Shqipërisë i refuzohet statusi, dialogu politik i qëndrueshëm është themelor për realizimin e reformave për të ardhmen evropiane të Shqipërisë

12.12.2012

Mbas përfundimit të takimit djeshëm të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, në komunikatën e dhënë për mediat, Këshilli vlerëson se do të vendoset për dhënien e Statusit të vendit kandidat Shqipërisë sapo të jenë përmbushur tre reformat e përcaktuara në rekomandimit e Komisionit Europian, përfshirë dhe veprimet e mëtejshme nga ana e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar. Këshilli mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar 12 prioritetet kyçe të vendosura nga Komisioni në Opinionin e vitit 2010. Këshilli vëren se dialogu i përmirësuar mes qeverisë dhe opozitës, pas marrëveshjes së nëntorit 2011, ka lejuar Shqipërinë që të bëjë progres të mirë në përmbushjen e kritereve politike për anëtarësim në BE. Shqipëria ka realizuar disa reforma kyçe sa u përket 12 prioriteteve, veçanërisht në fushën e funksionimit të parlamentit, reformën zgjedhore dhe zgjedhjeve e zyrtarëve kyç. Këshilli vëren vlerësimin e Komisionit se Shqipëria ka plotësuar katër nga prioritetet kyçe dhe është drejt rrugës për të plotësuar dy të tjera. Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë që të shmangë deklaratat që shkojnë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Këshillin nënvizon nevojën për të intensifikuar më tej përpjekjet e identifikuara në raportin e Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave në gjyqësor për të forcuar pavarësinë e tij, eficencën dhe përgjegjshmërinë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të gjithë minoriteteve, si dhe implementimin e reformave. Mbajtja me sukses e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin normal të institucioneve demokratike në vend. Dialogu politik i qëndrueshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në të gjitha fushat e mbuluara nga prioritetet kyçe do të mbeten themelore për implementimin e reformave të nevojshme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

-Këshilli thekson rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat pas plotësimit të masave kyçe në fushën e gjyqësorit, në reformën e administratës publike dhe rishikimin e rregullave parlamentare. Me perspektivën për të vendosur se kur do jepet statusi kandidat, Këshilli e fton Komisionin të raportojë në Këshill sa më shpejt për progresin e nevojshëm që është arritur, duke marrë parasysh veprime të mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshi hetimet proaktive dhe procedimin e rasteve të tilla.

-Në përputhje me konkluzionet e 5 dhjetorit 2011, Këshilli thekson se hapja e negociatave të anëtarësimit do të merret në konsideratë nga Këshilli Europian, në përputhje me praktikat e vendosura pasi Komisioni të ketë vlerësuar se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme të plotësimit të kritereve të anëtarësimit dhe ka plotësuar në veçanti 12 prioritetet kyçe të vendosura në Opinionin e Komisionit në vitin 2010. Implementimi i qëndrueshëm i reformave dhe plotësimi i të gjitha prioriteteve kyçe do të kërkohet nga Shqipëria për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE. siç nënvizohet në rekomandimin e Komisionit, Këshilli bën thirrje për një fokus të veçantë tek: Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare; forcimi i pavarësisë, eficencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë; përpjekje të vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi hetime proaktive dhe procedimin për të krijuar një regjistër solid; masa efektive për të mbrojtur të drejtat e njeriut, përfshi këtu fushën e minoriteteve; dhe implementimi i të drejtave të pronës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi