë rast nuk i “lë në baltë”.