Betimi dhe roli i gjyqtarit
Nga Sokol Berberi, Anëtar i Gjykatës Kushtetuese, botuar në Balkanweb, 7.02.2013
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”. Ky është teksti i betimit të gjyqtarit në Shqipëri. Një sërë zyrtarësh të tjerë të lartë, në të tria degët e pushteteve, sipas Kushtetutës, duhet të betohen me deklarime pak a shumë të ngjashme. Akti i betimit, rëndom, shikohet si një aspekt formal që mbahet para fillimit të detyrës, i cili, pa dyshim, ka rëndësinë e vet në vlerësimin e çështjeve që lidhen me fillimin dhe mbarimin e mandatit, ushtrimin e funksionit, gëzimin e garancive dhe përfitimeve, mbajtjen e përgjegjësisë etj. Por, në këtë shkrim, përtej këtij momenti, dëshiroj të prek disa çështje që lidhen me kuptimin e betimit, qëllimin, pritshmëritë publike që krijohen ndaj gjyqtarit si rrjedhojë e betimit të marrë dhe rolit që ai duhet të luajë, veçanërisht në situatën aktuale të gjyqësorit në Shqipëri. Teksa flas për gjyqtarin, kam parasysh gjyqtarët e të gjitha niveleve, megjithatë kuptohet që për gjyqtarët në nivelet e larta, betimi duhet të reflektojë një përgjegjësi dhe peshë akoma më të madhe.
Betimi, ashtu siç përdoret sot në institucionet shtetërore, ka arritur tek ne nëpërmjet ligjeve kanunore (urdhërimeve të institucioneve fetare), të cilat nga ana e tyre mbështeten në burime të ndryshme si: kultura parakristiane, ligjet zakonore të fiseve gjermane, e drejta dhe tradita romake. Betimi ka luajtur një rol të rëndësishëm që në kohët më të hershme. Kështu, Monteskje, filozofi dhe mendimtari i madh francez i periudhës së iluminizmit, në librin e tij “Mbi frymën e ligjeve”, forcën dhe madhështinë e romakëve e gjen edhe në respektimin nga ana e tyre të betimit, duke iu referuar me këto fjalë: “Nuk ka pasur kurrë popull, (…) ku degradimi të ketë hyrë më vonë sesa te romakët… Aq e madhe ishte forca e betimit në shpirtin e këtij populli, saqë asgjë tjetër nuk mundi ta lidhë atë më tepër me ligjet…”(Bot.shqip, f.174)
Në varësi të natyrës së tekstit, qëllimit, funksionit dhe detyrës që do të ushtrohet, betimi përkufizohet me fjalë të ndryshme. Sipas Biblës: “Në qoftë se një njeri… betohet ta lidhë shpirtin e tij me një zotim, ai nuk do ta shkelë fjalën e tij, ai do të veprojë në përputhje me çka del nga goja e tij”. Po kështu, në botimin e tretë të fjalorit Webster’s betimi shpjegohet si “thirrje formale solemne Zotit apo një Perëndie për të dëshmuar të vërtetën e asaj që ai thotë, ose për të dëshmuar për faktin se ai me të vërtetë ka për qëllim të bëjë atë që thotë”. Dëshmia përfshin parimin e thirrjes së Zotit si dëshmitar, në mënyrë që ajo çka është shpallur dhe nënkuptuar si e vërteta, lë të kuptohet hakmarrjen e Tij (Zotit), në rastin e pavërtetësisë.
Sipas këndvështrimit laik, betimi është një premtim publik për të kryer detyrat e një posti ose të një roli zyrtar. Ai që bën një betim lidhet, nëpërmjet ndërgjegjes së tij, për të kryer atë që ka premtuar. Sigurisht, asnjë nga formalitetet dhe ceremonialet nuk është thelbësore për bërjen e një betimi, për sa kohë që forma e përdorur plotëson kushtin e apelit ndaj ndërgjegjes së individit, i cili bën betimin. Betimi nxjerr në pah dhe forcon më shumë thelbin e përgjegjshmërisë, që merret përsipër nga mbajtësi i betimit. Gjithashtu, ai shërben si model orientues për të kuptuar se cilat janë pritshmëritë dhe standardet e sjelljes që duhet të kihen parasysh e të respektohen nga njerëzit e emëruar në pozicione të caktuara, gjatë ushtrimit të detyrës.
E pra, duke iu kthyer betimit të gjyqtarit shqiptar, ngrihet pyetja: Çfarë premton ai nëpërmjet aktit të betimit? Sipas tekstit, ai premton besnikëri ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjeve në fuqi, si dhe ndaj rregullave të etikës profesionale. Çfarë do të thotë kjo? Kjo nënkupton se ka disa premisa të cilat presupozohen si të mirëqena në momentin e betimit. Së pari, gjyqtari ka formimin e duhur profesional dhe njohuri të qëndrueshme dhe të shëndosha mbi vlerat dhe parimet kushtetuese, mbi bazën e të cilave ndërtohet piramida juridike në Shqipëri. Së dyti, ai është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që merr përsipër dhe për rolin kushtetues që i atribuohet. Gjyqtarët kanë të drejtën ekskluzive për funksionin e dhënies së drejtësisë dhe luajnë një rol thelbësor në demokraci. Së treti, gjyqtari është i vetëdijshëm për përmbajtjen e rregullave të etikës profesionale. Këto rregulla i ndihmojnë gjyqtarët të zgjidhin çështjet e etikës, duke iu dhënë atyre autonomi nga autoritetet e tjera në procesin e tyre vendimmarrës; njëkohësisht këto rregulla përçojnë te publiku informacion rreth standardeve të sjelljes që ata duhet të presin nga gjyqtarët dhe kontribuojnë për t’i dhënë siguri se drejtësia administrohet në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Së katërti, betimin e mban vetëm ai që ka integritetin për t’i qëndruar premtimit në të ardhmen. Premtimi është çdo formë e dëshmisë, që nënkupton se ai i cili ekzekuton betimin është i detyruar në ndërgjegje të veprojë me besnikëri dhe vërtetësi. Aq i rëndësishëm është konsideruar ky aspekt, sa Niçja është shprehur se njeriu mund të përkufizohet nga kapaciteti i tij për të premtuar. Siç është treguar edhe më lart, betimi nuk është thjesht një akt formal, por ai krijon detyrime dhe pritshmëri të larta për rolin e gjyqtarit. Tani, le ta spostojmë vëmendjen nga ky trajtim normativ në realitetin konkret. Si janë të reflektuara të gjitha këto pritshmëri në realitetin e gjyqësorit sot në Shqipëri? Si vlerësohet dhe perceptohet roli i gjyqtarit dhe drejtësia?
Ja se ç’shkruhet dhe se si vlerësohet gjyqësori në disa nga raportet e organizatave ndërkombëtare autoritare për vitin 2012: “Organizimi i gjykatave, transparenca, akumulimi i çështjeve dhe norma e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore vazhdojnë të jenë shqetësuese për efiçencën e gjyqësorit (…)”; “Neutraliteti dhe pavarësia e këtyre institucioneve ende nuk janë garantuar plotësisht.”; “Është miratuar kodi i etikës për gjyqtarët, por zbatimi efektiv i tij vazhdon të jetë sfidë.” (Progres-Raporti i Komisionit Europian); “Institucionet gjyqësore në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë nga ndërhyrjet politike, paqëndrueshmëria financiare dhe korrupsioni.” (Raporti i Freedom House); “Indikatori për pavarësinë e gjyqësorit tregon përkeqësim nga viti 2011, sipas Raportit të Transparency International”; “Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës…. Në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët.” (Raporti i Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së shtator, 2012); Në raportin e Bankës Botërore “World Development Indicators, 2012”, pavarësia e gjyqësorit vlerësohet me notë më të ulët se një vit më parë. Këto janë të dhëna dhe fakte shumë shqetësuese dhe besoj se asnjë gjyqtar nuk mund të rrijë indiferent dhe të mos reflektojë ndaj vlerësimeve të tilla, duke pretenduar se përgjegjësia është e politikës dhe e aktorëve të tjerë shtetërorë.
Unë besoj se respekti dhe besimi i publikut për gjyqësorin janë thelbësore për një sistem gjyqësor efektiv dhe, në fund të fundit, për demokracinë bazuar në shtetin e së drejtës. Shumë faktorë, duke përfshirë kritika të padrejta ose të painformuara, ose thjesht keqkuptime të rolit gjyqësor, mund të influencojnë në të kundërtën besimin e opinionit publik dhe respektin ndaj gjyqësorit. Por, faktori kryesor që ndikon në forcimin apo dobësimin e besimit, mbetet sjellja e gjyqtarit, në gjykatë apo jashtë saj. Gjyqtarët, për pasojë, duhet të rreken/përpiqen fort për ta nënshtruar sjelljen e tyre në atë mënyrë që do të mbështeste dhe do të kontribuonte për të fituar respektin publik dhe besimin në integritetin e tyre. Rolin e gjyqtarit e ka përshkruar më së miri Sokrati, këtu e 2500 vjet më parë: “Gjyqtari duhet të bëjë katër gjëra: të dëgjojë me mirësjellje, të përgjigjet me mençuri, të shqyrtojë me maturi dhe të vendosë me paanësi”.
Me këtë shkrim nuk kam pasur si qëllim t’i vlerësoj problemet e gjyqësorit nga një perspektivë politike dhe, për më tepër, nuk pretendoj të kem njohuritë e nevojshme për të analizuar shkaqet dhe aktorët përgjegjës, apo mënyrat dhe mjetet që duhet të zbatohen për të zgjidhur problemet e gjyqësorit të nënvizuara nga raportet e mësipërme. Por, nga ana tjetër, besoj se çdo gjyqtar, në mënyrë individuale, kolektive apo institucionale, duke marrë shkas nga kjo gjendje, duhet të reflektojë për shqetësimet që ngrihen, për rolin dhe përgjegjësinë e tij dhe për atë se si ai mund të kontribuojë për ta ndryshuar këtë perceptim, me një qasje më proaktive. Dhe, në këtë mënyrë, besoj se gjyqtari tregon respekt për betimin e marrë.