Dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut ekspozohen në Pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar
21.11.2012
Dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut, që rikthehen në atdhe pas 500 vjetësh, u ekspozuan sot, për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë personalitetet më të larta të politikës dhe zv/Kancelari i Austrisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Michael Spindelegge si dhe ministrja austriake e Kulturës dhe Arsimit, Claudia Schmidt.
Në fjalën e tij kryeministri shqiptar tha se “Skënderbeu është frymëzimi, shtylla kryesore e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Zv/Kancelari i Austrisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Michael Spindelegger, tha se kjo është një ditë e shënuar për Austrinë dhe Shqipërinë, që tregon miqësinë mes kombeve tanë. “Kjo ekspozitë është një fillim i mirë i bashkëpunimeve të mëtejshme në fushën e kulturës”, tha Spindelegger. “Armët e ekspozuara në Muzeun e Kulturës në Vjenë janë objektet më të shquara që sot janë të lidhura me Skënderbeun. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut përmenden për herë të parë në shekullin e XVI, në inventarin e arqidukës së Tirolit, Ferdinandit, koleksionist i armëve”, tha ministrja Schmied.
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunsthistorisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit”. Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi mathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit).
Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit, është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Shpata tjetër ka trup të harkuar dhe së bashku me dorezën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Ajo është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente.
Ekspozita do të rrijë e hapur deri më 13 janar