Po me bujqësinë çfarë do të bëhet?

Editorial Mapo, 16 shkurt 2019

Mes retorikës vulgare të politikës së ditës kanë nisur të shfaqen disa shkëndija të debatit për politikat ekonomike. Ne e dimë që kjo ndodh, sepse afër janë zgjedhjet, por nuk kemi pse të mos e shfrytëzojmë këtë moment, por hapësirë fatkeqësisht të vogël, për të bërë një pyetje që rëndon sa vetë Shqipëria: po me bujqësinë çfarë do të bëhet?

Bujqësia në vend ka mbetur primitive, me rendimente dhe prodhim të vogël që siguron pak të ardhura për bujqit. Investimet individuale dhe ato publike kanë mbetur të vogla. Prodhimi bujqësor vendas ka pak akses në treg, për shkak të infrastrukturës që mungon dhe shumë prodhime kalben,pa arritur të shiten. Bujku është i çartur në prodhim nga mungesa e politikave mbështetëse dhe importi është bërë gjithnjë sfidues (lexo në brendësi…Bujqësia në vend ende e paorientuar)

Këto janë disa nga problemet e së shkuarës që ende sot nuk kanë përgjigje, por ama janë themelet e këtij sektori. Ndërkohë, bujqësisë shqiptare po i vijnë përballë të tjera sfida që nuk ka si i shmanget. Konkurrenca e vendeve importuese me bujqësi shumë më të zhvilluar po bëhet më e pranishme. Për shkak të angazhimeve të Shqipërisë në proceset liberalizuese dhe integruese me BE, lufta tregtare do të jetë më e fortë dhe pa barriera.

Edhe për shkak të kritereve e kushteve që lidhen me standardet e cilësisë, prodhimet shqiptare do ta kenë më të vështirë të çajnë tregjet jashtë,nëse vijohet me këto kushte. Nga ana tjetër, edhe ndryshimet klimatike, një fenomen që nuk e shmangim dot, po diktojnë nevojën urgjente të gjetjes së avantazhit konkurrues edhe brenda sektorit.

Po pse bujqësia në fillim dhe pastaj të tjerat. Të paktën tri arsye bazë:

Së pari, me bujqësinë është i lidhur drejtpërdrejti ushqimi dhe siguria (cilësia e produkteve)e çdo shqiptari dhe jo vetëm atyre që jetojnë në fshat dhe që pret të përfitojë ushqim më të mirë dhe sa më të lirë nga të mirat që ofron vendi.

Së dyti, nga ky sektor varet e ardhmja e gati gjysmës së popullsisë që jeton në fshat dhe ku nga puna e tyre varet jeta e tyre. Ne nuk i heqim dot të gjithë e t’i çojmë në qytet, për të zgjidhur problemin “deux ex machina”.

Së treti, jemi vendi me ekonominë bujqësore më të lartë se çdo vend tjetër të Europës. Bujqësia jep 19% të PPB, kurse në Kosovë, e renditur e dyta, jep vetëm 9% të PPB-së. Ndërkohë, paradoksalisht në vende të tjera që spikasin në tregjet bujqësore globale, kjo peshë është më e vogël,çka dëshmojnë për prapambetjen e bujqësisë kombëtare.

Atëherë çfarë duhet të bëjmë?Çdokush do të mendonte apriori tri gjëra: dije, para dhe model. Fatkeqësisht të tria këto gjëra, deri tani nuk i kemi ose i përdorim keq. Vetë gjendja e mjerë e bujqësisë dhe e popullsisë në fshat është sot dëshmia më e plotë, por le të japim një shembull të shkurtër e të ri, për këtë konkluzion që thamë më lart.

Ministria e Bujqësisë, institucioni më i drejtpërdrejtë dhe përgjegjës, sot i ngjan më shumë një agjencie turistike, e cila politikat e zhvillimit bujqësor, i ka laboruar si prioritare mbi modelin e zhvillimit të 100 fshatrave që do të udhëhiqen nga agroturizmi. Pora mundet ky model, këto 100 fshatra, të jenë tregu që konsumon gjithë prodhimin bujqësor? A mundet që ky model të krijojë avantazhin konkurrues? A i përgjigjet dot financiarisht çdo fermë këtij modeli në të ardhmen etj.? Përvoja ka treguar se nuk është “fabrika” çelësi i suksesit, por ferma dhe bujku që zhvillojnë bujqësinë.

Vitet e fundit kemi gjetur fakte plot se modeli i stallave, serave të mëdha, ndërmarrjet e grumbullimit dështuan, sepse nuk u plotësuan më parë disa parakushte që lidhen direkt me tokën dhe bujkun. Ndaj mendojmë se çelësi i së ardhmes në bujqësi rri i varur në qafën e bujkut dhe te ferma, por natyrisht drynin e kanë në dorë qeveritë. Ne sot hodhëm një ide dhe bëmë disa pyetje, por bujqësia ka nevojë për një debat të gjerë dhe duhet të jetë më e përfaqësuar në çfarëdolloj politike të re qeverisëse, të çdo aspekti duke pyetur gjithmonë: po me bujqësinë çfarë do të bëhet.

Gjithçka ka rrëshqitur nga duart dhe koha kërkon të gjejmë përgjigjet e mëdha të pyetjeve të bëra prej dekadash, nëse duam të gjejmë se çfarë do na prezantojë e ardhmja.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi