Qeveria e premtimeve boshe është pa prioritete
Ylli Bufi, Diskutim per projekt buxhetin e vitit 2009
Kuvend, 21.11.2008
Në fjalën time unë dua të ndalem tek shpenzimet e buxhetit. Për vitin 2009 do të shpenzohen nga buxheti i shtetit 383 miliard leke ose afro 4 miliard dollarë. Nëse krahasohemi me buxhetet e disa vendeve të tjera kjo vleftë mund të duket modeste, por nëse kemi parasysh përmasat tona, dhe sidomos ritmin e shpejtë të rritjes së buxhetit nga viti në vit, duhet të gjithë të shqetësohemi shumë më tepër se ku shpenzohen këto para dhe sa ato ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Çdo vënd dhe çdo qeveri harton strategjitë, prioritetet dhe politikat e veta të zhvillimit, në përputhje me të cilat ajo alokon burimet financiare për të siguruar impakt më të madh në zhvillimin e vendit. Megjithëse qeveria jonë flet shumë për strategjitë e zhvillimit, realiteti është krejtësisht tjetër gjë. Në këto 4 vjet qeveria nuk ka mundur dot të programoj prioritetet e zhvillimit sepse ajo ka qënë e fundosur nga premtimet e saj elektorale.Ajo që thotë qeveria dhe maxhoranca është krejt e ndryshme nga ajo që përmbahet në buxhetet e saj.
Duke filluar nga viti 2000 Ministria e Financave filloi hartimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social si dhe dokumentin e Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA). Kështu u sigurua nje kuadër i qëndrueshëm planifikimi afatmesëm, brënda të cilit filloi të planifikohen buxhetet vjetore si edhe u krijua lidhja midis politikave të Qeverisë dhe alokimit të fondeve buxhetore vjetore. Tashmë ky proçes i rëndësishëm programimi aktualisht është thuajse jo funksional. Vetëm në mars të këtij viti qeveria miratoi dokumentin e Strategjisë Kombëtare (tani quhet për zhvillim dhe integrim) për periudhën 2007 – 2013 dhe nga 37 strategji sektoriale dhe ndërsektoriale deri tani janë miratuar vetëm 13, të tjerat thuhet se janë në proçes. Pra, vetëm në vitin e saj të fundit qeveria u kujtua të rifillojë këtë proçes të nisur që në vitin 2000. Natyrisht as që bëhet fjalë për të konsideruar strategjitë e zhvillimit të qarqeve. PBA po kryen vetëm funksionin e kornizës makroekonomike dhe nuk ka asnjë lidhje me strategjitë dhe prioritetet e zhvillimit. Largimi i Departamentit të Strategjive nga Ministria e Financës dhe vendosja në Kryeministri mesa duket e ka thelluar më tej këtë mosfunksionim. Kjo ka reflektuar negativisht në planifikimin e buxheteve sektoriale sipas prioriteteve.
Unë kam marrë të dhënat e tabellës së shpenzimeve sipas klasifikimit funksional të buxheteve vjetore, që nga viti 2001 dhe deri në projektbuxhetin e 2009, në vleftë absolute, referuar (në %) PBB si dhe pjesën që ato zënë në shpenzimet e përgjitshme dhe kam hartuar një tabellë përmbledhësë sipas sektoreve. Nga vitit 2001 deri në 2007 janë shifrat e realizuara të shpenzimeve (Fakti) kurse per 2008 dhe 2009 janë ato të planifikuara. Shikoni se çfarë rezulton:
Përqindjet e shpenzimeve sipas sektorëve, qofshin referuar PBB, apo referuar vleftës së përgjithshem të shpenzimeve, janë gati tërësisht të njëjta, që nga viti 2001 (fakt) dhe deri në p/planin e 2009. Gjithçka është lineare, e njëtrajtshme. Nga viti në vit për një periudhë 9 vjeçare nuk duket asnjë prioritet.
Shpenzimet e përgjithshme nga viti 2001 deri në 2009, megjithëse dyfishohen (nga 186 miliard leke në 383 miliard leke), ato zënë gati 32% të PBB (me një ulje në rreth 28% në vitet 2005, 2006 dhe 2007)
Të shohim se ç’ndodh me sektorët e veçantë, marrim psh arësimin dhe shëndetësinë për të cilat flitet kaq shumë dhe konsiderohen si prioritete kryesore të qeverisë:
Në arësim, në viti 2001financimet buxhetore kanë qënë 3.3% (fakt), kurse pas 9 vjetësh përsëri planifikohen 3.5%, që në fakt, kur të realizohen do të rezultojë e njëjta shifër. Në vitet 2005, 2006 dhe 2007 buxheti fakt për arësimin ka qënë përkatësisht 3.2, 3.1, 3.2 përqind, më ulët se në 2001. Pra, shikoni çfarë ecurie lineare: asnjë prioritet nuk duket. Nga 2001 deri në 2009 shpenzimet në arësim zënë vetëm 10-11% të shpenzimeve të përgjithshme.
Marrim shëndetësinë: në vitin 2001 financimet buxhetore në këtë sektor kanë qënë 2.3 % të PBB, kurse në vitin 2009 propozohen 2.8% të PBB. Në vitet 2005, 2006, 2007 shpenzimet për shëndetësinë kanë qënë respektivisht 2.6, 2.4, 2.5 përqind, sa në 2001. Besoj se duket qartë që qeveria nuk e ka trajtuar shëndetësinë si sektor prioritar. Nga 2001 deri në 2009 shpenzimet për shëndetësinë përbëjnë vetëm 8-9% të shpenzimeve të përgjithshme.
E njëjta gjë është edhe për buxhetin social: për 2009 propozohet i njëjti nivel me faktin e 2001, bile buxheti social fakt i 2006 dhe 2007 apo plani i 2008 është më i lartë se projekti 2009.
E njëjta situatë është edhe për sektorët e tjerë: Vetem linearitet, asnjë prioritet. Shpenzimet e klasifikuara për disa degë si ato të energjisë, të bujqësisë, të transportit etj, tanimë paraqiten të përmbledhura në një zë të vetëm, të quajtur çështje ekonomie (?), që mesa duket qeveria këta sektorë nuk i konsideron më prioritete të saj. Kjo duket edhe në faktin që shpenzimet për ekonominë (dmth shpenzimet për bujqësinë, pyjet, transportin, energjine etj së bashku) ka ulje. Në 2001 këto financime zinin 6%, në 2009 propozohen të jenë 5.4%.
Në sektorin e bujqësisë, ku premtimet e qeverisë kanë qënë të shumta, ulja e buxhetit është e ndjeshme, si në vleftë absolute, ashtu dhe referuar PBB. Megjithëse bujqësia jep 27% të PBB, ajo merr vetëm 0.5% të PBB. Ulja është e theksuar sidomos në investimet.
Asgjë të re për mjedisin dhe për strehimin.
Treguesit e parashikuar në PBA, megjithëse shifrat e vitit të parë freskohen çdo vit, ndryshojnë ndjeshëm me ato që propozohen në projekt/buxhetin vjetor. Kështu në dokumentin e PBA 2008 – 2010 parashikohet që shpenzimet në tërësi të jenë 360 miliard lekë dhe tani propozohen 383 miliard lekë, investimet parashikohen 72 miliard lekë dhe propozohen 90 miliard lekë. Treguesit e shpenzimeve sipas klasifikimit funksional çdo vit kanë qënë, ashtu si dhe për projektin e 2009, më të ulët se vlerat e parashikuara në PBA përkatëse, kështu për arësimin e shëndetësin treguesit referuar PBB kanë qënë respektivsht 4% dhe 2.9% kurse në p/buxhet 2009 propozohen 3.5% dhe 2.8%.
Programimi i shpenzimeve brënda sektorëve (pra, ato që vendosin vetë ministritë dhe qeveria) është akoma më keq. Kriteret e efektivitetit dhe të përparësivë të zhvillimit brënda sektorve thuajse nuk merren fare në konsideratë. Ato tashmë janë zëvëndësuar me kritere partiake dhe elektorale. Kështu, tashmë prej 4 vitesh vazhdon të jetë në fuqi koefiçienti i uljes së vlerës së transfertave të pushtetit lokal, në zonat ku qeverisin të majtët.
Në kushtet kur kryeministri dhe ministrat flasin gjoja për prioritete dhe politika zhvillimi, por në fakt angazhohen tërësisht me premtimet elektorale, për nëpunësit korrekt të drejtorisë së buxhetit ka vetëm një mundësi: të llogarisin çdo vit të njëjta përqindje (koefiçientë) sipas sektorve të klasifikuar, pa ndryshuar asgjë. Ky është realiteti, ky është buxheti që miraton Kuvendi.
Zotërinj të maxhorancës,
Ju nuk keni prioritete të programuara, ju keni vetëm premtime demagogjike të bëra në ceremonitë e inagurimeve. Ju kënaqeni me fjalimet e zjarrta të kryeministrit për internetin, për Shqipërinë 1 Euro, për ullirin (sot ai foli edhe për vajin e ullirit), e shumë gjëra të tjera. Ju edhe tani në fund të mandatit tuaj vazhdoni të premtoni. E dëgjuat kryeministrin edhe në këtë seancë, ai foli njësoj si në fushatën elektorale. Kjo është arësyeja pse qeveria juaj nuk ka mbajtur premtimet e fryra elektorale: ato ishin dhe vazhdojnë të jenë tërësisht jashtë mundësive reale të buxheteve.
Kjo është arësyeja që ne e vlerësojmë qeverinë si mashtruese dhe të paaftë. Edhe ky projektbuxhet, si pararendësit e tij, nuk asnjë prioritet zhvillimi. Ai është vetëm buxhet i premtimeve të pambajtura.
Unë e kuptojë, është shumë më e lehtë të bësh premtime pa fund dhe natyrisht të mos i realizosh ato dhe është shumë e vështirë të përcaktosh drej dhe realisht prioritete të zhvillimit të vendit në përputhje me resurset që disponon dhe ti realizosh ato. Kjo mund të bëhet kur ke një program të qartë dhe një qeveri të aftë.