Një tjetër model zhvillimi: Shteti zhvillimor
Nga Blendi Kajsiu, botuar në Panorama, 16 shtator 2011
Për të propozuar një model tjetër nga ai që është zbatuar në Shqipëri këto njëzet vitet e fundit, së pari është e rëndësishme të kuptojmë tiparet kryesore të modelit aktual të zhvillimit. Aktualisht, në Shqipëri ka kohë që është implementuar një model neoliberal zhvillimor. Në zemër të këtij modeli qëndron filozofia se tregu dhe vetëm tregu është burim zhvillimi, ndërsa shteti është pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik. Për pasojë, ky model synon që të reduktojë vazhdimisht shtetin dhe të zgjerojë vazhdimisht tregun. Më konkretisht, gjashtë karakteristikat kryesore të këtij modeli, siç është zbatuar në Shqipëri, janë:
– Tregtia e lirë: hapja e tregjeve lokale ndaj produkteve ndërkombëtare, eliminimi i politikave mbrojtëse për produktet lokale.
– Privatizimi total i aseteve shtetërore; duke përfshirë edhe sektorët strategjikë si financa, telekomunikacioni dhe energjetika.
– Përparësi për investimet e huaja dhe jo për ato shqiptare; privatizimi i sektorëve strategjikë për kapitalin e huaj.
– Investimet e huaja si motor i zhvillimit lokal; hapja totale e ekonomisë shqiptare ndaj investimeve të huaja.
– Reduktimi i rolit të shtetit: Shteti përpiqet të lehtësojë zhvillimin si arbitër, por jo si aktor.
– Tregu si prioritet absolut: Vendosja e shtetit dhe e shoqërisë në funksion të tregut, dhe jo anasjelltas.
Këto janë parimet themelore ekonomike të modelit tonë të zhvillimit që kanë përcaktuar edhe politikat kryesore ekonomike të qeverive shqiptare këto njëzet vitet e fundit.
Por, dimensioni ekonomik i modelit zhvillimor neoliberal nuk mund të kuptohet pa dimensionin politik që e ka legjitimuar dhe mbuluar atë. E kam fjalën për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Që nga momenti kur studentët rrëzuan komunizmin me moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, çdo qeveri shqiptare e ka shpallur integrimin në BE si prioritet politik absolut. Ama, integrimi nuk vjen “badihava”. Në shkëmbim të integrimit Europa na ka kërkuar hapjen totale të tregjeve, d.m.th. tregtinë e lirë dhe privatizimin e sektorëve strategjikë, që nga telefonia deri te sistemi bankar.
Rezultati është i thjeshtë dhe i qartë; sektorët kryesorë dhe strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç janë telekomunikacioni dhe energjetika, kontrollohen kryesisht nga kapitali europian (grek, austriak dhe çek). Tregjet shqiptare janë tërësisht në dispozicion të firmave europiane që përfitojnë aty qindra milionë euro çdo vit duke shitur produktet e tyre. Deficiti ynë i frikshëm tregtar me BE-në do të thotë që ne humbasim çdo vit qindra milionë euro nga tregtia e lirë. Por, nuk po them se ne shqiptarët kemi dalë tërësisht të humbur nga marrëdhënia me BE-në. Pas njëzet vitesh BE-ja na dha lëvizjen e lirë.
Emëruesi i përbashkët i dimensionit ekonomik dhe politik është presupozimi bazë se zhvillimi i Shqipërisë buron tërësisht nga jashtë. Nga pikëpamja ekonomike, Shqipëria do të zhvillohet vetëm nëse arrin të tërheqë investimet e huaja. Nga pikëpamja politike, Shqipëria do të zhvillohet vetëm nëse kopjon legjislacionin e BE-së. Për pasojë, qeveritë shqiptare nga njëra anë janë bërë telef duke i shitur sektorët më strategjikë dhe fitimprurës të ekonomisë shqiptare (sistemi bankar, telekomunikacioni, minierat dhe energjetika) kapitalit të huaj, dhe kjo është shitur me krenari si “investim i huaj”. Nga ana tjetër, çdo qeveri është lodhur duke kopjuar legjislacionin e BE-së, aq sa tashmë ne krenohemi se kemi ligje komplet allafrënga.
Të dyja premisat e modelit të mësipërm zhvillimor janë të gabuara. Përsa i përket zhvillimit të deritanishëm ekonomik shqiptar (sepse e vërteta është se kemi pasur rritje ekonomike gjatë kësaj periudhe), ai ka ardhur në shumicën dërrmuese si pasojë e punës së shqiptarëve dhe jo nga investitorët e huaj. Më thjesht, kanë qenë gati një milion shqiptarë që kanë punuar në emigracion, që kanë injektuar rreth një miliard euro çdo vit, direkt në ekonominë shqiptare. Investimi i huaj ka qenë një përqindje mjaft e vogël në krahasim me remitancat, që kryesisht ka përfituar nga ky injektim financiar më shumë sesa ka kontribuar tek ai (p.sh. telefonia celulare). Ama, rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e konsumit, dhe jo si pasojë e rritjes së produktivitetit të ekonomisë shqiptare. Fakti që ekonomia shqiptare nuk konkurron dot as me ekonominë maqedonase, është treguesi më i thjeshtë i nivelit tonë të produktivitetit. Shkurt, rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (ose GDP-së, siç i thonë në anglisht), tregon kryesisht rritjen e konsumit si pasojë e remitancave. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të paqëndrueshme.
Po kështu, kopjimi i legjislacionit europian nuk e ka bërë Shqipërinë as më demokratike, dhe as më funksionale. Përkundrazi, ne sot kemi ligje europiane që nuk kanë lidhje me realitetet shqiptare. Ndonëse këto ligje mund të ishin të mira për realitetin apo administratën publike franceze, italiane apo gjermane, nga ku janë kopjuar, ato kanë pak lidhje me kapacitetet dhe realitetet lokale. Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh koston financiare që kërkon zbatimi i ligjeve që aprovon Parlamenti shqiptar. I gjithë buxheti i qeverisë shqiptare nuk do ishte i mjaftueshëm për të zbatuar ligjet që Parlamenti shqiptar kopjon nga BE-ja. Shkurt, ligjet jo vetëm nuk zbatohen, por ato që në konceptim janë të pazbatueshme. Ligji antiduhan është rasti më tipik i këtij fenomeni, ndonëse e njëjta gjë mund të thuhet për shumë nene të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
E, megjithatë, premisa bazë e modelit neoliberal të zhvillimit mbetet ideja se zhvillimi buron nga jashtë. Ndaj, një model tjetër zhvillimi duhet të ketë si parim themelor idenë se zhvillimi buron nga brenda, ndonëse mund të ndihmohet jashtë. Kjo nuk do të thotë që tregtia me jashtë, ndihma e huaj apo edhe investimet e huaja nuk kanë rol, por që ato nuk mund të zëvendësojnë zhvillimin e brendshëm, por ta përshpejtojnë atë. Tregtia dhe investimet e huaja duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe jo anasjelltas, sikurse po ndodh sot kur territori dhe ekonomia e Shqipërisë vendoset në funksion të nevojave të ekonomive fqinje për investim, për tregje, për krahë të lirë pune, për lëndë të parë apo për territor.
Premisa bazë se zhvillimi buron nga brenda do të thotë se Shqipëria mund të bëhet një vend i zhvilluar vetëm nga shqiptarët. Përndryshe, nëse presim që të vijë dikush nga jashtë, një kapitalist europian altruist si nënë Tereza dhe të na zhvillojë, do të mbetemi përgjithmonë të fundit në rajon dhe në kontinent. Të kuptohemi, nuk po them se nuk do të zhvillohemi fare. Por po them se do të mbetemi një xhep i varfër i Europës, një lagje e varfër e një qyteti të pasur dhe të tilla në Europë ka plot. Kapitalizmi altruist nuk është shpikur ende. Nëse nuk je i aftë të kujdesesh për veten, askush nuk do të kujdeset për ty në ekonominë globale.
Po kush duhet të kujdeset konkretisht për interesin kombëtar shqiptar? Kush duhet ta përcaktojë dhe mbrojë këtë interes? Natyrisht që interesat tona kombëtare duhen përcaktuar dhe ruajtur në mënyrë demokratike nga të gjithë ne. Ama, askush tjetër nuk mund ta kryejë këtë funksion më mirë sesa shteti shqiptar. Prandaj një model alternativ zhvillimi që bazohet te premisa bazë, se zhvillimi buron nga brenda, i jep një rol parësor shtetit në procesin zhvillimor. Nga shteti indiferent duhet të zhvendosemi në konceptin e shtetit zhvillimor. Ndryshe nga modeli neoliberal, ku shteti është kryesisht spektator në procesin e zhvillimit, në modelin alternativ shteti duhet të jetë pjesëmarrës në projektin e zhvillimit. Prandaj modeli alternativ i zhvillimit quhet modeli i shtetit zhvillimor (developmental state). Ky është një model që është aplikuar me sukses nga mjaft vende, dhe sidomos nga Tigrat e Azisë, që tashmë klasifikohen si vende të zhvilluara.
Në modelin e shtetit zhvillimor, tregtia e lirë, investimet e huaja dhe integrimi europian vendosen në funksion të ekonomisë kombëtare (e cila është në funksion të shoqërisë shqiptare), dhe jo anasjelltas. Pra shteti zhvillimor e shikon ekonominë kombëtare shqiptare si prioritet. Synimi i tij nuk është integrimi sa më i shpejtë i kësaj ekonomie në ekonominë botërore, siç ndodh sot. Përkundrazi, integrimi në ekonominë botërore shikohet në funksion të përfitimit të ekonomisë kombëtare, dhe jo si qëllim në vetvete.
Kjo do të thotë që më e rëndësishme se tregtia e lirë është prodhimi vendas; nëse tregtia e lirë dëmton prodhimin vendas, atëherë ajo duhet penguar. Më i rëndësishëm se kapitali i huaj është kapitali vendas; prioritet i duhet dhënë ndërtimit të kapitalistëve shqiptarë, dhe jo forcimit të kapitalistëve europianë. Më i rëndësishëm se investimi i huaj është investimi vendas; në vend të stimulimit të investimit të huaj, shteti duhet të nxisë investimin lokal. Më i rëndësishëm se krahu i lirë i punës është cilësia e jetës së punëtorit; në vend që t’i ofrojë krahë të lirë pune investitorit të huaj, shteti shqiptar duhet të preokupohet me kushtet e punësimit të qytetarit shqiptar te ky investitor. Në vija të përgjithshme, disa nga pikat themelore të shtetit zhvillimor do të ishin si më poshtë:
– Zhvillimi buron së pari nga brenda: Krijimi i motorit ekonomik shqiptar.
Shteti, nga spektator në faktor zhvillimi: Shteti përcakton, stimulon dhe mbron sektorët strategjikë të zhvillimit.
– Parimi i ekonomisë kombëtare: ekonomia shqiptare shikohet si pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e shtetit dhe kombit shqiptar.
– Investimet lokale si prioritet: prioriteti zhvendoset nga investimet e huaja te investimet lokale, ose stimulimi i investimeve të përbashkëta.
– Prodhimi, dhe jo tregtia si prioritet: nxitja sektorëve të caktuar industrialë, si motor të zhvillimit ekonomik shqiptar duke përdorur edhe proteksionizmin.
– Integrimi europian në funksion të zhvillimit, dhe jo zhvillimi në funksion të integrimit: për hir të integrimit në BE nuk duhet sakrifikuar fitimi ekonomik, prodhimi vendas apo tregu lokal.
Modeli i shtetit zhvillimor e zhvendos theksin nga tregu drejt shtetit. Kjo nuk do të thotë se tregu është i parëndësishëm dhe duhet hequr qafe. Përkundrazi, tregu është mjaft i rëndësishëm si koncept dhe instrument zhvillimor. Ama, që të dish të përdorësh tregun me efikasitet, duhet së pari të kuptosh kufizimet e tij. Tregu dhe tregtia e lirë nuk prodhon dot ndryshimet strukturore për të cilat ka nevojë ekonomia shqiptare.
Problemi ynë nuk është deformimi i tregut, por vetë struktura e ekonomisë. Sot ne kemi një ekonomi jo konkurruese, që bazohet kryesisht te shërbimet, me një sektor tejet të varfër bujqësor dhe me një sektor industrial tërësisht anemik dhe të margjinalizuar. I gjithë ky deformim strukturor reflektohet te mungesa e prodhimit, tek rritja e vazhdueshme e deficitit tregtar, te rritja e vazhdueshme e borxhit të jashtëm dhe te paaftësia e ekonomisë sonë për të krijuar vende pune. Ndaj duhet kuptuar që kriza ekonomike shqiptare nuk është një krizë ciklike (apo e ciklit të biznesit) siç është kriza që po përjeton sot Perëndimi. Kriza shqiptare që vazhdon prej më shumë se njëzet vitesh, është një krizë e vetë strukturës sonë ekonomike.
Tregu, shpesh, jo vetëm që nuk e korrigjon, por edhe e riprodhon këtë deformim strukturor. Kështu, një treg tërësisht i lirë financiar dhe bankar, në vend që t’i kanalizojë investimet drejt sektorëve të prodhimit që krijojnë zhvillim dhe punësim në termin afatgjatë, preferon të japë kredi në ata sektorë që janë më të sigurt dhe më fitimprurës në termin afatshkurtër. Ky ka qenë rasti i sektorit të ndërtimit ku janë betonizuar dhe po betonizohen në mënyrë joproduktive mjaft kapitale. Kjo ka prodhuar edhe mbifinancimin e këtij sektori, derisa arriti në krizë. Në këtë mënyrë, interesi afatshkurtër i sistemit bankar prodhon një deformim afatgjatë të strukturës sonë ekonomike. Prandaj shteti duhet të luajë një rol aktiv dhe afatgjatë jo thjesht në lehtësimin e tregut, por në ndryshimin e strukturës së ekonomisë shqiptare. Shteti duhet të luajë rol themelor për ta transformuar ekonominë Shqiptare nga një ekonomi që bazohet te bujqësia primitive dhe shërbimet, në një ekonomi që bazohet më shumë te prodhimi, çka nënkupton një theks shumë më i madh te zhvillimi industrial.
Së pari, kjo do të thotë që shteti ofron një model afatgjatë zhvillimi që fokusohet te rritja e prodhimit të brendshëm, rreth të cilit mobilizon faktorët (fizikë, financiarë, gjeografikë etj.,) dhe aktorët (sipërmarrësit, kapitalin dhe punëtorët) lokalë. Më konkretisht, në qendër të një modeli afatgjatë zhvillimi duhet vendosur një politikë e qartë industriale që përcakton disa nga sektorët strategjikë në të cilët do të zhvillohet industria shqiptare në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Në termin afatgjatë, objektivi duhet të jetë që në 20 deri 30 vitet e ardhshme, Shqipëria të ketë një sektor industrial modern dhe konkurrues. Për këtë qëllim, shteti nuk duhet të hezitojë të ndërtojë politika mbrojtëse për prodhimin vendas. Nuk duhet të hezitojë në kontrollin e kursimeve të qytetarëve shqiptarë dhe kanalizimin e investimit në sektorë që kanë nevojë për financim të lirë dhe afatgjatë.
Së dyti, duhet tejkaluar iluzioni i investimeve të huaja si çelësi magjik i zhvillimit shqiptar. Propaganda që bëhet për investimet e huaja nga qeveria shqiptare dhe faktori ndërkombëtar fsheh faktin se këto investime jo vetëm sjellin, por edhe nxjerrin kapital jashtë Shqipërisë. Kështu, sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në nëntëmujorin e parë të vitit 2009 kanë dalë nga Shqipëria 130 milionë euro, që janë depozituar në banka jashtë vendit. Mund të merret me mend se sa qindra milionë euro mund të jenë larguar nga Shqipëria vetëm pesë vitet e fundit, si fitim nga korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri.
Sot nuk ka kuptim të tërheqësh investues të huaj në ato fusha që mund të zhvilloheshin nga investues lokalë. Nuk ka kuptim t’ia ofrosh badihava tregjet lokale si atë të telekomunikacionit, të telefonisë celulare apo tregun bankar, operatorëve të huaj kur këto shumë mirë mund të zhvilloheshin nga operatorë lokalë. Është absurd që në tregun tonë bankar ekziston vetëm një bankë shqiptare, ndërkohë që aftësitë lokale për të ngritur banka ekzistojnë me bollëk. Nuk ka kuptim që industri si ato të agrobiznesit, të çimentos apo minerare, të zhvillohen nga kapitali i huaj kur shumë mirë mund të zhvilloheshin edhe nga kapitali vendas, apo edhe nga vetë shteti. Nuk ka kuptim që sektorë strategjikë të privatizohen në favor të kapitalit të huaj, i cili fitimin e nxjerr jashtë Shqipërisë.
Së fundi, duhet tejkaluar miti i tregtisë së lirë si domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik. Në këto njëzet vitet e fundit, Shqipëria ka humbur qindra milionë euro nga liberalizimi i tregtisë me BE-në. Mjafton të shohësh deficitin tonë tregtar për ta kuptuar këtë. Ndaj, tregtia e lirë nuk duhet të jetë më qëllim në vetvete, as një mjet për të nënshkruar një marrëveshje më shumë me BE-në. Përndryshe, tregtia e lirë me BE-në do të vazhdojë të jetë kosto për ekonominë shqiptare, siç del qartë nga deficiti ynë i llahtarshëm tregtar. Tregtia e lirë duhet të vendoset në funksion të prodhimit bujqësor dhe industrial vendas. Aty ku tregtia e lirë shkatërron prodhuesit vendas apo sektorët tanë strategjikë, shteti nuk duhet të hezitojë të përdorë politika proteksioniste. Aty ku tregtia e lirë prodhon deficit tregtar, shteti nuk duhet të hezitojë të ndërhyjë dhe ta ndalojë atë nëpërmjet zëvendësimit të importeve. Shteti mund të vendosë që një sërë produktesh që importohen nga jashtë gradualisht të prodhohen brenda vendit. Kështu p.sh., nuk ka përse të importojmë cigare (apo produkte të tjera ushqimore apo farmaceutike) kur ato mund t’i prodhojmë lehtësisht brenda vendit.
Në përfundim duhet theksuar se model i shtetit zhvillimor nuk ofron përparësi thjesht në fushën ekonomike, por edhe në atë politike. Në thelb të krizës demokratike që ne po kalojmë sot është fakti se ekonomia është shkëputur tërësisht nga politika. Procesi i privatizimit total dhe tregtia e lirë e kanë zhvendosur një pjesë të mirë të ekonomisë shqiptare jashtë kontrollit politik. Madje, tashmë mund të themi se politika është shumë më e varur tek ekonomia, sesa anasjelltas. Kjo do të thotë që rotacioni politik nuk sjell asnjë ndryshim në politikat ekonomike. Për pasojë, vetë demokracia është reduktuar në metodë apo procedurë dhe zgjedhjet e kanë humbur kuptimin. Shteti zhvillimor, duke e lidhur sërish politikën dhe ekonominë, i jep kuptim demokracisë. Në modelin e shtetit zhvillimor zgjedhjet politike kanë pasoja të ndjeshme ekonomike. Pra demokracia nuk reduktohet në një ushtrim metodologjik apo procedural, por në një aksion politik me përmbajtje.