Sa i kushton KLSH-ja qytetarit?
Nga Qeram Cibaku, botuar në Panorama, 13 maj 2020
I. PESHA REALE E NJË TREGUESI… Së paku, në gjithë këto vitet e fundit, raportet vjetore të veprimtarisë së institucionit të KLSH-së, në brendinë e të dhënave dhe informacioneve të shumta të evidentuara, përfshijnë dhe një indikator, që në modernitetin e auditimit konsiderohet i rëndësishëm: dobia e auditimit. Ky tregues, për sa e sa vite…, ka kaluar “i patrazuar” dhe madje “pa u vënë re” nga ligjvënësit tanë. Kjo, ose ngaqë nuk arrijnë ta zbërthejnë dhe peshojnë siç duhet këtë dimension, ose nuk janë thelluar në vlerësimin e indikatorëve të raporteve (të shumtë), që KLSH i ka dërguar në vijimësi Kuvendit.
Studiuesit e ndryshëm të teorisë dhe filozofisë së auditivit artikulojnë ide të ndryshme mbi vlerën dhe dobinë e sjellë nga auditimi në sektorin publik. KLSH-ja, ashtu si institucionet analoge dhe pjesë e ombrellës së INTOSAI-t, raportojnë përpara palëve të interesuara, duke përfshirë qytetarët/taksapaguesit, Parlamentin (përfaqësuesit e zgjedhur), agjencitë dhe departamentet qeveritare etj., pikërisht sepse SAI-të financohen nga kuleta publike. Në kushtet që aktivitetet e SAI-ve ndryshojnë në varësi të pozitës kushtetuese dhe kulturave të tyre administrative, rrjedhimisht që aplikimi i treguesit të dobisë dhe përfitueshmërisë së këtyre institucioneve do të ndryshojnë sipas vendeve të ndryshme. Kështu, p.sh., në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfitimet e SAI-t shikohen bazuar në “kursimet financiare të sjella nga aktivitetet e tyre”1 ; kurse në vende të tjera, bazuar në “perceptimin e të audituarve, mbi dobinë dhe ndikimin që sjellin SAI-t në efektivitetin e reformave qeveritare të sektorit publik”2 . Raportimi i kostove dhe aktivitetit janë elementë të dobisë, më të dallueshme këto në studimin dhe analizën që profesorët C.Pollitt dhe H.Summa3 u kanë bërë profileve dhe raporteve të SAI-t të Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë dhe Finlandës. Ata vërejnë se NAO e Mbretërisë së Bashkuar, jo vetëm që raporton kostot e saj të auditimit, por gjithashtu “ndërmerr rishikime të cilësisë së brendshme të punës së saj, duke përdorur panele të pavarura për cilësinë dhe anketime të enteve të audituara, ku kërkohen mendimet e tyre për dobinë e veprimtarisë së NAO-s”.
II. SA I KUSHTON KLSH-JA QYTETARIT?
Thelbi i kësaj pyetje dhe analize retorike buron nga Standardi Ndërkombëtar i Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI 12), “Vlerat dhe Dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit-sjellja e ndryshimeve në jetën e qytetareve”, i përshtatur nga Kongresi XXI i INTOSAI më 2013, në Pekin, i cili kërkon që SAI-t të “demonstrojnë rëndësinë e tyre të vazhdueshme me qytetarët, Parlamenti dhe aktorët e tjerë”. Ndonëse rëndësia e institucioneve supreme audituese është aksiomë e vetëpranuar, indeksi i materializuar i dobisë i jep vlerë studimit krahasues dhe trendeve të zhvillimit.
Nëse lexuesi i zakonshëm analizon raportet e KLSH-së, do të kuptojë masën, në të cilën sintetizohen këto vlera, të shprehura nëpërmjet Treguesit të Dobishmërisë, (Indikatori i dobisë së auditimit). Ky indikator përbën një metriks dhe element thelbësor të Kornizës së Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit dhe për KLSH-në, gjatë periudhës janar-dhjetor 2019, rezulton 72.4 lekë.
“Përkthimi” i këtij treguesi nuk kërkon njohuri të thelluara statistikore, pasi ka këtë domethënie: për çdo 1 (një) lek të shpenzuar për KLSH-në nga buxhetit i shtetit për periudhën përgjatë vitit 2019, janë zbuluar nga auditimet e kryera 72.4 lekë dëme, për të cilat është kërkuar dhe arkëtimi i shumës. Treguesi vjetor i dobisë së auditimit është llogaritur si raporti i dëmeve të zbuluara dhe të kërkuara për zhdëmtim, me shpenzimet buxhetore faktike të KLSH-së4 . Trendi i këtij indikatori për afro dy dekadat e fundit është paraqitur në grafikun nr. 1.
Duke lexuar dinamikën e këtij indeksi në 8 vitet 2012-2019, kupton se mesatarisht për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSHsë, është kërkuar për t’u zhdëmtuar 82.2 lekë, kuotë kjo 4 herë më e lartë sesa niveli i dobisë së arritur në periudhën 10-vjeçare 2002-2011, (kur ai përllogaritej mesatarisht 21.1 lekë). Mirëpo, përdorimi i termit të vlerës dobiprurëse, nuk mund të jetë i plotë, pasi, përveç efektit të zbulimit të parregullsive dhe abuzimeve dhe rekomandimit për dëmshpërblimin dhe kthimin e tyre në arkën e shtetit, institucionet shtetërore të auditimit luajnë një rol të madh parandalues, efekt ky që është vështirë të kuantifikohet, vlerësohet dhe shprehet në terma të vlerës dhe dobisë publike. E thënë kjo, si për të ardhurat e kursyera apo përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shërbimeve, e ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga auditimi. Indeksi ka një “qelizë të fshehtë”, që përkon me influencën parandaluese dhe ndërgjegjësimin e zyrtarëve mbi ekzistencën e një gardiani të financave publike, ndaj nuk mund të pasqyrojë atë, pasi “efekti parandalues i auditimit është shumë domethënës, por që nuk mund të jetë kuantifikuar”, shprehen studiuesit.
Një aspekt tjetër i dobisë (por që nuk integrohet sa duhet në trupin e indeksit), lidhet me rolin proaktiv të KLSH-së në frontin e aktorëve kontribuues antikorrupsion, ku afro 1000 zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm janë kallëzuar gjatë 8 viteve të fundit për abuzime dhe shpërdorime financiare në prokurori.1
E fundit, ka dhe një pikëtakim tjetër të dobisë, pasi KLSH synon “të jetë organizatë model duke udhëhequr nëpërmes shembullit” dhe kjo vlerë e shtuar arrihet nëpërmjet aplikimit të kritereve vlerësuese të njëjta, si për vetveten, ashtu dhe për të audituarit prej saj.