Miti i drejtësisë sociale me taksën progresive
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 11 nentor 2017
Vendimi i fundit i qeverisë Rama dy, është shtrirja e taksës progresive në të gjitha llojet e të ardhurave personale. Deri më tani progresiviteti i të ardhurave ishte vetëm mbi pagën. Ndërkohë që pritej një reflektim për mënyrën e taksimit nga ana e qeverisë, e kundërta ndodhi. Progresiviteti i të ardhurave tashmë është universal në sistemin fiskal shqiptar.
Pa hyrë në efektin që ka mbi ekonominë mënyra e taksimit progresiv, që deri më tani të paktën në realitetin shqiptar ka rezultuar jo dhe aq efikas, pyetja që duhet ngritur në këtë rast është nëse kjo taksë është e drejtë apo jo?
Sepse përpara se të jetë një instrument ekonomik mënyra e taksimit është koncepti që kemi ne për shoqërinë në të cilën jetojmë apo për shoqërinë që duam të ndërtojmë. Çdo marrëdhënie që ekziston brenda një shoqërie apo dhe midis saj dhe shtetit, duhet të gjykohet vetëm nëpërmjet konceptit të drejtësisë.
Një nga gjërat kryesore që përmendin mbështetësit e taksimit progresiv, është pikërisht fakti që kjo taksë është e drejtë dhe solidare.
Mirëpo a është vërtet kështu, apo ky solidaritet dhe kjo drejtësi sociale deri më tani është propaganduar për të legjitimuar më shumë pushtet politik dhe në këtë mënyrë më shumë kontroll të shtetit mbi jetën e qytetarëve?
Së pari, duhet theksuar fakti që shumë pak taksa janë të drejta në demokracitë moderne, sepse ato janë të forcuara dhe të detyrueshme, për faktin se shteti duhet të sigurojë disa shërbime publike për të gjithë, por taksimi i detyrueshëm fsheh kosto të mëdha që na bën t’i paguajmë me një çmim të shtrenjtë të gjitha shërbimet që financohen nga nëpërmjet taksimit.
Një nga sukseset e taksës progresive është fakti se aty ku aplikohet luhet gjithmonë me kartën e solidaritetit. Në këtë kuptim solidariteti është politizuar aq shumë sa që, politika e ka të pamundur të mos përdorë kartën e taksës progresive. Prandaj kjo mënyrë taksimi përdoret në shumicën e vendeve europiane dhe përtej saj.
Megjithatë më shumë se sa solidariteti njerëzor taksa progresive përdoret shpesh për të krijuar konceptin e një shoqërie të barabartë. Por, të gjithë e dimë që një shoqëri e tillë nuk mund të ekzistojë, aq më tepër që solidariteti zhvillohet në një mënyrë të sforcuar dhe të imponuar.
Si mund të jetë shteti solidar me paratë e qytetarëve?
Si ka mundësi që shteti ofron shërbimet publike të tij me të njëjtën kosto si për të varfrit dhe për të pasurit? Përse tarifat e studimit janë njësoj për çdo familje pavarësisht të ardhurave apo një pasaportë kushton njësoj për të gjithë?
Atëherë kuptohet qartë, që qëllimi nuk është solidariteti, por rritja e peshës politike dhe pushtetit mbi jetën e qytetarëve dhe kontrollin e saj. Nëse do të ishte e kundërta, atëherë të gjitha shërbimet publike do të ofroheshin me çmime të ndryshme në varësi të të ardhurave të çdo familjeje. Ky po që do të ishte arsyetim solidar nga ana e shtetit.
Për sa i përket mitit që taksa progresive është më e drejtë, dhe këtu ka një keqkuptim të madh. Në të gjitha llojet e taksimit, si në atë progresiv dhe atë të sheshtë, të pasurit paguajnë gjithmonë më shumë se ata që kanë më pak mundësi.
Prandaj, të vetmin efekt që ka taksa progresive është politizimi i solidaritetit deri në nivelet maksimale të tij. Përkundrazi, taksimi progresiv në një fare mënyrë është tërësisht i padrejtë. I padrejtë sepse dëmton meritokracinë, demotivon njerëzit e talentuar dhe mundimin e gjithsecilit për të krijuar një jetë sa më të mirë. E gjithë kjo kategori e meriton të paguhet më shumë për shkak të përpjekjeve dhe mundit që kanë bërë për të arritur këtë pagesë. Dhe, për faktin që paguhen më shumë është e padrejtë që të taksohen më shumë.
Përse njerëzit e pranojnë të gjithë faktin se në një kompani të caktuar pagat nuk janë të barabarta, por sipas talentit dhe nuk pranojnë faktin që këta persona nuk e meritojnë të jenë të barabarta dhe të paguajnë më shumë se të tjerët?