Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë u inauguruan një numër monumentesh kushtuar figurave historike të shqiptarëve
27.11.2012
Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë u inauguruan një numër monumentesh kushtuar figurave historike të shqiptarëve. Në Tiranë në një nga parqet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u inaugurua monumeti i Isamil Qemalit, vepër i Piktorit të Popullit Odhise Paskali. Gjithashtu edhe në Vlorë, në sheshin para universitetit me të njëjtin emër u vendos shtatorja e Ismail Qemalit, monument 7 metra i lartë (4.20 metra shtatorja dhe 2.70 piedestali). Bashkia e Vlorës ka lëvruar një fond të posaçëm për këtë shtatore, realizuar në bashkëautorësi nga skulptorët Zeqir Alizoti, Pëllumb Halili dhe arkitekti Pirro Stefa.
“Memoriali i Shqiponjës”, është një tjetër vepër madhore simbol krenarie për gjithë shqiptarët, e vendosur në rrethrrotullimin e Doganës, në Tiranë, që tashmë do të mbajë emrin “sheshi Shqiponja” që synon të kthehet në një pikë referimi për qytetin si ditën ashtu edhe natën. Me anë të një një pajisje të veçantë do të sigurohet ndriçimi me ngjyrë të kuqe për të ri-krijuar ngjyrën e sfondit të flamurit kombëtar. Monumenti-skulpturë i shqiponjës dy-krenare peshon plot prej 16 tonë çelik.
Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë u bë përurimi i shtatores së heroit Isa Boletini. Me këtë rast u vlerësua lart figura e Boletinit dhe kontributi i tij për themelimin e shtetit shqiptar. Shtatoren e ka punuar skulptori nga Durrësi, Idriz Balani. Ajo është e gjatë 3.65 metra dhe kap koston prej 60 mijë eurosh
Shtatorja e Hasan Prishtinës është vendosur në ambientin para Muzeut Historik Kombëtar, në vlerësim të kontributit të madh të tij në pavarësinë e shtetit shqiptar, është vepër e skulptorit Artan Peqini.
Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari është përjetësuar në bronz, në kryeqytetin shqiptar. Bashkia e Tiranës, ka organizuar një ceremoni ushtarake për zbulimin e shtatores, veper e skulptorit te popullit Mumtaz Dhrami. Ajo eshte 6 metra e lartë. Krahas truprojës së nderit të ushtrisë shqiptare, merrnin pjesë edhe 23 ushtarakë të forcës së sigurisë së Kosovës.