Indeksi i Lirive Ekonomike: Shqipëria renditet në vendin e 58-të
23.01.2013
Shqipëria është renditur në vëndin e 58 në botë në Indeksin e lirive ekonomike 2013, duke u futur në zonën e vëndeve me “liri të moderuar”.
Fondacioni Heritage, në partneritet me Wall Street Journal, në Indeksin e lirive ekonomike përfshin vlerësimin e dhjetë treguesve kryesorë: E drejta e pronës, liria nga korrupsioni, liria fiskale, shpenzimet qeveritare, liria e biznesit, liria e punës, liria monetare, liria e tregtisë, liria e investimit dhe liria financiare.
Rezultati i lirisë ekonomike të Shqipërisë është 65,2 pikë, duke e renditur ekonominë e saj në vendin e 58. Ky rezultat është rritur me 0,1 pikë, me rënie në të drejtat pronësore dhe lirinë e punës. Shqipëria renditet e 27-ta midis 43 vendeve të Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.
Megjithatë në Raport thuhet se “nevojiten reforma institucionale më të thella për të zvogëluar rregullat e tregut të punës, për të rritur efikasitetin e gjyqësorit, i cili mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike. Korrupsioni vazhdon të minojë perspektivat për zhvillimin afat-gjatë ekonomik”.
Ju mund të shihni listën e plotë të vendeve të renditura sipas “2013 Index of Economic Freedom“