Treg të përbashkët energjitik Shqipëri-Kosovë
Prishtinë, 10 mars 2015
Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës angazhohen zyrtarisht për çuarjen përpara të projektit për realizimin e një tregu të përbashkët energjitik midis dy vendeve.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Z. Fadil Ismajli u takuan në Tiranë ku nënshkruan dy dokumente në vazhdën e projekteve të interkonjeksionit që do të përbëjnë shtyllën kurrizore të tregut të përbashkët energjitik.
Ministrat Gjiknuri e Ismajli firmosën një memorandum mirëkuptimi për realizimin e interesit të përbashkët, për zhvillimin e rrjetit të transmetimit përmes ndërtimit të linjës 110kV e cila lidh Nënstacionin Dragashi në Kosovë me Nënstacionin Kukësi në Shqipëri.
Palët ranë dakord të kërkojnë nga operatorët e sistemit, të ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme për të koordinuar aktivitetet në zbatimin e projektit, hartimin e dokumenteve teknike, marrëveshjet e zbatimit, sigurimin e mjeteve financiare dhe ndërtimin e linjës.
Ndërkaq, Ministrat firmosën edhe një memorandum ku shprehin dakordësinë për të siguruar mjetet financiare për studimin e krijimit të tregut të përbashkët. Mes dy qeverive do të krijohet një Komitet i drejtuar nga Ministrat përkatës që do të miratojnë termat e referencës dhe do të udhëheqin këtë projekt.
Konferenca për shtyp e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Z.Fadil Ismajli.
Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri:
Sot patëm kënaqësinë të kishim për një vizitë mikun tonë, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, përgjegjës edhe për energjetikën. Patëm një bisedë shumë të mirë, vazhduam një punë të nisur që nga mbledhja e dy qeverive në Prizren. Kemi hedhur sot hapa konkretë me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme, një për fillimin e punimeve për linjën mes Prizrenit dhe Kukësit, për një linjë tjetër, përveç asaj linje të rëndësishme që tashmë e dinë të gjithë shqiptarët mes Shqipërisë dhe Kosovës, pra linjës 400 kilovat.
Njëkohësisht kemi nënshkruar edhe një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për fillimin e hapave për tregun e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe kjo do të jetë një punë serioze, mjaft e rëndësishme, në interes të të dyja vendeve, për integrimin e të dyja tregjeve dhe për kombinimin e diversitetit, për kombinimin e avantazheve që ka njëri vend dhe tjetri përsa i përket burimeve natyrore. Kjo do të shërbejë jo vetëm për forcimin dhe integrimin e dy tregjeve, por edhe për sigurinë dhe furnizimin për të dy vendet tona.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë drejtim, janë hapat shumë intensivë dhe në drejtimin e duhur. Për këtë, përgëzoj edhe mikun tim Fadil, i cila ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të kësaj ideje. Më vjen mirë që sot është po ai, i cili nënshkruan këtë marrëveshje me Republikën e Shqipërisë dhe jemi angazhuar që të punojmë shumë fort sëbashku për ta çuar përpara këtë projekt kaq të rëndësishëm për integrimin energjetik të dy tregjeve tona.
Fjala e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës z. Fadil Ismajli:
Është e vërtetë që shumë gjatë jam në këtë segment. Një pjesë e njerëzve këtu janë edhe miqtë e mi, me të cilët kemi punuar dhe ju them sinqerisht, po realizohen ëndrrat. Për mua këto kanë qenë ëndrrat se një ditë do të fillojë linja 400 kilovatshme që është një ndër elementët kryesorë në bashkimin energjetik e që unë e quajta në Prizren, autostrada energjetike. Vazhdojmë më tutje me realizimin dhe përfitimet që do të vijnë nga kjo linjë, vazhdojmë me ndërtimin e tregut të përbashkët energjetik mes dy vendeve që nuk do të mund të bëhej realitet pa lidhjen fizike.
Këtu kemi të bëjmë me dy segmente, njëra është pjesa fizike, pra duhet të ndërtohen kapacitetet fizike, në mënyrë që pastaj t’i vijë radha pjesës ‘soft’, të butë, që nënkupton harmonizimin e kornizave ligjore dhe rregullative në mes të dy sistemeve. Kjo, pastaj shtrihet në një platformë të një tregu të përbashkët të energjisë elektrike, me kursime dhe optimizime për të dy aktet. Nëse mund ta quaj vonim, ka pasur vonim, ka pasur humbje, për ato do t’i kompensojmë. Unë jam shumë i lumtur që sot jam pranë mikun tim Damian, i cili me një shpejtësi, të dritës mos them, e kapi rëndësinë dhe problemin e asaj që biseduam që në fillim dhe asnjë moment nuk ngurroi që të ecim përpara.
E falenderoj sinqerisht për këtë, sepse ka pasur tentativa edhe më herët dhe shumë energji të shpenzuar në këtë drejtim, por ja ku jemi sot për ta bërë. Dhe kjo është një punë e gjatë, një punë e barabartë, nëse jo edhe më e rëndësishme se edhe vetë linja, sepse linja nuk do kishte kuptim pa tregun e përbashkët energjetik, në mënyrë që të marrin vlerë resurset e të dyja anëve. Ajo do të ndodhë, kjo është një punë që do të zgjasë dy vjet dhe uroj që të kurorëzohen bashkërisht, me përfundimin e linjës të jetë komplet tregu me të gjithë dokumentet, me të gjithë legjislacionin e harmonizuar dhe rregullat e harmonizuara në mënyrë që të nxirren benefite.
Ju e dini se vetëm nga linja 400 kilovatshme, me një kalkulim që është bërë, mbi baza të studimit normalisht dhe vetëm me shfrytëzimin e rezervave të përbashkëta të të dy sistemeve, në kursimet vjetore, janë diku mbi 15 milion. Pa e llogaritur këtu optimizimin e sistemit, i cili bëhet mbi bazën e komplementaritetit mes të dy sistemeve që është me shumë rëndësi. Mbi bazën e shfrytëzimit të energjisë termike të cilën e jep Kosova në orët e ngarkesave minimale, dhe mbi valorizimin e ngarkesave maksimale të cilën e jep Shqipëria me HEC-et e veta dhe ky është ai optimizim për të cilën po flasim dhe ky është ai kursim për të cilin po flasim.
Mbi të gjitha, kjo është ajo që bën sigurinë e furnizimit të energjisë elektrike në të dyja anët. E mbi të gjitha duhet ta them, se kjo çfarë po bëjmë është gjithashtu në harmoni të plotë me direktivat evropiane për energjinë, është në harmoni të plotë me shkëmbimet ndërkufitare që bëhen për energjinë, që ka të bëjë me një jodiskriminim të palëve, operatorëve të interest, dhe është në harmoni të plotë me parimin e tretë, që ka të bëjë me qasjen e barabartë të të gjithëve. Të tërë operatorët, furnizuesit ekzistues dhe ata që do të vijnë, do ta kenë mundësinë për të tregtuar.
Pyetje: Kam një pyetje të përbashkët për të dy ministrat. Ju sapo nënshkruat dy marrëveshje dhe paralajmëruat dhe një kuadër ligjor përkatës. Desha të di në kuadër të afateve të marrëveshjes, parashikohet për investim me kapacitete të reja energjetike po ashtu të përbashkët?!
Ministri Ismajli: Kjo është një segment tjetër, unë e quajta pjesa ‘soft’, e butë, domethënë e asaj çka është pjesa e linjave transmetuese, e asaj çka është pjesa fizike, e gjeneratorëve të rinj e kështu me radhë. Ndërtimi i tregut të përbashkët bëhet mbi bazat e komplementaritetit të dy sistemeve dhe bëhet mbi bazat e gjeneratorëve ekzistues në të dy anët, por planet për ndërtimin e gjeneratorëve pa dyshim edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, do të marrin për bazë një treg më të gjerë se ai që ka ekzistuar. Do ta marrin për bazë tashti gjithashtu edhe elementin ambiental pse jo. Unë vetëm po jap një informatë, në rastin e tregut të përbashkët në Kosovë me studimet që janë bërë deri tani do të nevojiten 2400 deri në 2500 megavat gjeneratorë të energjisë elektrike mbi baza të thëngjillit, i njëjti kapacitet do të funksionojë edhe në tregun e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Shqipëria nuk do të ketë nevojë për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, për të ndërtuar gjeneratorë të rinj mbi bazat e fosileve, të cilat ndotin ambientin. Pra, prej këtu dua të dërgoj edhe një mesazh që ky bashkim i tregut, është edhe mbi ambientin, jo vetëm me energjinë, sepse do t’i kontribuojë ambientit. Megavati i prodhuar prej thëngjillit do të valorizohet plotësisht dhe efiçenca do të ngrihet.
Ministri Gjiknuri: Unë dua të theksoj vetëm një gjë, në momentin që do të kemi një treg të përbashkët, të konsoliduar që është premtues nga pikëpamja financiare, pa diskutim që investimet do të jenë të interesuara në të dyja krahët e kufirit. Ato për të cilën kanë vuajtur investimet në sektorin energjetik shqiptar kanë qenë qëndrueshmëria, pra baza mbi terma realë, të qëndrueshme, mbi një treg që është likuid dhe i konsoliduar, jo thjesht mbi skema incetivuese që nuk kanë bazë të qëndrueshme. E them, një treg i qëndrueshëm, me një kërkesë të qëndrueshme dhe të parashikueshme do të sjell pa diskutim investime private që të dyja vendet i dëshirojnë aq shumë.
Pyetje: Kemi dëgjuar shpeshherë që do të kemi një treg të përbashkët për energjinë. Kur do të ketë një treg të përbashkët për energjinë, si afat kohor?!
Ministri Gjiknuri: Për këtë po punojmë. Ky është një proces, nuk është një proces i thjeshtë. Të them të drejtën mund të them edhe një përgjigje indirekte, ky treg u vonua mbi dy vjet edhe për shkak të sabotimi që ju bë të një investimi shumë të rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Këtë nuk duhet ta harrojmë! Sepse pa një infrastrukturë fizike nuk mund të ndërtosh një treg dhe pikërisht ata zëra që ndonjë edhe e kritikon sot, siduket janë po ato zëra të cilët nuk kanë dashur ndonjëherë që ky projekt të zhvillohej. Jemi në rrugë të mbarë, po ndërtojmë infrastrukturën, kemi filluar bashkëpunimin institucional, kjo marrëveshje do të na çojë drejt asaj. Por, mbi të gjitha duhet infrastruktura, prandaj është shumë e rëndësishme kjo që ka ndodhur në këto pak muaj, ku po fillon të ndërtohet infrastruktura bazë e këtyre dy tregjeve.
Ministri Ismajli: Nuk kam çfarë t’i shtoj më shumë kësaj. E theksova që në fillim se ndërtimi i linjës, pjesa fizike, shkon paralel me punën që do të bëhet në ndërtimin e tregut të përbashkët. Uroj që me përfundimin e linjës, me vënien në funksion të linjës 400 kilovoltëshe Kosovë-Shqipëri, por pse jo edhe të linjës 110 që tani po ndërtohet Dragash-Kukës që është një kursim shumë serioz për të dyja anët, i cili e rrit sigurinë edhe të Kukësit, edhe të Dragashit në anën e Kosovës. Në vend se të ndërtohen dy linja në të dyja anët për të plotësuar kriterin nën minus 1 ose rezervën e duhur, tani ndërtohet vetëm një lidhje, e siguron këtë fakt por e siguron edhe burime më të qëndrueshme. Kështu që me këtë them që do të përfundojë linja, do të implementohet tregu. Nuk është e mundur të kemi treg të mirëfilltë, ashtu siç duam të bëjmë ne, pa i pasur edhe kapacitetet fizike, ashtu siç tha edhe Ministri. Pra, dy vjet nga tani unë shpresoj që do të jenë në funksion të dyja këto.
Pyetje: A ka një kosto totale të investimeve që duhen…?!
Ministri Ismajli: Faleminderit për këtë pyetje. Sa për informatë, kostoja e linjës dihet, ndërsa kostoja e ndërtimit të tregut të përbashkët pothuajse është neglizhente për të dyja anët. Faleminderit që ma dhe mundësinë sepse kam nevojë të falenderoj qeverinë norvegjeze sidomos, por edhe USAID-in, që të dy donatorë që kanë ofruar kapacitetet e tyre teknike dhe humane, profesionale, për të punuar me ne në ndërtimin e komplet dokumentacionit dhe implementimin e këtij tregu. Dhe nga ky takim, takimi i parë do të mbahet me këta dy donatorë në drejtim të harmonizimit të hapave të mëtejshëm, kompletimit të grupeve teknike punuese që do të dalin, sepse do të jetë një komitet drejtues, të cilin do ta udhëheqim së bashku me ministrin dhe me ekspertë të tjerë dhe grupe teknike të cilat do të punojnë. Norvegjia ka një shembull më të mirë të krijimit të tregjeve të përbashkëta. E dini që është shumë i njohur pulli i shteteve skandinave dhe përvojat e tyre janë mëse të mirëseardhura për këtë rast.