Qëndrimi i Bankës Qendrore ndaj inflacionit

Nga Alqi Naqellari, botuar në Panorama Online, 3.12.2012

Banka e Shqipërisë ka pasur dhe ka si objektiv të saj të tashëm dhe të ardhshëm “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Sa u përket objektivave të tjerë kryesorë makroekonomikë, si rritja e PBB dhe rënia e normës së papunësisë deri në nivelin e saj natyror, ajo nuk ka pasur asnjë objektiv konkret, për pasojë këta kanë mbetur objektiva të qeverisë shqiptare. Arsyeja pse kjo bankë nuk ka objektiva të tillë, është se ajo ka marrë në mënyrë shabllone objektivin e Bankës Qendrore Europiane. Ky është një gabim që ajo ka bërë, sepse ekonomia shqiptare nuk ngjason me asnjë nga ekonomitë e Europës Perëndimore. Këto ekonomi përgjithësisht veprojnë në produkt potencial, gjë që do të thotë se kanë përdorim të plotë të faktorëve ekonomikë dhe nuk kanë problem papunësinë dhe rritjen ekonomike. Problem për to në këto kushte është vetëm norma e inflacionit. Sa i përket sistemit financiar, ato mbështeten kryesisht në bursa dhe në sistemin bankar, në një kohë që sistemi financiar shqiptar mbështetet vetëm në sistemin bankar. Dhe më tej, në Shqipëri nuk ka asnjë bankë tregtare të nivelit të dytë që të jetë plotësisht me kapital shtetëror.

Ndryshe qëndron problemi për ekonominë shqiptare, ku niveli i papunësisë i deklaruar është 13.28%. Në Shqipëri nuk është problem real kryesor arritja dhe ruajtja e nivelit të çmimeve, por është rritja e PBB me ritme të larta dhe rënia e normës së papunësisë. Ekonomi si ekonomia shqiptare nuk mund të zhvillohen pa rritje të normës së inflacionit. Të sigurosh rritje ekonomike në kushtet shqiptare, duke pasur objektiv frenimin e inflacionit, ky është një absurditet. Frenimi i inflacionit më tej çon edhe në rritjen e normës së papunësisë dhe jo në rënien e saj. Inflacion në kushtet shqiptare do të thotë rritje ekonomike.

Banka e Shqipërisë sipas saj kontrollon normën e inflacionit por, pavarësisht kësaj, ajo thjesht është një ndikues pa peshë, sepse inflacioni në përgjithësi përcaktohet nga inflacioni i importuar dhe faktorë të tjerë subjektivë.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në inflacionin e ekonomisë shqiptare

Ndër këta faktorë mund të përmendim:

1. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël e hapur, ku normat e interesit të aplikuara prej saj varen nga normat e interesit të botës, ku të ardhurat nuk përputhen me shpenzimet. Politika monetare e saj është e varur nga politikat monetare të bankave qendrore të vendeve të tjera me ekonomi të madhe të hapur.

2. Prodhimet bujqësore nuk sigurojnë as nevojat e popullsisë fshatare. Vetëm rreth 30% e fermerëve shqiptarë dalin në treg. Shkalla e mekanizimit është shumë e ulët në raport me vendet me të cilat kemi marrëdhënie tregtare. Prodhimi shqiptar për shumë arsye nuk ka fuqi konkurruese në treg.

3. Raporti eksport-import është ¼ dhe pjesa më e madhe e mallrave të shportës, në bazë të së cilës llogaritet indeksi i çmimeve të konsumit (IÇK), importohen. Pra, çmimet e tyre përcaktohen jashtë kufirit shqiptar dhe i imponohen pjesës tjetër të prodhuar në vend.

4. Kurset e këmbimit të lekut në Shqipëri janë fleksibël, pavarësisht se Banka Qendrore herë pas here ndërhyn në treg duke blerë ose duke shitur valutë. Ato ndikojnë dukshëm në nivelin e çmimeve në vend dhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

5. Prurjet kryesore të valutës në ekonominë shqiptare nuk janë prej burimeve të eksportit, por një pjesë e konsiderueshme e tyre vjen prej mallit fuqi punëtore të eksportuar, domethënë prej refugjatëve shqiptarë që punojnë në vende të tjera. Krahas tij kemi edhe prurje nga sektori informal.

6. Në ekonominë shqiptare nuk kemi vetëm struktura tregu të tilla, si konkurrencë monopolistike, monopol e oligopol por kemi dy pole, kartele dhe marrëveshje të fshehta. Këto veprojnë nën emrin e shoqatave dhe shpesh kanë dalë hapur, madje edhe me presione ndaj qeverisë. Sot, ato së bashku me faktorët e tjerë përcaktojnë nivelin e çmimeve që sillet në treg.

7. Në tregun shqiptar ka abuzime të shpeshta prej tregtarëve si të shumicës ashtu edhe të pakicës, veçanërisht në periudhat festive, siç është rasti i tanishëm në prag të festave të nëntorit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

8. Stabiliteti politik e social i vendit dhe i vendeve me të cilat realizojmë marrëdhënie tregtare.

Pamundësia e mbajtjes në kontroll të inflacionit


Duke parë faktorët që ndikojnë në normën e inflacionit, atëherë më të drejtë shtrojmë pyetjen se cilat janë arsyet kryesore që Banka Qendrore e Shqipërisë nuk e kontrollon dot inflacionin.

E para, se në Shqipëri qarkullojnë tri monedha pa kurrfarë kufizimi, njësoj si leku shqiptar. Në Shqipëri sot, njësoj si leku, që është monedhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë, qarkullojnë edhe dy valuta të tjera, euro dhe dollarë. Këto dy valuta zënë pjesën më të madhe të kredive në totalin e përgjithshëm të tyre dhe po i afrohen 50% të depozitave. Nëse sot depozitat në lekë zënë 52% të totalit të depozitave, prej tyre në formë kredie shkojnë 60%. Ndërsa, nëse 48% të totalit të depozitave e zë valuta, mbi 95% e tyre shkojnë për kredi. Duke parë raportet ndaj totalit të depozitave dhe ndaj dhënies së kredive, fare qartë shikohet se leku shqiptar është i mënjanuar në qarkullim. Ai zë peshën më të madhe të depozitave, sepse depozitat në lekë kanë normë interesi të lartë dhe peshë të ulët në kredi, sepse normat e interesit në euro dhe dollarë janë shumë më të ulëta se normat e interesit në lekë.

Banka Qendrore ka mbajtur një qëndrim gati asnjanës ndaj situatave të pas 2008-s, duke parë vetëm treguesin e inflacionit, i cili në këto vite ka qenë i ulët në Shqipëri, kjo jo për meritë të Bankës Qendrore, por më së shumti për hir të recesionit global dhe krizës financiare. Ajo ka ulur normën bazë të interesit (REPO) në kuota simbolike, pa ndjekur veprimet e Bankës Qendrore Europiane apo edhe të bankave të tjera qendrore të vendeve jashtë BE. Një pjesë e këtyre bankave e ulën normën bazë deri në 0.5%, në një kohë që Banka Qendrore e Shqipërisë e uli atë dukshëm vetëm në vitin 2012. Konkretisht, në 2008-n ka qenë 6.25%, në 2009-n ka qenë 5.25%, në 2010-n ka qenë 5%, në 2011-n ka qenë 4.75% dhe sot, në nëntor 2012, është 4%. Ky qëndrim i BQ ka ndikuar negativisht në rritjen e qarkullimit të lekut shqiptar në fushën e investimeve, duke stimuluar kanalizimin e tij në buxhet nëpërmjet bonove të thesarit.

E dyta, se në Shqipëri nuk ka asnjë bankë të nivelit të dytë me kapital plotësisht shtetëror. Duke mos pasur një bankë të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror, në kushtet kur qarkullojnë lirshëm për depozita dhe kredi euroja dhe dollari, Banka Qendrore e ka pasur shumë të vështirë të ndikojë në tregun e valutave, si dhe në një sërë treguesish apo agregatesh monetare.

Sot, sistemi bankar përbëhet vetëm nga banka me kapital privat përgjithësisht të huaj dhe nga asnjë bankë me kapital shtetëror. Kjo situatë ka bërë që në sistemin bankar të krijohet një strukturë tregu oligopol, me një bankë drejtuese tërësisht me kapital të huaj, që është “Raiffeisen Bank”. Kriza e vitit 2008 theksoi ndikimin e bankave të huaja në procesin e transmetimit të politikës monetare në vendet me ekonomi në zhvillim. Kanë qenë të shpeshta rastet kur bankat qendrore të vendeve me tregje në zhvillim, ku bankat e huaja luajnë rol dominues, ulën normën bazë të interesit, gjë që nuk u shoqërua me ulje të normave të kreditimit.

Këto çështje kanë një rëndësi të veçantë për vendet me ekonomi në zhvillim, të cilat nuk ishin shkaku i krizës financiare të vitit 2008, por që ishin ato të cilat vuajtën në mënyrë të veçantë nacionalizmin financiar që u ndez nga kriza.

Kriza aktuale ndër të tjera nxori në pah edhe lidhjen midis pranisë së bankave të huaja dhe efikasitetit të politikës monetare. Nëse bankat e huaja janë aktorë të rëndësishëm financiarë në ekonominë e brendshme dhe nëse aktiviteti i tyre huadhënës dhe huamarrës ndikohet më shumë nga kushtet e ekonomisë në vendin mëmë sesa nga kushtet e vendit pritës, atëherë efikasiteti i zbatimit të politikës monetare është i dobët.

BQ mori një sërë masash që në vitin 2008, por efekti i tyre nuk ishte ai i prituri, pavarësisht se situata vlerësohet nën këndvështrime të ndryshme. Vetë guvernatori i Bankës Qendrore në 14 dhjetor 2010 ka pohuar se: “Kreditimi u ngadalësua ndjeshëm, kursi i këmbimit filloi të zhvlerësohej dhe parashikimet lidhur me rritjen ekonomike dhe inflacionin pësuan rënie. Ndërkohë, tërheqjet e depozitave vijuan më tej dhe problemet e lidhura me likuiditetin u thelluan” .”Përpara krizës, Banka e Shqipërisë i shihte me shqetësim kërcënimet e mundshme financiare që po akumuloheshin gjatë viteve të ndërmjetësimit të shpejtë financiar. Për ta ilustruar më konkretisht: pjesa më e madhe e rritjes së kredisë shkonte për sektorin e patregtueshëm të ekonomisë, ku shërbimet dhe ndërtimi përbënin pjesën më të madhe të kësaj rritjeje. Për më tepër, më shumë se 70% e totalit të kredisë ishte në valutë, ku ajo në euro zinte peshën kryesore të tepricës së kredisë”.

Privatizimi total i sistemit bankar zëvendësoi një formë të centralizuar me një tjetër, por që nuk është subjekt shtetëror. Ky zëvendësim i pronësisë nuk largoi apo mënjanoi fenomenin, përkundrazi, sot është më i theksuar efekti oligopol në treguesin e çmimeve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi