Për një sistem mazhoritar të pastër
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 19 tetor 2016
Pas një propozimi të bërë nga Kryetari i Kuvendit pak ditë më parë, për të aplikuar lista zgjedhore të hapura kanë rinisur edhe njëherë debatet mbi sistemin zgjedhor që na duhet. Dua të them që në fillim të këtij shkrimi, që nuk ekzistojnë sisteme zgjedhore perfekte.
Modelet e sistemit zgjedhor janë të shumta. Efektet që ka njëri apo tjetri model lidhen ngushtë me situatën politike dhe civile të momentit. Personalisht mendoj që një sistem zgjedhor mazhoritar i pastër do të shkonte në favor të normalizimit të situatës politike të vendit. Megjithatë, asnjë model i caktuar, nuk mund të prodhojnë qëndrueshmëri absolute. Ata që na tregojnë, me një amatorizëm të pashoq, në panele të ndryshme televizive, që një sistem i caktuar sjell qëndrueshmëri të menjëhershme dhe zgjidh të gjitha problemet, mund të krahasohen fare lehtë me shitësit e shampove kundër rënies së flokëve. Thjesht e pabesueshme!
Ligji zgjedhor, padyshim është ligji më i rëndësishëm për një shtet demokratik. Jo vetëm për arsyen që është një instrument i demokracisë direkte, ku shprehja e vullnetit të popullit sovran gjen hapësirën më të madhe të tij por, edhe për faktin se ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë konfigurimin politik të vendit dhe si pasojë mënyrën e qeverisjes dhe raportin midis pushteteve të ndryshme.
Kur flitet për sistemet zgjedhore ka dy probleme të cilat duhen përballuar, problemi i përfaqësimit dhe ai i qëndrueshmërisë të qeverisjes. Ka nga ata, që besojnë që një sistem zgjedhor duhet të përfaqësojë në mënyrë strikte të gjitha realitetet e një shoqërie sado të vogla të jenë ato. Për këtë arsye është i preferueshëm sistemi proporcional. Disa të tjerë mendojnë që duhet një normë e cila të sigurojë qëndrueshmërinë e qeverisë dhe mos ta fusë atë në kriza të vazhdueshme. Sistemi aktual nuk garanton asnjërën nga këto dy funksione. As atë të përfaqësimit dhe as atë të qëndrueshmërisë së qeverisjes. Për këtë arsye duhen të ndryshuar në mënyrë urgjente.
Siç parashtrova edhe në fillim të këtij shkrimi konteksti shoqëror dhe politik i momentit ndaj të cilit duhet të kthejmë sytë sa herë që mendojmë për të ndryshuar sistemin zgjedhor më bëjnë të mendoj që sistemi mazhoritar i pastër me zona elektorale një emërore të jetë më i përshtatshëm për arsyet e mëposhtme:
Së pari, situata politike me këtë sistem zgjedhor që kemi aktualisht, ka arritur në një pike, ku asnjë nga forcat politike nuk mban përgjegjësi për qeverisjen dhe shkeljet e marrëveshjeve me elektoratin e saj. Në të gjitha këto vite parti të vogla si LSI , PR, PDIU apo ndonjë parti tjetër kanë qenë pothuajse gjatë gjithë kohës në pushtet dhe asnjëherë nuk kanë mbajtur përgjegjësi për veprimet e tyre politike. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar që këto parti kanë qeverisur keq!. Ndërsa, në krahun tjetër partitë e mëdha shpesh herë janë justifikuar për mosmbajtjen e premtimeve të tyre elektorale, pikërisht për faktin e koalicionit me këto parti. Sistemi mazhoritar do të rriste ndjeshëm përgjegjësinë e asaj partie që do të ishte në pushtet. Nuk duhet të kemi frikë edhe nëse në qeverisje ndodhet vetëm një parti. Ajo nuk do të thotë pushtet absolut për një parti të vetme, por përgjegjësi dhe llogaridhënie më e madhe kundrejt elektoratit. Me Reformën në Drejtësi, nëse do të zbatohet, frika e abuzimit me pushtetin të një partie ulet ndjeshëm.
Së dyti, ky sistem zgjedhor ka krijuar një Parlament që për fat të keq është kthyer në një organ ratifikues të vendimeve qeveritare dhe nuk ushtron asnjë funksion tjetër kushtetues. Gjysma e parlamentarëve janë të emëruar nga Kryetari i Partisë dhe si të tillë nuk mbajnë përgjegjësi përpara elektoratit të tyre por ndaj atij që i fut apo jo në listë. Sistemi mazhoritar do të balanconte raportin e pushtetit absolut të Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë.
Së treti, sistemi mazhoritar do të krijonte një pasqyrë politike dhe matjen e forcave reale të partive politike duke dhënë një peshë elektorale të vërtetë të çdo force ndryshe nga kamuflimi politik që kemi sot. Ndër të tjera, ato parti që janë lidhur fort me një çështje të caktuar do të fokusoheshin në territoret në të cilat justifikohet ekzistenca e tyre. Nuk kuptohet se çfarë bën PDIU në Dibër?
Së katërti, një nga arsyet se përse në 2008 u ndryshua sistemi nga mazhoritar në proporcional ishte pikërisht eliminimi i të “fortëve të zonës”. Ky sistem jo vetëm që nuk e eliminoi këtë fenomen, por përkundrazi, e shtoi ndjeshëm atë. Shpeshherë “të fortët e zonës” fshihen në listat elektorale dhe bashkohen në mënyrë të turbullt bashkë me emra të nderuar të politikës shqiptare. Nëse partitë kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë fenomen, të paktën ta bëjnë hapur, me emër dhe mbiemër për persona të caktuar, por, edhe përgjegjësia do jetë më e madhe.
A do t’i zgjidhte sistemi zgjedhor mazhoritar këto probleme politike dhe shoqërore me të cilat përballemi sot? Patjetër që jo, por është një tentativë për të minimizuar efektet negative të cilat vijnë nga sistemi zgjedhor që kemi aktualisht. Për t’i zgjidhur plotësisht ato, duhen marrë masa për çështje të tjera. Si për shembull, financimi i partive politike, demokracia e brendshme e partive apo kultura dhe vullneti politik të cilin nuk ka sistem zgjedhor që mund ta mposhti. Por, këto janë çështje që duhen diskutuar në debate të tjera.