Një korrigjim i vonuar i Kuvendit të Shqipërisë
Nga ShtetiWeb
Më 15 nëndor 2012 Kuvendi i Shqipërisë miratoi vendimin nr. 47/2012 “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë”. Debati që i parapriu këtij vendimi, sidomos ai përmes mediave, ishte tejet i politizuar, dhe për më tepër, argumentet e përdorura të gabuara. U tha se “vendimi do të korrigjonte një padrejtësi të bërë nga rregjimi komunist që numërimin e legjislaturave e kishte filluar nga viti 1946, pa përfshirë ato të periudhës së mëparshme parlamentare”. U propozua gjithashtu se “duhej të gjëndej një datë historike që mund të shërbente si fillim për numërimin e legjislaturave parlamentare”. Kjo çoi në propozimin tjetër që “më parë duhet të caktoheshin kritere historike dhe shkencore” dhe se “duhet të ishin historianët, jo deputetët, ata që duhej të vendosnin zgjidhjen e gjithë kësaj historie”.
Debati i paraqitur më sipër në formë të thjeshtuar, për mendimin tonë, nisej nga një qasje tërësisht e gabuar, për dy arësye kryesore:
Së pari, është e pakuptimtë të numërohen së bashku legjislaturat e organit legjislativ në rregjime të ndryshme shtetërore. Një legjislaturë është e lidhur me organin e vet legjislativ: cilësimi i legjislaturave me numra rendorë bëhet në rastet kur veprimtaria e organit legjislativ kryhet në disa legjislatura.
Së dyti, është gjithashtu e pakuptimtë të merret një vendim për veprimtarinë e mëparshme parlamentare. Legjislaturat janë të lidhura me historinë e periudhave përkatëse dhe mbajnë “vulën” e dokumentave të kohës. Dokumentacioni parlamentar i legjislaturave të mëparshme nuk mund të ndryshohet me vendime të marra më pas
Në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohrat, parlamenti funksionon në përputhje me dispozitat kushtetuese. Kushtetuta përcakton formën e rregjimit dhe funksionimi i institucioneve kushtetuese është i lidhur ngushtë më llojin e rregjimit shtetëror të vendosur në Kushtetutë. Kushtetuta përcakton kohëzgjatjen e mandatit të përfaqësuesve të popullit të zgjedhur nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo kohëzgjatje përcakton periudhën e një legjislature. Pra, në kuptimin e dispozitave kushtetuese, legjislaturë quhet periudha gjatë së cilës të zgjedhurit në zgjedhjet politike ushtrojnë mandatin e tyre në parlament. Zakonisht kur kohëzgjatja e tij është e shkurtër ose i përket një periudhe tranzitore, legjislatura merr emrin e vet organit (parlamentit) të zgjedhur. Kur ky organ (parlamenti) rikonfirmohet nëpërmjet zgjedhjeve për periudha kohe të caktuara, atëherë legjislaturat cilësohen përmes numrave rendor. Pra, nevoja për numërimin e legjislaturave të një parlamenti lind atëhere kur veprimtaria e tij zhvillohet në disa legjislatura. Kjo nuk është një dispozitë kushtetuese, por është një rregull i praktikave parlamentare i zbatuar pothuaj në shumicën e vendeve.
Për të parë se si ky rregull është zbatuar në vende të ndryshme, klikoni në vendin përkatës: Francë, Itali. Edhe në rastin e Shqipërisë, ligjvënësit kanë zbatuar të njëjtën rregull, me përjashtim të rastit të vitit 1991.
Kështu, për periudhën 1920-1928 organi i zgjedhur quhej respektivisht Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kushtetues, Dhoma e Deputetëve dhe Senati, Asambleja Kushtetuese; ndërsa në dokumentacionin parlamentar të kohës, legjislaturat cilësoheshin:
27.03.1920 – 20.12.1920 Këshilli Kombëtar i Lushnjws – Senati
21.04.1921 – 30.09.1923 Këshilli Kombëtar (Parlamenti)
21.01.1924 – 02.06.1924 Kuvendi Kushtetues (Periudha I)
02.01.1925 – 02.03.1925 Kuvendi Kushtetues (Periudha II)
01.06.1925 – 07.06.1928 Dhoma e deputetëve, Senati: Legjislatura I
25.08.1928 – 01.12.1928 Asambleja Kushtetuese
Ndërsa në periudhën 1928-1938 (periudha e Mbretërisë Shqiptare), Dhoma e deputetëve u kthye në Parlament dhe Senati u suprimua, në dokumentacionin parlamentar të kohës, legjislaturat cilësoheshin:
10.12.1928 – 11.05.1932 Legjislatura I (Parlamenti)
21.11.1932 – 16.11.1936 Legjislatura II (Parlamenti)
10.02.1937 – 12.04.1939 Legjislatura III (Parlamenti)
Edhe në vitin 1946, kur Asambleja Kushtetuese shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, ndryshimi i rregjimit shtetëror solli një organ të ri legjislativ, të quajtur Kuvendi Popullor. Qysh nga ky moment edhe legjislaturat e Kuvendit popullor, duke filluar nga legjislatura parë 1946-1950, filluan të cilësohen nëpërmjet numrave rendorë. Sipas këtij numërimi legjislatura 1987 -1991 ishte legjislatura e XI.
Pas shpalljes së pluralizmit politik në dhjetor të 1990 dhe zgjedhjeve të para pluraliste në fillim të 1991, legjislaturat e Kuvendit që doli nga këto zgjedhje, nuk duhej përsëri të cilësoheshin në vazhdimësi të legjislaturave të Kuvendit të mëpërshëm, sepse Shqipëria tashmë shumë shpejt do të ndryshonte sistemin politik përmes ndryshimit të Kushtetutës. Në Kushtetutën e re Kuvendi do të ndryshonte dhe vet emërin e tij, nga Kuvendi popullor i Republikës Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë. Duke zbatuar rregullin e preçedentit, legjislatura 1991-1992 duhej të cilësohej si legjislatura e I, dhe që këtu duhej të fillonte numërtimi i legjislaturave.
Atë që ligjvënësit nuk e bënë në 1991, e korrigjuan tani, në vitin 2012, në vitin e 100 vjetorit të Shtetit shqiptar. Në Vendimin Nr. 47/2012 “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë” në pikën e parë thuhet:
“I. Numërtimi i legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë fillon prej Legjislaturës së Parë, e mbledhur në datën 15.4.1991, dhe vazhdon me legjislaturat pasardhëse, sipas aneksit I, bashkëlidhur këtij vendimi”.
Pikërisht ky është korrigjimi i vonuar i Kuvendit të Shqipërisë, por më mirë vonë se kurrë…
Pika e dytë e këtij vendimi: “II. Legjislaturat parlamentare, prej krijimit të shtetit shqiptar deri në vitin 1991, renditen sipas aneksit II të këtij vendimi.”
është e panevojshme. Edhe pa këtë pikë, legjislaturat parlamentare, prej krijimit të shtetit shqiptar deri në vitin 1991, kanë të njëjtën renditje me atë të aneksit II të vendimit. Ligjvënësit e periudhave të mëparshëm, të periudhës republikane, të monarkisë apo sistemit komunist, e kanë zbatur në mënyrë korrekte rregullën parlamentare në lidhje me legjislaturat.
Përfundimisht, klikoni këtu për të parë listën e të gjithë legjislaturave, që nga viti 1921 e deri në ditët tona.