Tatimi progresiv – 500 vjet para Marksit

Nga Prof. Dr. Anastas Angjeli, botuar në Panorama online, 19.11.2012

 

Kohët e fundit, jo vetëm në shtypin e përditshëm, por edhe në debatin politik (kryesisht midis opozitës dhe maxhorancës) dhe atë profesional dhe mes komunitetit të biznesit, është ushtruar një kritikë (prej maxhorancës dhe mbështetësve të saj), lidhur me mundësinë e zëvendësimit të taksës së sheshtë me taksën progresive, duke ngritur alibinë se “tatimi progresiv është një instrument marksist i politikës tatimore”?! “Grackë”, në të cilën, perveç disa politikanëve, kanë rënë dhe ekspertë e media të veçanta. Përtej keqardhjes, në rastin më të mirë, kjo kritikë e disa ithtarëve të së djathtës tregon se ose ata nuk e njohin historinë botërore të politikës tatimore, ose nuk njohin mirë qëllimin e përdorimit në veprat e Marksit dhe të Engelsit të tatimit progresiv. Për më tepër, teoria e tatimit progresiv ka lindur dhe është aplikuar për herë të parë rreth 500 vjet më parë në Angli e në Francë që në shekullin XIV, e ndërsa Marksi e ka shkruar veprën e tij në shekullin XIX. Akoma më tej…

RRËZIMI I ALIBISË “TATIMI PROGRESIV – INSTRUMENT MARKSIST”?!

Argumentet e mëposhtme janë te bazuara në fakte historike dhe shkencore, të cilat e rrëzojnë pretendimin e mjegullt mbi marksizmin e taksimit progresiv.

ARGUMENTI I PARË: Po t’i referohemi historisë ekonomike dhe tatimore dhe studiuesve të këtyre politikave, para lindjes së marksizmit, është e qartë se në përgjithësi politika tatimore dhe llojet e ndryshme të tatimeve (dhe vetë financat) kanë lindur njëherësh me lindjen e shtetit. Ato e kanë zanafillën që në lashtësi, fillimisht në Egjipt, pastaj ëe Greqinë e lashtë, në Perandorinë Romake, për t’u përsosur më vonë me zhvillimin e kapitalizmit në Angli e në Francë dhe në shtetet e tjera të Europës dhe në Amerikë. Dhe kjo është e vërtetueshme mjaft lehtë. Mjafton të kthehemi shumë shkurt, pas në kohë, në këtë histori. Kështu, në mënyrë më specifike, tarifat e tatimit progresiv, për të cilat ka lindur ky debat, janë përdorur në Angli e në Francë që në shekullin XIV (në kohën e luftës 100-vjeçare franko-angleze në vitet 1337-1453). Më vonë, në Amerikën koloniale, në vitet 1764-1775. Gjithë politika tatimore është përpunuar e përsosur më tej nëpërmjet “British Tax Act” të vitit 1792 (në një kohë që Marksi nuk kishte lindur – ai lindi në vitin 1818!), që vendosi tarifën progresive të tatimit mbi të ardhura që fillonte me 0,8% për të ardhura 60 paund dhe arrinte 10% për të ardhura mbi 200 paund. Dhe besoj se nuk është e rastit që parimet e politikës tatimore (parimet e tatimit) janë formuluar nga themeluesi i shkencës ekonomike, Adam Smithi. Për më tepër njohuri historike për tarifën progresive të tatimit, sidomos mbi të ardhurat, veçanërisht gjatë zhvillimit të ekonomisë kapitaliste, mund të gjenden lehtë nga kushdo, mjafton t’i drejtohet bibliotekës apo internetit. Atje do të gjejnë shumë botime për këtë çështje, ndër të cilat përmendim “Tax World: A History of Taxation” ose “History of the Income taxation in the United States” ose “Modern History of Modern Taxation” etj. Ndërsa, nëse duhet t’i referoheni kësaj takse (progresive) dhe përdorimit të saj para çlirimit në Shqipëri (në regjimin e Zogut dhe më parë), mund t’i adresohemi te një nga veprat e përkryera historiko-shkencore të financave të Shqipërisë, pikërisht librit “Financat e Shqipnisë” 1839-1934 (p.sh. Kap.11. f252-258, Tatimi mbi të ardhuna – autor: Haxhi Shkoza, Inspektor i përgjithshëm i oborrit mbretnuer). Nuk e besoj që Haxhi Shkoza dhe vetë mbreti Zog të kenë qenë marksistë!

ARGUMENTI I DYTË: Marksi dhe Engelsi, ashtu sikurse edhe shkollat e tjera ekonomike, e kanë përmendur, i janë referuar dhe kanë përdorur teorinë e tatimeve në përgjithësi dhe atë progresive apo proporcionale në veçanti në funksion të teorive dhe sipas interesave të tyre. Kështu mjafton të lexohen punimet e botuara në shqip, konkretisht: veprat “Thirrja e KQ drejtuar lidhjes së komunistëve mars 1850 (faqe 111), “Lufta e klasave në Francë” faqe 138, 170-171, 177-178, 212-213, 215, 220 ose “Rreth Çështjes së Banesave” (faqe 597-598 , 607) dhe veprat e zgjedhura vëll. II “Kritika e Programit të Gotes” (faqe 25-26) ose “Origjina e familjes…” (faqe 340) për të kuptuar më mirë pikëpamjet e Marksit dhe të Engelsit mbi tatimin progresiv. Marksi dhe Engelsi e kanë trajtuar problemin e tatimit progresiv për dy arsye (qëllime):

Së pari, për të kritikuar (sipas tyre) të ashtuquajturit ideologë të borgjezisë, që pretendonin se thelbi i sistemit kapitalist mund të ndryshojë nëpërmjet politikës tatimore. Por për Marksin asnjë ndryshim i sistemit tatimor (pra dhe instrumentit për llojin e tatimit mbi të ardhurat) nuk përfaqësonte mjetin për kalimin nga kapitalizmi në socializëm. Kjo sepse në thelb të teorisë së tij kishte shpronësimin total të pronarëve (mohonin pronën private).

Së dyti, Marksi dhe Engelsi, ndonëse nuk e mohonin se tatimi progresiv mbi të ardhurat ishte më i drejtë se ai proporcional, ashtu si realisht, për periudhën që ata i referoheshin (kjo lloj tarife tatimi progresiv), mund të rëndonte disi më shumë shtresat e pasura. Por, për ta, jo vetëm që kjo nuk sillte asnjë lloj socializmi, po ashtu siç kanë bërë shumë shkolla ekonomike, para dhe pas tyre, i kanë përdorur në analizat e tyre të gjitha llojet e tatimeve. Madje, Marksi dhe Engelsi kanë përdorur jo më pak edhe taksën proporcionale (të sheshtë).

Ndërkohë që është e provuar se teoria mbi parimet dhe elementet e tatimeve mbajnë vulën e A.Smithit (në veprën “Hulumtime mbi natyrën dhe shkaqet e pasurisë së kombeve” (1776) dhe A.Wagner-it, ndërsa në vite para dhe pas lindjes së Marksit, teoritë mbi financat u janë referuar (tatimet, taksat) edhe Th.Men.W.Petty (shek. XVII-XVIII), Malchus dhe Rau K.H,D.Rikardo dhe G.Zheze e me radhë, Stein, Sax, Pantaleoni, Davidi de Marco, Graziani etj. etj.

E VËRTETA: TATIMI PROGRESIV, MË SHUMË DREJTËSI SOCIALE DHE ZHVILLIM EKONOMIK.

Në shekullin e kaluar dhe në këto vite të këtij shekulli, sidomos në kushtet e globalizimit të ekonomisë, politika tatimore ka një rol dhe rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut. Ajo është trajtuar dhe përmirësuar në vazhdimësi. Kështu, sot sistemin progresiv e përdorin vendet e BE, ShBA, Kina, Japonia, Brazili, Australia etj., kurse tatimin përpjesëtimor Vendet Balltike, Rusia, ish-republikat sovjetike, vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore etj.
Në funksion të kushteve të krijuara (kriza globale dhe ajo në eurozonë), reformat dhe ndryshimet fiskale që po bëhen në shumë vende të BE (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë) e në SHBA po priren drejt progresivitetit.

Kjo përqasje, për më shumë drejtësi sociale nëpërmjet një taksimi progresiv, vjen edhe nga SHBA. Presidenti Obama që në mandatin e tij të parë ishte fokusuar fort për ndryshime në mënyrën e vendosjes së taksave, duke u bazuar te parimi se ata që fitojnë më shumë duhet të kontribuojnë edhe më shumë. Një përqasje që u mbështet nga populli amerikan në fushatën për rizgjedhjen e Tij, duke i dhënë besimin Obamës për katër vjet të tjera. Jo më kot
që në fjalimin e parë, pas rizgjedhjes së tij, Obama përsëriti atë që kishte deklaruar edhe gjatë fushatës elektorale: “Nqs duam të ulim deficitin, atëherë duhet të kombinojmë uljen e shpenzimeve me rritjen e të ardhurave – që do të thotë të kërkojmë nga amerikanët e pasur të paguajnë pak më shumë taksa”, deklaroi ai. Gjithashtu, me gjithë kritikat që i janë bërë Presidentit francez Francoise Hollande, gjatë këtyre dy muajve të fundit, kritika si nga e djathta por edhe nga e majta, ai u qëndron konsekuent premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Dhe një nga këto premtime ishte pikërisht një taksim progresiv më i lartë, për dy vitet e ardhshme, për fitimet mbi 1 milion euro. Dhe parimi ishte pikërisht arritja e një drejtësie sociale dhe, nëpërmjet saj, një zhvillimi ekonomik për vendin. Gjatë intervistës së dhënë me 13 nëntor të këtij viti, Presidenti francez mbrojti politikat e tij (përfshirë atë fiskale), duke kërkuar nga populli francez që ta vlerësojnë në fund të mandatit të tij, dhe se në fund të pesë viteve të rinjtë do të jetojnë më mirë se sot.

Edhe sistemi fiskal shqiptar, në këto 22 vite tranzicion, ka pësuar evoluimin e vet. Ai ka ndryshuar dhe është zhvilluar në varësi të fazave, ndryshimeve, transformimeve dhe zhvillimeve që ekonomia e tregut ka pësuar në vendin tonë dhe natyrisht të ndryshimeve politike dhe qeverisëse, në përputhje dhe në funksion të programeve të tyre. Këtu nuk mund të mos shtojmë dhe të vlerësojmë dhe asistencën teknike të huaj e këshillat e dhëna nga institucionet financiare ndërkombëtare apo misione specifike të BE-së. Për rastin konkret, lidhur me debatin tatim progresiv apo proporcional, mund të themi se deri më 2007-n është përdorur sistemi i tatimit progresiv, kurse prej vitit 2008 – sistemi përpjesëtimor. Në sistemin progresiv, të ardhurat për efekt tatimi ishin ndarë në pesë grupe, përkatësisht: 1%; 3.6%; 7.1%; 5.6 % dhe 13.2 %. Sipas sistemit përpjesëtimor, shumat mbi 10 mijë lekë në muaj, me ndonjë veçori, tatohen të gjitha me 10%. Në kuadrin e këtij sistemi, edhe tatimi mbi fitimin u ul nga 20% në 10%. Ndonëse koha e përdorimit të sistemit përpjesëtimor është e shkurtër, të dhënat tregojnë se të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin kundrejt PBB më 2011 kanë rënë 0.1%, kundrejt vitit 2007. Prandaj dhe gjykimi (për avantazhet dhe disavantazhet mes tyre) bëhet kur sistemet provohen për një kohë, në një ambient të caktuar ekonomik (fazë zhvillimi) dhe të ndikimit të faktorëve të tjerë ekonomikë dhe financiarë të brendshëm (politikat e zhvillimit që zbaton apo programon të zbatosh) dhe faktorë të zhvillimeve të jashtme dhe të ndikimit të tyre në ekonominë e brendshme (p.sh., në këtë moment kriza në eurozonë). Pra, përveç diferencave klasike mes sistemeve, vlerësimi i ndryshimeve bëhet në momentin dhe terrenin ekonomik të caktuar.
Kështu, nëse taksa e sheshtë në fillim të zbatimit të saj la përshtypjen e përfshirjes më të gjerë të tatimpaguesve (zgjerim i bazës tatimore) dhe “krijoi lehtësi në llogaritje dhe mbledhje të të ardhurave (thjeshtëzim) nga organet fiskale, ajo rëndon më shumë, padrejtësisht këdo që ka të ardhura të vogla (shumicën) individë apo biznese të vegjël, apo të mesëm, në raport me të ardhurat (rentabilitetin, fitimin), duke u kufizuar atyre nevojat jetike apo mundësinë e zhvillimit të biznesit të tyre. Dhe, nga ana tjetër, lejon më shumë mundësi përfitimi të pamerituara për grupime të veçanta, monopoleve apo oligopoleve, duke pakësuar të ardhurat e buxhetit të shtetit në raport me GDP dhe mundësinë e rikthimit të tyre ndaj gjithë vendit dhe popullsisë në formën e shpenzimeve për shërbime të ndryshme, në përputhje me funksionet e shtetit. Përkundrazi, një sistem progresiv i mirëstudiuar dhe i konsultuar me ekspertët më të mirë, botën akademike dhe komunitetin e biznesit, i diferencuar për të ardhurat personale, nga ajo mbi biznesin e vogël, fitimin apo dividendin mbi biznesin e mesëm nga ai i madh veçanërisht monopolet, i garanton vazhdimin e zgjerimit të bazës tatimore dhe jep më shumë drejtësi sociale e ekonomike dhe liri zhvillimi.

Në funksion të këtij qëllimi, në kushtet aktuale, sidomos në kushtet e krizës globale, asaj të eurozonës e të ndikimit të saj edhe në ekonominë tonë, reflektimet mbi sistemin tatimor duhet të bëhen për të përmirësuar e siguruar konkretisht:

a) një drejtësi më të madhe shoqërore (ai që përfiton dhe ka më shumë duhet të kontribuojë, pra të paguajë më shumë)

b) një politikë ekonomike që siguron jo vetëm rishpërndarjen e të ardhurave, por dhe zhvillimin më të mirë të ekonomisë duke kombinuar të gjitha llojet e tatimeve direkte dhe indirekte. Pa këto instrumente nuk mund të zbatohet një politikë sociale e të ardhurave për zbutjen e pabarazive të mëdha sociale që mund të krijohen në shoqëri.

c) një politikë tatimore që merr mirë parasysh burimin e krijimit të të ardhurave (nga kapitali, nga puna, nga llojet e ndryshme të veprimtarisë etj) dhe të shkallës së rentabilitetit (fitimit).

Po përse përdorimi i tarifës progresive tatimore të shkallëzuar siguron një drejtësi më të madhe shoqërore dhe një zhvillim më të madh ekonomik?

Gjykimi duhet mbështetur në atë që, nëse për efekte tatimore a duhet trajtuar njësoj fitimi i superkompanive (monopoleve etj) me të ardhurat e një biznesi të vogël, apo një fermeri të thjeshtë, apo një punëtori të zakonshëm? Mendoj se jo. Më tej, për një politikë tatimore më efikase, kërkohet një trajtim i veçantë i të ardhurave të ndryshme sipas burimit të krijimit të tyre.

A mund të tatohen njësoj të ardhurat e punës me ato të trashëgimisë së pasurisë ose të ardhurat e lojërave të fatit me ato të fermerëve të vegjël? Përsëri mendoj se jo.
Përveç kësaj, duhet të merret parasysh se burimi kryesor i të ardhurave buxhetore përbëhen nga tatimet indirekte, tarifat e të cilave mund që të konsiderohen tarifa proporcionale, sepse nuk marrin fare parasysh nivelin e të ardhurave të blerësit të mallrave dhe të shërbimeve në të cilat përfshihet tatimi indirekt (përballë shitësit të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, çdo blerës edhe ai me të ardhura të mëdha dhe ai me të vogla trajtohen – goditen nga taksat indirekte njësoj). Është kjo një arsye më shumë që përdorimi i tarifës progresive tatimore të shkallëzuar siguron një drejtësi më të madhe shoqërore.

Gjithashtu, politika e re tatimore sot kërkon një trajtim më të drejtë lidhur me tarifat proporcionale e progresive të tatimeve në kuadrin e një politike më të plotë të të ardhurave që ndihmojnë shtresat me të ardhura të ulëta dhe evitojnë pabarazitë e thella që krijojnë reagime të forta shoqërore. Është kjo një arsye më shumë, që në kohën e sotme, në vendet ku vihet re një thellim i mëtejshëm i pabarazisë ekonomike (në shumicën e këtyre vendeve), përdoret tarifa progresive e tatimit të të ardhurave dhe të pasurisë. Kështu, duke qenë se tatimi progresiv favorizon njerëzit me të ardhura të pakta, atëherë arrihet në konkluzionin se ky lloj tatimi nxit më shumë përpjekjet ekonomike të shtresave të varfra për përmirësimin e ekonomisë dhe të gjendjes sociale të tyre, duke i motivuar më tepër për zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë (Shiko. Richard A.Easterlin “Diminishing Marginal Utility of Income”).
Prandaj, aplikimi i taksës progresive, i mirëstudiuar dhe mirëbalancuar, që konsideron drejt të ardhurat personale, fitimet, rentabilitetin (i cili mund të synojë që përveç monopoleve dhe super të ardhurave personale që do të kenë një shkallë më të lartë, pavarësisht nga shkalla e tarifës së progresivitetit, apo dhe vendosje e taksës negative për disa raste, duke filluar nga tarifa zero, si mesatare të mos e kalojë 10%) është më pozitive, prandaj nuk duhet të frikësojë askënd, asnjë lloj biznesi. Përkundrazi, aplikimi i saj ofron më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale, më shumë liri për zhvillim dhe kontribut më të drejtë në buxhet duke e shndërruar në përfitim për zhvillim të të gjithë vendit dhe të gjithë qytetarëve, duke ngushtuar pabarazinë e thellë sociale, bashkërenduar me një program masash modernizimi të administratës fiskale dhe një sjellje ndryshe (nga gjobat e korrupsioni) dhe bazuar në respektimin e ligjit, në luftë kundër informalitetit, prurja e këtij sistemi do të jetë shumë më i drejtë dhe më pozitive.

***
Më në fund, dua të theksoj se debati mbi sistemin e taksave është një debat me shumë vlera, jo vetëm për rolin që politika tatimore ka për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit e për më shumë drejtësi sociale, por edhe për më shumë transparencë e ndërgjegjësim të taksapaguesve shqiptarë. Vlerat e këtij debati shtohen kur opinionit publik i transmetohen njëherësh edhe masat dhe programi për llojin e ekonomisë që do të zhvillojmë në 10-15 vitet e ardhshme, se si dhe se përmes çfarë prioritetesh do të mund te rimarrim një model të rritjes ekonomike, kaq të nevojshëm e të domosdoshëm, tashmë që ekonomia shqiptare po shkon drejt zeros, në një ngrirje të plotë. Në një kohe kur rreziku i destabilitetit makroekonomik është evident dhe qëndrueshmëria fiskale po kërcënohet.
Çdo politikë e re tatimesh do të zbatohet mbi një ekonomi reale, që është burim i të ardhurave. Sistemi që zgjedh të përdoresh, i maksimizon dhe garanton ose jo drejtësinë ekonomike e sociale dhe zgjedh rrugën qe lehtëson tejkalimin e situatave te krizës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi