Ambasadori holandez:” Është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat
20.11.2012
Në përgjigje të një deklarate të bërë nga Ministrja e Integrimit, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De La Beij, nëpërmjet një letre i jep përgjigje interesimit të Top Channel për të mësuar pozicionin e qeverisë së vendit të tij, që lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë.
Ambasadori thotë se pozicioni i qeverise holandeze nuk ka ndryshuar që prej letrës së 26 tetorit 2012, dërguar nga kabineti qeveritar për parlamentin holandez, letër e cila shpjegon opinionin e kabinetit qeveritar në lidhje me Strategjinë e Zgjerimit që Komisioni Europian bëri publike në 10 tetor 2012.
“Holanda e mirëpret këtë raport dhe mbështet theksin e vënë nga Komisioni Europian mbi rëndësinë e shtetit të së drejtës që diskutohet me të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare të BE-së,” thotë ambasadori De la Beij.
“Raporti i progresit përmban një analizë dhe vlerësim shumë të mirë dhe të detajuar për këto vende. Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat me kushtin e plotësimit të masave të rëndësishme (kyçe) në fushën e reformës së gjyqësorit, reformës në administratën publike dhe rishikimit të rregullores dhe procedurave të parlamentit. Komisioni gjithashtu do të vlerësojë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Në vijim të kësaj letre ambasadori thekson se Holanda është dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e politikave të BE-së për zgjerimin. Edhe njëherë tjetër në emër të qeverisë holandeze ambasadori Martin de la Beij thekson se gjithsesi, bazuar ne kriteret e Kopenhagenit, Holanda ka opinionin se Shqipëria nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat.
Pozicioni i Holandës përballë zhvillimeve në Shqipëri, që lidhen me integrimin, është i qartë pasi sipas ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë shembuj konkretë se si këto ligje zbatohen dhe vihen në jetë.
Në përgjigjen e ambasadorit nuk mungon së kujtuari autoriteteve shqiptari se “Raporti e deklaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një “track record” të besueshëm (bazë të besueshme të dhënash), duke vërtetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të ekzekutohen dhe zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj Holanda është e mendimit se është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
Ambasadori e mbyll me këto fjalë letrën e tij. “Holanda ka pasur gjithmonë një politikë “strikte dhe të drejtë” përsa i përket procesit të zgjerimit. Është Shqipëria ajo që duhet të bëjë përpjekjet për të përmbushur kriteret dhe për të treguar se është e mundur që këto kritere të zbatohen”.