TI: Shqipëria zbret 18 vende, më i keqi në rajon për korrupsionin shtetëror
5.12.2012
Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, duke renditur 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, “Transparency International” e rendit Shqipërinë në vend të fundit, e ndërsa përpara nesh janë vende që pavarësisht krizave politike, kanë bërë një punë të mirë në luftën kundër korrupsionit. Sipas këtij indeksi, Shqipëria ka rënë me 18 vende. Kështu indeksi thekson se Shqipëria renditet në vendin e 113, duke pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95.
Ndërsa Kosova rezulton të ketë pësuar përmirësim duke u ngjitur 7 vende, duke u renditur në vendin e 105-të. Performancat jo të mira në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 përfshijnë edhe vendet e Eurozonës, të prekura nga kriza financiare dhe ekonomike. Në indeks Greqia rezulton në nivelin më të keq në të gjithë Evropën. “Transparency International” ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme Evropën që të adresojë rreziqet e korrupsionit në sektorin publik, për të trajtuar krizën financiare.
Maqedonia mbetet në të njëjtin nivel, teksa Bosnjë Hercegovina paraqet rezultat surprizë, duke u ngritur 19 vende më sipër. Përkeqësim duket dhe për Malin e Zi që tashmë ka zbritur 9 vende më poshtë.
Në Indeksin 2012 Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re lidhen me vendin e parë nga të 176 vendet, që do të thotë se ata ishin perceptuar të kenë nivele më të ulëta të korrupsionit në sektorin shtetëror. Suedia ishte e katërta me Singapori renditet i pesti.
Koreja e veriut renditet si shteti më i keq në drejtim të korrupsionit, përkrah Somalisë dhe Afganistanit. Teksa Shtetete e Bashkuara kanë pësuar 6 vende rritje, ndërsa Britania brenda një viti duket të ketë patur përkeqësim.