Mëkati i borxheve dhe ndëshkimi i mëkatarëve
Nga SELAMI XHEPA, botuar ne PanoramaOnline, 16 dhjetor 2012
Historia e borxheve, ashtu sikurse te mëkati i parë nga gjendet fillimi i njerëzimit nga Eva dhe Adami, fillon të ngjizet rreth 5000 vjet më parë, në Babiloninë e lashtë dhe Mesopotami.
Dëshmitë që na vijnë deri në ditët tona nga qeramikat e bibliotekave të lashtësisë (Duket sikur shkrimi lindi jo për hir të letërsisë dhe historisë, por për të regjistruar transaksione ekonomike e financiare! – shkruan Feruson), dëshmojnë se sistemi i huadhënies ka qenë mjaft i sofistikuar në Babiloninë e lashtë. Ushtrimet matematikore që ndeshen që në kohën e mbretërimit Hammurabi (1792-1750 para Krishtit), sugjerojnë se huat aplikoheshin normalisht dhe se mbi to aplikohej norma e përbërë e interesit, që shkonte rreth 20% në vit. Në librat e historisë financiare të botës ndeshim evidenca të familjeve të mëdha (siç ishte rasti i familjes Egibi të Babilonisë), të cilat u ngritën si pronare të mëdha pasurish dhe huadhënëse të fuqishme, me interesa komerciale financiare që i kalonte caqet e një perandorie të vetme.
Një lexues i pasionuar i historisë së parasë dhe financave do të dallonte lehtësisht se nga këta 5000 vjet histori borxhesh, konkluzioni final, i gjithëpranueshëm dhe i pakundërshtueshëm, është: pa borxhe, historia ekonomike e botës zor se do të kishte njohur ndonjë hop nga stadi i saj i lashtësisë. Pa interpretimin bujar të Testamentit të Vjetër nga Papati dhe veçanërisht pa Reformacionin që nxiti dhe udhëhoqi Protestanizmi, sot nuk do të kishim pasur një realitet veberian të “Etikës Protestante të Kapitalizmit”. Po të vendosnim një paralele me zanafillën e njerëzimit, duhet të pohojmë se edhe historia e ekonomisë zë fill me borxhin, me zhvillimin dhe sofistikimin e tregjeve të borxhit. Pa këtë histori, vështirë se Anglia dhe Europa do të kishin përjetuar Revolucionin Industrial, se Perëndimi do ta kishte tejkaluar Lindjen, se do të ishte ngjizur ky progres material i paprecedentë i shoqërisë njerëzore. Por, si gjithçka tjetër, edhe mëkati ka çmimin e vet; asgjë nuk vjen falas (There is no free lunch – nuk ka ushqim falas – thoshte Freedman). Dhe çmimi i progresit janë krizat, fenomen për të cilin janë shkruar mijëra libra dhe janë zhvilluar gjenerata të tëra modelesh të interpretimit të tyre, që nga Tooke, Overstone dhe Juglar, në shekullin e 18-të (që na vijnë ndër mend për shprehjen e famshme se: I vetmi shkak i Depresionit, është Prosperiteti!) e deri te modelet e Krugman-it të ditëve të sotme.
Zhvillimet nëpërmjet huas dhe borxhit publik dhe privat janë jo vetëm një praktikë mbi 5000-vjeçare, por dhe një teori ekonomike gjerësisht e zhvilluar, e ngritur në “kult” nga John Maynard Keynes, një ekonomist që, pas Karl Marksit, do ta influenconte më shumë se gjithkush tjetër historinë e ekonomisë botërore (dhe të njerëzimit) të shekullit të njëzetë; një teoricien i sofistikuar të cilin borgjezia e cilësonte si socialist (bolshevik) ndërsa Lenini e quante atë si borgjezin e sferave të larta. Që nga koha e përpunimit të kësaj teorie kejnsiane, roli i politikës fiskale në ekonomi vazhdon të mbetet dukshëm bivalente edhe sot e kësaj dite. Pikërisht këtu, te bivalenca e saj, zë fill edhe debati mbi borxhin publik që po zhvillohet sot globalisht, përfshirë edhe vendin tonë, një debat tepër i nxehtë dhe bëhet i frikshëm po të hapësh faqen e internetit http://www.economist.com/content/global_debt_clock nga ku mund të përcjellësh orën globale të borxhit publik (në këtë moment shkrimi kjo orë shënon një borxh global: 49,519,443,665,670 dollarë amerikanë! – duhet shkruar me shpejtësi pasi ritmi i rritjes me shifra mijëshe vjen në çdo fraksion të sekondës). Debati po bëhet i mprehtë se recesioni i stërgjatur në eurozonë dhe në Triadë (SHBA, Japoni, Europë) gjen shumë pak alternativa zgjidhjeje përveçse duke iu drejtuar rritjes së shpenzimeve qeveritare, të cilat, nga ana e tyre, po bëhen gjithnjë e më pak të efektshme.
Në rastin e Shqipërisë, ky debat është bërë veçanërisht i mprehtë për shkak të përdorimit sërish të stimulit fiskal edhe për vitin 2013, duke thyer një rregull buxhetor kufizues të nivelit të borxhit publik prej jo më shumë se 60% të PBB-së dhe duke e rritur këtë kufi edhe me 2-3 pikë për qind. Ky fakt, përfshi dhe dozat e politizimit të debatit mbi ligjin e buxhetit, kanë krijuar një makth që ka kapluar gjithë segmentet e shoqërisë, duke krijuar përfytyrimin e një “Debto-Kalipsi” (kujto: Apo-Kalipsi) që pritet të zërë brenda gjithë shoqërinë. Nuk ka dyshim se ky debat është i hiperbolizuar, edhe pse çdo mendje e arsyeshme e kupton se kjo alternativë e financimit të rritjes nëpërmjet borxheve ka risqet e veta, ashtu sikurse mosveprimi qeveritar me stimul të shtuar fiskal ka gjithashtu risqe po aq, në mos edhe më të mëdha për ekonominë dhe financat e vendit.
Po të ndalemi shumë shkurt te shifra e borxhit prej 60% që ishte në ligjin e buxhetit, është e kuptueshme se kjo shifër nuk ka rezultuar nga ndonjë studim akademik që është kryer për qëndrueshmërinë financiare të vendit, por ishte një dëshirë politike për të transpozuar një klauzolë të Traktatit të Mastrihtit, që themeloi eurozonën. Ky nivel borxhi, në rastin e eurozonës, ka buruar nga një lidhje makroekonomike e deficitit, borxhit, rritjes ekonomike dhe inflacionit, që më konkretisht është: Deficit fiskal (3%) = (rritjen ekonomike (3%) + inflacionin (2%)) * borxhin publik (60%). Ky identitet matematik na lejon qartësisht të dallojmë se vendet që kanë norma më të larta të rritjes ekonomike apo të inflacionit, mundet të kenë norma më të larta të deficitit fiskal dhe të borxhit, siç është rasti i shumë ekonomive periferike të eurozonës, dhe në veçanti i ekonomive të vendeve të Europës Juglindore, përfshi Shqipërinë. Kjo kritikë është theksuar dhe nënvizuar shpeshherë së fundi kur Traktati u revizionua dhe ku ka gjetur vend ideja se çdo vend duhet të përcaktojë nivelin e vet të borxhit publik, një nivel që u përshtatet rrethanave dhe kontekstit të çdo ekonomie individuale. Shqipëria, në këtë kontekst, është me rëndësi parësore që të përcaktojë nivelin e saj të borxhit të qëndrueshëm, një borxhi që e ndihmon dhe jo e kërcënon rritjen ekonomike. Duhet të nënvizoj dhe njëherë, për hir të rëndësisë së argumentit, se jo çdo nivel borxhi është ndihmues dhe jo gjithmonë politika e financimit nëpërmjet borxheve ka të njëjtën forcë dhe eficiencë.
Po të shohim historinë dhe eficiencën e borxheve të ekonomisë amerikane, rezultojnë këto fakte:
– Në dekadën e viteve 1950-1959, borxhi publik u shtua me 338 miliardë dollarë. Për çdo 1$ borxh të shtuar, PBB-ja u shtua me 73 cent.
– Në dekadën e viteve 1990-1999, borxhi u shtua me 12.5 trilionë dollarë. Për çdo 1$ shtesë të borxhit, PBB-së u rrit me vetëm 31 cent.
– Në dekadën 2000-2008, borxhi u rrit me 24.3 trilionë dollarë. Për çdo 1$ borxh të ri, PBB-ja u rrit me vetëm 19 cent. (Shif: H. Lewis, Where Keynes Went Wrong, fq. 105).
Duket qartazi se rritja e borxhit shfaq norma kthimi rënëse (diminishing returns) dhe rritja e tij përtej një niveli (sa?) fillon të bëhet pengesë për rritjen ekonomike dhe rrezik për krizë të borxheve. Përcaktimi i kësaj vlere është një çështje që e tejkalon retorikën politike dhe bëhet subjekt i kërkimit akademik. Disa studime të hershme të kryera nga FMN dhe Banka Botërore janë të ndërtuara me modele cross-country dhe të dhëna statistikore të pamjaftueshme, dhe që kanë një shkallë të lartë gabimi, prandaj dhe një studiues mund t’i kritikojë ato në shumë drejtime. Një sërë indikatorësh që janë shumë të rëndësishëm për modelin, të tilla si rentabiliteti i investimeve publike që financohen me borxhe, eficienca e shpenzimeve qeveritare, rikuperimi i investimeve nga vjelja e tarifave etj., thjesht nuk dihen dhe duhen përcaktuar. Dhe mund të vijohet më tej me ndërtimin e një modeli specifik për të modeluar nivelin e borxhit, e cila tashmë është bërë një çështje urgjente, me qëllim që të ruhen ekuilibrat e brishtë makroekonomikë e fiskalë. Forcat politike duhet të dakordësohen për këtë nivel dhe ta mishërojnë atë në ligjin e buxhetit, ose edhe në Kushtetutë, por duke e shoqëruar edhe me rregulla të tjera ndihmëse fiskale që do të garantojnë moscenimin e këtij objektivi.
Historia 5000-vjeçare e financave tregon se mëkati i borxhit i ka falur njerëzimit kënaqësi dhe prosperitet, por kur mëkatohet me tepricë, njerëzimi është ndëshkuar. Kjo është një thirrje kujdesi që duhet të na diktojë sjelljen tonë në të ardhmen.