Modernizimi i administratës-domosdoshmëri për të përmirësuar shtetin

4.01.2013

Efektshmëria e shtetit varet nga qeveria dhe efektshmëria e qeverisë varet nga administrata dhe shërbimi civil. Prandaj, cilësia e shërbimit civil përfaqëson një faktor kufizues për efektshmërinë e një shteti.

Nëse sa më sipër është e vërtetë, pse kaq shumë qeveri e shpërfillin, apo madje, e sulmojnë profesionalizmin e shërbimit civil? Si ndodh që, nganjëherë, qeveritë parapëlqejnë një shërbim civil joprofesional? Mos duhet të nxjerrim përfundimin se qeveritë nuk janë të interesuara për nxitjen e një shteti që funksionon? Nëse qeveritë votohen nga qytetarët, a mos vallë duhet të vijmë në përfundimin se qytetarët, gjithashtu, parapëlqejnë një shtet të dobët? A mos duhet të nxjerrim përfundimin se politikanët interesohen vetëm për interesat e veta, qofshin personale apo partiake? Përfundime të tilla do të ishin ligështuese nga pikëpamja psikologjike dhe paralizuese nga pikëpamja politike. Ato mund të jenë edhe të pavërteta.

Si në shumë vende, edhe në Shqipëri, historia e administratës shtetërore është një histori e përshtatjes së vazhdueshme me kërkesat e reja që ka shoqëria. Shoqëria ka kërkuar një administratë demokratike profesionale sepse, pa të, shteti nuk mund të garantojë sigurinë personale, të drejtat e pronës dhe zhvillimin ekonomik, të cilat janë kërkesa minimale që të ekzistojnë qeniet njerëzore dhe shoqëritë njerëzore. Si ndodhi kjo përshtatje në Shqipëri? A është reforma në strukturat shtetërore, përfshirë administratën publike dhe shërbimin civil, ende në proces reformimi për t’iu përshtatur një shoqërie që kërkon demokraci dhe një shtet të maturuar? Vetëm shqiptarët mund t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve.

Pothuajse të gjithë shtetet në mbarë botën janë në një proces të përshtatjes së vazhdueshme. Në gjysmën e Evropës, që nga viti 1989 proceset e reformave janë të thella, sepse ato po ndryshojnë regjime politike për të krijuar shtete demokratike, jo vetëm përmirësime anësore të administratave të tyre. A ia kanë dalë në krye?

Sipas një studimi të kohëve të fundit të SIGMA-s, “Qëndrueshmëria e reformave në shërbimin civil”, reformat nuk kanë hedhur rrënjë në vendet që iu bashkuan BE-së në vitin 2004, dhe pasi hynë në BE, reformat dështuan në pothuajse të gjithë vendet. Arsyet mund të jenë të shumëfishta, dhe shpjegimet për këtë dështim të përgjithshëm të politikave mund të jenë të shumëfishta.

Ka disa mësime që duhen nxjerrë, të tilla si: reformat duhet të drejtohen në vend nga politikanët e vendit. Asnjë organizatë ndërkombëtare ose presion i huaj nuk mund të garantojë qëndrueshmëri. Një tjetër mësim është se reforma duhet perceptuar si një domosdoshmëri e vendit për të përmirësuar shtetin dhe strukturat e tij operative. Sidoqoftë, mund të ndodhë që aktorët kryesorë në vend të parapëlqejnë një shtet të dobët, të paktën gjatë viteve të para të një regjimi të ri ekonomik. Por do të vijë një kohë kur elitat e reja politike dhe ekonomike do ta gjykojnë të paturit e një shtetit që të punojë më mirë, si domosdoshmëri, dhe reforma do të ndodhë. Ndërkohë, askush nuk mund ta bëjë punën që vetëm shqiptarët janë në gjendje ta bëjnë.

                                                                                    Francisco Cardona

                                                                                     Ekspert SIGMA/OECD

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi