Shqipëria shqyrton ndryshimin e ligjit të shtetësisë

Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë — 24/02/12 

Modifikimi i ligjit mbi shtetësinë mund të tërheqë më shumë investitorë e t’u japë më shumë avantazh trashëgimtarëve shqiptarë të kombësive të tjera, por propozimi ka ndeshur disa polemika.

Sugjerimi i Kryeministri Sali Berisha që t’u jepet shtetësi të huajve që investojnë të paktën 100,000 euro në vend po krijon polemika mes disa që frikësohen se ndryshimi do të krijojë një shteg për terroristët e kriminelët. Berisha kërkoi një rishikim të ligjit mbi shtetësinë të vendit në fillim të shkurtit. Ndryshimet në ligj, tha kryeministri, do t’u japin shtetësinë shqiptarëve shtetasve të huaj që investojnë 100,000 euro në Shqipëri e të gjithë shtetasve të huaj me prejardhje shqiptare.

Përkrahësit thonë se një ligj i ri shqiptar mbi shtetësinë do të ftojë më shumë mundësi për investime. Kritikët e planit thonë se sugjerimi i Berishës do të nxiste shanset politike të tij.

“Berisha, i cili është me origjinë nga një qytezë pranë kufirit të Kosovës, ka mbajtur një marrëdhënie të posatçme me kosovarët dhe ka mbështetjen e fortë për ndryshimin e ligjit mbi shtetësinë,” tha Fatlum Sadiku, një komentator politik për degë të ndryshme të lajmeve të Kosovës për SETimes. “Nëse kjo përfshin të drejtën për të votuar, do të rrisë mbështetjen për Berishën në zgjedhjet e ardhshme.”

Ilir Gjoni, anëtar i parlamentit i Partisë Socialiste, tha se propozimi do të bllokohet në parlament. “Shuma prej 100,000 euro, që është deklaruar nga kryeministri, është një shumë e vogël parash, duke folur relativisht, për një organizatë terroriste, që mund të përdorë territorin, mundësitë e hapësirën e tij, e cila do të mundësonte që anëtarët e saj të marrin shtetësi shqiptare,” tha Gjoni për TV Albanian Screen. Erion Braçe, një antër tjetër i parlamentit i Partisë Socialiste të opozitës, tha se shtetësia e mbështetur në investime do të dëmtojë Shqipërinë. “Ajo që Sali Berisha po i bën Shqipërisë është e pashembullt — për para, për ca vota më shumë më 2013,” tha Braçe për të përditëshmen shqiptare Shekulli.

Gjithashtu Aleanca Kuq e zi, një organizatë qytetare, mbështet dhënien e shtetësisë të atyre me origjinë shqiptare, por është kundër shtetësisë mbështetur në investime. Ata pretendojnë se kërkuesve me të kaluar të veprimtarive kriminale nuk duhet t’u jepet shtetësia.

Një plan i ngjashëm u kritikua më 2010 në Malin e Zi, ku Kryeministri i hequr i Tailandës Thaksin Shinavatra mori shtetësinë, pavarësisht nga akuzave pezull për korrupsion me të cilat përballej në vendin e tij.

Berisha tha se modifikim i ligjit mbi shtetësinë do të ftojë më shumë mundësi për investime në Shqipëri. Por Liridon Shefqeti, studjues politik nga Shoqëria e Kosovës për Kërkimin Shoqëror, tha përSETimes se ofrimi i shtetësisë për investime mund të paraqesë probleme.

“Ka shumë mundësi që pasaportat shqiptare, që mund t’u jepen shqiptarëve jashtë vendit, të kenë një numër tjetër personal që e bën të pamundur të udhëtohet në BE pa një vizë, siç bën Serbia për serbët në Kosovë. Dhënia e shtetësisë për investime mund të jetë një problem, pasi BE pati një problem me të në rastin e Malit të Zi,” tha Shefqeti.

Mes publikut, megjithatë, ka njëfarë mbështetje për planin. Edona Hoti, 20 vjeç, një studente e Prishtinës, tha se ajo do të bëjë kërkesë për shtetësi shqiptare nëse ligji hyn në fuqi. “Jam vërtet e lumtur sepse do të jem në gjendje të udhëtoj më lirisht, sepse pasaporta e Kosovës nuk ofron shumë liri lëvizje, përveçse vërteton identitetin tim si një kosovare,” tha Hoti për SETimes.

Artan Maqastena, një student shqiptar në Kosovë, tha se të kesh shtetësinë nuk është thjesht një çështje e udhëtimit të lirë. “Përfundimisht, do të kem një pasaportë që deklaron qartë se jam një shqiptar. Për mua nuk do të thotë vetëm të kem një mundësi për të udhëtuar më shumë jashtë vendit, por ka të bëjë me kombësinë time,” tha Maqastena për SETimes.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi