Të gjithë shtetas shqiptarë! Vërtetë e mundur?!
Nga Skënder Minxhozi, botuar në Revista Java
Një nismë e njoftuar nga kryeministri për dhënien masive të shtetësisë shqiptare të gjithë atyre që mund të provojnë origjinën e tyre si të tillë, po krijon pështjellim në qarqet politike e diplomatike brenda e jashtë Shqipërisë. Qindra kosovarë janë dyndur në dyert e ambasadës tonë në Prishtinë, ndërkohë që shtetet e rajonit kanë reaguar me skepticizëm. Ende të panjohura modalitetet kryesore të projektit të qeverisë, nëse nuk bëhet fjalë për një tjetër “shashkë” të Berishës, për të devijuar vëmendjen nga problemet që ka aktualisht vendi
Sali Berisha shfrytëzoi një mbledhje të improvizuar në përvjetorin e të parës qeveri të përkohshme të formuar nga Ismail Qemali, më 4 dhjetor, për të hedhur një propozim i cili po krijon një varg të fuqishëm reagimesh brenda dhe jashtë vendit. Idea e dhënies, me anë të një ligji të posaçëm, të shtetësisë shqiptare të gjithë atyre personave jashtë vendit, që provojnë prejardhjen shqiptare, megjithëse jo e re, shkaktoi një reaksion zinxhir deklaratash e qëndrimesh politike e diplomatike.
Nuk është vetëm problemi i përdorimit taktik të kësaj teme nga ana e qeverisë, ajo që duket e dyshimtë e shqetësuese në këtë nismë ligjore të pritshme. Nëse ajo do të vërtetohet siç është lajmëruar, mbeten për t’u parë një mori aspektesh e implikimesh të natyrës juridike, politike e diplomatike, të cilat ngërthejnë shumë shpesh interesa shumë të ndryshme mes tyre.
Kemi pyetur këto ditë juristë të ndryshëm, në lidhje me këtë iniciativë të njoftuar nga Berisha. Por të pyesësh juristët nuk do të thotë të kesh ezauruar të gjithë spektrin e çeshtjeve që prek një hap i tillë nga ana e shtetit shqiptar. Sidomos kur kupton, e kjo është fare e lehtë për t’u verifikuar, ndjeshmërinë tejet të lartë që krijon në një mjedis si Ballkani, një ligj që do t’i jepte çdo shqiptari një pasaportë të unifikuar në xhep.
Ekspertët juridikë kujtojnë me të drejtë se ndodhemi ende në momentin e deklamimit të nismës në fjalë. Mungojnë një numër elementesh të rëndësishme, që do t’i jepnin formë dhe përmbajtje ligjit për shtetësinë. Nuk dihet ende se cili do të përfitojë konkretisht nga një ligj i tillë, cilat do të jenë detyrimet ekonomike e sociale që do të ketë shteti ynë në raport me “shqiptarët e rinj”, mbi ç’kriter do ta bazohet procedura konkrete e dhënies së shtetësisë etj etj.
Më tej ekspertët kujtojnë me të drejtë se Kushtetuta shqiptare e ka tashmë prezente klauzolën për dhënien e shtetësisë. Neni 19, paragrafi i dytë i saj, përcakton se shtetësia fitohet me lindje, natyralizim dhe birësim. Propozimi i Berishës ka të bëjë me natyralizimin. Por sipas frymës së Kushtetutës, duhet që personi që merr shtetësinë të ketë jetuar pesë vjet në territorin shqiptar, të ketë banesë të përhershme dhe të ardhura. Ka një përjashtim prej këtyre kritereve dhe është ai i kur kandidaturat paraqesin interes kulturor, shkencor apo akademik e kombëtar. është rasti i futbollistëve kosovarë që militojnë në kombëtaren tonë, apo i personaliteteve të tilla si James Belushi.
Problemi i madh që del në rastin e dhënies masive të shtetësisë shqiptare, është se ky proces kthehet nga një çeshtje individuale, në një çeshtje kolektive. Deri më sot, marrja e shtetësisë ka të bëjë me personin. Dhënia e saj një grupi të madh personash, kërkon përcaktimin e kritereve e procedurave sa më shterruese në këtë drejtim.
Gjithsesi patatja e nxehtë duket se qëndron më së shumti tek implikimet e natyrës politike e diplomatike që vendi ynë do të ketë me shumë gjasë në rast se aplikon një ligj të tillë. Me të drejtë Gledis Gjipali i Lëvizjes Europiane në Shqipëri evokonte këto ditë rastin rumun, kur këtij vendi ju ndalua dhënia masive e shtetësisë rumune për banorët e Moldavisë, në momentin kur po hynte në Bashkimin Europian. Është mëse e mundur që regjimi i lëvizjes së lirë për shqiptarët e Shqipërisë të bëjë një hap prapa, nëse një ligj i tillë kalon. Pa llogaritur reagimin e pritshëm të të gjithë fqinjëve në rajon (përjashtuar Kosovën, kuptohet). Kalimi i një ligji të ri për shtetësinë është, siç shihet, një problem tejet i koklavitur procedurash, vullneti politik dhe interesash diplomatike e gjeopolitike. Një ekuacion i ngatërruar që me siguri kryeministri bën sikur e injoron. Pasi qëllimi i tij ishte të hedhë gurin, jo të shihte se ku do binte.