Komisioni i BE kërkon bashkim energjetik
Sipas DW, 26 shkurt 2015
BE ka tregun e brendshëm. Por në sektorin energjetik vazhdon të ekzistojë partikularizmi evropian. Çdo shtet anëtar i BE ndjek në një masë të konsiderueshme politikën e tij energjetike.
Për shkak të pikërëndesave të ndryshme – Franca mbështetet tradicionalisht në energjinë atomike, Gjermania mbështet prej disa vitesh veçanërisht energjitë e ripërtëritshme – tregu energjetik evropian është më i copëzuar se më parë. Para së gjithash rrjetet janë të orientuara tek shtetet nacionale. Dhe kur blihet energji nga bota e jashtme, çdo shtet shumicën e herëve del si blerës individual. Kjo e bën furnizimin me energji të shtrenjtë dhe pak ekonomik. Sipas Komisarit të BE përgjegjës për Politikën Energjetike, Miguel Arias Canete “Evropa humbet çdo vit deri 40 miliardë euro, sepse nuk ka një treg të ndërthurur energjetik”. Kjo do të ishte e barabartë me 80 euro humbje, për çdo evropian çdo vit.
Zvogëlimi i ndikimit rus
Por copëzimi nuk është vetëm harxhim, por edhe varësi. Këtë shtetet e veçanta e vënë re para së gjithash kur kanë probleme me furnizuesit, për shembull me Rusinë. Por Rusia është furnizuesja më e rëndësishme me gaz e BE, mbulon një të tretën e nevojës energjetike. Por disa importues gazi, si Bullgaria ose shtetet baltike janë thuajse plotësisht të varura nga gazi rus.
Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës e ka ashpërsuar edhe më shumë konfliktin. Ukraina përcjell rreth gjysmën e gazit të caktuar për në BE përmes tubacioneve të saj. Në raport me Rusinë, gazi është bërë përfundimisht çështje strategjike. Këto të gjitha janë shkaqe që shtetet e BE të afrohen më shumë në politikat energjetike.
Trase energjetike mes për mes Evropës
Sa e madhe është kjo detyrë, këtë Mares Sefcovici, Komisari i BE për Bashkimin Energjetik e përshkroi pak kohë më parë: “Në tregun energjetik ne duhet të nisim praktikisht edhe njëherë nga e para dhe ta ndërtojmë nga e para tregun”. Në bazë të dokumentit të paraqitur tani, energjia synohet të bëhet për qytetarët “e sigurtë, e qendrueshme, konkuruese dhe e bleshme”. Një rrugë për në këtë objektiv është diversifikimi i ofruesve.
Për këtë do të ndërtohen ose do të zgjerohen marrëdhëniet e furnizimit me Norvegjinë, SHBA, Algjerinë ose Turkmenistanin. Një blerje e përbashkët e energjisë do t’i ulë çmimet. Edhe pjesa e gazit të lëngshëm, e cila transportohet me cisterna do të rritet. Dhe përsa i përket energjisë do të ketë rrjete transevropiane, të cilat e përshkojnë tej për tej Evropën. Për shembull energjia djellore do të transportohet nga rajoni i Mesdheut për në Veri, energjia e erës nga Deti i Veriut për në Jug.
Komisioni synon një shkëmbim ndërkufitar të energjisë për 10 përqind të prodhimit, gjë që, po ta masësh me mundësitë teknike dhe me nevojën, nuk është synim veçanërisht ambicioz. Po krahasuar me gjendjen aktuale është shumë.