Guvernatori Fullani: Këshilli Mbikëqyrës vendos të mbajë të pandryshuar në 4 për qind normën bazë të interesit. E domosdoshme vendosja e një rregulli të ri fiskal

27.11.2012

Në daljen e tij publike pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani bëri një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit të ekonomisë, ku mes të tjerave foli për aktivitetin ekonomik, çmimet, kërkesën e huaj apo politikën fiskale. Guvernatori Fullani vlerësoi se niveli i konsumit dhe investimeve private mbeten të dobëta, ndërkohë që ritmet e kreditimit të ekonomisë janë ngadalësuar. Pasi ka analizuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar në 4 për qind normën bazë të interesit për lekun. Prej katërmuajsh norma e interesit mbahet në nivelin rekord më të ulët. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria ka shmangur recensionin, por vendi nuk po njeh më rritje të konsiderueshme. Banka e Shqipërisë parashikon që norma e inflacionit të mbetet rreth 3% deri në fund të vitit 2012-të.

Ndërkohë një ditë më parë Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës projektligjin që i mundëson qeverisë të heqë tavanin e borxhit publik prej 60 për qind, pa vendosur një kufi të ri. Zëvendësministri i Financave deklaroi se “për vitin 2013, qeveria është e gjykimit se politika e duhur fiskale do të ishte një politikë më ekspansioniste, duke synuar stimulimin e rritjes ekonomike. Materializimi i kësaj politike fiskale çon në një borxh publik për vitin 2013 në masën prej 62.6 për qind të produktit të brendshëm bruto, duke sjellë si domosdoshmëri amendimin e ligjit për sistemin buxhetor.”

Pas interesit të shprehur nga mediat lidhur me këtë lëvizje të qeverisë, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një masë e tillë duhet të pasohet me diskutime të gjera politike për të gjetur zgjidhje të mundshme.
“Një zgjidhje e domosdoshme, që natyrisht që nuk është çelësi magjik, sipas Bankës së Shqipërisë është një rregull i ri fiskal”, tha guvernatori, Ai shtoi se për të gjetur këtë rregull duhet që politika të ulet në diskutime, në mënyrë që të ketë dakordësi, çka do të krijojë besueshmëri të investitorëve tek ekonomia shqiptare. “I bëj ftesë të hapur politikës shqiptare të konkludojë me një rregull fiskal, i cili do të jetë një instrument mjaft i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të borxhit për dhënës-nxitësit e domosdoshëm, do të jetë një dritare me të gjitha fleksibilitetet e saj në rastet kur parashikohen ndërhyrje për situata të jashtëzakonshme dhe tejkalime, por njëkohësisht do të jetë një garanci për investitorët e brendshëm dhe të huaj sa i përket transparencës së tij”, tha Fullani.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi