ERRA: Shqipëria, çmimet e energjisë më të lartat në rajon
Botuar në MapoOnline, 17.12.2012
Shqipëria paraqitet me çmimet më të larta të energjisë ndërmjet vendeve të rajonit, sipas një studimi që ka bërë Shoqata Rajonale e Rregullatorëve të Energjisë (ERRA) për tarifat e energjisë.
Sipas shoqatës, Shqipëria ofron një çmim për energjinë ndaj konsumatorëve familjarë, 8.06 cent, duke lënë pas vende të tilla si Serbia, Maqedonia, Bosnja, Kosova, Ukraina etj. Fatura që shqiptarët paguajnë për energjinë duhet të ishte më e lirë se shumë nga këto vende, pasi 98 për qind e energjisë në vend prodhohet nga HEC-et me kosto të lirë rreth 1 cent, ndërsa pjesa tjetër importohet. Madje edhe Kosova që e ka të bazuar prodhimin e energjisë në termocentrale, çka dihet që është me kosto më të lartë, ofron një çmim 4.8 cent për kilovat/orë ndaj konsumatorëve familjarë. Gjithashtu, Bosnja dhe Serbia ofrojnë çmime shumë më të lira, me rreth 6 cent për kilovat.
Ekspertët në Entin Rregullator të Energjisë e kanë dhënë shpjegimin për këtë situatë. Vjedhjet e energjisë në rrjet dhe borxhi i keq kanë rritur kostot e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Kjo situatë keqmenaxhimi është e trashëguar, por edhe e thelluar ndjeshëm së fundmi nga kompania që ka privatizuar sistemin e shpërndarjes, CEZ. Kështu, humbjet e kompanisë në rrjet janë më shumë se 50 për qind dhe rreth 15 për qind e energjisë që faturohet nuk vilet. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, një nga treguesit e rëndësishëm që ndikon nivelin e çmimeve të energjisë elektrike të konsumatorëve tariforë është niveli i “Borxhit të Keq”. Për shkak të kësaj situate, çmimi i energjisë është disa herë më shumë se kostoja e prodhimit të saj nga HEC-et dhe importi.
Në momentin që u privatizua kompania, sistemi i shpërndarjes së energjisë i kishte humbjet rreth 30 për qind. Çekët e CEZ-it e cilësuan këtë nivel alarmant. Në prill të vitit 2009, drejtuesit e CEZ-it pohuan se humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në vendin tonë janë më të lartat në Europë. Për shkak të situatës alarmante në këtë drejtim, çekët patën premtuar që të ndërmerreshin masa emergjente në minimizimin e humbjeve të energjisë. Për të arritur këtë, çekët thanë se do të përqendrojnë të gjithë fluksin e investimeve në rrjetin e shpërndarjes dhe jo në shtimin e burimeve të reja të energjisë. Sasia e humbjeve totale në rrjetin e energjisë në fund të 2008-ës ishte 2,139 Gw/h. Ato përbënin 32.4 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për përdorim. Por tani pas tre vitesh niveli i humbjeve nga CEZ është bërë superalarmant, duke arritur mbi 50 për qind. Ky është keqmenaxhimi më i madh që po i bëhet shpërndarjes së energjisë në të gjithë Europën. Me një vendim të fillimit të vitit 2009 qeveria vendosi të transferojë borxhe dhe të anulojë fatura të papaguara të OSSH-së me vlerë të përgjithshme prej afërsisht 60 milionë euro. Rreth 5.16 miliardë lekë borxhe afatgjata u transferuan nga OSSH te KESH-