ERE: Pse e ulëm çmimin e energjisë për CEZ-in
Intervistë e Kryetarit të Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani, botuar në PanoramaOnline, 9.07.2012
Enti Rregullator i Energjisë mori pak kohë më parë vendimin për të ulur çmimin me të cilin KESH i shet energjinë CEZ-it. Nga 2.8 lekë për kwh që ishte çmimi, ai u ul në 2.2 lekë për kwh. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani, sqaron për gazetën arsyet se pse u vendos ulja e tarifës, që në një farë mënyrë konsiderohet edhe si axhustim për shkak të disa zhvillimeve të ndodhura në treg. Kreu i ERE-s sqaron se ulja e tarifës u bë për të mos lejuar që CEZ të tërhiqte nga buxheti 60 milionë eurot e garancisë dhe nga ana tjetër, KESH së fundmi gjeneroi 2 miliardë lekë të ardhura nga eksportet e paparashikuara. Në vijim, në muajin shtator pritet që mes operatorëve të ketë një tjetër rregullim tarifash në bazë të zhvillimeve që do të kemi në muajt e verës, por çmimi për konsumatorin final nuk do të preket.
ERE vendosi pak kohë më parë rishikimin e tarifës së shitjes së energjisë mes KESH dhe CEZ, të cilën e uli nga 2.8 lekë për kilovat/orë në 2.2 lekë në favor të CEZ-it. Pse u gjykua ky nivel uljeje?
Vendimi ka qenë pjesë e një procesi të gjatë. ERE bën rregullimin e sektorit të energjisë dhe kjo bëhet pikërisht që kompanitë të marrin aq para sa kosto kanë. Pra, nuk mundet që të marrësh para më shumë, sepse nuk është kompani që del në treg. Po dole në treg, çmimin e shitjes e vendos ti dhe bën vetë biznesin tënd. Je me humbje apo me fitim e di vetë se sa është çmimi i shitjes, sepse e vendos tregu. Në këtë rast, kur sistemi është i rregulluar, Enti Rregullator ka detyrën që të sigurojë që konsumatori të paguajë atë kosto që realisht ekziston. Ne, kur vendosim çmimet e bëjmë këtë në dhjetor të vitit paraardhës për periudhën pasardhëse dhe gjithmonë është mbi bazën e parashikimeve. Ne themi që KESH-i do prodhojë 4.200 gigavat, kemi thënë 4200 në 2009-n, kemi thënë 4200 në 2010-n, dhe për efekte sigurie kemi thënë 4200 në 2011-n dhe vazhdojmë të themi 4200, kur në fakt kërkesa mund të jetë 4200, 4400, 3900. Ne miratojmë tarifat dhe themi që KESH do prodhojë 4200 dhe gjitha kostot e korporatës pjesëtohet me 4200 giga. Në këtë rast, çmimi i shitjes është ky, pasi kaq janë nevojat e KESH-it për të ardhura dhe kaq duhet të paguash ti për këtë shërbim si konsumator. Tani ndodh që KESH nuk ka më 4200 x 2 lekë e barabartë me 8 miliardë lekë të ardhura. KESH krijoi edhe një sasi të ardhurash ekstra, 2 miliardë, 3 miliardë apo dhe 15 miliardë, siç ka e krijuar që nga 2003-shi nga eksporti dhe erdhi zgjidhja për axhustim.
A nuk mund të konsiderohen eksportet apo energjia e prodhuar ekstra si një variant për ulje çmimi?
Këto eksporte ne i lëmë rezerva, sepse në një vit ka import, në një vit ka eksport dhe këtë rezervë e lëmë që të mos ketë luhatje të ndjeshme çmimi. Nëse vepron sipas kësaj logjike të uljes dhe ngritjes së çmimit, sipas ecurisë së situatës hidrike, konsumatori do të kishte një ditë çmimin 2 lekë dhe një ditë 15 lekë për kwh. Ne kemi një sistem hidro, e detyrimisht duhet që rezerva të balancojë ndryshimet ekstreme që mund të ndodhnin me çmimin. Tani, kur kemi të ardhura të tepërta, nuk mund t’ia lësh gjithmonë në rezervë kompanisë. Pra, çfarë ndodh? Një kompani ka nevojë për investime, kurse kompania tjetër krijon më shumë të ardhura. Në këtë rast, ne nuk mund të rrisim çmimin këtu edhe kur dimë që ka një sasi të ardhurash, sepse është probabilitar dhe mund të ndodhë që në 2012-n ose 2013-n mund të eksportojmë sërish. Atëherë pse duhet të rrinë këto lekë pa u përdorur, ndërkohë që ti nuk e rrit çmimin dhe e lë stabël në treg. Tek e fundit, ty si kompani do të të zbriten ato të ardhura ekstra, pasi mund të marrësh më shumë lekë, sesa të duhen. CEZ është kompani tregtare, kërkon të ardhura shumë më shumë, sesa i kemi dhënë ne. Faktikisht, jemi treguar striktë në mënyrë që të mos kemi devijime dhe kosto të larta.
Ndryshimi i tarifës, sikurse u deklarua, erdhi pas vendimit për njohjen e borxhit të keq. A mendoni se 0.6 lekëshi e zgjidh problemin e CEZ?
Ne kemi shpresë që CEZ do rrisë arkëtimet dhe kjo është edhe pjesa ku ata duhet të fokusohen së bashku me uljen e humbjeve. Sivjet kanë premtuar që do të fillojnë me investime. Nëse ata do të ecin mirë, ne do shohim rezultatin gjatë këtyre muajve. Puna e tyre duhet që të përqendrohet në terren. Ajo që ne i dhamë CEZ-it është 1/3 e asaj që ata kërkuan. Borxhin e keq ata e kërkuan 20.7 për qind. Kjo prej nesh është e zhveshur nga institucionet buxhetore, pasi ne atë borxh nuk e quajmë borxh të keq, sepse institucionet buxhetore dhe jobuxhetore janë gjatë gjithë kohës në funksion, aty dhe mund ta arkëtosh borxhin. Ne erdhëm tek ulja e tarifës, sepse automatikisht CEZ do të merrte PRG, 8.5 miliardë lekë, do shkonim në gjyq ndërkombëtar. Ne shpresojmë që ata të kenë performancë që edhe KESH-i të ketë likuiditet. Kostoja është kur ka importe të mëdha, kurse aktualisht KESH kërkon pagesën e energjisë, sepse në të kundërt merr overdraft dhe ka interesa të larta. Qoftë edhe me 2.2 lekë që e lamë ne tarifën, kompanitë duhet të shlyejnë bilancet mes njëra-tjetrës, sepse krijohet ngërç financiar. Borxhi i keq ishte një detyrim me kontratën e privatizimit që ne nuk e pranuam, sepse shpresuam që arkëtimet do të ishin më të mëdha. Por, arritëm në pikën që nëse do e hidhnim poshtë studimin e borxhit të keq, kompania do merrte PRG direkt nga buxheti, që është 8.5 miliardë lekë apo 60 milionë euro.
Ju keni deklaruar se do të ketë një rishikim tjetër të tarifave në muajin shtator?
Po, e vërtetë. Metodologjia e bën tarifën 3-vjeçare, 2012-2014, edhe për KESH-in, edhe për CEZ-in, edhe për OST-në. Por, çfarë ndodh? Je i detyruar që çdo vit të bësh një korrigjim për të balancuar tregun. Çdo të thotë kjo?. KESH mund të ketë bërë më shumë eksport dhe më pak import, ose e kundërta, pra nëse ka pasur import të detyruar për konsumatorët tariforë, do t’i japësh ato para. Ne prisnim që të kishte eksport vitin e kaluar. Çfarë ndodhi, ndodhi ajo që KESH u detyrua të importonte shumicën e kohës për shkak të situatës hidrike. Ne i hoqëm ca para dhe ia dhamë ato para vitin tjetër, sepse ndryshon parashikimi me faktin. Je i detyruar patjetër që këtë furnizimin me shumicë që bëri KESH-i ta axhustosh vit për vit, sepse do të ketë ndryshim nga plani. Ndryshimet bëhen mes operatorëve të tregut, ndërsa për konsumatorin final nuk ka ndryshim tarife. Po shtrëngojmë operatorët që të punojnë më mirë, të kenë performancë më të mirë që të mos ketë ndikime të tepërta. Sepse kur i shtrëngon, ka dhe performancë më të mirë. Të gjitha këto rishikime janë axhustime dhe nuk janë mirëfilli bërje tarife. Ne bëjmë rregullimet e duhura, duke i përshtatur me zhvillimet e ndodhura dhe duke i përshtatur me inflacionin real. Për shembull, inflacionin do ta përfshijmë në llogaritje, pasi në njëfarë mënyre një material që sot bën 5 lekë, nesër nuk bën 5 lekë. Nëse investimet nuk i ke realizuar, bëhen axhustimet e tjera apo nëse çmimi i importit që ke mbuluar humbjet ka ndryshuar, për shembull, nga 60 euro për mega është bërë 58 euro, kjo vlerë korrigjohet. Vlerësohet edhe kursi i këmbimit mes euros dhe lekut. Ne e kemi marrë 140.75, por tani është ulur dhe është më ndryshe, kështu që përnjëherë këto janë axhustime automatike që bëhen në shtator. Normalisht operatorët nuk kanë sjellë akoma propozimet e tyre. Tek metodologjia e kemi lënë një periudhë 6-mujore, në mënyrë që të shihen gjerat më qartë. Megjithatë, në këtë fazë duhet të tregohemi të drejtë dhe tolerantë, sepse nuk kemi mirëfilli bërje tarife, por rregullim të asaj ekzistueses. Ne vlerësojmë ecurinë e importit apo gjithë treguesit e tjerë sa i kemi parashikuar sipas kompanive dhe sa kanë qenë realisht, duke bërë rregullimet e nevojshme në të mirë të sistemit në përgjithësi.