Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes
Thimi Hudhra, Qendra e Analizave të Mbrojtjes, KDS
Ky artikull merr shkas nga procesi i filluar kohët e fundit mbi Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM) të Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës Euroatlantike, dhe aplikant për kandidat i BE-së. Ky proces është iniciuar me një urdhër të veçantë të Kryeministrit të RSH, dhe përfshin angazhimin e një grupi ekspertësh ndërministerialë për një periudhë 1,5 vjeçare.
Rishikimi Strategjik është një proces ciklik i hapur dhe transparent që bëhet çdo 4-6 vjet apo më shumë. RSM-ja është metoda më bashkëkohore e përmirësimit të kapaciteteve të mbrojtjes. Synimi final i RSM-së është drejtimi i procesit afatgjatë të transformimit dhe gjenerimit të reformave në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes.
RSM-ja kryhet kryesisht nga ato vende që kanë institucione të avancuara dhe potenciale intelektuale të spikatura dhe analitike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sot, si vend aleat, Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta bërë këtë rishikim. Inicimi i tij është në kohën e duhur dhe produktet e tij duhet të vlerësohen në nivel maksimal.
Është për tu vlerësuar që Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes së RSH është një nga prioritetet kryesore në axhendën e Ministrit të Mbrojtjes, e shprehur në Direktivën e Mbrojtjes 2011.
Origjina dhe Koncepti i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM)
Ç’është Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM)? Cili është përkufizimi i pranuar i tij? Kur dhe ku e ka origjinën ky proces dhe kush kanë qenë shkaqet e inicimit të tij? Si është përqafuar ai në vende të ndryshme? Kush janë qëllimet dhe objektivat e tij? Cilat janë elementët kryesore të një Rishikimi Strategjik të Mbrojtjes? Dhe më kryesorja, cilat janë gjetjet dhe produktet kryesore të këtij procesi?
Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (në anglisht Strategic Defence Review – SDR) është një proces që e ka origjinën pas Luftës së Ftohtë. Ai lindi si nevojë e ndryshimeve madhore në sigurinë dhe mbrojtjen e vendeve aleate në kuadrin e mungesës së rreziqeve konvencionale për të cilat ato ishin përgatitur të përballonin. Ky ndryshim i ndjeshëm i mjedisit të sigurisë, i shoqëruar me promovimin e shumë faktorëve ekonomikë e socialë, imponuan që shumë shtete të fillonin procesin e abandonimit të kapaciteteve ushtarake “të vjetëruara” dhe të ndërtimit të kapaciteteve të tjera “moderne’, për të përballuar rreziqet dhe kërcënimet e pritshme.
Ky ndryshim i thellë i natyrës së kapaciteteve, nuk mund të kryhej me vendimmarrje të pjesshme, por vetëm me rishikime të thella të gjithë biznesit të institucioneve të sigurisë dhe të mbrojtjes. Kërkimet e bëra në këtë fushë rezultojnë se këto ndryshime të thella mund të arrihen vetëm nëpërmjet institucionalizimit të proceseve periodikë që synojnë transformimin e mentalitetit, të marrëdhënieve, të menaxhimit, të kapaciteteve, e të aspekteve të tjera prioritare.
Për herë të parë, procesi i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes është iniciuar në vitin 1997, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në vitin 1998 nga Mbretëria e Bashkuar. Më pas, ky proces u përkrah nga shumë vende të tjerë si mënyra më e mirë për të kryer reforma të thella në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në Shtetet e Bashkuara, Rishikimi i Mbrojtjes është i institucionalizuar me ligj (Akti që njihet me emrit ‘Title 10’). Ai emërtohet Rishikimi Katërvjeçar i Mbrojtjes (Quadrennial Defence Review – QDR) dhe është iniciuar për herë të parë nga Sekretari i Mbrojtjes i asaj kohe, William Cohen. Që nga ajo kohë, SHBA kanë kryer edhe tre Rishikime, respektivisht në vitin 2001, 2006 dhe i fundit në vitin 2010.
Në Mbretërinë e Bashkuar, procesi emërtohet Rishikim Strategjik i Mbrojtjes u iniciua në vitin 1998 nga ish-Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen, Sir George Robertson, më pas Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Më vonë, Mbretëria e Bashkuar kreu Rishikimin e dytë të saj në vitin 2010, duke e zgjeruar atë në kuadrin e përqasjes gjithëpërfshirëse, duke e emërtuar si një Rishikim Strategjik të Sigurisë dhe të Mbrojtjes – SSDR.
Me tej, shtetet e tjera filluan të kryejnë Rishikime Strategjike të Mbrojtjes së tyre për të aktualizuar zhvillimin e forcave të armatosura me mjedisin e sigurisë së kohës dhe ato të pritshme. Në fillim, vazhdoi Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Kanadaja, Danimarka, Norvegjia e deri tek Hungaria, Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia, vendet Baltike, etj. Pavarësisht se jo në të gjitha rastet dokumenti ka të njëjtin emër, përmbajtja, mesazhet dhe objektivat e “Librit të Bardhë” të Francës, të “Politikës së Mbrojtjes së Bundeswehrit” të Gjermanisë, apo të “Danish Defence Agreement” të Danimarkës, etj, janë Rishikime të pastra Strategjike sipas specifikës së këtyre vendeve.
Eksperienca Kombëtare mbi RSM
Pse Shqipëria duhet të bëjë një Rishikim Strategjik të Mbrojtjes? A do të jemi të aftë të prodhojmë një dokument që të mos mbetet në letër, si disa dokumente të tjerë të periudhës së fundit 20 vjeçare? Cili mund të jetë qëllimi kryesor i këtij Rishikimi Strategjik, dhe cilat mund të jenë specifikat e tij, duke e krahasuar me teorinë dhe praktikën e vendeve të tjera? A ka Shqipëria një eksperiencë të vetën në këtë fushë?
Institucionalizimi i RSM. Gjykoj që tani është e nevojshme që procesi i Rishikimit të Mbrojtjes duhet të jetë proces periodik që duhet të ndjekë edhe vendi ynë për të drejtuar reformat e mbrojtjes në periudhën afatgjatë. Është e vërtetë që në 20 vitet e fundit janë bërë ndryshime të mëdha, por për shkak të eksperiencës së pakët, një pjesë e reformave nuk kanë qenë të thella.
Ka pasur edhe raste kur reformat janë identifikuar vetëm si ndryshime të strukturës organizative të forcave të armatosura. Jo rallë kemi kaluar brenda një periudhe të shkurtër nga një strukturë në tjetrën, vetëm dhe vetëm pse janë fajësuar strukturat në vend të njerëzve që i kanë drejtuar ato. Nga ky realitet, personeli i njësive të FA është ndjerë nën presionin e këtyre “reformave”, gjë që nuk mund të themi se nuk ka ndikuar në uljen relative të performancës së tyre.
Kjo gjë këtej e tutje nuk duhet të ndodhë më. Futja e metodës së Rishikimit periodik të Mbrojtjes synon ti japë fund amatorizmit dhe subjektivizmit të reformave. Ky është një hap pozitiv për tu përgëzuar. Biles, ka ardhur koha që të institucionalizojmë me ligj procesin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, duke e reflektuar atë në Ligjin e autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të FA, i cili është në proces rishikimi.
Eksperienca jonë e RSM. Procesi i RSM nuk është i pari në RSH dhe në Forcat e Armatosura; ai është kryer të paktën dy herë me nivelet më të mira të ekspertizës se përbashkët shqiptaro-amerikane: në vitin 2001-2002 dhe në vitin 2006-2007. Pra, pavarësisht se nuk ka qenë i institucionalizuar, ky do të jetë Rishikimi i tretë Strategjik i Mbrojtjes në RSH.
Rishikimi i parë Strategjik i Mbrojtjes 2001-2002, u krye në bashkëpunim me kompaninë amerikane SAIC (Science Application International Corporation) & CUBIC. Gjetjet e këtij rishikimi u pasqyruan në dy volume. Ky rishikim rezultoi me një strukturë të Forcës Objektive dhe të një Plani Afatgjatë të Zbatimit 2002-2010 për zbatimin e saj. Padyshim ky është Rishikimi më i thellë i Mbrojtjes në FASH, i cili u pasua me reforma të thella jo vetëm në strukturën e tyre. Vlen për tu përmendur që në këtë Rishikim të Mbrojtjes u punua për gati 1,5 vjet nga një ekip drejtues shqiptaro-amerikan dhe 8 ekipe të përbashkëta ekspertësh në fusha të ndryshme, me rreth 50 vetë gjithsej. Po ashtu, nga të dhënat paraprake, gjatë procesit u angazhuan edhe mbi 200 vetë të tjerë, personel ushtarak dhe civil, brenda dhe jashtë forcave të armatosura, si dhe u bënë një numër i konsiderueshëm takimesh në ministritë e ndryshme me peshë në RSM.
Rishikimi i dytë Strategjik i Mbrojtjes 2006, u zhvillua si një Vlerësim i Mbrojtjes së FASH në koordinim me DFI & ALION, të financuar nga zyra e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA. Pothuaj, paralelisht me këtë vlerësim u krye edhe një Vlerësim i Mbrojtjes i kryer nga Komanda e NATO-s për Transformimin (ACT). Të dy këta vlerësime kishin shumë gjera të përbashkëta, por edhe disa përqasje të ndryshme, që nuk janë objekt i këtij shkrimi. Edhe këto Vlerësime të Mbrojtjes kishin vlerat e tyre të cilat u shprehën në reforma sektoriale të çështjeve të mbrojtjes.
Sa më sipër, mendoj se mund të shërbejë si bazë mirë startimi për Rishikimin e Mbrojtjes 2011-2012 të vendit tonë. Po ashtu, disa persona të spikatur që u aktivizuan në Rishikimet e kaluara, dhe që tani janë në rezervë, mund të aktivizohen me kohë të pjesshme. Metoda e përdorur mund të avancohet, procesi mund të përmirësohet, mësimet e nxjerra mund të reflektohen. Kemi disa volume me mbi 1200 faqe të shkruara mbi Rishikimet e mëparshme të Mbrojtjes. Pra, kemi se çfarë të mësojmë nga ajo që kemi bërë.
Si ka filluar dhe vijon procesi i RSM 2011 në RSH?
Miratimi i Konceptit Strategjik të NATO-s në Samitin e Lisbonës hapi rrugën për reforma të thella në Aleancën Euroatlantike dhe në vendet anëtare të saj. Reformat që kërkohet të kryhen janë shumë-planëshe dhe komplekse. Aq më shumë, ato parashikohet të kryhen nën efektet e pas-krizës financiare, të drejtuara nga koncepti i Sekretarit Rasmussen për një “smart defence”.
Shumë vende aleate kanë filluar një proces të Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM), ndër të cilat edhe Shqipëria. Ky është një reflektim i përgjegjshëm për tu përshëndetur ndaj reformave që promovon Koncepti Strategjik. Ky proces do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA.
Procesi i RSM-2011 po kryhet në nivel ndërinstitucional, sipas Urdhrit të Kryeministrit, Nr. 50 dt. 12.04.2011 “Për ngritjen e Grupit Ndërministror të Punës për përgatitjen e dokumentit për Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes të RSH”. Ky grup kryesohet nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Arian Starova. Institucionet kryesore të përfshira në këtë proces janë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Fazat e Procesit RSM. Procesi i RSM-së ka filluar në Prill 2011 dhe do të kryhet brenda një afati kohor prej 18-muajsh, sipas një programi të qartë dhe gjithëpërfshirës. Gjashtë fazat kryesore të këtij procesi do të jenë:
– Faza e I-rë, përfshin ngritjen e Grupit Ndërministror të Punës për RSM, grupet e punës respektive për çdo ministri, ngritjen e Sekretariatit të RSM, si dhe përgatitjen e dokumentacionit fillestar për fillimin e procesit të RSM-së. Në këtë fazë evidentohet mjedisi ku veprohet, pra shqyrtohen aspektet ligjore, trashëgimia dhe përvoja specifike e vendit etj.
– Faza e II-të, përfshin aspekte të kuptimit dhe përcaktimit të kuadrit të politikës së sigurisë kombëtare, nëpërmjet analizës së dokumenteve ekzistuese strategjik kombëtar, si dhe përgatitjes së vlerësimit të mjedisit strategjik në nivel kombëtar. Gjatë kësaj faze do të vijojë identifikimi i objektivave dhe interesave kombëtare e institucionale, si dhe përcaktimi i rolit dhe misionit të ministrive dhe agjencive të ndryshme të përfshira në sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.
– Faza e III-të, përfshin zhvillimin e skenarëve të planëzimit të lidhura me mbrojtjen e vendit. Në bazë të këtyre skenarëve do të diskutohet edhe roli i institucioneve kryesore që lidhen me mbrojtjen kombëtare, duke synuar një përqasje gjithëpërfshirëse të instrumenteve politik, ekonomik, social, mjedisor dhe ushtarak.
– Faza e IV-t, përfshin përcaktimin e detyrave kryesore të misionit dhe zhvillimin e një analize të detajuar lidhur me mungesat apo tepricat e kapaciteteve që mund të evidentohen për mbrojtjen kombëtare.
– Faza e V-të, përfshin gjetjen dhe zhvillimin e opsioneve për kapacitetet e kërkuara, duke i parë të lidhura ngushtë me aspektet financiare. Kjo fazë do të kërkojë përgatitjen dhe propozimin e kurseve të veprimit para autoriteteve vendim-marrësve në nivel strategjik.
– Faza e VI-të, përfshin paraqitjen e gjetjeve kryesore për RSM-në, si dhe nxjerrjen e akteve përkatëse ligjore e nënligjore për zbatimin e tyre në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
Zhvillimi i të gjitha këtyre fazave do të bëhet në bashkëpunim me ekspertë të fushave të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes dhe koordinim të ngushtë me palën amerikane duke organizuar takime, workshope dhe “tavolina të rrumbullakëta”. Transparenca ndaj institucioneve të tjera dhe ndaj publikut do të jetë një nga tiparet e procesit të RSM-së. Ky shkrim i shërben pikërisht këtij qëllimi.
Karakteristikat kryesore të RSM-së
Përqasja Politike. Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes është një përpjekje dhe proces me kontekst politik. Ai është iniciuar dhe shpreh vullnetin politik të autoriteteve të larta për zhvillimin e reformave në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Për të qenë sa më gjithëpërfshirës, RSM-ja synon të përdorë dhe përfshijë në proces të gjithë mekanizmat, kapacitetet institucionale, institucionet kërkimore, shoqërinë civile, personalitete të shquar, mediat, organizatat jo-qeveritare, dhe aktorë të tjerë të interesuar.
Megjithë përqasjen politike të procesit, synimi është që gjetjet dhe produktet e RSM të mos influencohen nga politika. Ato do të jenë rezultat i një analize të thellë dhe të pavarur të ekspertëve të fushave të ndryshme që përfshin ky proces.
Në fund të procesit, pranimi i gjetjeve të tij është përsëri politik. Zgjedhjet e politikës mbi përfundimet dhe gjetjet e RSM-së mund të jenë të ndryshme; ajo mund ti pranojë ose mund të mos i pranojë ato, apo mund të kërkojë zgjidhje të tjera të ndërmjetme bazuar në ‘trekëndëshin e famshëm të Bartlett’: objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends ways and means). Nëse gjetjet shprehin objektiva (ends) që kërkojnë më shumë burime financiare (means) mund të gjenden mënyra të tjera (ways) për kompensimin e kapaciteteve ushtarake të nevojshme për përmbushjen e tyre, apo ato mund të shtrihen në një kohë më afatgjatë për tu realizuar. Teoria na jep dhjetra mënyra të tjera për të balancuar trekëndëshin me anë të negociatave të tipit trade-offs midis politikanëve dhe ekspertëve të lartë, për të përmbushur gjetjet finale të Rishikimit Strategjik.
Produktet/ gjetjet e RSM.
Gjetjet kryesore të Rishikimit Strategjik ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Secili shtet ka specifikat e tyre, por shumica e shteteve kanë gjëra të përbashkëta. Ajo që i bashkon të gjitha shtetet që kryejnë një RSM është përcaktimi dhe gjenerimi i një numri reformash afatgjata për përmirësimin e performancës, kapaciteteve, menaxhimit, dhe koordinimit të instrumentit të mbrojtjes kombëtare për avancimin e interesave kombëtare.
Një gjetje e rëndësishme e RSM do të jetë përcaktimi i rolit, misionit dhe detyrave të forcave të armatosura në mjedisin e ardhshëm të sigurisë. Natyrisht roli, misionet dhe detyrat mund të jenë të përafërta në parim, por mënyra sesi ato do të përmbushen dhe kapacitetet që do të kërkohen për përmbushjen e tyre, do tu nënshtrohen ndryshimeve të ndjeshme.
Një gjetje tjetër është edhe saktësimi i skenarëve/ situatave të planëzimit. Bazuar në rolet dhe misionet e ardhshme të Forcave të Armatosura, pika fillestare e gjetjeve të RSM-së do të jenë skenarët/ situatat e planëzimit ku mund të angazhohen njësitë e forcave të armatosura në spektrin e operacioneve luftarake dhe jo-luftarake brenda dhe jashtë vendit. Përcaktimi i këtyre skenarëve do të ketë efekte direkte mbi organizimin, trajnimin, arsimimin, doktrinat, pajisjet, infrastrukturat dhe cilësitë e forcës së ardhshme.
Pas përcaktimit të tyre, gjetja tjetër e rëndësishme e RSM-së ka të bëjë me kapacitetet që i nevojiten forcave të armatosura për tu angazhuar në skenarët e planëzimit në planin afatgjatë. Paralelisht, RSM-ja bën një vlerësim midis kapaciteteve të ardhshme dhe atyre ekzistuese, duke evidentuar boshllëqet dhe tepricat e kapaciteteve. Më tej, RSM-ja mund të japë organizimin e kapaciteteve të nevojshme në një strukturë organizative të forcës së armatosur, e cila do të quhet struktura objektiv 2020.
Përcaktimi i strukturës së ardhshme të forcës do të bëhet në përputhje me mbështetjen financiare të parashikuar në periudhën afatgjatë. Mbështetja financiare mund të ushtrojë ndikimin e saj për mirë apo për keq në zhvillimin e forcës së dëshiruar. Mbështetja financiare mund të parashikohet në përqindje të GDP, duke vlerësuar njëkohësisht edhe disa supozime në interes të planifikimit afatgjatë (si rritja vjetore e GDP, inflacioni etj).
Po ashtu, gjetjet e tjera kanë të bëjnë me reformat e menaxhimit të institucionit të mbrojtjes; si aplikimi i metodave moderne të menaxhimit të institucionit, të strukturave të integruara të drejtimit, të menaxhimit të burimeve, të planëzimit të centralizuar dhe ekzekutimit të de-centralizuar, etj, që mund të jenë objekt i një shkrimi tjetër.
Procesi i RSM.
Planëzimit të kujdesshëm dhe respektimit të etapave të procesit i është vënë një rëndësi e veçantë. Teorikisht dhe praktikisht, procesi i RSM-së është konceptuar dhe ndarë në disa hapa kryesore. Secili hap i procesit ka afatin/periudhën e vet kohore, ka produktin/produktet e veta, si dhe personat/institucionet përgjegjëse. Është vlerësuar si shumë e rëndësishme që secilit hap ti atashojmë gjithashtu edhe njësinë matëse të progresit të tij.
Në këtë kontekst, ndër hapat kryesore të procesit të RSM-së janë rreshtuar: evulimi i rolit dhe misionit të forcave të armatosura në dhjetëvjeçarin që po kalojmë, ngritja e skenarëve/ situatave të planëzimit ku do të angazhohen ato, përcaktimi i kapaciteteve përkatëse të tyre, eliminimi i kapaciteteve të vjetëruara, zhvillimi i kapaciteteve të reja, zhvillimi i strukturës së forcës së ardhshme, komandimi dhe drejtimi operacioneve të ardhshme, zhvillimi i planeve të modernizimit, i planeve të infrastrukturës, i planeve buxhetore, i reformave të menaxhimit, dhe i planeve të tjerë themelore për 20 vitet e ardhshme.
Për të bërë sa më sipër me cilësinë e nevojshme, RSM-ja është bazuar në një vlerësim realist të mjedisit të ardhshëm të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale dhe tendencat e zhvillimit të tij për 10-20 vjet përpara, duke rekomanduar prioritetet strategjike dhe përqasjet më të mira për përballimin e kërcënimeve dhe rreziqeve e ardhshme, dhe shfrytëzuar edhe oportunitetet e mundshme.
Programi i RSM.
Kohëzgjatja e procesit të Rishikimit të Mbrojtjes të RSH do të jetë 1,5 vjet. Ai ka filluar në Prill 2011 dhe do të mbarojë në Shtator 2012. Në vartësi të kohës së dhënë në dispozicion, është bërë një program i detajuar i tij. Në pamje të parë kjo duket një kohë e gjatë, por në fakt, kjo kohë është e nevojshme për tu dhënë zgjidhje të qëndrueshme çështjeve themelore në axhendën e reformave të mbrojtjes.
Programi i procesit RSM është bërë në mënyrë graduale dhe logjike. Psh, fillimisht është bërë vlerësimi i mjedisit të ardhshëm strategjik dhe pastaj vlerësimi i kapaciteteve përkatëse për përballimin e kërcënimeve dhe rreziqeve që ai evidenton. Apo, në fillim do të përcaktohen kapacitetet operacionale të nevojshme dhe pastaj do të bëhet struktura organizative e Forcave të Armatosura. E kështu me radhë.
Rreshtimi në mënyrë logjike dhe graduale i problemeve dhe shtrimi i pyetjeve të drejta që kërkohet tu jepet zgjidhje është pjesa e parë më e rëndësishme, që do të orientojë suksesin në fazën e dytë. Shtrimi i shtrembëruar i çështjeve mund të bëjë që puna të çalojë në zbatimin e procesit.
Metoda e RSM.
Synohet që Rishikimi Strategjik të mos jetë një punë e mbyllur që kryhet nga ‘zyra’. Programi 1,5 vjeçar parashikon një program të larmishëm aktivitetesh me individë, autoritete, personalitete, grupe, institucione dhe komunitete të interesit, si takime, konsultime, anketime, vëzhgime, mësime të nxjerra, kërkime apo studime krahasuese, si dhe marrjen e eksperiencës së vendeve të tjera që e kanë kryer këtë proces kohët e fundit.
Për këtë qëllim, parashikohet që programit të Rishikimit Strategjik ti bashkëlidhet edhe një program të studimeve apo kërkimeve përkatëse. Për këto do të përdoren tezat kërkimore të KLO, tezat e programeve Master dhe Doktoraturë, apo të studimeve të tjera të Akademisë së Mbrojtjes, të Qendrës së Analizave të Mbrojtjes, dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore e të arsimimit dhe trajnimit të FASH, apo dhe jashtë tyre.
Grupi i Ekspertëve të MM ka në axhendën e tij që testojë të gjitha produktet/ gjetjet e RSM nëpërmjet takimeve, metodave të tipit “brainstorming” apo “round tables”, apo edhe nëpërmjet seminareve e konferencave shkencore specifike. Nuk do të quhet e mbyllur një çështje e caktuar pa marrë konsensusin e të gjithë institucioneve/ njësive/ aktorëve të interesuar.
Përfshirja në RSM.
Është vlerësuar që Rishikimi Strategjik të synojë një përfshirje të gjerë të ekspertëve dhe analistëve më të mirë kombëtarë në të gjitha fushat që ai do të eksplorojë, duke mos përjashtuar asistencën ndërkombëtare. Puna e integruar në ekip është ndër faktorët vendimtarë për gjetje realiste dhe të koordinuara të kësaj RSM-je. Gjithëpërfshirja, mundësisht e një numri sa më të madh ekspertësh (jo në kuptimin e vijës së masës), do ta bëjë produktin e RSM-së jo vetëm shumë përfaqësues, por edhe më të zbatueshëm në praktikë.
Si shembull, mund të sjellim përvojën e ndjekur në zhvillimin e Konceptit Strategjik të Aleancës, të zhvilluar në një periudhë më shumë se një vjeçare, të ndarë në tre faza, e të drejtuar nga “Grupi i të Urtëve” me rreth 15 vetë. Në procesin e zhvillimit të tij u angazhuan direkt dhe indirekt më shumë se 6000 personalitete në spektrin e fushave të sigurisë, nga mbi 40 shtete, si dhe mbi 400 organizma jo-qeveritarë dhe ndërqeveritarë. Po ashtu, në RSM-në e Polonisë, e kryer vetëm 4 muaj më parë, grupi drejtues kryesor u mbështet nga 7 grupe pune të fushave kryesore të ekspertizës, ku u përfshinë 500 ekspertë të fushave të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit të mbrojtjes. Apo, në Librin e Bardhë të Francës, ku Presidenti Sarkozi angazhoi rreth 50 personalitete të fushave të ndryshme dhe rreth 600 organizma dhe aktorë të tjerë.
Në rastin e RSM të RSH, ky rishikim ka angazhuar, përveç institucionit të mbrojtjes, edhe institucione të tjera të sigurisë që lidhen me politikat e mbrojtjes, si diplomacinë, financat, rendin, drejtësinë, etj. Përfshirja e këtyre ekspertëve ja rrit vlerat Rishikimit të Mbrojtjes, si dokument me karakter kombëtar dhe jo vetëm i institucionit të mbrojtjes.
Çfarë synon RSM 2011-2012 në RSH?
Shqipëria është tashmë një vend anëtar i Aleancës. Atributet si vend anëtar i japin Shqipërisë mundësinë të ri-shikojë kapacitetet ushtarake të saj, duke pasur parasysh situatën e re të përfitimeve dhe kontributeve që rrjedhin nga anëtarësimi. Synimi kryesor i RSM 2011-2012 është: Cilat do të jenë kapacitetet e ardhshme të FA të RSH?
Normalisht, që të zhvillojmë kapacitetet e nevojshme duhet fillimisht të përcaktojmë nivelin e ambicjes kombëtare. Kush do të jetë Shqipëria dhe forcat e armatosura të saj, çfarë roli do të luajmë ne në axhendën e organizatave ndërkombëtare të sigurisë? Po ashtu, çfarë roli do të luajnë forcat e armatosura në spektrin emergjencave të brendshme? Si do të ndahet pesha e kapaciteteve midis institucioneve kombëtare të sigurisë për të evituar dublikimet?
Si vend i vogël dhe me burime të kufizuara, gjykoj që Shqipëria duhet të ketë kapacitete plotësisht të justifikuara? Ky rishikim strategjik duhet ti shpallë luftë kapaciteteve parazitare, kapaciteteve paralele, dhe kapaciteteve që u ka kaluar koha.
Po ashtu, gjykoj që Shqipëria nuk mund të ketë kapacitete kombëtare të veçanta për jashtë vendit, dhe kapacitete të tjera për brenda vendit. Po ashtu, ne nuk mund të kemi kapacitete të veçanta për NATO-n, dhe kapacitete të tjera për BE-në, OKB-në, apo koalicionet e ardhshme. Rekomandojmë që, në kuadrin e nivelit të ambicjes kombëtare, ky RSM të promovojë konceptin e zhvillimit të një “grupimi të vetëm forcash – single set of forces” për operacione kombëtare dhe ndërkombëtare, me kapacitete civile dhe ushtarake.
Disa Specifika të RSM 2011.
Mbi bazën e eksperiencës kombëtare dhe ndërkombëtare të trajtuar më sipër, po japim në vijim disa nga specifikat, synimet dhe objektivat e këtij Rishikimi Strategjik të Mbrojtjes 2011.
Nga një vështrim nga brenda FA, lind natyrshëm pyetja: Çfarë synojnë të bëjnë me këtë Rishikim të Mbrojtjes? Çfarë mund të ndryshojmë më tej në këtë forcë kaq të vogël prej jo më shumë se 12 mijë vetë forcë aktive? Ku do të shkojmë më tej? Çfarë mbetet realisht për të ndryshuar?
Ndërsa nga një vështrim nga jashtë FA, pyetja mund të artikulohet ndryshe: Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, synon BE-në, dhe si e tillë, një forcë 12 mijë vetëshe është shumë. Kemi prioritete të tjera deri sa nuk kemi kërcënime imediate ndaj sigurisë së vendit. A nuk shpenzojmë shumë për mbrojtjen kur justifikohet pak?
Këto pyetje janë të natyrshme dhe duhet të mirëkuptohen nga këndvështrimi dhe sensibilizimi i njëanshëm që ato paraqesin. Një gjë është e sigurt: forcat e armatosura i nënshtrohen kontrollin civil të autoriteteve të ligjshme, dhe vullnetit të taksapaguesve shqiptarë. Pra, sasia e tyre, misioni, burimet financiare, kuadri ligjor dhe politikat e zhvillimit, etj, nuk janë atribut i ushtarakëve, por i ligjvënësve civilë.
Elementët e RSM-2011. Rishikimi Strategjik i RSH duhet të vlerësojë më prioritet zhvillimin e kapaciteteve specifike të FA në planin afatgjatë. Jo patjetër procesi i RSM-2011 i RSH duhet të trajtojë të gjitha çështjet që trajton një Rishikim Strategjik klasik, si QDR 2010 i SHBA, apo SSDR i Anglisë, të cilët i kushtojnë vëmendje prioritare kapaciteteve bërthamore, mbrojtjes raketore, nën-ujore, mbi-ujore, të hapësirës satelitore, të goditjes strategjike globale, atyre cyber, etj, që nuk kanë relacion me rastin tonë.
Dy elementë kryesorë janë pasur parasysh para fillimit të procesit të RSM: e para, shfrytëzimi i eksperiencës dhe metodologjisë të përdorur nga RSM-të e mëparshme ndërkombëtare dhe kombëtare, dhe e dyta, përcaktimi që në fillim të procesit i çështjeve themelore të RSM-2011 që janë specifike për realitetin shqiptar.
Disa nga pyetjet kryesore që do të kërkojnë përgjigje analitike në RSM-2011 të RSH mund të jenë: kush do të jetë mjedisi i ardhshëm i sigurisë në 10 vitet e ardhshme; si do të evulojnë interesat dhe objektivat kombëtarë; cili do të jetë niveli i ambicjes i RSH ne fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes; si do të evulojë spektri i rolit, misioneve dhe detyrave të FA; cili do të jetë roli i instrumenteve të tjerë të fuqisë kombëtare; cilët do të jenë skenarët strategjikë/ situatat e planëzimit të angazhimit të FA; cilët do të jenë kapacitetet e ardhshme ushtarake dhe civile; resurset e ardhshme kryesisht financiare në dispozicion; reformat e menaxhimit të mbrojtjes; marrëdhëniet bilaterale, rajonale dhe aleancat; reforma e sistemit të trajnimit dhe arsimimit; reforma e menaxhimit të burimeve të mbrojtjes, njerëzore, materiale dhe financiare; modernizimi i FA; kërkimi dhe zhvillimi në FA; struktura e ardhshme e FA; reforma e komandim-kontrollit të FA; reforma për konsolidimin e Ministrisë së Integruar të mbrojtjes, etj.
Sa më sipër, një nga reformat që duhet të promovojë RSM-ja jonë duhet të jete reforma e sistemit të planifikimit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Akoma sistemi i planifikimit të mbrojtjes është i mbarsur me disa elementë të kohës kur vendi ynë ishte vend partner dhe aspirant. Ky RSM duhet të analizojë elementët kryesore të aktualizimit të planifikimit të mbrojtjes së RSH si vend aleat, duke harmonizuar planifikimin e mbrojtjes kombëtare me planifikimin e mbrojtjes kolektive, në kohë, dokumente, procese, metodologji, kapacitete dhe produktet përkatëse.
Një drejtim tjetër i reformave është ai i skenarëve ku mund të përdoren njësitë e forcave të armatosura; në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. RSM do të japë një panoramë të plotë të spektrit të operacioneve që do të angazhohen forcat e armatosura deri në vitin 2020. Ajo duhet të bazohet në 3 tipet e misioneve të NATO-s, në 17 llojet e detyrave, dhe 39 skenarët/ situatat e planëzimit. Natyrisht, ne nuk do të marrim pjesë në të gjithë këtë spektër, por duhet të përzgjedhim spektrin tonë të skenarëve me koefiçentët përkatës të intensitetit të veprimeve luftarake. Kjo do të shërbejë për të ndërtuar kapacitetet tona të nevojshme.
RSM do ti përgjigjet pyetjes nëse forca e ardhshme do të jetë një forcë tradicionale apo një forcë modulare me kapacitete të vogla dhe të afta për të vepruar në mjedisin e ardhshëm të sigurisë. Sipas parashikimeve, e ardhmja e operacioneve të FA do të jetë veprimi i tyre në formatin ‘task force’ modulare të vogla të nivelit kompani deri në batalion, maksimumi deri në grup-batalion të përforcuar. Kjo tregon që struktura tradicionale e një force të vogël si e jona mund të mos jetë më e përshtatshme, përveç se honorifike, përfaqësuese, dublikuese, dhe shpesh herë penguese. Reforma e reduktimit të shtabeve dhe e forcimit të kapaciteteve, mund të jetë një nga elementët e Rishikimit të Mbrojtjes
Po ashtu, një drejtim tjetër i Rishikimit do të jetë zhvillimi i konceptit të kapaciteteve kombëtare në vend të kapaciteteve paralele të disa institucioneve shtetërore në tokë, ajër dhe det. Në disa aspekte ka progres, por akoma ka edhe palosje dhe dublikime të kapaciteteve të institucioneve shtetërore të disa ministrive. Kjo RSM do të japë mesazhe të forta për kapacitete sipas misionit. Pra, nevojitet më shumë bashkëpunim ndërinstitucional për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare, të koordinuar në nivel qeveritar.
Një vëmendje prioritare RSM-ja do ti kushtojë zhvillimit të kapaciteteve cilësore për të gjithë spektrin e Emergjencave Civile kombëtare. Imazhi publik por edhe justifikimi i forcave te armatosura rritet ndjeshëm kur ato i shërbejnë komunitetit. RSM-ja do të mbështesë konceptin e sotëm të reformës në sistemin e sigurisë, që i përcakton forcat e armatosura, dhe të gjitha instrumentet e tjerë të sigurisë, si shërbime publike në interes të komunitetit, si të gjitha shërbimet e tjera.
Krahas misioneve kombëtare, RSM-ja do të vlerësojë zhvillimin e kapaciteteve në zbatim të Objektivave të Forcës (FG) ushtarake dhe civile në planin afatgjate; kryesisht të grupimit taktik të nivelit Grup-Batalion i përforcuar. Konsolidimi i kompletimit, pajisjes, stërvitjes, mbështetjes, doktrinës së përdorimit, apo të drejtimit të kësaj njësie ‘task forcë’ do të kërkojë kohë dhe përpjekje disa vjeçare. Po ashtu, përdorimi i grup-batalionit apo i çdo ‘task force’ në operacione ndërkombëtare do të kërkojë kapacitete mbështetëse cilësore të tipit ‘enabling capabilities’, si ato të NNEC-ut, të SATCOM-it, të mbrojtjes së forcës, të ISTAR-it, të CIMIC-ut, të EOD-së, të C-IED-së, të NSE, etj, për një dislokueshmëri në nivel 10 me 50% të kapaciteteve tokësore etj.
Në zhvillimin kapaciteteve, RSM-ja mund të orientojë përqasje të reja që sugjerohen edhe nga Koncepti Strategjik i Aleancës, ku në mënyrë të veçantë vlerësojmë ndërtimin e kapaciteteve rajonale, në mënyrë të veçantë me Republikën e Kosovës. Po ashtu, zhvillimi i një koncepti për kapacitetet ‘niche’ të forcave të armatosura është akoma një fushë që do të vlerësohet më thellë nga kjo RSM.
Përveçse sa më sipër, RSM do të promovojë nevojën për ndryshime të mëtejshme ligjore në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes për 10 vitet e ardhshme, në interes të reformave që mund të gjenerohen në të ardhmen.
Çështje të tjera mund të përfshijnë konsolidimin e forcës profesioniste si dhe vlerësimin e zhvillimit afatgjatë të një komponenti rezervë vullnetar të Forcave të Armatosura. Po ashtu, një rishikim i infrastrukturave të FA është e nevojshme të jetë një nga elementet e RSM. Nuk mund të përjashtohet konsolidimi i proceseve të blerjeve të pajisjeve dhe sistemeve madhore të FA, të cilat duhet të afrohen ne nivelin e rreth 20% të buxhetit të mbrojtjes.
Sistemi i trajnimit, arsimimit, stërvitjeve dhe vlerësimit (Creval, Taceval, Mareval) duhet të jetë pjesë e RSM-së, për t’ju përshtatur spektrit të operacioneve të skenarëve të ardhshme. Reforma doktrinore, standardizimi dhe mësimet e nxjerra duhet të kthehen ne procese institucionale në FA. RSM-ja duhet të zhvillimin e një force të bazuar mbi dijen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të vetvetes.
Në konkluzion, gjykoj që procesi i RSM-së është një proces kompleks dhe i vështirë. Megjithëse fokusohet në nivel strategjik, RSM përcjell efekte të thella në nivelin operacional dhe në atë taktik. Ai sjell reforma dhe transformime të thella në mënyrën se si do të drejtojmë, si do të menaxhojmë, si do të planifikojmë, si do të trajnohemi, si do të luftojmë, si do të shpenzojmë, dhe si do të koordinojmë?
Për këtë arsye, i gjithë personeli ushtarak dhe civil i FA është i mirëpritur të jetë pjesë e procesit të RSM-së, duke shprehur hapur mendimet e tyre, si për RSM-në në tërësi, ashtu edhe për njësinë ku ata bëjnë pjesë.